Hasan Bello: Çdo kohë ka pasur “Nuredin Dumanët” e vet
Më 5 shtator 1926, Myslym Peza bashkë me shokun e tij Lom Lekën i bëjnë atentat major Osman Balit, i cili njihej si besnik i Esat Pashës dhe pjesmarrës në Luftën e Shkodrës. Nga shumë autorë, ai konsiderohet gjithashtu si një nga personat që vrau Hasan Riza Pashën.
Në vitet 20, Osman Bali ishte një nga më trimat dhe kapadaitë e kryeqytetit. Por ishte vendosur në listë për tu ekzekutuar. Për gati njëmbëdhjetë ditë vrasësit e kishin vëzhguar në distancë. Në momentin e atentatit, Myslym Pezës i bllokohet arma (njësoj siç iu bllokua Nuredin Dumanit në Bradashesh të Elbasanit më 17 shtator të 2020) dhe në ndihmë i vjen Lom Leka, i cili ishte një jetim nga Ndroqi, i dënuar shumë i ri për vrasje. Ai e qëlloi Osman Balin në kyçin e dorës dhe e pengoi të nxirrte armën. Më pas qëlloi mbi të edhe dy herë të tjera. Kjo i la kohë Myslym Pezës të rimbushte pistoletën dhe ta qëllonte Osman Balin të shtrirë përtokë për herë të katërt dhe të pestë.
Ndërsa Lom Leka u ekzekutua pas disa kohësh nga forcat e xhandarmërisë, Myslym Peza qëndroi i fshehur derisa u arratis në Jugosllavi, ku qëndroi me “asistencë sociale” dhe me ndihmën e Haxhi Lleshit deri në vitin 1939.
Në kujtimet e tij dhe këngën popullore, ai përshkruan pak a shumë të njëjtën gjë, duke u treguar përjetë mirënjohës ndaj Lomit.
“Mu ke ura aty ke rrapi qita dhjetshen eee nuk m’zhgrrapi
M’paç n’qaf o dhjetshja e shkretë mos qe Lomi më shtjeve n’dhet”.