Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Rrëfim i thjeshtë për rininë time

Rinia ime nuk ishte kopshti i bukur
me trëndafila shprese.
Muret e shtëpisë ishin lyer me frikë,
orët ecnin ngadalë dhe çdo ditë e re
lindte me dëshira të vjetra.
Se kishte shumë ankth dhe gjërat e mira ishin të rralla.
Ne ishim mbështjellë me petka frike,
që kundërmonin aq shumë, sa të shkaktonin
marramendje, të vjella
nga dëshira që t’i çrregullonin zorrët.
Oh, sa të pamëshirshme janë teshat e rënda të frikës
kur të duhet t’i fshehësh dëshirat në errësirë
që askush t’mos i shohë.
Në rininë time ishte ves i madh të ëndërroje,
për shembull, të ëndërroje të bëheshe
njeri i lirë e, më e keqja, shkrimtar.
Mbi kokat tona fshikullonin kamxhikë
dhe terrin mund ta kapje me duar.
Se rinia ime ishte stinë e gjatë, me acar e terr.
Shteti i kalbur kishte rritur njerëz të frikësuar.
E unë me frikën që e mbaja si një thes vjeturinash
u përbirova udhëve gjarpërore.
Refuzova ta mësoja gjuhën e gjarprit,
ndonëse kthesat e jetës ishin krejt gjarpërore.
Me dëshira të lëmuara hollë e hollë,
sa nuk i përpinte era, fshihesha mes librave.
Bëhej luftë për bukë e një grimë ajër pa frikë.
Kur erdhi lufta e vërtetë, me trajtë tjetër:
tym, bombardime, vrasje dhe etje për lavdi,
unë isha bërë një me frikën.
Dhe në fundin e një dimri, në një teposhtë skëterre,
prej qiellit binin bomba,
bomba shprese, quheshin.
Gjithçka ngjante si në rrëfime të vjetra profetësh.
Atëherë u zhduk edhe kufiri
mes asaj që quhej ëndërr e zhgjëndërr.
Dhe me ato tesha erërënda
u futa në pranverën e lirisë,
siç futet njeriu në një banket të panjohur.
Nuk ishte e lehtë të shkulej frika,
prandaj brezit tim shumë gjatë iu desh
të mësohej të merrte frymë lirshëm,
si një fëmijë që del prej një mitre të trazuar
dhe mezi ngihet me ajrin e lirisë,
me ritmin e kësaj muzike të panjohur.
Sepse, brezi im ishte rritur duke ikur,
e duke jetuar skajeve,
me tingujt e një muzike vrasëse
dhe kryet e futur në mitrën e frikës.