Albspirit

Media/News/Publishing

ROMANI “I ARRATISURI”, NJË VLERË E SHTUAR NË PANTEONIN E LETËRSISË SHQIPTARE


Ismail Elezi


Ka disa ditë që përfundova së lexuari romanin “I arratisuri”. Kam mbetur i mahnitur dhe i mrekulluar nga stili origjinal në paraqitjen e ngjarjeve të jetës, portretizimi i personazheve, i përshkrimin e mjediseve, të zakoneve e traditave të trevave myzeqare. Autori ia ka arritur me sukses që në faqet e këtij romani të përcjellë një periudhë gati epokale të jetës myzeqare, me të mirat dhe të këqijat e saj, me gëzimet e hidhërimet, me hallet dhe problemet, me dashurinë për jetën e, mbi të gjitha me dashurinë për femrën (për vajzën dhe gruan e bukur) që është dhe strumbullari i gjithë jetës.
Lexova dhe vlerësimet e F. Musait, si dhe i intervistën me të për këtë roman. Më pëlqyen jashtëzakonisht. Ç’vlerësime më të arrira mund të bëj unë?! Megjithatë…
Në përfundim të romanit “I arratisuri” më është kujtuar një thënie shumë e bukur e Votrenit te “Xha Gorioi”, i cili i thotë Rastinjakut se, që të ngjitësh shkallët e shoqërisë së lartë pariziene, duhet o të përhapesh si murtaja, o të shpërthesh si gjyle topi…
Mendoj se kjo thënie vlen edhe për letërsinë e artin. Veprat e bukura dhe të arrira artistikisht zenë kryet e vendit.
Në perceptimin tim ” I arratisuri”, me fantazinë e ndezur, me harmonizimin e përsosur të elementeve fantastike me skenat e jetës reale, me thyerjen e skemave dhe me të gjitha vlerat artistike që mbart në tërësi, “ka shpërthyer” si një gjyle topi në këtë kohë të turbullt e kaotike, ku shpesh antivlerat kthehen në vlera. Si i tille “I arratisuri”, përbën një vlerë të shtuar në panteonin e letërsisë shqiptare.
Edhe pse lexoj here pas here romane si nga letërsia shqiptare, ashtu dhe nga ajo botërore, kisha kohë që s’kisha përjetuar kënaqësi e ndjesi të tilla si me romanin “I arratisuri”.
Më duket se në këtë roman çdo gjë është e mrekullueshme dhe në vendin e duhur. Po veçoj disa momente:

  1. Magjia e dashurisë e trajtuar dhe përshkruar në mënyrë mjeshtërore. Kujtojmë dashurinë e çiftit Ermir-Sidrita, një dashuri që e tjetërson njeriun (Ermirin), e lumturon dhe e ngjit në qiejt e parajsës. Dashuria e Lalë Rrapit dhe Mentar Shelgut për ciganen Anja, dashuri tepër pasionante që i armiqëson me njeri-tjetrin, por edhe i bashkon (kujtojmë përkujdesjen që tregojnë të dy për varrin e të panjohurit). Dashuria ka magjinë që i zhduk dallimet racore, klasore etj. Për Anjën, Mentari braktis familjen, jeton me ciganët, këndon e kërcen me ta. Dashuria është gjithmonë për të bukurën. Dashuria dhe e bukura janë një, të shkrira me njëra-tjetrën.

2. Individualizimi mjeshtëror i personazheve. Megjithëse në faqet e romanit gëlon një galeri personazhesh, secili prej tyre nga më kryesorët deri te më episodikët, spikat me origjinalitetin e tij, si në karakter e sjellje, ashtu edhe në portretin fizik. Lalë Rrapi dhe Mentar Shelgu, dy cepat e litarit, sa të ndryshëm, aq dhe të ngjashëm; Ermiri, Luani dhe Agimi, Sidrita; Engjëlli dhe Edlira; gjyshja, babai dhe nëna e Ermirit; radiopërhapja, Sosja, ish- i plotfuqishmi, Ulumati, memeci…

3. Përshkrimi i mjediseve; Anadelli, Kroinjelmi, Pllana e Kuqe, Gruemira etj.

4. Elemente të realizmit magjik, por dhe te surealizmit i gjen të pranishme në faqet e këtij romani. Në disa ngjarje e veprime personazhesh (qentë e tërbuar dhe vrasja e tyre, protesta e grave të burgosura, veprimet e Ulumatit etj.) të kujtojnë skena të romaneve të Markezit, veçse me origjinalitet tërësisht shqiptar e me ngjyrim myzeqar.
Pasuria dhe larmishmëria gjuhësore është një tjetër vlerë e shtuar e këtij romani.
E përsëris, romani “I arratisuri” përbën një vlerë të shtuar në panteonin e letërsisë shqiptare!