Arben Iliazi: KAFJA E FUNDIT ME PERIKLI JORGONIN
Më 13 dhjetor 2012 u shua poeti dhe përkthyesi i shquar, Perikli Jorgoni, që i dha letërsisë shqipe aq shumë vepra dhe shkrimtarë brilantë nga letërsia botërore. Ajo mbrëmje e mërkurë nuk do më shqitet kurrë nga kujtesa. Pikërisht në orët e mbrëmjes kishim lënë bashkë një takim për kafe te “Rruga e Barrikadave”, ku ndodhet godina e Aleancës Franceze. Atë mbrëmje m’u duk ndryshe. Nuk foli shumë për poezinë, si herët e tjera. Ishte i shqetësuar për arsimin, degradimin e kurrikulave shkollorë, ku shumë autorë të njohur nuk përfshiheshin fare. Arsyetonte në mënyrë karteziane e vizionare, me një ngulm të thukët, jashtë semantikave partiake. Zëri i tij sikur vinte nga një thellësi e kohës. Ato çaste u kujtova se ishe nip i Hilë Mosit. E kush e mendonte që ajo do të ishte kafja e fundit me një mik! E përcolla deri e furgoni që shkonte për Durrës. Kur po ndaheshim, nxorri nga çanta një poezi të prinuar në letër, me titull “Kujtimi i një nate dimri”, shkruar rreth një muaj më parë. Ishte poezia e tij e fundit, kushtuar të atit, Jorgji Jorgoni.
Në mesnatë më telefonoi e shoqja, Elida Jorgoni, shumë e shqetësuar, gati duke qarë. Peroja nuk kish mbërritur në shtëpi. Nuk dija çfarë t’i thosha. Nuk dija çfarë kish ndodhur. Mbaj mend që pëshpërita ca fjalë kuturu nga hutimi.
Në të gdhirë policia njoftoi se 76-vjeçari nga Tirana ishte duke kaluar pranë mbikalimit të Fllakës në momentin kur një automjet tip Toyota me targa AJA 552 e goditi për vdekje. Jorgoni sapo ishte kthyer nga Tirana, po drejtohej në këmbë drejt lagjes së Plazhit, ku banonte kohët e fundit.
***
Jorgoni ishte një poet i mirëfilltë, poliglot, mjeshër i përkthimit dhe i shqipes së shkruar, një individualitet njerëzor, një krijues origjinal që synoi drejt një kohe eterne.
E kam njohur qysh në vitin 1983, kur dorëzova për botim në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” librin e parë me poezi. Ishte shumë i gatshëm për të ndihmuar talentet e reja, hynte në debate pa fund me drejtorinë e shtëpisë botuese, që tregohej e ngurtë dhe skeptike ndaj prurjeve të reja. Kur vazhdoja studimet në fakultet (1984-1988) takoheshim shpesh te pasticeria na katin e tretë të Pallatit të Kulturës dhe bisedonim me orë të tëra. Gjithmonë ishte i shqetësuar dhe i ankthshëm. Përherë mbeti i ndershëm dhe i varfër. Ishte redaktor i përkryer, shpirtçilër. Por edhe skrupuloz. Kishte dijeni të shumanshme stilistike. Falë kulturës dhe aftësive të tij si shqipërues, ai mundi të sjellë në gjuhën shqipe emra të tillë nga poezia botërore si: Safo, Kavafis, Gijom Apoliner, Friedrich Horderlin etj.
Me një frymëzim të fortë intelektual dhe patriotik, mori pjesë në të gjitha debatet që shoqëruan rritjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, duke lënë gjurmë të qarta edhe si publicist i lirë dhe veprimtar i lidhur ngushtë me vendin dhe kombin.
BIOGRAFIA
Perikli Jorgoni u lind në 1936 në Tiranë. Biri i mjekut dhe pedagogut të njohur të mjekësisë Jorgji Jorgoni, shkolluar në Selanik e mandej në diplomuar Grac të Austrisë. Së pari, Perikliu botimet i nisi si poet me vëllime poetike botuar në vitet shtatëdhjetë si “Balada e rrembave të gjakut”; redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” për vite me radhë dhe njëkohësisht përkthyes nga origjinali i Uilliam Shekspirit me “Shtrëngata” ,”Mundimet e humbura të dashurisë” dhe dramës P. B. Shellit, prozës së Tomas Manit dhe poezisë së Rainer M. Rilkes nga gjermanishtja, e kryemjeshtrit rumun të vargut Mihait Emineskut, poetit kombëtar hungarez Shandor Petëfit, Ana Ahmatovës nga rusishtja, Kostandin Kavafisit nga greqishtja, etj, etj. Ndarja e papritur nga jeta aktive i la pa botuar katërvëllimshin “Jozefi dhe vëllezërit e tij” të Tomas Manit dhe përmbledhjen e gjerë poetike të Garcia Lorkës. Për disa nga autorët e huaj të sipërpërmendur dhe autorë tanë të traditës shkroi dhe mjaft kritika dhe ese letrare, nga Noli te Migjeni, nga Lasgushi (të cilin e donte aq shumë) deri te autorë të sotëm. Drejtoi së fundi në Durrës revistën letrare “Update”.
Poezia e fundit e Perikli Jorgonit
Kujtimi i një nate dimri
Në breg të detit Jon, tek rrija anës shkëmbi
E shihja dredhka ere mbi shkumën si argjendi,
Në mend më erdh një natë dimrake plot me erë,
Kur nja tre arixhij trokitën m’u në derë.
Një burrë e një grua me një çunak të mitur,
Të zbehtë e të mekur, me ballin e djersitur,
Me sytë si thëngjilli e flokët drudha-drudha,
I lodhur, i munduar nga ethet e nga udha.
Mbështjellë me velenxë po dridhej e kish ftohtë,
Dhe pse me gojë s’mundte një fjalë, të na thotë.
2.
Babai u hapi derën, dhe pse i shqetësuar
Nga këta endacakë, që erdhën pa i ftuar.
I futi brenda dhomës, ku bubullonte zjarri,
T’u thahej trupi i lagur e frymë lehtas t’u marri.
Fëminë që lëngonte e pa dhe shkurt e prerë
U tha: – Këtu të rrini, se s’duhet nëpër erë
Në këtë shi të dendur të merrni udhën prapë!
Fëmija do kujdesje… – E gjithë atë natë
I ndenjti përmbi krye, gjersa e kaploi gjumi
Çunakun që më s’dridhej e flinte si pëllumbi.
Dhe prindërve të gjorë, me vetullat si xhufka,
Iu ngroh gjaku i ngrirë edhe iu qeshi buza.
Nuk ndjenin atë tmerr si re kallkan, e nxirë,
Që shpirtin ua ndrydhte dhe fare i kish mpirë.
3.
Ndaj sa agoi, kurbati nga shtresat në mes sheshit
U ngrit e mblodhi rrobat, se jashtë ndrinte mëngjesi.
Por para se të shkonin sërisht në breg të lumit,
Tek çadrat që i ngritën mes xunkthit edhe kumit,
Desh mjekut të palodhur, me zemër kaq të bardhë,
T’ia puthte të dy duart, t’i thonte nja dy fjalë:
– Nuk kam si ta shpërblej, doktor, këtë të mirë,
Se rrojmë me mundim një jetë të vështirë,
Me kuaj, me kanistra, me falle e gërnetë,
Mundohemi ta shtyjmë këtë jallane jetë.
Por s’dua që të ndahem kaq shkaras, duarthatë,
Pa të të dhënë për mundin prej meje një dhuratë.
E nxori prej një cohe të hollë prej mëndafshi
Një byzylyk prej sermi, që në sënduk e pati.
4.
U prek në zemër mjeku, i foli qartë e shtruar:
– Gjithçka, o burrë i fisëm, me ar s’duhet paguar,
Se lumi e merr botën, në shtyhet nga paraja,
Që bëhet si lubi, kur të mbërthen tahmaja.
Ti mbaje byzylykun, se ka më tepër vlerë,
Se mundi i një nate me ngricë e me erë.
Kur djali të martohet, vendosja mu në dorë
Mes luleve sorkadhes plot nur e me kurorë.
Në u kujtofsh për mua, i gjallë a në dhe tretur,
Ti ngrima një dolli, për të më përshëndetur.