Albspirit

Media/News/Publishing

Josif Papagjoni: Shkrimtarë në penën e një shkrimtari


Ad infinitum, sprova e studime – nga Sadik Bejko

Pak për Sadikun
Përveçse poet i shquar, epuar një jetë pas vargjeve, përjetimeve, lumturimit dhe metaforave të poezis letërsisë, Sadik Bejko është një mendje e mbushur me balada, mite, përralla, histori qytetërimesh. Shumçka buron nga shpirti i tij. Tek të reciton vjersha, me atë zërin e qëruar si prej bardi, sepse të sjellë në mendje ato ujërat dhe krojet e Labërisë nga ka rrënjë e degë. Dhe derdhet mendja e tij teposhtë rrugëve diellore të letërsisë, theqafjeve të gurit, aty ku drita krijon mrekullitë e vargjeve, net e ditë të lodhura me lexime e studime, për të rrokur historinë e qytetërimeve, ligjërues universitar i të cilës ndër dhjetëra vite ka qenë në Universitetin e Tiranës dhe universitete të tjera të vendit. Sadik Bejko është një mendje e mbushur me vargje nga letërsia gojore shqiptare, vargje nga letërsia e bukur shqipe dhe autorë të shquar të saj, gjer te bejtet, ankdotat, humori. I mirëpritur nëpër biseda, festa miqsh, sebepe, dreka e darka, ai e mban bukur mirë një tavolinë shokësh me “muhabete” sa nën sqimën e kulturës dhe etikës, aq dhe me bërbëritje të shpenguara e të mbushura me hare. Ky socialitet, mbase, e ka ndihmuar të derdh mbi letërsinë e tij ëmbëltimet e kohërave, mendjemprehtësinë e popullit, qasjet befasuese. Nganjëherë ai të duket si një bard me një depo të thellë vargjesh popullore e rrëfimesh, folklor e visare popullore, balada e përralla plot magji e pavdekësi. Vetë poet, romancier dhe eseist, ai ka shkruar si estet e kritik i letërsisë, si një profesionist i vërtetë, për mjaft autorë e libra të shquar të letërsisë shqipe. E, pra, mes kësaj hapësire ai lundron plot siguri edhe në librin e tij të fundit “Ad infinitum – sprova e studime”, botim i Onufrit, 2025.
***
Lënda është ndarë në pesë kapituj, gjegjësisht një strukturimi tematik e gjedhor përfshirës, filluar me materien e magjishme nxjerrë nga letërsia gojore e ajo folklorike, nga bardët e fundmë të saj; me letërsinë e hershme dhe atë të traditës duke përfshirë të ndriturit: Bogdanin, De Radën, Naim Frashërin, Mjedën, Fishtën, Shirokën, Nolin, Poradecin, Kutelin, Nolin; me letërsinë arbëreshe, Dushko Vetmon, Lluka Peronen, pak më tej me Martin Camajn; me poezinë dhe prozën e Kadaresë, Koreshit, poezinë e Reshpjes, Ali Podrimjes, Niko Kacalidhës etj. Është një libër i hapur për shumëçka, jo një monografi; ka një stil e qasje të shpenguar prej shkrimtari, jo skrupulozitetin dhe pedantizmin e një studiuesi; ka shumë gjak të ngrohtë, jo brymë frazash të rënda si rrasa varresh; ka butësi dhe urtësi, jo egërsi; është një mendje atletike, që ecejaket, hidhet e dridhet shilarësit, jo një komando ushtarësh në rreshtore me hapin e shtrirë dhe rregullin ndrydhës.
***
Qysh në krye të herës, te kapitulli i parë, ai sjell “magjinë e pavdekur të baladave” shqiptare, ca valle të këngëzuara (sepse fjala baladë vjen nga latinishtja balare, vallëzoj), ku ai hyn mendjehabitur te subjektet ngjethëse dhe humbet aty; p.sh. te Vallja e Minushit, kur çami Minush aga, i bërë tapë nga të pirët, ngucur nga xhelozia, vrau gruan e tij të bukur dhe të nesërmen shkoi te varri i saj që ta ngjallte. Po njësoj te tragjedia e Këngës së Rexhës apo te tmerri i ngujuar në vargjet për vdekjen e Ali Pashë Tepelenës, ku tragjedia thuajse ulërin: Koka në Stamboll, more, trupi në Janinë,/ të shtrinë Ali Pasha, more, të shtrinë… Bejko bën rilexime të baladave shqiptare duke rrugëtuar jo aq në kontekstet jashtëletrare e jashtëtekstuale, por brenda tyre, së paku bashkangjitur me to, për t’u dhënë një shpjegim ndryshe, sepse ai, siç e thotë vetë: “Jam mitik dhe fanatik, jo ç’mitizues. Jam mjegullor, jo racional. Nuk jam mosbesues buzëhollë ndaj tekstit të baladave. Nuk e dua racionalitetin në një tekst dehës, në një melodi që rreh të më shkundë emocionalisht me një mezazh gati të një tmerri kozmik, me gjëmën e një morti të pashpjeguar… Ndaj hap veshët e mos pyet, një pakt që këtu mrekullitë, të pangjarat, ndodhin. Ndjeje, pushtohu nga dhimbja, nga tmerri. Besoji të mrekullueshmes së baladave!” (f. 3, 4).
Dhe unë gjej një shkak e motivim: ja përse Sadik Bejko është aq i këndshëm nëpër biseda, me recitime vargjesh pa fund të baladave popullore, me dhuntinë gati aktoriale të recitimeve të saj sa të zymta, aq dhe të madhërishme për nga toni, mënyra e të kumtuarit. Kësaj udhe i shkon ai edhe shpjegimit të baladës së Rexhës duke besuar te shkelmi i një kali, që i dha vdekjen e menjëhershme djaloshit të pafat. Sepse balada është poezi, mjegull, përrallë, ku një shpatë e ndan detin dysh, ku i vdekuri ngjallet dhe gurin e varrit e bën kalë të marrë motrën e t’ia çojë të ëmës larg (Kostandini dhe Gerantina). Te vështrimi mbi vajtimin e nënës te epi Ajkuna qan Omerin, nuk është vetëm mrekullimi ndaj këtij imazhi të madhështisë së përzishme, por një zhbirilim në disa shtysa e mbarsje të raportit të nënës me pjellën e vet, Omerin e vdekur, e cila fillimisht, në kuvendim me yjet, natyrën, tokën, diellin, nuk e pranon dot vdekjen e të birit dhe futjen në dheun e zi, ndaj dhe klith në kujen e gjëmshme të saj. Por më tutje ajo e pranon atë vdekje dhe premton se do bëhet mbrojtësja e tij. Pra, nëna kthehet në tokën-mëmë, në shtëpinë e vdekjes, duke e futur varrin e të birit në gjirin e saj mbrojtës. E veçanta e kësaj qasjeje, përveç komenteve të zgjuara dhe asociimeve që rreken të gjejnë lidhjen e vajit, nënës, tokës, vdekjes, patriarkatit dhe burrave që e pjellin me lahutë ata vetë dhembjen e nënës, – këtë figurë të përrallshme, mitike, ku strehohet gjëma dhe mynxyra, – nga ana tjetër, është po ajo mendje filozofike që i jep thellësi…
I një kahu tjetër është qasja për baladën Kostandini dhe Gerantina, ku Bejko rreket udhës së rikuptimësimit të mitit që e polli pafundësisht baladën, marrëdhënia e të vdekurit me të gjallin, kufiri i një dashurie e cila nuk mund të ushqehet me vdekjen, dhe prandaj duhet të resht; më në fund besa, fjala e dhënë, që peshon më shumë se vdekja dhe e mban jetën e të tjerëve gjallë nën sqetullën e ngrohtë të dashurisë. Kjo këngë, e ardhur nga eposi oral i arbëreshëve të Italisë, si dhe të tjera bri saj, me përmbledhjen e këngëve të hershme shqiptare Rapsodie d’un poema albanese mbledhur nga De Rada, janë damarët e pashlyeshëm identitarë të një populli, që e humbi atdheun ose e tjetërsoi atë nga pushtimi osman, por e mbajti ngrohtë në kujtesën e vet për ta rikthyer në një dritë të re. Te kënga Kur më vjen burri nga stani tanimë studiuesi e merr këngën si një pretekst për të shqepuar dhiareve të mendimit e të përqasjeve që lidhen me dashurinë, martesën, mbajtjen a prishjen e saj; me prushin e trupit dhe shpirtit, lëndën mishtore që është magma erotike e saj. Dhe këtë e realizon duke hamendësuar rreth e qark baladës, sa vetë aq dhe barabitur me dijetarë e libra të njohur. Kësodore kuptimësia e këngë dimensionohet, teksa duke hequr paralele andej-këndej, ajo mbetet, në fund të fundit, po aty ku nis e mbaron: fër-fër-fër e fu-fu-fu ma bën fustani…
Një tjetër intonacion fiton komenti i tij për këngën Moj kunadheja leshverdhë, ku dashuria e një burri gjithë neps erotik, por gati i poshtëruar ndaj një gruaje të “pabesë”, mbetet si ajo hidhësira në gjuhë pas diçkaje të ëmbëlth në kryeherë; ndërsa Kënga e Bregut lidhet me detin, arratitë nëpër vende të largëta, “vajzën e valëve” që pret e mjera pret; lidhet me strukturën e polifonisë himarjote, me Neço Mukën, bardin e kësaj kënge, Petro Markon e më pas me Lefter Çipën. “Bregasi është biri i dallgës, jo i gurit, – thotë S. Bejko. – Tjetër është gruaja. Ajo ka bërë folenë në dhe’, në shkëmb, nën portokalle, ullinj, nën mandarina e pjergulla. Ka rritur fëmijët me thërrimet si shpendët dhe është mbledhur sipër tyre si klloçka për t’i ngrohur me trupin dhe shpirtin e saj. Ka dalë në bregun me dallgë dhe ‘pret atë që pret’, atë që e la me një vatër zogjsh në shkëmb e në dallgë. Dhe iku në pakthim…”.
Me esenë Gilgameshi – një e treta fatale dhe qytetërimi i sotëm, Bejko bie në tokën e tij studimore lëvruar ndër vite: te qytetërimet dhe historia e tyre duke bërë shpjegime, ndërthurje dhe përqasje me metaforën e madhe të Gilgameshit, mitit 5500 vjeçar të Mesopotamisë, ku një e treta e heroit si njeri ishte pikërisht vdekja, shuarja fizike, fuqia e pazëvëndësueshme nga asnjë fuqi tjetër. Dhe pikërisht këtë pjesë të mitit, vdekjen, autori e zgjeron më tej duke e shtrirë si një koncept dhe rrjedhë historike që ka karakterizuar njerëzimin qysh nga shoqëria antike e ushqyer me mitet, te shoqëritë e mëvonshme, posaçërisht me paralelen e hequr me vdekjen e komunizmit si një mit i degraduar, me nevojën e pastrimit të vazhdueshëm të “shtëpisë” nga zotat, kultet, fetishet dhe idhujt e rremë; më tutje ai shkon te raporti i Shqipërisë me kulturat hierarkike të Lindjes, sikundër edhe me shterjen e fuqisë progresive të një qytetërimi të caktuar nesër: varrosja e tij me revolucione, ploja gjaku, luftëra të tmerrshme nga vetëdijet e pakontrollueshme, instinkti i vetëshkatërrimit ose nga proceset vetëdijësuese, evolutive, falë arsyes kritike etj.
Në këtë libër të bën përshtypje njohja dhe kultura e autorit ndaj lëndës që shtjellon, jo thjesht në një poezi folklorike, në një rrjedhë, te një autor, por në të tërën e vet. Nëse i hedh një sy essesë “Pjetër Budi, kur shqipja filloi të shkëndijojë…”, vetëm nga poezia Mortja, e përqasur me poezinë e Fransua Vilonit Dhiata e madhe, ai derdh një informacion të begatë dhe ngre një vertikale ogurzezë mbi vdekjen, praninë e saj si një zonjë e rëndë, që gjithë përpjekjen, madhështinë dhe vetë ekzistencën njerëzore e zeron dhe e kthen në një absurd të pastër. Sepse vdekja është damka e apokalipsit tonë. Po brenda rrethrrotullimeve semantike të vdekjes vjen edhe shkrimi Poema Milosau, vështruar nga kangjelja e fundit, ku teksti shqyrtohet në disa pikëvështrime, si katarsis, si rit i natyrës, si fundi i një lumturie fatale që nuk arrihet kurrë, si ëmbëlsia e të përditshmes, si kujtesë zanafillore, si vizon i madh i një kombi tragjik, si paratekst i gjendur edhe në hapësira popujsh të tjerë, si universalitet i mendimit poetik, ndërsa vetë Milosao përshfaqet si hero shpirtëror, stoik, brumë e tharm ngjizës që formon njësinë kombëtare.
Poema Qerbelaja e Naim Frashërit të çon në betejat e përgjakshme të historisë së kalifatit arab pas vdekjes së profetit Muhamed më 632, – një kronikë e luftës së Mavijës prej dinastisë së Umajadëve dhe Aliut, dhëndërrit të Profetit prej dinastisë së Abasidëve, ku myslimanizmi çahet dysh, në sunitë dhe shitë. Poeti e gatuan këtë lëndë historike luftërash të përgjakshme si ato mes Zotit dhe djallit, midis të madhërishmes, hyjnoren me të përbindshmen, sataniken. Sundojnë aty përshkrimet epike e himnizuese të therorëve dhe therorive të luftës ndërliksur me mesazhet metafizike, të tretura të gjitha nën filozofinë mistike të panteizmit dhe bektashizmit. Bejko zbulon te poema Qerbelaja jo vetëm një sy tejpamës për historinë, por shpirtin iluminist të Naimit, vizionin e tij për një Shqipëri pranuese, ekumenike dhe harmonike në besime të ndryshme, hapjen ndaj qytetërimeve e mendësive të tjera, posaçërisht atyre europiane; vlerëson shkollimin si dritërim të mendjes, respektin ndaj gruas; jo vrasjen e saj me gur, por faljen dhe pranimin përmes pendesës, që ishte tejkalimi i traditës hebraike dhe asaj islame, ardhur nga porosia e krishterë, pra dhe si një hap i madh kulturor përpara.
Poezia e Mjedës te ky kapitull shpjegohet si pjesë e miteve të romantizmit shqiptar, neoklasicizmit, frymës entuziaste sa dhe vështrimeve kritike më pas (Lisus dhe Scodra). Mjeda, me përvuejtninë e tij, vetëmbylljen; Mjeda ky misionar i heshtur, i syrgjynosur nga politika mes kënetishteve në fshatin Kukël, por fisnik dhe një shpirt i lirë; Mjeda, me Andrra e jetës, që jep modelin e një poezie të virgjër, të vetmjaftueshme; Mjeda, mjeshtër i metrave dhe tingullit, i asonancave poetike, piktor i imazhit vetëtitës me vargje si akuarele lëvizëse dhe muzikale, me plasticitetin e fjalës së zgjedhur dhe sintezat ekzistenciale mbi jetën e thjeshtë të njeriut; Mjeda, ky imazhinist i rrallë, që me fare pak fjalë projekton një tablo, një ngjarje, një turavrap jete (a jetësh); Mjeda, ku loja me ëndrrën na jep sa lumturinë, aq dhe zhgënjimin vrasës. E, pra, ky Mjeda në penën e Sadik Bejkos vjen me një adhurim gati-gati fetar, si ndaj një apostulli të papërsëritshëm të vargut lapidar. Unë jam tejet i tunduar të sjell një copëz nga gjykimi i tij, më saktë, nga adhurimi i tij ndaj këtij apostulli të poezisë shqipe, copëz e cila sepse më shëmbëllen me një skenar filmi të poetizuar:
“Vargjet e fundit të poemës Andrra e jetës më ndjekin prej vitesh e vitesh. Mbase jo vargjet, imazhet. Janë akull të ftohta, ngjethje akulli, në lëmin mprehtë-e-bardhë bashkë. Lakuriq të bardha. Ndriçëllim vetëtime e butë dhe e flakët nëpër natë. Vetëtima që rrëzohen, vijnë rrotull, gjersa t’i thithë ndonjë ksollë, ndonjë shpellë gojërrufitëse… prej errësive. Zigzagun e kafkës vdekje, zigzag kërcitës në kockë akulli. Mjeda është klasik, parakristian në këtë kuadër përmbyllës të poemës së tij. Zjarri i vakët i vatrës zymton skenën. Gishtërinj flake hapen dhe mbyllen. Një e bardhë me pak kaltërim ngrice. Jo zjarr, në agoni të fundit mbase Lokja sheh një fantazmë të tillë. Të dëshiruar…” (f. 129)
Bah! Kjo është një analizë ndryshe. Një vështrim kritik ndryshe. E zhveshur krejt nga rëndomtësia dhe retorika e mërzitshme. Nga ligjërimet rutinore, kinse shkencore, me sofistikime fjalësh e frazash që humbasin thelb e kuptim. Është një analizë e ngrohtë, prush e ngrohtë, që e rrëmben lexuesin dhe e bën ta kuptojë ca më mirë Mjedën dhe madhështinë e poezisë së tij. Sepse ti kur shikon se si digjet shpirti i një poeti e njohësi si Sadik Bejko, për një tjetër poet e shpirt si Mjeda, kupton se rrjedha e mendimit e sidomos ajo e përjetimit është e gjitha vrull, ndezulli, adhurim, hovçim, shpirt që drithëron. Po e njëjta qasje analitike vijon edhe me nyjen 4 të këtij shkrimi përplot mprehtësi e ndezulli letrare poetike.
Më tutje vijnë “meshtarët” e pamort të kishës dhe letërsisë, Fishta dhe Noli, i pari si karakter i madh i kombit të vet, i dyti si sjellës i një kulture europianiste, me kontribute të shumëfishta si klerik, poet, politikan, përkthyes, dijetar. Jo një herë studiuesi niset nga një gjëzë dhe e hap mendimin si rrathët sokratianë duke krijuar tërësinë mbi njërin a tjetrin autor. Vetëm nga një poezi me tri strofa, Poradeci, eseisti ecejaket tej e tëhu individualitetit të poezisë së Lazgush Poradecit. Falë një modeli të tillë kritik e studimor, i cili hyn, pra, në protoplazmën e krijimtarisë së një poeti, Bejko shquan e nxjerr në pah metafizikën e ngrysjes, brengën, afrinë me errësirën, vetmimin, një mori antinomish ndërvepruese, si tek ekstazat e dashurisë aq dhe te brengosjet që vijnë prej saj, te trishtimi dhe shpresa, te natyra dhe njeriu, tek errësira dhe drita, te vdekja dhe jeta, te heshtja dhe zhurma, te lumi dhe mali, tek e pëkohshmja dhe e përjetshmja, te simbolikja dhe realistja. Më në fund, ai ribën një portret estetik të Lazgushit dhe poezisë së tij, duke e ndarë në disa nyje si: dashuria dhe vasha, gjuha dhe detaji, ngjyra, ndjenja, mjeshtëria e poezisë- gjendje, e bukura, tragjikja. Ndërsa në ndriçimin e personalitetit dhe letërsisë së Kutelit studiuesi operon me kritikën krahasimtare, në këtë rast duke pranëvënë Kutelin me Tolstoin parë në një qasje religjioze, nga mbishtresimet hinduiste tek ato të krishtera në veprat e tyre si Stepan Kasatski (atë Sergei) të Tolstoit dhe Tat Tanushi te E madhe është gjëma e mëkatit të Kutelit. Prania e shkrimeve të shenjta në ndjeshmëritë dhe sjelljen e personazheve shkon më tutje, gjer te doktrina e krishterë, bibla dhe rrëfenjat e saj, te mësimet e shenjta dhe moraliteti, më në fund te pastrimi shpirtëror dhe hiri hyjnor. Po kështu vetëshfaqet dhe figura e femrës, që ia përmbys jetën burrit, e djerron: e adhuruar dhe e mallkuar, hyjnore dhe satanike, virtyt dhe mëkat, shenjtërim dhe tundim. Por ndryshe nga Tolstoi, që e ndesh atë Sergin me katër femra shkatërrimtare, Tat Tanushi mbetet vetëm me hyjin, të cilin e pranon si ndëshkues, por, ama, i kërkon të drejtën e përballimit të mëkatit dhe pastrimit prej tij.
Migjenin Sadik Bejko e kundron si një outsider të kulturës shqiptare. Në krejt poezinë e tij ai pikaset si lundërtar që vozit ujrave të trazuara të niçeanizmit dhe mesianizmit, një “nga zërat më origjinalë poetik dhe me artin më ndikues për një kohë të gjatë. Deri sot e gjithë ditën, – shprehet kritiku poet, – Në pikën ku priten dy dimensionet e tij, ajo që maskonte dhe ajo që shpallte, ajo që braktiste dhe ajo që ëndërronte, teologjia që mbron autoritetin dhe revolta e tij ndaj autoritetit”. (f. 183) Nga letërsia arbëreshe e kohës, krahas Dushko Vetmos (Frangjisk Solano) dhe librave të tij poetik, si dhe dramës “Shkretëtira prej guri”, një vend të merituar zë dhe studimi mbi poezinë dhe artin e Lluka Perones, ku ndër të tjera karakterizon disa veti a prirje të poezisë së tij si primitivizmin, tutje simbolistëve dhe hermetikëve; poet i imazheve të truallit të ashpër, i korrësit të zhuritur në zheg e vetmi, i natyrës që sa të lodh aq dhe të çlodh; ku viset e poezisë janë blegtorët, fshatarët, peshkatarët, ai primitivitet i plleshëm që blaton lumturi, bota e shëndetshme, e qetë dhe serioze, pra “një jetë që ende nuk e kanë kapur për fyti demonët, tragjeditë, përplasjet në shkëmbinj ferri. (f. 218).
Te poezia e Martin Camajt, S. Bejko nxjerr në relieve të hapura temën e vetmisë dhe të vdekjes. Lentja kritike tanimë është krejt tjetër nga më të mëparshmet e këtij libri. Ai ndjek një tjetër paradigmë, më së shumti kredhur në kujtimet e veta dhe fakte empirike bisedash e kundrimesh nga të tjerët dhe me të tjerët (në fillim), ndërsa më tutje zbret thellë e më thellë në zbulesat poetike, ato ideore e ato formale, të krijimtarisë së Camajt. Hyn, madje, në mënyrën e të menduarit se si poezia rimodelon përjetimet e tij me njerëzit, botën, ekzistencën, shkon te teknika e vjershërimit, ecejaket nëpër korridoret e ngushta e shpesh të errta të të menduarit figurativ, prek stilin, vetjakësinë e shprehjes poetike, të cilat rilevohen te disa nga poezitë e tij të njohura si: Larg nga ata që flasin si unë, Mosha e qenit ose ditëlindja, Mospërfillje, Ime amë, Tingujt e parë, Dy brezni, Drekë malsore, Hija e lisit etj.
Në kapitullin e pestë zënë vend disa autorë të vonshëm si Dhori Qiriazi dhe poezia e tij në përmbledhjen Dikur në vjeshtë, poezi që mbetet ende e re dhe rrezëllin edhe ditëve të sotme, poet sqimatar e me lirika të buta, peizazhist. Më tej vjen Ismail Kadare me frymën e tij shekspiriane dhe letërsinë moderne, me strukturat e ndërlikuara narrative, planet e shumëfishta, kundërshtitë. Sado që i shumëlexuar, mbetet ende i paeksploruar deri në fund. Bejko zbulon teknikën e përplasjes së dy subjekteve në një, ku e dukshmja mbulon të padukshmen dhe ambiguiteti qartësinë, ku ven-e-vijnë te shoqi-shoqja dy të vërteta, që e mprehin vëmendjen e lexuesit dhe e rritin trysninë e përjetimit. Ai dallon në prozën e shkrimtarit përlargësinë e tij nga ajo çka tregon duke i përplasur gjësendet, por pa u bërë pjesë e tyre, pa e shprehur anësinë, falë ftohtësisë, vetëpërmbajtjes, distancimit. Kësodore ai realizon një akt shenjtërimi. Në analizat e romaneve Kështjella, Ura me tri harqe, Prilli i thyer, Bejko e bën të shfaqshëm këtë veti të prozës së Kadaresë. Ndërsa në poezi, duke iu adresuar një mendimi të Arshi Pipës, përcakton se Kadare është një shkrimtar heretik. Dallimi midis një rebeli dhe një heretiku është se i pari e shpreh zemërimin e tij në mënyrë spazmatike, i cili mund të përmblidhet pas pak, kurse heretiku është i qëndrueshëm në kundërshtimin e tij. Kësaj udhe ka kaluar Kadare në gjithë krijimtarinë e vet. Ishte një heretik që, edhe kur ia shuanin zjarrin e vatrës, si ai eremiti në shkretëtirë rishtazi i mblidhte shkarpat dhe e rindizte zjarrin e krijimit me copëra shpirti për të ngrohur gjymtyrët e akulluara nga keqdashësit dhe smirëzinjtë (poezia Monolog, 1984). Bejko e rikonfirmon stilin e Kadaresë, i cili kishte një koherencë të pashlyeshme në kohë, qysh nga fillimet në vitet ’50 e gjer te vjershat e fundit si Tirana në dimër. Po njësoj si dhe në disa shkrime të tjera, Bejko risjell përqasje, tashmë jo midis Kadaresë dhe shkrimtarëve të tjerë, por midis vetë poezive të tij, në këtë apo atë periudhë, siç i shohim te poezitë Mall, Kristal, Dreri, Mbas darke, Monolog, Akullnaja, Mundja e ballkanasve etj. Ato krahasohen me poezitë e shkruara më vonë, disa syresh të ngjizura qysh në moshën e adoleshencës së tij ose ato që janë shkruar viteve studentore si Rrugëve të Moskës pasuar nga poezi të mëvonshme si Tirana në dimër, Krishtlindjet në Nju Jork. Qasja e fundit e kësdaj eseje është raporti i Kadaresë me kohën, pritësin, si lexohet letërsia e tij sot, qoftë poezia, qoftë proza.
Shkrimtari Vath Koreshi vjen te ky libër i përthyer përmes romaneve të tij si Dasma e Sakos, Haxhiu i Frakullës, Balada e Kurbinit para vitit 1990 dhe Ulku dhe Uilli, Kanomeja, Një grua me të verdha në pyllin e Buddhas. Struktura poetike e prozës së shkrimtarit është e tonuar nga lirizmi. Etydi, detaji i zgjedhur, pejzazhi dhe mjedisi ndikues alternohen me zbulesat e trazimeve shpirtërore të njeriut, me natyrën ekzistenciale dhe tonet tragjike. Proza e Koreshit vlerësohet si postmoderniste, has aty një kod të dyfishtë komunikimi, drejtuar dy kategorive të lexuesit, atij elitar dhe atij masiv. Romanin Ulku dhe Uilli, S. Bejko e konsideron si një palimpsest, ironi intertekstuale. Pra si një histori e lashtë kishash në leximet e njeriut të sotëm, një kontekst dekriptimi dhe qasje pankohore, ku mëkatnimi i njeriut mbetet fushë beteje për vetëpastrim. E njëjta hulli ndiqet edhe te leximet e dykahshme të romaneve Dasma e Sakos dhe Haxhiu i Frakullës, ndërsa te romani Një grua me të verdha në pyllin e Buddhas lexuesit i kërkohet shije, sepse ky është një roman që nuk mund të përthithet thjesht si një narrativë që ngjall kureshtje, por te mënyra se si është rrëfyer, madje se si është shkruar ajo që ndodh aty. Rrjedhimisht kërkohet njohje estetike e kodeve të fshehta letrare, të cilat japin po të njëjtën kënaqësi, madje edhe më të thellë kur rilexohen. Përvojat njerëzore të sjella nga subjektet dhe personazhet e romaneve të Koreshit janë pjesë e meçurisë dhe urtësisë popullore shqiptare, pjesë e bukurisë dhe e shpirtit të fisëm, vlera të patejkaluara të një narracioni të shtruar, të butë, diturak, si pranë vatrës, me një hapësirë lirike e poetike të kudogjendshme, në çdo qelizë narrative a dialogu.
Tri portrete poetësh në zë pasojnë kapitullin e pestë të librit. I pari, Frederik Reshpja. I mrekullueshëm portreti që i është bërë Reshpjes, portret siç ai ishte: i veçantë, i habitshëm, mendjekrisur dhe fantast, një profet i poezisë shqipe në kohë të ashpra. Dhe saora të kujtohet sentenca biblike “Mjerë ti, Jeruzalem, që i vret profetët”! I burgosur, i pasur dhe i vobektë, shpesh i pabuks, i ndëshkuar por me shpirtin bohem e të lirë, i paparashikueshëm dhe paradoksal, Reshpja mbetet një nga konsujt e vargut dhe metaforës poetike, i vetmi që mund të shkruante poezi formaliste të artit për art, për t’u kënaqur me vetveten, kur shkundullima e realizmit socialist bënte batërdinë te të tjerët. Fin dhe i tjetër kohe në poezinë e vet surreale, Fredi e mbante brenda vetes edhe ftohtësinë klasike, thotë Bejko, sikur të shkruante me fijeza dhe pejëza bryme të ftohtë mbi një xham dimëror, mbushur me mëri, marri dhe ligësi. Libri Rapsodi shqiptare ngjan si kohë e bortë legjendash, sajuar me imazhe të ftohta, argjendore, të tejjetëshme, me sekuenca poetike që i këput si kristalet prej një dimri poetik delikat, struktura të përkora e filigrana poetike. Poezia e tij përzihet me misterin e së heshturës, e mishit njerëzor me artin e hollë; ajo fshihte pamjet reale në turbullimet e poetit për formën, trillin, duke mbetur i trishtuar në mjegullën e fantastikes, iracionalitetit, me transmigrimin e reales në imagjinatë.
I dyti është portreti i Ali Podrimes, simbol i identitetit kombëtar, emblemë e poezisë. Tema e atdheut tek ai mori theksat programatike e tragjike të një thirrjeje-britmë: Kosova është gjaku im që nuk falet. Librin e tij të mirënjohur, Lum Lumi, Bejko e sheh në katër nivele leximi: a) refuzimi i vdekjes, b) vizioni biblik, c) bota shqiptare dhe d) mjeshtëri e lartë. “Aliu ishte shpirti rilindës ardhur në ditët tona. Si një maratonomak do të rendte te Guri i çarë i Prevezës, te vajtocat e Rekës, te Kalaja e Ulqinit, te “Mbreti im i vdekur Dioklecian”, do t’u thërriste arbëreshëve: “A ju dëgjon harrimi?”, do të ngjitej në malin e Tomorrit e në malin e kishës së Laçit. Do të rendte edhe drejt Europës, ku më së fundi e ndali vrapin, drejt diellit që lind andej nga perëndon”. (f. 298).
I treti është poeti greko-shqiptar, Niko Kacalidha. Poezia është gjuhë dhe Niko Kacalidha, i lindur me gjuhën greke, shkroi në shqip e greqisht si biling. Profecitë e drurëve, Pagëzimi i zogjve, te këta libra e të tjerë më pas, lëvizin tri mite bazë – druri, zogjtë dhe guri. Poezi me ngjyra të forta butësisht dhe të ndezura ngrohtësisht, ku ndjen një përmasë të madhe të fluturimit në fantazi. Deti, mali, drurët, ullinjtë, janë ngurtëzime metaforash që përthithen nëpër vargje dhe kthehen në ndjeshmëri. Dy janë tiparet e poezisë së tij: e para meditacioni i vrenjtur i një të foluri të rrëmbyer që i jep fjalës derdhjen e nxituar dhe ndërthurjen e dendur të një sintakse të kërleshur ankthshëm si pyll nën erë. E dyta, drita lëbyrëse, vërshimi i ngjyrave të forta në një tejdukshmëri të qashtër të bregdetares, apoteozë e shenjtërim i tyre, kthimin në afreska të së mahnitshmes, shoqëruar nga ankthi i humbjes dhe premtimi për t’i mbrojtur. Poezia e Nikos ungjillizon gurë e drurë, zogj e flutura, ajër e ujëra, gjithçka të gjallë e të ngurtë, për t’u dhënë shpirt poetik duke udhëtuar mes ankthit ekzistencial dhe jermit onirik. Përmes tyre lëvizin shpesh vargjet e tij të brydhta, teksa vetë Kacalidha merr rolin herë të një asketi, oshënari, eremiti, herë të një pagëzuesi, ungjillizuesi, që krijon gjithësinë e tij mes Hyjit dhe Njeriut. Si të qe një Zot. Zoti i vargjeve të tij…
Sadik Bejko, ti poet i shquar i letërsisë shqipe, ti njeri i ditur dhe përzgjedhës i fjalës së bukur, ti njeriu i mbushur me vargje dhe shpirtin e popullit, po i mbyll këto fjalë të miat thjsht me një urim: “Pena le të rrëshqasë mbi fletët e bardha në të tjerë libra dhe Ad infinitum-e, sepse fjala jote ka peshë, mik i dashur, është një Infinit, e bukur dhe plot ngjyra si një flutur!…”.