Vladimir Marku: Takimi im me profesor Sadik Bejkon!
Portret reflektiv për një mjeshtër të fjalës dhe karakterit!
Muaji i letërsisë më solli një përvojë që nuk do ta harroj lehtë: takimin me mjeshtrin e fjalës, poetin, prozatorin dhe intelektualin e rrallë, profesor Sadik Bejko. Për të qenë i sinqertë, nuk e njihja shumë më parë. Ndoshta sepse profesioni im lidhet me industrinë e rëndë, ndërsa ai është një figurë e artit dhe kulturës. Edhe mosha, edhe distanca mes dy botëve – teknikës dhe krijimtarisë – kishin krijuar një boshllëk që nuk më kishte lejuar ta njihja plotësisht.
Por siç ndodh shpesh, një njeri i mirë bëhet shkak për njohje të mira. Miku dhe fqinji im, inxhinieri i urave të emergjencave për 35 vjet, Selaudin Guma, u bë ura që më çoi drejt këtij takimi.
E dëgjova profesorin në një panel për librin e tij të fundit dhe u befasova. Zëri i tij mbushte sallën me një diksion të pastër e të qetë; vitaliteti i tij sfidonte vitet. Miku im më tregoi më pas historinë e tij: dënimi në minierën e Memaliaj, pasojat e Plenumit të IV-t, vitet e vështira, internimet, padrejtësitë, largimin e detyruar nga familja. Dhe megjithatë… ai flet pa mllefe, pa urrejtje, pa hije hakmarrjeje. Në qetësinë e tij kishte madhështi.
Në atë çast mendova: më duket se profesori ka qenë pjesë e legjislativit në një periudhë të jetës së tij, por jam i bindur se po të kishte vazhduar më gjatë në atë rrugë, parlamenti shqiptar do të ishte pasuruar me kulturë, maturi dhe dinjitet intelektual.
Nga ai takim më mbeti një shprehje e tij: “Një libër, një krijimtari, kur ka në themel dashurinë dhe pasionin, është e pavdekshme”.
Dhe vërtet, profesori vazhdon të shkruajë me të njëjtin pasion: poezi, prozë, ese; redakton, frymëzon, ndihmon brezat e rinj. Ka qenë profesor në Universitetin e Gjirokastrës dhe më pas në Tiranë, një mësues i brezave dhe bartës i vlerave të vërteta.
Dhe këtu më lind një reflektim personal: jam njeri që e dua natyrën, që mbjell drurë e lule sepse besoj se çdo filiz i ri është një copëz e imja, jotja, e të gjithëve. Te profesor Bejko pashë pikërisht këtë: një njeri që me krijimtarinë e tij mbjell dritë e vlera, si një pemë e mirë që jep hije brezave të ardhshëm.
Në fund, dua të falënderoj me zemër mikun tim Selaudinin, i cili nuk e la njohjen time me profesorin të mbetej vetëm virtuale, por ma bëri të mundur edhe fizikisht. Për profesorin duhen një mal me letra, por unë po e ndërpres këtu.
Profesorit i uroj shëndet dhe jetë të gjatë, pa u ndalur në rrugën e krijimtarisë që ka sjellë aq shumë vlera.