Irida Xhura: Luan Rama dhe libri “Murgu i malit të shenjtë”
“Një nga gjetjet më origjinale të romanit është përdorimi i intermezzove homerike. Gjashtë fragmente të shkurtra nga “Odisea” të vendosura si interludiume mes kapitujve, pa asnjë koment, vetëm shënimin e këngës. Ato lidhin rrëfimin ddhe paralajmërojnë lexuesin për rrjedhën e ngjarjeve.
Pas një odiseadë që përshkruhet me gjuhë të gjallë e të dendur me figuracion, ne e shohim personazhin tonë të rikthehet te toka amë, te Lea, te Athosi, i cili nuk ishte vetëm një vend fizik, por një gjendje shpirtërore. Rama e merr mitin e madh të kthimit në shtëpi dhe e zhvesh nga lavdia, nga hakmarrja. Ai lë vetëm thelbin: një burrë dhe një grua që, pas ferrit të historisë, të luftës, duan vetëm të jetojnë njëri-tjetrin. A ia dalin?
-Përse erdhe… Ku ishe deri tani?!
Po, ajo klithte, i klithte shpirti. Ai u afrua dhe i vuri dorën mbi flokë. I dridhej. I puthi lehtë duart, pastaj sytë, supet e saj të zhveshur ndërkohë që ajo rënkonte. Mbështeti kokën mbi qafën e saj… Dhe ajo u shkreh sërish në dënesë, ndërkohë që ai e puthte me kripën e lotëve.
Pas përballjes me luftën, dhembjen, humbjen, vetminë, ndalesa e fundit e Odiseas bëhet Mali i Shenjtë. Athosi nuk është vetëm një vend fizik, por një gjendje shpirtërore, simbol i përkushtimit dhe përpjekjes për shpëtim shpirtëror. Kthimi i vërtetë i heroit modern është njohja se paqja, heshtja dhe hyjnia janë të pranishme në çdo vend ku njeriu arrin të heshtë dhe të dëgjojë. Dhe kjo është fitorja më e madhe: të kthehesh në shtëpi duke mbartur brenda vetes malin e shenjtë…”.