Albspirit

Media/News/Publishing

Irena Dragoti: Të ndëshkuar

Një ditë, gjithçka do t’na kthehet!
kur të çapitemi mbrapsh,
si hijet e atyre që nuk janë më!
Kur të bien këmbanat e fundme
do mbarsim sytë e zaptuar prej fjalësh
e frymën për të rilindur, do ndalim,
në pragun,
ku fëmijëria vallëzon ende,
mes pengut të prindërve.

Një ditë gjithçka do t’na kthehet!
Do të përcjellim veten,
mbuluar me kuvertën e bardhë,
shpirtplasaritur si hëna!
Yje do të digjen mbi ne
si një tufë mëkatesh të vjetër…

Jemi dënuar
të mbetemi fëmijë, si ndëshkim
prej pasqyrës që ngremë,
mbi livadhe kujtese
si pritje…