Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Influenceri i kudogjendur

Dikur të dielave na zgjonte anketa muzikore, me këngë festivalesh e koncertesh, sot na hap kokën violina e stonuar e fyerjeve dhe kërcënimeve të një influenceri të kudogjendur, që i ka mbetur pa provuar vetëm të hyjë si banor në një reality.
Si nuk u bë burrë shteti xhanëm?!
Ka më shumë gjasa të mbahet mend si moderator podkasti. Aty nga dëshmon aq natyrshëm llojin e shtetit që mundi të (ç)ndërtojë në një dekadë.
Sot i kish hyrë “trimave me patllake” të BKH-së.
Byroja Kombëtare e Hetimit është pjesë e zinxhirit të zbatimit të vendimeve të gjykatës në kuadër të SPAK dhe GJKKO.
Kryeministri i quan “injorantë në etikë dhe ligj” në Podcast-in e tij agjentët e BKH dhe i fut në narrativë me ca togfjalësha skematikë si “sëmundje të vjetra” në drejtësinë e re. Por shefi i ekzekutivit më të korruptuar në Europë s’mund të ketë rol mentori etik mbi ta e nuk mund të vlerësojë policinë hetimore sikur flet nga oborri i mbretit. Ose ka shkelje konkrete dhe ndjek rrugët ligjore, ose vijon podcast-in me marionetat e zakonshme.
Sipas sqarimeve publike të vetë BKH-së, nuk ka patur përplasje me Gardën dhe armët janë depozituar sipas procedurës, pas një kërkese për sqarim mbi vendin dhe mënyrën e depozitimit. Pra “trimosha që s’donin” qenkan thjesht thashethem podkastesh për klikime.
Në shtet normal, kur ka keqkuptime operacionale mes institucioneve, bëhet protokoll i qartë ndërinstitucional dhe raportim zyrtar, nuk tregohen anekdota në podkastet e se dielës. Jo thjesht sepse banalizohet shteti, por edhe sepse të del kërcënimi si alibi për friken: “mos guxoni të më hyni në hapësirën time”. A thua se është titull i trashëgueshëm kryeministri e jo funksion publik.
Po kur kalohet në fjalor turme “me patllake në Kryeministri” a thua se po tregon skena filmash realizmi socialist tek çunat e lagjes?! Qëllimi është i qartë, të krijojë imazhin e të armatosurve të padisiplinuar që hyjnë tek godina e qeverisë.
Por s’jep as dokumente, as procesverbale, s’mban përgjegjësi për saktësinë, vetëm zbraz etiketime, fyerje dhe insinuata tipike për të testuar sa mund ta ulë autoritetin e hetimit pa paguar kosto.
Kur do t’i përvidhet çdo lloj refuzimi, Rama e zhvendos debatin nga e verifikueshmja (a pati refuzim? A pati realisht përplasje?) te e pamatshmja, etika. E mësuam përmendësh këtë teknikë tipike të propagandës: kur faktet nuk të mbajnë, hidhu tek gjykimi moral. Dhe te merr gjak në vetull po i njëjti kryeministër mandej kur i bëjnë gjyq publik.
Dakord të ndahet “bebja e sapolindur” nga “ujërat e pista”, por kur këtë mision e merr përsipër kryeministri autoritarist është sinjal kontrolli e jo reforme. Pra i madhi vendos kush është “bebja” dhe kush janë “ujërat e pista”. Dmth në një reformë drejtësie, ekzekutivi merr përsipër të jetë arbitër i “pastërtisë” së hetimit. Dhe kush pa! Kryeministri 12-vjeçar i një shteti të kalbur në afera korruptive, pagëzuar narkoshtet nga shefi i antimafias italiane dhe shtypi ndërkombëtar.
Mandej gjithë kjo gjuhë me etiketime e fyerje ngjan më shumë si PR mbi frikën. Një burrë shteti nuk e fut reformëm në status rrjetesh sociale sa herë që drejtësia i prek kabinetin. Një moderator podkast-i po.
Në një shtet funksional, kryeministri nuk e komenton punën e hetuesve dhe nuk u jep nota morale. Por kjo e bën dallimin mes një burri shteti dhe një moderatori podkashtesh, njëri ka mandat kushtetues, tjetri ka episod javor.