Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Zeqir Cama

Përdhosje

I fshive rrudhat, ënjte buzët,
çairi i lotit mori zjarr,
me pak retush kërcor tek hunda,
prish e ndreq pa vënë karar.

E ule peshën pendë si flutur,
pa pyet reston në kuletë,
veç shpirtin s’e bën dot të bukur,
se grerëza s’mund të bëhet bletë.

Kujt t’i ankohem

Rrëmova dhe s’e gjeta përgjigjen që desha:
“Më mirë një pulë mot
a sot një kokërr vezë”?
Dhe mbeta kuturu,
me duart në kokë;
një popël mes poplave,
për faqe të zezë.

U besova si lidër dhe u ndoqa nga pas,
pa u lodhur shesheve entuaziazt,
fjalimet ua përpiva kaliqafë,
dhe sapunin e hëngra për djath.

Të parën herë, paçi ju, faqen e zezë,
më marrosët si donzhuani vajzat pa faj.
Fërkova duart
për të nesërmen “vaj o vaj”!

Pastaj kok’ e këmbë fajtor u bëra vetë,
u mpiva si i mpirë,
me shpresa pa shpresë!
Tani s’ kam fuqi të ankohem
por dhe kujt t’i ankohem,
për faqen e zezë!

Këtej nga North Amerika

S’ma hante mendja që ca gjëra t’i quaja normale,
ka zemër të gjerë dhe bujari North Amerika!…

Lepujt trimosh nuk trëmben nga njerëzit,
pa mëdyshje ngrenë strofkullin tek imja bahçe,
pëllumbat të nxjerrin sytë si koqe misri në parqe…
E sheh veten “në çark” po t’i zësh me çarqe!

Rakuna* hakmerret, ta përzësh nga mbeturinat,
rosave s’ua “kërcet” te korsia e makinave.
Sekush në hall të vet, s’të sheh kush në sy,
dimrit me bluza vere, pa çadra shiu në shi,
përdorin kartkreditet, s’u duhen pare xhepi,
djemtë pëlqejnë vajzat me përvoja seksi.

E para e provincës pranon që është lesbike,
në mbretëri të gejve s’i bën kujt përshtypje!
“Pse-ja” shurdhmemece mbetet pa përgjigje.

*- gjitar i madhësisë mesatare që jeton në Amerikën e Veriut.

Më ra taka e këpucës

Më ra taka e këpucës,
si ta ngjit? T’i ngul thonjtë!
Zeba* që dansonte rrugës,
gati m’i mbathi patkonjtë.

U qorrepsç dhe shkela huq,
pas të bukurës që prëhej,
zebë e hajthme, në të kuq,
më e mirë, ama, nuk bëhej!

Po ç’e do… Më zi nuk ka,
i kam sytë në të flashkur,
dallgës po t’ i rri në krah,
dal i mbytur, jo i lagur!

*- zeshkane

Të fismit

Lartohen si rrathët e lisit
mbi supet e njeri-tjetrit,
siç ngrihen qiellgërvishësit,
nga kati në kat,
vënë majat e këmbëve
te thembrat e pararenëdsit,
pa harruar thembrat e të tjerve më pas.

Si zjarret në pyll,
nga zjarri lind zjarri,
sa merr hov i treti,
zë shuhet i pari,
ndizet i pesti,
i dhjeti,
i njëqindti…
Ata që janë shuar
nuk ndizen së dyti!

Nga të ikurit poshtë
te të gjallët sipër,
i fismi, i fisëm,
vjen dhe ikën i fisëm.

S’e pashë të qahej

Ulur s’e pashë të hante,
s’e gënjeu gojën askund,
racionin e saj e ndante,
hante ç’t’i mbetej në fund.

S’e pashë kurrë të qahej,
lodhej tërë ditën në ara,
babai hante çka hahej,
ç’t’i vinte nëna përpara.

Kurrë nuk tha u mërzita,
miqtë nga rruga i ktheu,
vaktet e ngrënies përdita,
me thonj i nxorri nga dheu.

Fap, sikur vihej në gara,
pa çmuar peshën e mundit,
ç’na dha doli e para,
ç’na mori mbeti e fundit!

Në gjyq

Seanca gjyqësore u mbyll.
Vendimi u dha:
“I pa shpresë”!

Si fati i të sëmurit në dorën e Zotit,
hem mund të rrojë,
hem mund të vdesë!

Vendimi i radhës,
s’na bëri më çudi.
E gjykuan për tigër,
e shpallën njeri!

Thamë, u rehatuam

Më shumë se vitet na plakën hallet,
(se s’ishim të qejfit, as të gjumit)
Për t’i vënë punët në vijë
zgjoheshim të parët-
flinim të fundit.

S’na zunë këmbët dhe…
Sa morëm apartament,
paisëm shtëpinë,
me kursimet që mblidhnim
i blemë një nga një,
duke i ngjitur si hamej në shpinë.

Bëmë masën tonë;
shtrimë këmbët,sa jorgani me porosi…
Tani që fëmijtë u bënë prindër, të thonë,
në ishim të denjë për fëmijë!

I rritëm, i shkolluam,
me kë deshën, i martuam
dhe thamë: “U rehatuam”.
Por ku e lamë, e nisëm,
jo si prindër,
si gjyshër,
me të njëjtin avaz:
Të rehatojmë fëmijët!
Pa neve? Më pas!