Fitnete Gruda: Shteti i pasigurisë nis në sallën e gjyqit
Ngjarjet e kohëve të fundit – nga vendimmarrjet e kontestuara gjyqësore deri te tragjedia në Gjykatën e Apelit në Tiranë – kanë vënë drejtësinë në qendër të debatit publik.
Zërat kritik të qytetarëve të nxitur nga reagimet e Kryeministrit mbi disa vendimmarrje gjyqësore dhe në veçanti reagimi i opinionit publik i tronditur pas aktit fatal në ambientet e gjykatës së Apelit treguan disa të vërteta të pakëndshme:
– pasiguria në sallën e gjyqit nuk është një episod i rastësishëm, por simptomë e një sistemi të brishtë e të pambrojtur prej vitesh;
– pasiguria në gjykata është pjesë e pasigurisë në vend;
– proceset e munguar transparence dhe drejtësie i kanë sjellë publikut – palë në procese, tronditje të thellë emocionale;
– sjelljet e disa gjyqtarëve shpesh kanë qëllim nxitjen e reagime emocionale të palës që i bëhej padrejtësia – pa menduar se çfarë përmasash mund të marrin këto emocione;
– vendimmarrie shpesh të ndikuara – edhe nga pushteti;
– mungesa e besimit të publikut tek gjyqesori është e theksuar.
Të gjitha këto i japin të drejtën qytatarit të kërkoj jo vetëm drejtësi, por edhe përgjegjësi.
Për ata që si unë kanë më shumë se gjashtë vite përvojë me gjykatat, revolta nuk ishte e papritur, mendoj unë.
Në gjykata pasiguria nuk është vetëm fizike – është institucionale, morale dhe proceduriale. Është mungesë besimi, mungesë transparence, mungesë përgjegjshmërie. Dhe ajo ka ndërtuar themelet e saj me vite, përmes neglizhencës, papërgjegjshmërisë si dhe indiferencës ndaj atyre që paralajmëruan rrezikun.
Ashtu sikurse e vërteta është e papranueshme si fakt publik dhe institucionl nga pushteti, ajo shpesh është e papranueshme edhe si fakt juridik në drejtësi.
Kur shteti nuk mbron as veten – si mund të mbrojë qytetarin?
Për ironi, të tre pushtetet – ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor – e lexuan më së shumti ngjarjen në Apel si kërcënim ndaj magjistratëve, duke anashkaluar sigurinë e publikut. Reagimet e tyre qenë kryesisht shmangie përgjegjësie dhe hedhje e fajit tek njëri-tjetri. Por në një gjë janë të gjithë bashkëfajtorë: kanë lejuar që gjykatat të mbeten mjedise të paorganizuara, të pasigurta, shpesh armiqësore për qytetarin e thjeshtë dhe shpesh të ndikuara nga vetë pushteti.
Sistemi gjyqësor, që duhej të garantonte drejtësi e siguri, shpesh ka prodhuar vetë dhunë psikologjike ndaj palëve në proces dhe dhunë më të thellë ndaj familjarëve të tyre. Anshmëria, varësia dhe opaciteti kanë bërë që gjykatat të mos shërbejnë për zgjidhjen e konflikteve, por shpesh për thellimin e tyre. Dhe pasojat bien më së shumti mbi qytetarin e thjeshtë.
Përvoja personale: një dritare e një problemi më të madh
Rruga ime, e gjatë mbi gjashtë vite në gjykata, është tregues i qartë i mënyrës se si një sistem i deformuar penalizon qytetarin. Nuk është vetëm çështja juridike ajo që dëmton – është tronditja emocionale, cënimi i dinjitetit, ndikimi në gjendjen shëndetësore, pesha mbi familjen.
Disa nga problematikat që kam përjetuar, dhe të cilat fatkeqësisht nuk janë të izoluara, përfshijnë:
– Zvarritje të qëllimshme të proceseve
Vetëm në shkallën e parë, gjykimi zgjati gjashtë vite me zvarritje, duke kaluar nga një gjykatë në tjetrën në emër të moskompetencës, e cila u shpall gati në fund të gjykimit. Shtyrjet e shumta pa shkak të justifikuar dhe me afate të gjatë si dhe seancat jo produktive kanë qenë pjesë e zvarritjes së një procesi tjetër gjyqësor, ku afatet ligjore për gjykim janë më të ngushta.
– Mungesë transparence dhe manipulim të dosjeve
Në dy çështje të ndryshme pothuajse të njëjta shkelje:
dosjet administruara me mungesë transparence dhe mundësi manipulimi — futje dokumentesh që nuk të janë vënë në dijeni dhe pa burim administrimi, fshehje provash të rëndësishme, tjetërsim prova / interpretuar provat në mënyrë të shtrembëruar;
mohimi i të drejtës për të parë dosjen, duke përdorur forma të papranueshme ligjërisht e moralisht;
proces verbale seancash të deformuar dhe të njëanshme dhe të tjera problematika që lidhen me mosdhënie audio, kopje aktesh e dokumentash specifik, … , të paraqitura më parë në shtyp – për të mos i persëritur.
Mungesa e transparencës institucionale krijon dyshime
– Gjykime jo të drejta
Kam qenë subjekt i:
proceseve gjyqësore antikushtetuese dhe anti ligjor procedurial deri edhe i gjykimeve popullore, diku;
sjelljeve armiqësore, i provokimeve, presionit, talljeve në sallën e gjyqit nga drejtues të procesit gjyqësor;
vendimeve që duket se nuk reflektojnë vetëm realitetin ligjor, por edhe ndikime të tjera që tejkalojnë drejtësinë;
Në një gjykim më është dhënë sinjali i vendimit që në seancën e parë, duke e bërë të qartë se gjykimi nuk ishte as i paanshëm, as i drejtë.
Presionet dhe provokimet kanë kaluar sallën e gjyqit në mjedise brenda gjykatave, duke përfshirë edhe familjarët e mijë.
Kjo sjell jo vetëm cenim të të drejtës për mbrojtje efektive, por edhe krijon terren për keqpërdorime të rëndësishme.
– Mungesë reagimi nga institucionet e drejtësisë
Kërkesat për përjashtimin e dy gjyqtarëve janë rrëzuar të gjitha me të njëjtin argument, pavarësisht shkeljeve flagrante. Institucionet si KLGJ, ILD, KLP, KPK, KPA, madje edhe struktura të ONM-së, funkionojnë si hallka që mbrojnë njëra-tjetrën, duke mos ofruar mekanizma realë përgjegjësie. Të gjitha të marra së bashku më kanë ulur besimin tek drejtësia.
– Pasiguri fizike dhe institucionale
Kam qenë e penguar fizikisht për të depozituar një kërkesë ligjore për përjashtim gjyqtari diku dhe verbalisht kërkesa të tjera specifike që provonin padrejtësitë, në gjykimin tjetër— kjo është shkelje e rëndë e të drejtës për akses në gjykatë
Kërkesat e mia për të garantuar sigurinë institucionale ( pas rasteve të përsëritura të presionit si në sallë dhe në ambjentet e tjera për të cilat jam detyruar ti drejtohem deri edhe Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Brendshëm) janë injoruar nga autoritetet e dy gjykatave dhe nuk janë konsideruar as nga institucionet e larta të drejtësisë.
– Pengesa edhe pas mbarimit të gjykimeve
Një nga ankimimet e mia për ekzekutimin e përkohshëm të vendimit nuk është regjistruar në gjykatën e nivelit të dytë edhe pse kam rreth katër muaj që po kërkoj. Kjo ka thelluar dyshimet për mungesë paanësie, por edhe ndikuar së tepërmi në gjendjen emocionale. Në një gjykatë tjetër është keqpërdorur “vendimi për ekzekutim” si presion ndaj meje, pas ankesës time në KPK.
Të gjitha këto nuk janë thjesht raste personale – janë pasqyrë e një sistemi që nuk funksionon siç duhet. Kur drejtësia merr formën e pushtetit Gjykatat ashtu si dhe pushtetarët e shohin popullin si “turmë” që nuk di e nuk kupton, dhe kur dikush vazhdon kërkon të drejtat shigjetohet në çdo formë.
Një tjetër problem shqetësues është mënyra se si gjykatat kanë trajtuar çështjet që lidhen me abuzimet në institucionet shtetërore ( arsimore). Raporti abuziv i ZVA Tiranë që çuan në largimin tim nga puna dhe në akuza të pabazuar, ashtu siç nuk u konsiderua nga ana e Ministrisë së Arsimit nuk u adresua as nga gjykatat, as nga Prokuroria dhe as nga KLP dhe KPK. E njëjta gjë ndodhi edhe me abuzimet në emërimet e ish – drejtueve të ZVA Tiranë ( ish – DART) si dhe të dy drejtuesve të shkollës ku unë punoja – gjykata e mbuloi faktin që vërtetonte shkelje të rënda, në bashkëpunim të heshtur me Ministrinë e Arsimit.
Kjo ngre një pyetje themelore:
A janë gjykatat të pavarura nga pushteti, apo e pasqyrojnë atë?
Sepse shpesh drejtësia merr “pamjen e pushtetit” – të shmangies, të mbulimit dhe të papërgjegjshmërisë.
Keqpërdorimi i pavarësisë së gjyqësorit
Pavarësia e gjyqësorit nuk do të thotë mungesë përgjegjësie.
Në Shqipëri, termi “pavarësia e gjyqësorit”përdoret shpesh si paravan. Politika e përdor për të shmangur përgjegjësinë, gjyqësori e përdor për të mbyllur gojët dhe institucionet e tjera e përdorin për të justifikuar mosveprimin. Pavarësia e drejtësisë nuk është autonomi absolute. Ajo është e lidhur me përgjegjësi institucionale, standarde etike, transparencë, llogaridhënie. Pa këto, pavarësia kthehet në alibi.
Heshtja si produkt i pasigurisë
Heshtja e institucioneve — edhe kur paralajmëron rrezik, edhe kur kërkon mbrojtje, edhe kur denoncon shkelje — është forma më e dëmshme e pasigurisë. Ajo e normalizon shkeljen, e bën abuzimin të duket i zakonshëm dhe i lë qytetarët të pambrojtur.
Unë kam ngritur zërin publikisht jo për të sulmuar drejtësinë, por për ta kërkuar atë. Ashtu sikurse kam ngritur zërin publikisht për mungesë sigurie në vend, por edhe përmes kërkesa për garantimin e sigurisë institucionale, drejt disa institucioneve shtetërore – arsim, mjekësi dhe një institucioni vendor.
Fatkeqësisht, reagimi në drejtësi ka qenë injorim, ashtu sikurse edhe nga pushteti. Dhe kjo tregon jo thjesht dështim të një procesi, por dështim të mekanizmave mbrojtës të shtetit.
Nga pasiguria drejt përgjegjësisë
Pasiguria në gjykata nuk është problem i izoluar – është pjesë e pasigurisë së përgjithshme në vend. Një drejtësi e pambrojtur nuk mund të mbrojë askënd. Një gjykatë që nuk siguron dot rregull e integritet brenda mureve të veta nuk mund të prodhojë drejtësi jashtë tyre. Prandaj, përgjegjësia nuk është vetëm e gjyqësorit.
Ajo është edhe e pushtetit ekzekutiv, legjislativit, institucioneve të vettingut, dhe aktorëve ndërkombëtarë që garantojnë standardet e drejtësisë.
Pa llogaridhënie, asnjë reformë nuk funksionon. Pa siguri, nuk ka drejtësi. Dhe pa drejtësi, nuk ka shtet.
Unë mendoj se, reagimet e shumta të publikut këto kohë duhet të lexohen si moment përgjegjësie dhe reflektimi si nga drejtësia – në të gjitha hallkave e saj edhe nga qeveria.