Albspirit

Media/News/Publishing

ROMANI “I ARRATISURI”- NIVEL I LARTË ARTISTIK, SHTIGJE TË REJA LETRARE

Që nga botimi i romanit “I arratisuri” në 2024, unë, si autor, dy-tri herë kam bërë përmbledhje të shkrimeve kryesore për të. Por, pas çdo përmbledhjeje, nga njerëz shumë të njohur të letrave, kanë ardhur shkrime të tjera, të shumta, gjithnjë befasuese, gjithnjë të shkruara me frymëzim dhe profesionalizëm të epërm.
Mirënjohje të veçantë për autorët!

Taip Sulko.

Vlerësime shkurt nga një fjali nga shkrimtarët, poetët dhe kritikët për romanin “I arratisuri”

ROMANI “I ARRATISURI”- NJË VLERË E SHTUAR NË PANTEONIN E LETËRSISË SHQIPTARE

Çerçiz Loloçi: “I arratisuri” i Taip Sulkos, – roman befasues që sjell një rrëfim të pazakontë. Me këtë libër autori sjell një ndihmesë të ndjeshme në letrat shqipe.

Naim Zoto: “I arratisuri” – sagë myzeqare që të kujton Jakov Xoxen, por natyrisht këndvështrimi dhe stili është tjetër.

Miho Gjini: Gjithçka në roman është shprehur me një gjuhë shqipe të epërme.

Lazër Stani: Teksti i këtij libri është i rrjedhshëm, rrëfimi i gjallë dhe fluent, i shkruar me një fantazi magjepsëse. Ndihet gjithkund një dorë mjeshtri.

Emi Krosi: Romani “I arratisuri”- gjerartore e sagës së rrëfimit për veten dhe të tjerët.

Naun Kule: I arratisuri i Taip Sulko është një roman ndryshe. Ermiri (vetja kryesore) kërkon kufij të rinj në luftën e të mirës me të keqen, luftë e cila merr jetë në përplasjen e gjithëkohëshme mes dhunës dhe lirisë, si një lufte shemrash.

Nuri Plaku: I arratisuri vjen si një prurje e re, me narracion të veçantë, me detaje dhe finesë artistike që dëshmojnë për aftësi dhe talent të spikatur të autorit.

Lola Shehi: “I arratisuri” një roman befasues që më kujtoi fëmijërinë dhe rininë time.

Ndue Dedaj: “I arratisuri është libri i jetës së një autori, i cili shfaqet jo si protagonist, por si rrëfimtar i një bote magjike në arealin myzeqar nga Tomorri në Ardenicë. Në romanet e sukseshme të autorëve bashkëkohorë, “I arratisuri” i Taip Sulkos rri denjësisht mes tyre.

Prof. Anila Omari: Me “I arratisuri”, Taip Sulko ka shkruar një roman që jep mesazhe universale, jashtë kufijve të një vendi të caktuar.

Kujtim Dashi: Romani “I arratisuri” shfaq humanitet të rrallë dhe rrjedhshmëri stilistikore. Një nga gjërat më esenciale që dua të ve në spikamë është gjetja, trajtimi mjeshtëror i tharmit universal e të veçantë të temës, një fat jo i shpeshtë ndër autorë.

Spiro Kote: I gjithë romani “I arratisuri” është një alegori e madhe, e shtrirë mbi të cilën ngrihen kolona simblolesh e hiqen paralele befasuese intuitive. Tri arratisjet janë poema të bukura, që ndrijnë nga fjala e pasur, rrëfimi i zhdërvjellët, shprehja figurative, imazhi dhe koloriti i trevës dhe jo vetëm.

Drita Ademi: Po e filloj me ndjenjën se kam lexu një roman me vlera t’nalta, që mbetet gjatë në shpirt.Taip Sulko ndërthur realitetin me magjiken, kujtimet me andrrat, tue e kthye arratisjen në metaforë universale që secili prej nesh e kupton ndryshe.

Jaho Margjeka: Ka shumë vlerësime nga emra eminentë të fushës së letrave për roamnin “I arratisuri”. Ka pafund shkrime sa s’kam kohë t’i përmend në një bisedë.

Monika Stafa: “I Arratisuri” i Taip Sulkos, fate njerëzore në një sagë shqiptare. Një nga idetë themelore të këtij romani është se njeriu vërtet vendos një ditë që të ikë, por vjen ndërkohë dita kur më në fund ti kthehesh. Identiteti yt është vetvetja, është ajo kështjella ku ti rikthehesh pas çdo arratisje.

Fatmir Musai: “I arratisuri” është një roman befasues, me rrëfimtari mjeshtërore, mbushur plot kulturë e erudicion, që mëton të përfshijë epoka, duke qenë sa brenda, aq edhe jashtë tyre. Përgjithësimet e mëdha qëndrojnë mbi kohët dhe i tillë është “I arratisuri”…

Dhimitra Malo: “Në bibliotekën tonë, Taip Sulko zë vend të merituar me të shquarit e letrave shqipe. E them me bindje të plotë se T.Sulko, jo vetëm që ka arritur nivel të lartë artistik, por ka shtigje estetike krejt të reja për letërsinë shqiptare”.

Sejdin Cekani: Romani “I arratisuri” vazhdon të tërheqë vëmendjen për mjeshtërinë e rrëfimit, subjektin tejet interesant, përshkrimet që rrallë I gjen në letërsinë tonë por edhe përpasurinë leksikore. Fat I madh për librin!

Skënder Buçpapaj: “Romanin “I arratisuri” e lexova dhe më pëlqeu shumë. Do t’i kthehem përsëri leximit të tij. Përgëzimet e mia! Dua të them se intervista “Romani “I arratisuri”- vlera të spikatura të rrëfimit bashkëkohor”, ishte një bisedë në nivel të lartë estetik dhe intelektual që nxirrte vërtet në pah vlerat e romanit…”.

Ismail Elezi: Në perceptimin tim ” I arratisuri”, me fantazinë e ndezur, me harmonizimin e përsosur të elementeve fantastike me skenat e jetës reale, me thyerjen e skemave dhe me të gjitha vlerat artistike që mbart në tërësi, “ka shpërthyer” si një gjyle topi në këtë kohë të turbullt e kaotike, ku shpesh antivlerat kthehen në vlera. Si i tille ” I arratisuri”, përbën një vlerë të shtuar në panteonin e letërsisë shqiptare.

Lista e autorëve, sipas kohës kur kanë shkruar:
Çerçiz Loloçi, Naim Zoto, Miho Gjini, Lazër Stani, Emi Krosi, Naun Kule, Nuri Plaku, Lola Shehi, Ndue Dedaj, Prof. Anila Omari, Kujtim Dashi, Spiro Kote, Drita Ademi, Monika Stafa, Fatmir Musai, Dhimitra Malo, Sejdin Cekani, Skënder Buçpapaj, Ismail Elezi.

“I ARRATISURI”- TAIP SULKO – FATE NJERËZORE NË NJË SAGË SHQIPTARE

  1. Në shkrimin analitik “Fatet njerëzore në sagën myzeqare të Taip Sulkos”, shkrimtari dhe gazetari Çerçiz Loloçi, (në gazetën Fjala, 22.06.2024) shprehet:
    “Taip Sulko vjen sërish para lexuesve me romanin befasues “I arratisuri”, një rrëfim i pazakontë që endet mes të shkuarës dhe të sotmes, me një galeri të pasur personazhesh, që secili veç e veç dhe të gjithë së bashku, siç ngjet me raportet njerëzore, janë përherë në kërkim të lirisë.
    Në roman… veprimi ecën shpejt, nga episodi në episod dhe nga ngjarja në ngjarje, ndonjëherë në kufijtë e të pabesueshmes. Autori është mjeshtër i përshkrimit të personazheve e të mjediseve.
    Ndjesia e parë që të vjen pasi e lexon dhe e rilexon këtë vepër është ajo se autori sjell një ndihmesë të ndjeshme në letrat shqipe”.
  2. Botuesi Naim Zoto, njoftimin për botimin e romanit “I arratisuri” e titullon: “Një sagë tjetër myzeqare i shtohet letërsisë shqiptare”. N. Zoto ve në dukje: “Taip Sulko, poet e prozator interesant, vjen para lexuesve me një roman befasues, një sagë myzeqare që të kujton Jakov Xoxën, por, natyrisht, këndvështrimi dhe stili është tjetër.
    Rrëfimi në këtë roman ka aq lirizëm dhe kolorit lokal saqë të krijon idenë e një poeme dashurie për vendlindjen dhe njerëzit e kësaj toke të begatë që ka mbajtur dhe ushqyer Shqipërinë e sertë. (FlasShqip, Alb-Spirit)
  3. FlasShqip, botoi më 23.06.2024 shkrimin e zgjeruar të botuesit Taulant Dedja “Libri i jetës së një autori”. Në këtë shkrim kushtuar romanit “I arratisuri” janë përfshirë edhe mendime të kritikës si dhe shënime të autorit Taip Sulko. Në rrëfimin e T.Sulkos thuhet : Romanin “I arratisuri” do ta quaja libri i jetës time. Jo vetëm se merr shkas prej saj. Kam punuar shumë vjet për të. E kam shkruar dhe rishkruar me dëshirë, e, në ecje e sipër, kam parë si plotësohet e shpërfaqet më mirë ajo që quhet cohë e jetës, ku autori le ngjyrat, vizatimet, pikturat, artin e fantazisë”.
  4. Më 22 shtator 2024 kritiku i artit, shkrimtari dhe publicisti Miho Gjini botoi në gazetën Dielli, The Sun, të ShBA, shkrimin “Një roman kaotik për gjendjen kaotike! “I arratisuri”… – Dielli | The Sun.
    Miho Gjini: “Në romanin “I arratisuri” shkruhet për “kuisje qeni të egërsuar, që sapo e ka parë se i është drejtuar një tytë pushke” dhe që më pas do t’u drejtohet edhe njerëzve që kanë humbur lirinë e endeshin rrugëve. Ky është edhe subjekti e objekti i këtij libri rrëqethës që të krijon mornica trupit. Një ngjarje e madhe, si i vetmi fenomen kohor, dramatik e i ngjeshur, i cili “rrjedh në mënyrë kaotike”, si vetë sistemi i dikurshëm. E rrëfyer në trajtën vetiake, thuajse me një frymë, si monolog brejtës i një personi e i një shoqërie të tërë, parashtruar në ngjarje, veprime e konflikte, si në dramë e tragjedi. -Se, “edhe mes ankthit dhe skamjes lindte vetveten”,- shpreh shkrimtari idenë e tij, në faqet e mëtejshme të këtij romani që “rrjedh e shkon” si ai lumi i rrëmbyer që merr me vete trungje, po edhe trupa të vrarësh të pabindur”!
    Gjithçka në roman është shprehur me një gjuhe shqipe të epërme, me kolor, ajër, emocione, simbole e metafora që rrjedhin e depërtojnë tek lexuesi. Gjatë rrëfimit në roman vijnë befas kapituj romantikë e erotikë, të shkruar me frymëzim që e rrëmbejnë lexuesin, si me episodin e ciganëve, që qëndron mrekullisht edhe si një novelë më vete…”
  5. Një befasim ishte botimi në datë 8 tetor 2024 në Alb-Spirit i shënimeve të shkrimtarit dhe eseistit të mirënjohur Lazer Stani. Si gjithnjë, edhe për romanin “I arratisuri” Lazer Stani foli shkurt, por tha shumë.
    Lazër Stani: “Romanin “I arratisuri” e kam lexuar me një frymë, çka nuk më ndodh shpesh me romanet e autorëve shqiptarë.
    Teksti i këtij libri është i rrjedhshëm, rrëfimi i gjallë dhe fluent, i shkruar me një fantazi magjepsëse. Ndihet gjithkund një dorë mjeshtri.
    Gjuha ndërkaq është e begatë, që, pa u kthyer në qëllim në vetvete, e bën rrëfimin mbresëlënës.
    Më ka pëlqyer veçanërisht perceptimi i jetës së individëve (personazheve) nën hijen kërcënuese të diktaturës, që në çdo çast përgjon si një përbindësh i gatshëm të të gëlltisë.
    Eshtë një roman i shkruar për ankthin e lirisë së munguar që, me sa duket, ajo tokë nuk do ta gjejë kurrë në plotninë e saj”.
  6. Në 12 tetor 2024, u botua në gazetën Fjala e Lirë shkrimi studimor “Gjeratorja e sagës së rrëfimit për vete dhe të tjerë”, i poetes dhe studiueses Emi Krosi.
    Nga shkrimi i Emi Krosit: “Romani i gjatë “I arratisuri” i Taip Sulko-s, është në formën e sagës myzeqare. Kamy shkruan: “më në fund, zgjodha lirinë. Edhe nëse drejtësia nuk arrihet, liria do të arrijë të mbajë fuqinë e protestës kundër padrejtësisë dhe do të ruajë lirinë e fjalës”, receptohet gjatë gjithë librit, jo vetëm si persiatje por dhe si frymë.
    Teknika rrëfyese herë-herë, ka karakter poetik të prozës: “argjendi i ngrirë i Hënës vazhdonte të shtohej saqë mua më dukej sikur tashmë më ishte futur në damarë. Isha si i mpirë, fare pa mendim. Vetëm shihja rreth nëse po afrohej ndonjë rrezik. Më dukje se gjithçka e imja po kthehej në një lëbyrje jashtëtokësore”. Përveç përshkrimeve të imta dhe të hollësishëm, romani ka një pasuri të madhe gjuhësore, sidomos fjalëformime, krahasime, metafora, si dhe elemente të romanit post/modernist.”
  7. Në 15 tetor 2024, u botua në Alb-Spirit dhe në 18 tetor u botua në FlasShqip shqyrtimi kritik professional i shkrimtarit dhe studiuesit Naun Kule për romanin “I arratisuri” i titulluar “I arratisuri” i Taip Sulkos-një roman ndryshe”.
    Nga Naun Kule: “Romani më i ri i Taip Sulkos është titulluar “I arratisuri”. Titull i gjetur, që flet. Por fjala “arratisje”, përdorur edhe për titull të romanit është tjetër gjë, është ndryshe deri në të kundërtën. Arratisja e Ermirit, protagonistit kryesor të kësaj vepre letrare, është arratia jo drejt kufirit, aq më pak për të tradhëtuar atdheun. Ermiri arratiset nga vetvetja… Kjo lloj “arratije” përbënë edhe kauzën e tij dhe njëherësh mban gjithë ngrehinën e narrativës romanore. Dhe, të arratisesh nga vetvetja, domosdo, është shumë më vështirë dhe më rrezik se sa arratia përtej kufirit.
    Autori nuk “mbërthehet” pas fabulës e ngjarjeve, ndonëse ato i ka të shumta, por tek idetë dhe mesazhet, duke mos e lënë narrativën t’ia rrëmbejnë intriga, sensacioni apo emocioni i krijuesit… Në kaotikën për rrugë të reja që të dali nga ky qorrsokak kolektiv i realitetit, ku “jeta cik në kufijtë e paarsyeshmes”(fq.261), Ermiri kërkon kufij të rinj në luftën e të mirës me të keqen, luftë e cila merr jete në përplasjen e gjithëkohëshme mes dhunës dhe lirisë, si një lufte shemrash”.
  8. Një befasim tjetër ishte botimi në Fjala e lirë, në 12 nëntor i shkrimit të poetit dhe studiuesit Nuri Plaku. Shkrimi u botua me titullin “Romani “I arratisuri” -Disa tipare strukturoe në roman”. Një ditë më vonë po ky shkrim është botuar në Alb-Spirit me titullin “Nuri Plaku: Talent i spikatur dhe finesë artistike në romanin e Taip Sulkos”.
    Nuri Plaku shkruan: “Romani “I arratisuri” vjen tek lexuesi si një prurje e re, me një narracion të strukturuar në mënyrë të veçantë, me detaje dhe finesë artistike që dëshmojnë për aftësi dhe talent të spikatur të autorit. Struktura e romanit, ngrihet mbi tre arratisje të personazhit kryesor, Ermirit dhe brenda tyre, ka një galeri faktesh e karaktere, sa interesantë aq edhe specifikë.
    Një nga elementët stilistikë tek “I arratisuri” është vetë arratisja. Teksa dy të parat zhvillohen në kufijë gjeografikë, e treta zhvillohet mbi elementet e së bukurës. Për secilën nga këto arratisje, ka një zhvillim të brendshëm me karakteristikat dhe kulmet e veta.
    Ajo që të bije më tepër në sy, është kurba e zhvillimit të personazhit kryesor dhe ngjyrimi emocional i tablove të ekspozuara nëpërmjet kësaj proze”.
  9. Më 13 nëntor 2024, poetja Lola Shehi botoi në Fjala e lirë dhe më pas në Alb-Spirit shkrimin shumë interesant “Mbresa dhe opinione për një roman dhe një autor që më kujtoi fëmijërinë dhe rininë time.
    “Kur në romanin ‘I arratisuri’ lexoj për ciganen, Anja, më vijnë ndër mend të gjitha ciganet e bukura me flokët e sytë rrush të zi që parkonin karvanet e tyre në kodrën mbi shtëpinë e fëmijërisë time”, shkruan L. Shehi. “Njëri nga kapitujt më të bukur, është pikërisht ky, ku autori përshkruan jetën endacake por të lirë të një taborri ciganësh. Po citoj autorin: „Unë jam cigane! Jam e lirë! Ju anadellasit keni zgjedhur pasurinë, kurse ne kemi zgjedhur bukurinë e lirisë, të këngës, të dashurisë”.
  10. Në 19 nëntor 2024, shkrimtari dhe studiuesi nga Maqedonia e Veriut, Zekeria Idrizi, botoi në Letërsia Moderne shkrimin “Depërtim i thellë në botën letrare të krijuesve shqiptarë”, në të cilin flitet edhe për romanin “I arratisuri”.
  11. Poeti, shkrimtari dhe gazetari Ndue Dedaj, botoi në gazetën “Panorama”, në 4 dhjetor 2024 (pas FlasShqip dhe Alb-Spirit) analizën e plotë, mbresëlënëlse “Romani i njerëzve me shpirt të lirë”. Analiza u botua në dy faqe të gazetës “Panorama”, shoqëruar me foto interesante, me nëntitullin “Rrëfimtar i një bote “magjike” në arealin myzeqar nga Tomori në Ardenicë”.
    Ja një pjesë e shkurtër nga shkrimi i Ndue Dedajt: “I arratisuri” ngjan se është libri i jetës i autorit, i cili nuk na shfaqet si një protagonist, por si rrëfimtar i një bote “magjike” në arealin myzeqar nga Tomorri në Ardenicë, në një rrëfim të gjatë, të shtruar, gjithë larmi e gjallëri njerzore të panjohur nga lexuesi. Gjithçka nis nga Anadelli, një qytezë e vogël, “por me një përndezje aq të trazuar e të përhershme”. Që në krye të herës, Ermiri, në fillim fëmijë, pastaj i ri, na zbulon kredon e tij, ikjen e vazhdueshme, “unë isha një ikanak i madh, fëmijëria ime ishte e mbushur me arratisje.
    Djaloshi i arratisur, duke jetuar një përvojë të re, nuk zbulon vetëm mjedise, ngjarje, njerëz, gjera të panjohura, por ai ashtu “zbulon” dhe vetvetën, pasi është i detyruar të kalojë nëpër prova dhe sprova nga më të habitshmet. “Një shtysë e fortë rrihte të dilte nga brenda meje, të gjente kufij të rinj. Pse isha aty, kush isha unë, një ikanak i marrë, apo një njeri që lufton me marrëzi për të mirën e vet? Kisha shumë pikëpyetje. Pse aty në pyll, gjërat më ngatërroheshin dhe s’e dalloja dot saktë se cila ishte e mira e cila e keqja, pse s’e dalloja dot vijën ndarëse mes tyre? Sikur s’e njihja veten…” Ky është thelbi i romanit. Pa njohur vetën, nuk mund të njohësh të tjerët.
    Romani shqiptar i këtyre dekadave ka shpalimin dhe rritjen e tij. Gjithsesi në romanet e suksesshëm të autorëve bashkëkohorë, që kanë qendruar në tryezën time të leximit, ‘I arratisuri’ i Taip Sulkos rri denjësisht mes tyre”.
  12. Më 14 dhjetor 2024 u botuan shënimet e akademikes dhe gjuhëtares Prof. Anila Omari për romanin “I arratisuri”.
    Prof. Anila Omari shkruan: “Duke lexuar pjesën e arratisjes së dytë më vinte ndër mend Wilhelm Meisteri i Gëtes që e kam pasë përkthyer vite më parë, me ato përshkrimet e peizazheve që ndërronin faqe kohë pas kohe gjatë udhëtimit, apo edhe të vetë aventurës së arratisjes, apo pjesëmarrjes së të riut në teatrin shëtitës, e shumë ngjarje të tjera, si elemente të “Bildungsroman-it” të “rritjes dhe formimit të të riut nëpërmjet përvojave vetjake”. Edhe T.Sulko ka shkruar një roman që jep mesazhe të përgjithshme, jashtë kufijve të një vendi të caktuar. Dhe këtë ma vërtetoi një citat i Tolstoit që thoshte: Nëse do të jesh universal, shkruaj për fshatin tënd. Urime autorit për këtë roman shumë të mirë”.
  13. Në 30 nëntor-1 dhjetor 2024, autori Taip Sulko, ka folur për romanin “I arratisuri” në Panairin e Librit, në Toronto dhe në 27 prill 2025 në Panairin e Librit në Montreal, Kanada. Një intervistë T. Sulkos me shkrimtarin dhe poetin Flurans Ilia, për çështje interesante të krijimit dhe letërsisë, është botuar në gazetën ExLibris, 10 maj 2025).
  14. Në dhjetor 2024 romani “I arratisuri”, u botua në Amazon, pajisur me një parathënie shpjeguese dhe vlerësuese për librin “I arratisuri”.
  15. Më 29 janar 2025, shkrimtari dhe studiuesi Kujtim Dashi botoi në FlasShqip dhe Alb- Spirit analizën e plotë, interesante, me titull “Romani “I arratisuri”, humanitet i rrallë dhe rrjedhshmëri stilistikore”.
    Edhe pak rreshta të K. Dashit e thonë të tërën: Një nga gjërat më esenciale që më ka bërë përshtypje e dua ta vë në spikamë është gjetja e trajtimi mjeshtëror i tharmit universal e të veçantë të temës, një fat jo i shpeshtë ndër autorë. Në roman duket se gjen mishërim sentenca e njohur e Gabriel Garcia Marquez, se “Jeta nuk është ajo që ke jetuar; është ajo që të kujtohet dhe ashtu siç të kujtohet për ta rrëfyer” Për romanin “I arratisuri’ duhet thënë se kur vjen poeti në prozë, sa më e metaforizuar të jetë vepra, aq më e realizuar dhe e shumëpritur është. Përkundër me atë gjuhë “sahariane” që hasim tek autorë të tjerë, gjuha e kësaj vepre është kaq e pasur, shprehëse, e figurshme, alegorike e simbolika e këndshme. Kam evidentuar mjaft fjalë të padëgjuara që i lipsen edhe Fjalorit të Madh të gjuhës së sotme shqipe që po përgatit Akademia e Shkencave.
  16. Në 29 qershor 2025, autori Taip Sulko ishte në një intervistë në Radio Tirana me gazetarin dhe poetin Jaho Margjeka. Në intervistë T. Sulko iu përgjigj pyetjeve interesante dhe të mirëmendura të gazetarit Margjeka, për jetën dhe krijimtarinë. Më gjerësisht u fol për romanin “I arratisuri” (2024) dhe për librin me poezi “Portat e Qiellit” (2020).
    Autori T. Sulko për romanin “I arratisuri” ndër të tjera tha: Dua të theksoj se rrëfimi në këtë roman më është dukur si vrapim, kalërim i shpejtë nga një ndodhi tek tjetra, nga një rrëfim tek tjetri, nga një aventurë tek tjetra. Ngjarjet zhvillohen në një mot të ndërrueshëm tregimi, me kapërcime të papritura, herë me zymtësi frike, herë me përndezje marrëzie, herë me breshër këndellës të së bukurës, dashurisë. Kjo mënyrë të rrëfyeri, ku karrocën e tregimit e tërheq kali i fantazisë, mendoj se e dallon më së shumti këtë roman…”.
  17. Më 6 gusht 2025, në gazetën Dielli (The Sun”) e Nju Jorkut, u botua shkrimi “Mbi romanin “I arratisuri” të Taip Sulkos nga poeti dhe kritiku Spiro Kote. Ky shkrim tepër interesant ishte botuar më parë në NewsAlbania dhe Alb-Spirit.
    “Tek romani ‘I arratisuri’ tregimi nuk është rrëfim i mirëfillltë me kronologji standarde, tradicionale, por një mozaik situatash, ngjarjesh, realiste – surealiste që përceptohen e gjykohen nga optika e adoleshentit të kohës, i individualizuar si Ermiri.
    I gjithë romani, trualli i tij, është një alegori e madhe, e shtrirë mbi të cilën ngrihen kolona simbolesh e hiqen paralele intuitive që, nëse nuk i kap që në ajër, do bësh interpretime jo të sakta për të.
    Sa i përket stilit të prozës: Prozë poetike, përvoja si poet, autorit i jep përparësi, talent dhe aftësi. Tri arratisjet, janë poema të bukura që ndrijnë nga fjala e pasur, gjuha e pasur, e zhdërvjelltë, figurative, frazeologjitë, imazhi, koloriti i trevës dhe jo vetëm”.
  18. Më 25.09.2025, Alb-Spirit dhe më pas Flas Shqip, Revista Vlera dhe Revista Kombëtare (Hejza) botuan shkrimin e bukur, me plot ide të poetes dhe shkrimtares nga Kosova Drita Ademit “Arratisja që s’asht veç ikje”.
    Drita Ademi shkruan: Po filloj me ndjenjën se kam lexu nji roman me vlera t’nalta, që mbetet gjatë n’shpirt.
    Konflikti kryesor asht ai midis individit që kërkon lirinë – jo veç fizike, por edhe shpirtnore – dhe shoqnisë që shpesh mundohet me e ngulfatë. Ermiri, personazhi qendror, më duket si një hije që gjithmonë kërkon dritën: arratisjet e tij nuk janë veç largime, por përpjekje me e çliru shpirtin prej frikës, padrejtësive e kufijve të vendosun.
    Romani të befason me gjuhën. Herë e thjeshtë dhe e drejtë, herë poetike e plot simbole, ajo e ban çdo skenë me u ndje e gjallë. Sulko ndërthur realitetin me magjiken, kujtimet me andrrat, tue e kthye arratisjen në metaforë universale që secili prej nesh e kupton ndryshe.
    Ky libër nuk lexohet veç me sy, por edhe me zemër. Ka momente ku të trondit, ka të tjera ku të përkund si kangë e vjetër, e ka edhe vende ku ritmi të len me frymëmarrë thellë. Ndoshta për lexuesin që kërkon linjë ma të drejtë, kapërcimet kohore e elementët surrealë duken sfidues, por pikërisht aty fshihet bukuria e tij: arratisja nuk asht rrugë e sheshtë, por plot kthesa.
    I Arratisuri asht prej atyne romaneve që don me iu kthye prap, jo veç për me rilexu historinë, por për me e përjetu emocionin edhe nji herë tjetër. Ashtu si dikur Lumi i Vdekun i Xoxës, edhe ky libër i Sulkos ka me më mbetë gjatë në kujtesë.”
  19. Më 30 nëntor 2025, Revista VOAL, Alb-Spirit si dhe më pas Revista Vlera botuan vlerësimet e poetit Fatmir Musait për romanin “I arratisuri” si dhe intervistën Romani “I arratisuri”- vlera të spikatura të rrëfimit bashkëkohor, -Bisedë e Fatmir Musait me Taip Sulkon, për romanin “I arratisuri” dhe procesin krijues.
    Fatmir Musai shkruan: “I arratisuri” është një roman befasues, me rrëfimtari mjeshtërore, mbushur plot kulturë e erudicion, që rreket të përfshijë epoka, duke qenë sa brenda, aq edhe jashtë tyre. Përgjithësimet e mëdha qëndrojnë mbi kohët dhe i tillë është “I arratisuri”…
    Tek “I arratisuri” i padiskutueshëm për nga merita është stili i mirëfilltë i të shkruarit, i rrëfimit, renditja e fjalëve në fjali, mençuria e tyre, erudicioni, deri në sentenca e neologjizma… Për këtë autori duhet të mos ketë zili askënd”.
  20. Më 1 dhjetor 2025 u botuan shënimet njohëses së shkëlqyer të letrave shqipe, Dhimitra Malos për romanin “I arratisuri”.
    Dhimitra shkruan: “Në bibliotekën tonë, Taip Sulko zë vend të merituar me të shquarit e letrave shqipe. Ky vlen sidomos për ata që e njohin mirë veprën e Jakov Xoxes dhe kanë lexuar me vëmendje librin “I arratisuri” të Taip Sulko. Po të ishte gjallë shkrimtari i madh sigurisht do të ishte entuziazmuar shumë nga pena e “Të aratisurit”. Unë që e kam qëmtuar çdo frazë e çdo fjali të veprave të Xoxes, e them me bindje të plotë se jo vetëm që ka arritur atë nivel të lartë artistik, por ka shtigje estetike krejt të reja për letërsinë shqiptare”.
  21. Sejdin Cekani (2 dhjetor 2025): Romani “I arratisuri” vazhdon të tërheqë vëmendjen për mjeshtërinë e rrëfimit, subjektin tejet interesant, përshkrimet që rrallë i gjen në letërsinë tonë, por dhe për pasurinë leksikore. Ka shumë shkrime analitike e problemore për këtë libër. Fat i madh për librin. Vlerësim i merituar për autorin”.
  22. Poeti i shquar Skënder Buçpapaj, më 5 dhjetor 2025 shkruan “Romanin “I arratisuri” e lexova dhe më pëlqeu shumë. Përgëzimet e mia! Intervista e titulluar “ Romani “I arratisuri”- vlera të spikatura të rrëfimit bashkëkohor”, botuar në VOAL ai shprehet: “Ishte një bisedë në nivel të lartë estetik dhe intelektual që nxirrte vërtet në pah vlerat e romanit. Ndihem shumë mirë në raste të tilla. Kështu që e botova me kënaqësi të veçantë”.
  23. Ismail Elezi, në shkrimin e botuar në 9 dhjetor 2025 shprehet: Përfundova së lexuari romanin “I arratisuri”. Kam mbetur i mahnitur dhe i mrekulluar nga stili origjinal në paraqitjen e ngjarjeve të jetes, portretizimi i personazheve, i përshkrimin e mjediseve, të zakoneve e traditave të trevave myzeqare. Në perceptimin tim “I arratisuri”, me fantazinë e ndezur, me harmonizimin e përsosur të elementeve fantastike me skenat e jetës reale, me thyerjen e skemave dhe me të gjitha vlerat artistike që mbart në tërësi, “ka shpërthyer” si një gjyle topi në këtë kohë të turbullt e kaotike, ku shpesh antivlerat kthehen në vlera. Si i tillë “I arratisuri”, përbën një vlerë të shtuar në panteonin e letërsisë shqiptare.