SPAK përgënjeshtron Ramën: Ja çfarë ndodhi me tre agjentët në Kryeministri
Në një reagim zyrtar, Prokuroria e Posaçme sqaroi se për episodi për të cilin flet kreu i qeverisë ka ndodhur më 20 nëntor të këtij viti, kur 3 agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit shkuan të Kryeministri për të ekzetuar masat e sigurisë të caktuara nga Gjykata e Posaçme për zëvendëskryeministren dhe ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
SPAK sqaron se “në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.
Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale. Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës”.
Post Scriptum
Në hyrje të podkastit “Flasim”, teksa kryeministri Edi Rama po komentonte zhvillimet e fundit lidhur me gjyqtarët e prokurorët në vend, ai tregoi dhe një ngjarje të ndodhur së fundmi në kryeministri.
Rama tha se disa agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), trokitën në derë dhe se nuk pranuan që të dorëzonin armën, referuar rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës. Çështjen për të cilën agjentët e BKH kishin shkuar në kryeministri, Edi Rama nuk e sqaroi.
“Por unë, nuk do ta ndjek kurresesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës”, tha ndër të tjera Edi Rama.