Një lajm i bukur për trashëgiminë shpirtërore të kombit shqiptar!

Besiana Kadare
Lahuta, një nga simbolet e çmuar të identitetit tonë kulturor që përbën një dimension thelbësor edhe të kujtesës kombëtare, u shpall sot pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit duke u regjistruar në Listën në Nevojë për Mbrojtje urgjente të UNESCO-s.
Ky art shekullor, që ka përcjellë brez pas brezi virtytet e trimërisë, besës dhe mikpritjes në trevat e veriut, më në fund merr vëmendjen ndërkombëtare dhe institucionale që meriton.
Urime dhe mirënjohje të gjithë atyre që punuan ndër vite me përkushtim dhe profesionalizëm për këtë dosje. Ky është një sukses i tyre dhe veçanërisht i komuniteteve që e mbajnë këtë traditë gjallë.
Por njohja është vetëm hapi i parë. Shqipëria regjistroi edhe artin e Xhubletës në të njëjtën listë, dy vjet më parë. Përtej festimit dhe krenarisë së natyrshme, është e rëndësishme të raportohet qartë se çfarë është bërë konkretisht për mbrojtjen dhe promovimin e Xhubletës që prej regjistrimit, si edhe çfarë masash do të ndërmerren për ruajtjen e artit të Lahutës.
Trashëgimia kulturore shpirtërore jeton vetëm nëse ne punojmë për të dhe transmetimin e saj ndër breza.