Andrea Gudha: Tempujt e mjekësisë moderne, (shek XIX-XX-të)
Hyrje
Kontributi i shkencëtarëve të shek.XIX – XX –të në Mjekësi është i lidhur me zbulimin e të pa njohurave në organizmin e njeriut, që ekzistonin për shekuj me radhë. Me zbulimin e teknikave dhe metodave origjinale dhe, me të mirat, që patën sjellë ato në praktikën mjekësore, ata, me argumenta teorike dhe praktike, bën revolucion në Mjekësinë e kohës përballë teorive mjekësore shumëshekullore të “betonuara” në qarqet akademike dhe në rrethet mjekësore.
Për ata, shkenca nuk përbënte një mjet për ego apo për ambicie personale profesionale vetëm për dije, apo për t’u pasuruar, por ishte një kontribut i vyer për krijimin e vlerave shkencore, shpirtërore dhe materiale në të mirën e shëndetit të njerëzimit.
Kushtet e punës së tyre ishin më se të zakonshme, veçanërisht në shekullin e XIX-të. Punonin ditë e natë me idealizëm, pasion, vullnet, sakrifica dhe, deri në vetmohim në punën e tyre kërkimore-shkencore: në laboratore të thjeshtë në bodrume apo në baranka të pajisur me një mikroskop të thjeshtë, llambë vajguri e alkooli, sobë tharëse, pipeta, epruveta, shishe, si dhe krimbat e mëndafshit, qentë, lepujt, pulat etj.
Në këto kushte pune shumë të vështira dhe primitive, të pa imagjinueshme me komoditetin dhe me tekonologjinë që, mjekët apo shkencëtarët punojnë në ditët e sotme, ata arritën të bënin epokë me disa nga zbulimet më të mëdha në historinë botërore të mjekësisë, duke hedhur themelet e mjekësisë moderne.
Me zbulimet e tyre shkencore, jo vetëm që u shpëtuan miliona jetë njerëzish, por ata krijuan bazat e progresit të mëtejshëm të mjekësisë moderne të sofistikuar në shekullin e XXI-të: Imazheria, Bio-teknologjia e Inxhinieria gjenetike.
Përshembull, nëqoftëse, nuk ishte zbuluar Penicilinanga Flemingu në 28 shtator 1928, nuk do të mund të zhvillohej industria farmaceutike me gjeneratën e antibiotikëve të rinj. Nëqoftëse, nuk ishin zbuluar rrezet X nga Röntgen në 8 Nëntor 1895, nuk do të mund të zbulohej ADN-ja nga Crick,Watson në 28 shkurt 1953.
Nëqoftëse, nuk ishte zbuluar struktura spirale e ADN-së nga Crick e Watson në 28 shkurt 1953, nuk do të mund të zhvillohej me hapa galopante Bio-teknologjia dhe inxhinjeria gjenetike në shekullin e XXI-të.
***
- Louis Pasteur ( 1822 – 1895) kimist dhe mikrobiolog francez
“Babai i Mikrobiologjisë“.
Louis Pasteur (Pastër) ka lindur më 27 dhjetor 1822 në qytetin e vogël Dol në një familje të varfër parisiene.Ai ishte fëmija i tretë i Jean-Joseph Pasteur dhe Jeanne-Etiennette Roqui. Babai i tij ishte lëkurëpunues. Familja u transferua në Marnoz më 1826 dhe, më pas, në Arbois më 1827. Prirjet e Pastër-it në fëmijëri ishin për vizatim: pikturonte portrete, peisazhe. Shokët dhe banorët e thërrisnin “piktor”.
Në vjeshtën e vitit 1842 arriti në Paris. Liceun Sen-Lui e kreu shkëlqyeshëm dhe në fund të vitit 1843 u pranua në Shkollën Normale. Në vitin 1847 u bë Doktor i Shkencave me dy teza në fizikë dhe në kimi.
Pasi shërbeu për pak kohë si profesor i fizikës në Dijon Lycée, më 1848 ai u bë profesor i kimisë në Universitetin e Strasburgut, ku u miqësua me Marie Lauren, vajza e rektorit të universitetit. Ata u martuan dhe, së bashku, kishin pesë fëmijë: vetëm dy prej të cilëve mbijetuan deri në moshën e rritur, tre të tjerët vdiqën nga tifoja.
Marie Lauren, bashkëshortja besnike ishte asistentja e tij e përjetshme në punën e tij kërkimore – shkencore, por, dhe një grua familjare e kujdesëshme, veçanërisht për shëndetin e Pastër.
Në vitin 1854 Pastër u bë profesor i kimisë, si dhe, Dekan i Fakultetit të Shkencave në Lille.
Pasioni dhe ëndrra e tij ishte kimia dhe puna në laborator. Ëndrra e tij u realizua, duke patur fat që, të punonte nën drejtimin e profesor Balarit (p.s Balari ishte një nga shkencëtarët e njohur të saj kohe, zbuluesi i elementit kimik Brom).
Pastër filloi karrierën me një zbulim në fushën e kimisë, sipas së cilës: “s‘ka fermetim pa mikroorganizma”. Ai përgatiti terrenin e hyrjes së kimisë në botën e qenieve mikroskopike.
Pastër kaloi nga rruga e kimistit në rrugën e fiziologut, kur Akademia e Shkencave në vitin 1860 i dha çmimin për Fiziologjinë eksperimentale.
Në vitin 1868, në moshën 46 vjeçare, Pastër pësoi një goditje të rëndë në tru, që paralizoi anën e majtë të trupit të tij, por ai u shërua dhe, vazhdoi punën e tij në kërkimet shkencore me vullnet të hekurt.
Lui Pastër bëri revolucion të thellë në mjekësi.
Veprimtaria e tij në shkencë është e lidhur me zbulimin e teknikave dhe metodave origjinale në eksplorimin e një bote biologjike të panjohur deri atëherë: botën e mikrobeve, duke vënë në dukje rëndësinë e tyre të madhe në planin teorik dhe praktik në Mjekësi.
Ai, me eksperimentet e tij në fushën e bakteriologjisë dhe me artikujt e botuar, u bë një nga personazhet më të debatuar në qarqet mjekësore të Parisit.
Në këto zbulime shkencore, Pastër gjente vështirësi me mjekët në ambientet spitalore, sepse, sipas tyre, Pastër nuk ishte mjek, por ishte kimist, dhe, nuk ishte kompetent në mjekësi…
Pastëri shpiku një teknikë shumë të thjeshtë bakteriologjike për sterilizimin e mjediseve mikrobike për t’iu shmangur ndotjes mikrobike.
Teknikat e asepsisë dhe metodat dizinfektuese e metoda pasterizuese, bënë të mundur parandalimin e infeksioneve kirurgjikale dhe të sëmundjeve ngjitëse. Kushtet e përgatitjes së serumeve, të vaksinave dhe të konservimit të lëndëve ushqimore etj. e kanë burimin e tyre tek zbulimet e mëdha të Pastërit.
Lindi shkenca e bakteriologjisë, e cila qysh prej tri shekujsh ishte kufizuar në metodën e vëzhgimit. Ai është renditur ndër tre më të mirët në fushën e bakteriologjisë bashkë me Ferdinand Cohn dhe Robert Koch dhe, Pastër njihet gjerësisht si “babai i mikrobiologjisë“.
Pastëri u hodh në fushën e kërkimit të shkaktarëve të sëmundjeve ngjitëse
Pas vitit 1870, Pastëri iu kthye vendosmërisht sëmundjeve ngjitëse, duke i konceptuar ato si sëmundje, që shkaktohen nga penetrimi i mikrobeve infektive në organizëm. Por, këtu Pastëri, si gjithnjë, u ndesh me rutinën mjekësore, duke patur kundërshtarë të fortë dijetarët e njohur Virhov e Helmohlc.
Në vitin 1872 Pastër u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave-Paris.
Pastër para akademikëve u shpreh: “Vullneti, puna, dhe suksesi mbushin ekzistencën e njeriut”.
Ndërsa, akademikët e përshëndetën me fjalët simbolike: “Natyra nuk është aristokrate. Ajo kërkon punë dhe përpjekje nga njerëzit. Ajo duart i do me kallo”.
Teoria mikrobike e sëmundjeve infektive gjeti rezistencë të madhe edhe nga Akademia e Parisit. Polemikat, që u zhvilluan në Akademi qenë mjaft të ashpra dhe u ngjanin polemikave, që ishin zhvilluar në shekullin e XVII-të lidhur me zbulimin e qarkullimit të gjakut nga Wiliam Harvei dhe, në shekullin XIX-të lidhur me formulimin e teorisë së evolucionit nga Çarl Darvini.
Shumë shkencëtarë nuk kishin rënë dakord me të për këto eksperimente por, që të bindeshin shkencëtarët, Lui Pasteri bëri eksperimentet para auditorit dhe doli fitimtar. Pas kësaj të gjithë u pajtuan me eksperimentin e Lui Pasterit.
Pastëri zotëronte një art dhe mjeshtëri të veçantë për t’i tërhequr njerëzit në idetë e tij novatore. Pastëri, shpesh herë, përdorte në formë bindjeje demonstrime publike të eksperimenteve të tij.
Nga viti 1876 Pastër iu përkushtua tërësisht çështjeve mjekësore të njeriut.
Më 28 janar 1881, Pastëri paraqiti në Akademinë e Shkencave të Parisit kumtesën e tij të famshme mbi vaksinën kundër plasjes. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për Pastërin me kundërshtarët e tij në Akademinë e Shkencave në Paris, veçanërisht me një nga shkencëtarët më dinjitoz të kohës, siç ishte mikrobiologu gjerman Robert Koch.
Më 1 Mars 1881, Pastëri vendosi të njoftonte në Akademinë e Shkencave rezultatet e përdorimit të vaksinës kundër tërbimit.
Shënim. Eshtë mjaft simbolike fotografia: Vaksinimi tek djaloshi 14 vjeçar Jozef Meister për tërbimin. Pastër qëndron në sfond në këmbë me shikim të menduar, të frikësuar, drejt djaloshit Jozef dhe, mjeku pediatër Granshe, që i aplikon vaksinën kundër tërbimit.
Luftë të ashpër bëri Pastër për të bindur akademikët lidhur me mundësinë e përgatitjes dhe të përdorimit të vaksinës së tij kundër tërbimit.
Kërkimet e tij në këtë fushë përfunduan me përgatitjen e vaksinës antirabike, e cila u përdor me sukses tek njerëzit.
Përdorimi i vaksinës kundër tërbimitvulosi përfundimisht lavdinë e Pastërit. Akademia e Shkencave vendosi njëzëri për të krijuar një institucion në Paris, që të prodhojë vaksinën kundër tërbimit.
Për ngritjen e institucionit shkencor, Pastër dhuroi tokën, që ishte prona e tij private, kurse Bashkia e Parisit ndërtoi godinën e institucionin me fondet e saj.
Më 14 nëntor 1888 u bë inagurimi solemn i Institutit, i “tempulli të ri të shkencës në rrugën Dyto-Paris. Lui Pastër u caktua drejtor i Institutit.
Pastëri, shëndetlig gjatë gjithë jetës dhe i “lodhur nga jeta”, nuk pati mundësi që të punonte për shumë kohë në këtë laborator modern.
Në vitin 1894 Pastër pësoi goditje në tru dhe dëmtime në veshka, me azotemi të lartë, që e dëmtuan rëndë shëndetin e tij.
Në pamundësi shëndetësore Pastër u tërhoq nga puna në laborator. Ai, nga dritarja e shtëpisë së tij, e cila ishte përballë me Institutin, shikonte me ngazëllim lëvizjet e shumta të shkencëtarëve të ardhshëm nga e gjithë bota, që kualifikoheshin dhe specializoheshin në këtë Institut…
Luis Pastër vdiq në prill të vitit 1895, në moshën 73 vjeçare.
Shteti francez e nderoiLuis Pastër me një varrim shtetëror në Katedralen “Notre Dame”. Më vonë, trupi i ballcamosur i Luis Pastër u rivendos në “ Institutin” origjinal, afër “Institutit Pasteur”, që sot shërben dhe si muze. “Instituti Pasteur” sot është një qendër e rendësishme shkencore dhe pikë reference ndërkombëtare në fushën e bakteriologjisë.
2. Wilhelm Conrad Röntgen (1845 – 1923) fizikant gjerman.
Röntgen vlerësuar me Çmimin e parë Nobel në Fizikë në vitin 1901.
Wilhelm Conrad Röntgen lindi më 27 mars 1845 në Lennep, Gjermani, fëmija i vetëm i Friedrich Conrad Röntgen, një tregtar dhe prodhues pëlhurash dhe i Charlotte Constanze Frowein.
Në vitin 1848, në moshën 3 vjeçare, ai u zhvendos me prindërit e tij në Holandë, ku jetonte familja e nënës së tij.
Në vitin 1862, Röntgen u regjistrua në Shkollën Teknike të Utrechtit, ku ndoqi kurse për gati dy vjet, por në vitin 1865, ai u përjashtua padrejtësisht nga Shkolla Teknike kur u akuzua padrejtësisht se kishte vizatuar një karikaturë të njërit prej mësuesve, e cila në fakt ishte vizatuar nga dikush tjetër.
Pa një diplomë të shkollës së mesme, Röntgen mund të ndiqte universitetin në Holandë vetëm si vizitor (nuk kishte shtetësi hollandeze).
Në vitin 1865 ai u transferua në Zvicër dhe kaloi provimin e pranimit në Shkollën Politeknike Federale në Cyrih (Zurich), ku u bë student i inxhinierisë mekanike te Gustav Zeuner.
Në Cyrih, në vitin 1866, Röntgen u njoh me Anna Bertha Ludwig në kafenenë e babait të Annës. Pas 6 vjetësh u martuan në Apeldoorn, Holandë, më 7 korrik 1872. (Vonesa e martesës ishte për shkak se Anna ishte 6 vjet më e madhe se Wilhelm dhe babai i tij nuk e miratonte moshën ose prejardhjen e saj nga një shtresë e ulët).
Ata, për 47 vjet qëndruan sëbashku, deri në vdekjen e saj në moshën 80 vjeç. Ata rritën një fëmijë, Josephine Bertha Ludwig, të cilën e adoptuan kur ishte 6 vjeç pas vdekjes së babait të fëmijës, që ishte vëllai i vetëm i Annës.
Nga viti 1874 – 1888, Röntgen ishte Profesor i Fizikës në Universitetin e Strasburgut.
Në vitin 1888, ai rifitoi shtetësinë gjermane (pasi ishte pa shtetësi për 40 vjet) dhe mori Kryesinë e Fizikës në Universitetin e Würzburgut .
Në 1900 ai u nderua me “karrigen e fizikës” në Universitetin e Mynihut dhe u emërua drejtor i një instituti të fizikës në Mynih, me kërkesë të veçantë të qeverisë Bavareze.
8 Nëntor 1895, zbulimi i rrezeve X
Ishte fillimi i muaji nëntor i vitit 1895, kur Röntgen eksperimentonte dhe hetonte eksperimente pa pushim për efektet e jashtme të kalimit të një shkarkimi elektrik përmes llojeve të ndryshme të pajisjeve të tubave të vakumit – aparatura nga Heinrich Hertz , Johann Hittorf , William Crookes , Nikola Tesla dhe Philipp Lenard .
Në fund të pasdites së 8 nëntorit 1895, dita e premte, Röntgen ishte i vendosur ta testonte idenë e tij. Ditë dimri, gjithçka ishte zbardhur nga dëbora.
Meqenëse 8 nëntori ishte e premte, ai shfrytëzoi fundjavën për të përsëritur eksperimentet e tij dhe bëri shënimet e tij të para. Hetonte me këmbëngulje dhe me shumë kuriozitet shumë veti të rrezeve të reja, që ai i quajti përkohësisht “rrezet X”, duke përdorur përcaktimin matematik (“X”) për diçka të panjohur.
Në javët në vijim, ai hante dhe flinte në laboratorin e tij. Në një moment, ndërsa po hetonte aftësinë e materialeve të ndryshme për të ndaluar rrezet, Röntgen solli një copë të vogël plumbi në pozicion, ndërsa në dhomën e errët po ndodhte një shkarkim i pa ndeshur, deri më tani, për të. U shfaq diçka e panjohur “si një kometë në universin e mjekësisë”.
Röntgen-it, në mënyrë të çuditshme, para syve ju shfaq, si një “fantazmë ”, skeleti i trupit të tij, që dridhej në ekranin e platinocianidit të bariumit.
Ky ishte imazhi i parë radiografik në historinë e mjekësisë: skeleti i trupit të Röntgen.
Röntgen, pas këtij fenomeni, nuk mund të qëndronte më në laborator. Jashtë ishte një ditë e keqe dimri, ftohtë dhe me shi të dendur. U drejtua për në shtëpinë e tij i menduar. Hapi derën e shtëpisë, pa bërë zhurmë.. Anna ishte në gjumë. Röntgen i lodhur u shtri në divanin e sallonit. Gjumi nuk e zinte. Para syve i dilte “fantazma” e skeletit të trupi të tij. Në mendje i vinin shumë pikpyetje…
Të nesërmen në mëngjes, duke pirë kafen sëbashku me Annën, Röntgen tregon ngjarjen, që i kish ndodhur në laborator, duke punuar me rrezet X.
Në fillim, Anna shtangu nga tregimi i ngjarjes “fantazma” e skeletit të tij. Ju duk ngjarje e çuditëshme, e pa besueshme. Gati sa t’i binte filxhani i kafes nga dora.
E mblodhi vehten. Ajo, gjithmonë, kishte besim në eksperimentet shkencore, që bënte Röntgen .
Anna e pa në sy Röntgen, dhe, me zërin e saj të qetë melodioz dhe inkurajues, i thotë: “ekpserimentin e rrezeve X do ta provojmë në dorën time”.
Röntgen, rreth gjashtë javë pas zbulimit të tij, bëri një fotografi – një radiografi – dorës së gruas së tij, Anna Bertha, duke përdorur rreze X.
Kur ai imobilizoi për disa momente dorën e gruas së tij në rrugën e rrezeve mbi një pllakë fotografike, ai vëzhgoi pas zhvillimit të pllakës një imazh të dorës së gruas së tij, që tregonte hijet e hedhura nga kockat e dorës së saj dhe, atë të një unaze, që ajo mbante, të rrethuar nga penumbra e mishit, e cila ishte më e përshkueshme nga rrezet dhe, për këtë arsye hidhte një hije më të zbehtë.
Kur Anna Bertha pa skeletin e dorës së saj dhe unazën, ajo thirri:
“E kam parë vdekjen time“!
Ky ishte “röntgenogrami” i parë në historinë e mjekësisë botërore. Eshtë fotografia simbolike e fillimit të Radiologjisë.
Më vonë, Röntgen bëri një fotografi më të mirë të dorës së mikut të tij Albert von Kölliker në një leksion publik.
Një vit më pas, rezultatet e para të rëntgenologjisë u paraqitën në 49 libra dhe në mbi 1. 200 artikuj në revista shkencore.
Rrezet X filluan të zbatohen në të gjitha fushat e mjekësisë, duke përfshirë edhe urologjinë, në diagnostikimin e gurëve në veshka.
Analiza dhe botimet e Röntgen-it rreth zbulimit të një lloji të ri rrezatimi, shkaktuan një entuziazëm të madh midis fizikantëve.
Kjo e shtyu Henri Becquerel- in të kërkonte lidhje me fosforeshencën , duke çuar në zbulimin e radioaktivitetit spontan në vitin 1896.
Marie dhe Pierre Curie u magjepsën gjithashtu nga puna me rrezet X, por pasi dëgjuan për gjetjet e Becquerel-it, ata iu rikthyen izolimit dhe identifikimit të izotopeve radioaktive, duke çuar në njohjen se rrezatimi gjenerohej në nivelin atomik.
Në vitin 1901 Röntgen u vlerësua me Çmimin e parë Nobel në Fizikë: “Në njohje të shërbimeve të jashtëzakonshme që, ai ka ofruar me zbulimin e rrezeve të jashtëzakonshme, që më pas u emëruan sipas tij”.
Röntgen e dhuroi shpërblimin monetar të çmimit zyrtar për universitetin e tij.
Ai refuzoi të regjistronte ndonjë patentë në lidhje me zbulimin e tij për arsye etike. Në të njëjtën mënyrë do të bënte disa vite më vonë edhe Pierre Curie.
Röntgen, nuk ka kërkuar që, rrezet të kenë emrin e tij megjithatë, gjermanët, por dhe në ambientet mjekësore, rrezet X i emërtojnë si “rrezet rëntgen” dhe, për nder të tij, është quajtur kështu njësia e matjes së ekspozimit të rrezatimit, e themeluar në vitin 1928.
Me inflacionin pas Luftës së Parë Botërore, Röntgen falimentoi financiarisht.
I vetëm, tepër modest për lavdinë e tij, vitet e fundit të jetës i kaloi në shtëpinë e tij në fshat në Weilheim.
Wilhelm Conrad Röntgen vdiq nga kanceri kolorektal më 10 shkurt 1923 në Mynih, në moshën 77 vjeç.
Në Remscheid-Lennep , 40 kilometra në lindje të vendlindjes së Röntgen në Düsseldorf, ndodhet Deutsches Röntgen-Museum.
Dita Botërore e Radiografisë më 8 nëntor të çdo viti, që përkon me përvjetorin e zbulimit të Röntgen-it, është një ngjarje vjetore, që promovon rolin e imazherisë mjekësore në kujdesin shëndetësor modern.
3. Aleksandër Fleming (1881 – 1955), mjek, mikrobiolog. Çmimi Nobel në Mjekësi për zbulimin e antibiotikut të parë- Penicilina.
“Një temë të re studimi shkencëtari e zbulon vetëm por, është vështirë të përfundohet me sukses çfarëdo pune shkencore pa bashkëpunimin e të tjerëve”.
Aleksandër Fleming lindi më 6 gusht 1881 në fermën Lochfield, Skoci, në një familje fermerësh. Babai i tij Hju Fleming kishte katër fëmijë të mbijetuar nga martesa e tij e parë. Aleksandër Fleming ishte fëmija i tretë nga katër fëmijët e fermerit Hju nga martesa e dytë.
Aleksandri në moshën 12 vjeç mbaroi shkollën e Daruellit, qytet i famshëm për muzeun, për monumentin e poetit Robert Bërns, për panairin e djathrave… Aleksandri hyri në punë në shoqërinë e udhëtimeve “Ameriken Llajn”, ku punoi 5 vjet për të ndihmuar familjen e madhe Fleminger financiarisht. I vëllai i tij Tomas (mjek okulist), duke parë aftësitë e Akeksandrit, e këshilloi dhe e inkurajoi atë, që të hynte në shkollën mjekësore.
Flemingu në vitin 1901, në moshën 20 vjeç, u regjistrua në shkollën mjekësore pranë spitalit Sent-Meri.
Flemingu, pasi fitoni përgatitjen teorike, u lejua të punonte në laborator si asistent i Dr. Allmrot Rajti, shkencëtar i njohur në fushën e bakteriologjisë (zbuluesi i autovaksinës). Emri i Dr. Rajtit qëndronte nëpër tekstet mësimore në shkollat mjekësore, krahas emrave të shkencëtarëve më të famshëm: Pastërit, Kohut.
Laboratori i Dr. Rajti në spitalin Sent-Meri qe i pajisur në mënyrë primitive: termostat, autoklav, pjata petri, epruveta, tuba xhami, mikroskop, shishe, lavaman por, në këtë laborator të thjeshtë, “zienin” ide shkencore, si në një “Bibliotekë”.
Në laborator gjithmonë kishin vizitorë. Një nga miqtë e ngushtë të Dr. Rajt ishte Bernard Shou (1856-1950, shkrimtar nobelist), me të cilin bisedonin gjatë mbi letërsinë, rëndësinë relative të mjekësisë dhe filozofisë.
Dr. Rajti e çmonte Flemingun për punën e tij pa të meta, për pagabueshmërinë e gjykimeve të tij, për përqëndrimin dhe vrojtimin skrupullos para mikroskopit, për bisedën e qetë me kolegët, për heshtjen, dëgjonte dhe fliste pak, për personalitetin dhe për njohuritë e tij enciklopedike për jetën.
Flemingu, krahas punës të pandërprerë në laborator, në vitin 1908 mori një diplomë me medalje të artë në bakteriologji të Universitetit të Londrës dhe u bë lektor në Sent-Meri. Në të njejtën kohë ai mori pjesë në konkursin për titullin e anëtarit të Kolegjit Mbretëror të Kirurgjisë dhe e fitoi.
Në konkursin e Fakultetit Sent-Meri, ai paraqiti punimin me titull “Infeksionet mikrobike” dhe, me të fitoi medaljen e artë.
Gjatë Luftës së Parë Botërore (1914 -1918) Flemingu, i graduar si kapiten, shërbeu në Korpusin e Ushtrisë Mbretërore Mjekësore.
***
Në vitin1915, Flemingu, mori leje gjatë kohës së luftës, dhe u martua me Sara Marion, lindur në Irlandë dhe kishin një djalë, që i vunë emrin Robert, i cili vazhdoi shkollën mjekësore Sent-Meri dhe u bë mjek i përgjithshëm.
Sara, (të gjithë e thërrisnin Sarina) ishte kryeinfermiere. Ajo kishte një klinikë private në qendër të Londrës.
Tek Flemingu ajo dallonte njeriun e thjeshtë me karakter dhe gjenialitetin e fshehur brenda tij. Ajo e respektonte, e dëgjonte me vëmendje dhe dëshironte gjithmonë ta ndihmonte në punën e tij shkencore. Për këtë gjë, ajo shiti klinikën e saj private dhe ia mbushi mëndjen Flemingut që t’i linte vizitat mjekësore me të sëmurët dhe të merrej vetëm me punë shkencore në laborator.
Me një pjesë të parave nga shitja e klinikës së saj, ata blenë një shtëpi të vogël, të vjetër në fshat.
Në vitin 1918, pas luftës, Flemingu u kthye në Spitalin Sent-Meri dhe në vitin 1921, Dr. Rajti e emëroi Flemingun ndihmës të tij.
***
Flemingu në punën e tij kërkimore-shkencore, gjeniun dhe idhullin shkencor kishte Luis Pastër.
Laboratori, ku punonte Flemingu ishte i ngushtë, i errët. Në pamje të jashtme dukej ambient i çrregullt me kultura bakteriesh të mbjella në pjatat e petrit. Flemingu i ruante pjatat dhe epruvetat nga dy-tri javë, para se t’i zhdukte, i studionte me vëmendje dhe i kontrollonte mos kishte ndodhur në to ndonjë fenomen interesant, i papritur. Ai thoshte: – Nga një gjë e çuditshme mund të dalë diçka shumë interesante.
Pas shumë eksperimentesh me këmbëngulje dhe me besim në vetvete. Flemingu vërtetoi se, sekrecionet e trupit të njeriut kishin vetitë e enzimave (fermenteve natyrore), që kishin veti baktericide për mbrojtjen delikate të trupit të njeriut; sikur luanin rolin e një antiseptiku të dorës së parë në mbrojtje të qelizës së trupit të njeriut nga hyrja e mikrobeve nga jashtë.
Si duhej quajtur lënda e gjetur nga Flemingu?
Në vitin 1922, fenomeni i çuditshëm u shqyrtua me ekipin në laborator, në “Bibliotekë”, në orën e çajit. Dr. Rajti “Plaku”, i dashuruar pas formimit të fjalëve me rrënjë greke, e pagëzoi “Lizozimë”.
Flemingu bëri një zbulim shumë të madh për kohën, por, ai, me thjeshtësinë dhe modestinë e tij karakteristike, kurrë nuk e përdorte fjalën “zbulim”, sepse i dukesh fjalë e madhe para zbulimeve të bëra nga “Tempujt” e mjekësisë deri më tani. Ai gjithmonë thoshte: “Vrojtimet e mia”.
***
Penicilina
– Kur u zgjova, vetëm, pas agimit më 28 shtator 1928, unë nuk isha i sigurt se do të revolucionarizoja botën mjekësore, duke zbuluar antibiotikun e parë në botë, apo bakter vrasës.
– Fati ndihmon vetëm mendjet e përgatitura.
Deri në vitin 1927, Flemingu ishte i njohur në rrethet shkencore si një studiues brilant me punën e tij të mëparshme me Lizozimën dhe me shtamet e staphylokokut.
Në vitin 1928. u zgjodh Profesor i Bakteriologjisë në Universitetin e Londrës.
Më 3 shtator 1928, Flemingu, pasi kaloi pushimet në fshat me familjen në muajin gusht, me zi priste që të kthehej në laborator. Ai parandjente se, diçka interesante do të gjente në pjatat e petrit! Para se të nisej për pushime, ai inokuloi stafilokokët në pjata kulture dhe i la ato në një stol, në një cep të laboratorit të tij.
Flemingu, si gjithmonë me syrin e vrojtuesit,duke vrojtuar me kujdes pjatat e shumta në tavolinën e çrregulltë, vuri re diçka interesante: një kulturë ishte e kontaminuar me një kërpudhë dhe, se si kolonitë e stafilokokëve, që rrethonin kërpudhën, ishin shkatërruar ndërsa, kolonitë e tjera të stafilokokëve më larg ishin normale.
Flemingu, disa spore të kërpudhës i mbolli në një pjatë me agar dhe i la ato të rriten për katër-pesë ditë në temperaturën e dhomës. Flemingu priste me padurim se, çfarë do të ndodhte me to?
Pas pak kohe u shfaq një myk.
Flemingu e mbolli po atë agar me bakterie të ndryshme. Myku ishte vdekjeprurës për streptokokët, stafilokokët, për bakteriet e difterisë, por, mbi bakterin e tifos nuk vepronte.
Flemingu u thellua më tej në studimin shkencor të mykut. Ai e rriti lëndën e nxjerr nga myku në një enë të madhe me bujon.
Sipërfaqja e lëngut u mbulua me një shtresë të trashë si pambuk.
Flemingu e vazhdoi më tej studimin me pikpyetje të shumta në mëndjen e tij: – Në se, ky lëng, ka vetitë baktericide të mykut? Flemingut, zbulimi i mykut i dukej shumë interesant. Ndërsa lizozima, e zbuluar prej tij, kishte efekt kryesisht kundër mikrobeve të padëmshme. Myku nxirrte një lëndë “notatum Penicillium”, që ndërpriste rritjen e mikrobeve patogjene të disa sëmundjeve nga më të rrezikshmet e kohës.
Ky “lëng myk”, i quajtur substancë, liroi Penicilinë më 7 mars të vitit 1929. Flemingu ishte i bindur se kishte bërë një zbulim me rëndësi për shëndetin e njerëzimit. Tani, ai ëndërronte që, këtë lëndë aktive, ta nxirrte të pastër. Por, ai mendonte se, këtë proces nuk mund ta bënte ai vet. Këtë proces mund ta bënin vetëm kimistët profesionistë dhe me prirje shkencëtari dhe, jo mjekë.
Flemingu publikoi zbulimin e tij në vitin 1929, në British Journal of Experimental të Patologjisë.
Flemingu, gjatë kësaj kohe, përgatiti artikuj në revista shkencore, kumtesa për “Penicilinën” në konferenca dhe në kongrese por, ai pritej ftohtë nga auditori, pa entusiazëm. Kjo gjë e mërziste shumë, pasi, në vetveten e tij kishte bindje të plotë për dobinë e kësaj lënde.
Flemingu me durim vazhdonte me mjekët e spitalit Sent –Meri, eksperimentet për përdorimin lokal të Penicilinës në plagët e infektuara në kirurgji dhe në gjinekologji.
Flemingu përpiqej me këmbëngulje, vit pas viti, për të gjetur një kimist, që do të arrinte të prodhonte Penicilinë të pastër. Shkencëtarëve kimistë në Angli, Francë, Flemingu u ofronte lëndën e parë “Penicilinium”, i inkurajonte ata pa asnjë lloj interesi vetjak, vetëm, të nxirrnin Penicilinën aktive të pastër në të mirë të njerëzimit!
***
Dr.Flori, profesor në universitetin e Oksfordit, nëpërmjet literaturës u njoh me punën e Flemingut mbi Lizozimën. Lizozima ju duk temë interesante për studim të mëtejshëm.
Dr. Çejni, që drejtonte sektorin e Biokimisë në universitetin e Oksfordit, iu duk mjaft interesante kumtesa e Flemingut për penicilinën, që ishte mbajtur në vitin 1929. Dr. Çejni, nga Flemingu mësoi se “ekziston një lëndë, që ka cilësi antibakteriale,shumë premtuese”.
Në vitin 1939 Çejni e filloi studimin e Penicilinës. U ngrit grupi i punës së Oksfordit me shkencëtarë të rinj: Dr. Florin, Dr. Çejni dhe bashkëpunëtorë të tjerë shkencorë.
Shkencëtarët e Oksfordit, pas një pune të gjatë këmbëngulëse me eksperimente të shumta, më në fund arritën të veçonin në formë të koncentruar, të qëndrueshme dhe, pjesërisht të pastruar lëndën e mrekullueshme, që kishte cilësi të habitshme: vriste mikrobet pa dëmtuar qelizat e organizmit.
Erdhi çasti i provës vendimtare në vitin 1940 me tri grupe minjsh të infektuar. Flori, Çejni dhe bashkëpunëtorët e tjerë flinin në laborator dhe çdo tre orë zgjoheshin nga zilja e sahatit. Pas 16 orëve ngjau çudia: minjtë e pa mjekuar ngordhën, kurse minjtë e mjekuar shpëtuan.
Për Flemingun, njoftimi i parë i grupit të Oksfordit nga Dr.Flori dhe Dr.Çejni të botuar në ‘LANCET”, ishte e papritura më e gëzueshme në jetën e vet.
Më në fund, pas 10 vjetë pritje, ëndërra e Flemingut u bë realitet!
Në vitin 1941 penicilina u injektua tek të sëmurët me një përmirësim të menjëhershëm të gjëndjes shëndetësore. Dr. Flori, i entusiazmuar nga suksesi i penicilinës, interesohej pranë qeverisë britanike për prodhimin industrial të ilaçit çudibërës. Por, përgjigja ishte negative. Ishte koha e luftës së dytë botërore.
Shkencëtarët e Oksfordit shkuan pothuajse, në të gjitha ndërmarrjet e mëdha kimike në Angli, Spanjë, Francë dhe në SHBA, por, merrnin përgjigje dëshpëruese. Drejtuesit e ndërmarrjeve kimike dhe farmaceutike gjykonin se, nuk kishin fitim.
Gazeta “Tajms”, si kryeartikull “Penicilinium” fliste për shpresat e mëdha që kishte ngjallur Penicilina, e cila ishte 100 herë më e fuqishme se sulfamidet, por, fatkeqësisht, në kryeartikull nuk përmëndej as emri i Flemingut si zbuluesi i parë i saj dhe, as grupi i shkencëtarëve të Oksfordit, që nxorrën Penicilinën e pastër aktive.
Dr. Rajti “Plaku”, i indinjuar nga kryeartikulli, i dërgon një letër “Tajms”: – Sër, në kryartikullin tuaj të djeshëm për penicilinën, ju nuk ia dhatë degën e palmës atij që i takon, atij që bëri këtë zbulim, që punon në laboratorin tonë të kërkimeve shkencore, profesor Aleksandër Fleming “Palmam qui meruit ferat”. Aleksandër Fleming e zbuloi i pari penicilinën dhe i pari, që parashikoi se, kjo lëndë mund të gjejë përdorim të gjerë në mjekësi.
Letra e Dr. Rajtit drejtuar “Tajms” pati ndikim tepër pozitiv në shtypin e kohës dhe në rrethet shkencore mbi të vërtetën shkencore të zbulimit të Penicilinës. Flemingu i heshtur u bë favorit i gazetarëve dhe publikut. U mbyt nga lumi i letrave, telefonata pafund, intervista, ftesa nga gazetarë dhe njerëz të shquar nga të gjitha vendet e botës.
Flemingu modest dhe origjinal, bashkëbiseduesve gjithmonë u kujtonte meritat e Dr. Florit dhe Dr. Çejnit në këtë sukses të jashtzakonshëm.
Në vitin 1943 Flemingu u zgjodh anëtar i Shoqërisë Mbretërore, shoqëria më e vjetër dhe më e nderuar e Britanisë së Madhe, e themeluar në vitin 1660. Autoritet qeveritare lejuan përdorimin e Penicilinës për mjekimin e popullsisë civile. Publiciteti i firmave farmaceutike dhe i reklamave në gazeta, që e paraqesnin penicilinën si ilaç magjik për të gjitha sëmundjet, Flemingun e shqetësonin: – Unë kurrë nuk kam thënë se, Penicilina mund të shërojë çdo sëmundje. Këtë e kanë thënë gazetat… Ajo ka efekt të çuditshëm vetëm për disa sëmundje, ndërsa, për disa sëmundje është krejt e paefektshme.
Më 25 tetor 1945, Flemingu mori një telegram, me anë të të cilit i njoftohej se, atij, Florit dhe Çejnit u ishte dhënë çmimi NOBEL në mjekësi.
Pritje solemene Flemingut ju organizuan në Francë, Itali, Danimarkë dhe Norvegji. Flemingu ngeli njeri i thjeshtë dhe i sjellshëm dhe pas lavdisë. Kur vinin vizitorë të huaj në Institut për ta uruar, ata habiteshin: – S ? Ky është Flemingu i lavdishëm?! Flemingu ishte mishërimi i njeriut të pastër, të ndershëm dhe të sinqertë, pa asgjë artificiale.
***
Më 1 tetor 1946 në spitalin Sent-Meri, në kabinetin e Flemingut u paraqit për specializim në fushën e bakteriologjisë mjekja e re greke Amalia Kucuris-Vureka. Amalia në fillim u gjend e ndrojtur para emrave të mëdhenj të shkencës si Dr. Rajti dhe Flemingu “Nobelist”. Dr. Rajti i përgjante me portetet parahistorike greke, kurse Flemingu “ Nobelist” me hije të rëndë, fliste pak, me zë të ulët, pa i hapur buzët, duke mbajtur cigaren në anë të gojës.
Në vitin 1947 Dr. Rajti vdiq, mësuesi i jashtëzakonshëm i Flemingut.
Flemingu ishte profesor i bakteriologjisë dhe u emërua drejtor i Institutit. Ngarkesa në punë iu shtua. Ai, krahas punës shkencore në laborator, duhej të qëndronte në zyrë dhe të merrej me anën administrative të Institutit.
Fal tipit të tij serioz, të ndershëm dhe të qetë, në mes kolegësh kishte harmoni dhe bashkëpunim në punë. Shpesh organizonin festa dëfrimi dhe sportive.
Profesori, gjithmonë ishte i prirur për t’i ndihmuar , i inkurajonte dhe gëzohej me sukseset e tyre në punën shkencore.
Kënaqësinë e kishte kur dilte nga zyra dhe zbriste shkallët për në laborator. Gjithmonë kolegët i pyeste: – Vrojtuat ndonjë gjë interesante në mikroskop?
E shprehte gëzimin në fytyrë, kur i thoshin: – Po.
Interes të veçantë tregonte profesori për ecurinë shkencore të Amalisë, specializantes greke. Ai gëzohej në heshtje, pa e shprehur, për ecurinë shkencore të saj dhe, që, ajo, gëzonte respektin e kolegëve, si e vetmja femër mjeke, që punonte në laborator.
***
Në vitin 1948 Flemingu u nis përsëri për në SHBA, ku ishte ftuar për leksione me studentët: fjalime të thjeshta dhe bindëse për auditorin.
Në SHBA ndjeu gëzim dhe zemërim.Vuri re se, familja e antibiotikëve rritej gjithnjë e më shumë bazuar tek prodhimi primar i Penicilinës.
Kur Fleming mësoi për patentimin e metodës së prodhimit të penicilinës në Shtetet e Bashkuara nga Robert D. Coghill dhe Andrew J. Moyer në vitin 1944, ai u tërbua nga zemërimi dhe komentoi: – E gjeta penicilinë dhe e kam dhënë falas për të mirën e njerëzimit. Pse duhet të bëhet një monopol fitimprurës i prodhuesve në një vend tjetër?
Flemingu, kur u kthye në Londër e gjeti të shoqen, Sarën në gjëndje të rëndë shëndetësore. Flemingu ishte shumë i dëshpëruar që, nuk mund ta ndihmonte dot shoqen e tij të jetës për gjatë 34 vjetëve në familje dhe në shkencën e zbulimit të Penicilinës. Flemingu ishte i ndërgjegjshëm për disfatën me njeriun më të ngushtë të jetës: – Më e tmerrshmja është se Penicilina nuk mund t’i ndihmojë asaj, nuk ka vlerë për Sarën!
Sara vdiq në nëntor të vitit 1948.
***
Flemingu, në moshën 67 vjeçare, mbeti krejt vetëm, dukej si një plak i mjerë, me ato duar që i dridheshin. Roberti, djali i tij ishte bërë mjek.
Në laborator qëndronte më gjatë dhe mbrëmjet i kalonte në klubin e Çelsit të artistëve, duke luajtur bilardo dhe me gotën e birrës.
Tani, e vetmja gjë që, i jepte zemër Flemingut dhe, që e mbante aktiv, ishte puna në laborator dhe në Institut. Vajtja e Dr. Amalisë në laborator i shtonte energjitë për punë të mëtejshme shkencore.
Më në fund Amalia e mbaroi periudhën e specializimit dhe u kthye në Athinë, ku u caktua drejtuese e laboratorit në spitalin e Athinës.
Pas largimit të specializantes së vet greke, Flemingu dukej si i hutuar.
Gjatë kësaj kohe, duke punuar në Sent-Meri e njftojnë se, nga një grup i gjërë studentësh Aleksandër Flemingu u zgjodh rektor i Universitetit të Edinburgut në Skoci ( posti i rektorit ishte post nderi, pa u shkëputur nga puna e tij shkencore në laboratorin Sent-Meri).
Flemingu u kënaq shumë që e zgjodhën me shumicën dërmuese të votave si rektor. Në fjalën e tij në auditorin e universitetit të Edinburgut thotë: – Në studimin e çdo problemi, hapat e parë shkencëtari i bën vetëm. Ndërsa, përpunimi i mëtejshëm kryhet bashkë me të tjerët.
Flemingu u caktua anëtar i një komisoni të UNESKOS, që merrej me organizimin e konferencave mjekësore ndërkombëtare.
Në tetor 1952 në Athinë u organizua një konferencë ku, do të merrte pjesë dhe Flemingu. U nis për në Athinë me dëshirë. Në aeroport u prit nga Amalia me një buqetë të bukur me lule dhe me miqtë e saj. Universiteti i Athinës ngarkoi Dr. Amalinë që, të organizonte gjithçka me rastin e vajtjes së Flemingut: takimet, leksionet, mbledhjet, vizitat, eskursionet.
Amalia ishte e lumtur që, mund t’i shërbente si shoqëruese dhe si përkthyese Flemingut. Flemingu, me shpirtin e tij, sa sportiv e, po aq dhe artistik, i shijonte vendet e bukura me histori hyjnore në Athinë, vizitat në ishullin Rodos dhe këngët e bukura nën tingujt e orkestrës me buzukun e famshëm grek.
Në Athinë u zgjodh anëtar i Akademisë së Athinës dhe, i organizuan një ceremoni solemne: ju dha qytetar nderi i Athinës.
Në Greqi e mbuluan me nderime. Në këtë vizitë të mrekullueshme disa ditore Flemingu e ndjeu, e çmoi dhe e vlerësoi shumë kujdesin e veçantë të Dr.Amalisë.
***
Më 9 prill 1953 u bë martesa e Flemingut me Amalinë në Bashkinë e Çelsit.
Në janar të vitit 1955 Flemingu u largua nga posti i drejtuesit të Institutit, por vazhdoi punën, si zakonisht për ditë në laboratorin Sent-Meri. Tani, artikujt flisnin për një punë të përbashkët të nënshkruar nga Aleksandër e Amalia Fleming.
Të premten, në mëngjesin e datës 11 mars 1955, Flemingu, duke dalë nga banja në shtëpi, kishte shtrëngime në gjoks, u zbeh në fytyrë dhe, befas, ra në tokë me fytyrë përpara. Amalia e tronditur kërkoi menjëherë ndihmën mjekësore, por Flemingu refuzoi me këmbëngulje.
Aleksandër Flemingu, më 11 mars 1955 vdiq papritur, nga një atak në zemër, pa asnjë ndihmë mjekësore! Aleksandër Flemingu vdiq në moshën 74 vjeçare, ashtu si jetoi: me modesti, me trimëri dhe në heshtje.
Aleksandër Flemingun e varrosën në katedralen e Shën-Pavlit me një ceremoni madhështore.
Epilogu
Aleksandër Flemingu bëri përmbysje në mjekësinë botërore moderne në mesin e shekullit të XX-të , duke u renditur ndër tempujt e mjekësisë botërore.
Në vitin 1945 Alexandre Fleming ndau Çmimin Nobel në Mjekësi me Howard Florey dhe Ernst Boris Chain për zbulimin e Penicilinës.
Zbulimi i Flemingut për Penicilinën, kishte krijuar një industri të madhe farmaceutike, duke prezantuar epokën e antibiotikëve të dobishëm, që kanë shpëtuar dhe, ende, po shpëtojnë miliona njerëz në mbarë botën.
Kompanitë e mëdha farmaceutike lulëzuan me fitime kolosale.
Pas vdekjes, emri i Aleksandër Fleming zuri vënd nderi në mbarë botën: në institucione shkencore, në rrugë, apo, aty ku Flemingu kishte shkelur. Laboratori në Spitalin St Mary, ku, Flemingu zbuloi penicilinën, është Muzeu Fleming .
Aleksandër Flemingu, nga viti 1921 deri në vdekjen e tij në vitin 1955, zotëronte vetëm një shtëpi fshati të quajtur “The Dhoon” në Barton Mills, Suffolk!!
4. Francis Crick (1916-2004) shkencëtar britanik. Çmimit Nobel në Mjekësi për identifikimin e strukturës së ADN-së.
Francis Crick lindi më 8 qershor 1916, në Northampton të Anglisë, fëmija i parë i Harry Crick dhe Annie Elizabeth Wilkins.
Crick u arsimua në Shkollën Gramatikore Northampton dhe Shkollën Mill Hill në Londër. Ai studioi fizikë në University College në Londër, mori një diplomë B.Sc. në vitin 1937 dhe filloi kërkimet për një doktoraturë nën drejtimin e Prof. EN da C. Andrade, por kjo u ndërpre nga shpërthimi i luftës në vitin 1939. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Crick punoi si shkencëtar, kryesisht në lidhje me minat magnetike dhe akustike.
Në vitin 1947 filloi studimet në biologji. Në vitin 1949 ai u bashkua me Njësinë e Këshillit të Kërkimeve Mjekësore të kryesuar nga MF Perutz. Kjo Njësi, që nga vitin 1962, u emërtua Laboratori i Biologjisë Molekulare të Këshillit të Kërkimeve Mjekësore në Kembrixh.
Ai u bë student kërkimor për herë të dytë në vitin 1950, duke u pranuar si anëtar i Kolegjit Caius, Kembrixh, dhe mori një doktoraturë në vitin 1954 me një tezë të titulluar “Difraksioni i rrezeve X: polipeptidet dhe proteinat”.
Në vitin 1947, Crick filloi të studjojë biologjinë dhe u bë pjesë e rëndësishëm në ekipin e shkencëtarëve fizikantë në kërkime në biologji.
Sipas Crick, përvoja e të mësuarit të fizikës i kishte mësuar atij diçka të rëndësishme:- paturpësinë dhe bindjen dhe, se, që nga fizika, që tashmë ishte një sukses, përparime të mëdha duhet, gjithashtu, të jenë të mundura dhe në shkencat e tjera, të tilla, si biologjia.
Për pjesën më të mirë të dy viteve, Crickka punuar për vetitë fizike të citoplazmës në Laboratorin Strangeways Kembrixh, i kryesuar nga Honor Bridget Fell.
Crick i kushtonte një rëndësi teorike biologjisë molekulare dhe ka luajtur një rol vendimtar në hulumtimin në lidhje me zbulimin e kodit gjenetik.
Ai është i njohur për përdorimin e termit “dogmë qëndrore “për të përmbledhur një ide, që bën rrjedhjen e informacionit në qelizat: nga ADN-ja për te ARN-ja.
Francis Crick dhe Maurice Wilkins i Kolegjit Mbretëror ishin miq personal, të cilët kanë ndikuar në ngjarjet e mëvonshme shkencore dhe në miqësinë e ngushtë midis Crick dhe James Watson .
1951-1953: Struktura e ADN-së
Në vitin 1951, Crick ka punuar me James D. Watson në Laboratorin Cavendish në Universitetin e Kembrixhit, Angli. Në vitin 1951, Crick, së bashku me William Cochran dhe Vladimir Vand, ndihmoi në zhvillimin e një teorie matematike për shpërbërjen e rrezeve X nga një molekulë spirale.
Një ndikim në karrierën e Crick ishte miqësia e tij, që filloi në vitin 1951, me JD Watson (biolog molekular, gjenetist dhe zoolog amerikan), e cila çoi në vitin 1953 në propozimin e strukturës me dy helika për ADN-në dhe skemën e replikimit. Kur James Watson arriti në Kembrixh, Crick ishte një 35-vjeçar student i diplomuar (për shkak të punës së tij gjatë Luftës së Dytë Botërore) dhe Watson ishte vetëm 23 vjeç, por ai tashmë kishte një Ph.D.
Zbulimi u bë në 28 shkurt 1953
Teoria spirale do të ishte e dobishme për të kuptuar strukturën e ADN-së. Watson dhe Crick, sëbashku, kanë zhvilluar një model për një strukturë spirale të ADN-së. Në vitin 1953, Watson dhe Crick botojnë një një punim akademik në revistën “Nature”, duke propozuar strukturën e dyfishtë spirale të molekulës së ADN-së, duke u bazuar në kërkimin e Rosalind Franklin* dhe Raymond Gosling, ku theksojnë: – Ajo, prandaj duket se rend e saktë, baza është kodi, që mbart informacionin gjenetik.
Në prill 1953 Sydney Brenner, Jack Dunitz , Dorothy Hodgkin , Leslie Orgel dhe Beryl M. Oughton ishin nga njerëzit e parë, që shohin modelin e strukturës së ADN-së të ndërtuar nga Crick dhe Watson në kohën që, ata ishin duke punuar në Universitetin e Oxfordit në Departamentin e Kimisë.
Watson dhe Crick, të enjten, 14 maj 1953 mbajtën një fjalim në Gaj Hospital Medical School në Londër, i cili u botua të prëmten 15 maj 1953 me titull “Pse, ju jeni më afër Sekretit të Jetës“.
Me këtë zbulim, ata “deshifruan librin e jetës”, atë, që ekziston te çdo organizëm i gjallë.
Pas zbulimit të modelit spirale të dyfishtë të ADN-së, interesat e Crickut shpejt u kthyen për të zbuluar implikimet e strukturës biologjike.
Crick dhe Watson më pas sugjeruan një teori të përgjithshme për strukturën e viruseve të vegjël.
Nga viti 1958, Crick mundi të listonte në mënyrë të rregullt të gjitha tiparet kryesore të procesit të sintezës së proteinave mbi Informacionin gjenetik.
Në vitin 1962, Crick, Watson dhe Mauric Wilkins u është dhënë bashkërisht çmimi Nobël në Mjekësi.
Hulumtimi i tij më vonë u përqëndrua në teorinë neurobiologjike dhe në përpjekjet për të çuar përpara studimin shkencor të ndërgjegjes njerëzore.
Crick herë pas here shprehu pikëpamjet e tij mbi eugjenikën, zakonisht në letra private. Ai njëherë u shpreh: – Në një afat të gjatë kohor është e pashmangshme, që shoqëria të mos shqetësohet për karakterin e ardhshëm të brezave… Unë do të jem i habitur në qoftë se, për 100 apo 200 vitet e ardhshëm, shoqëria nuk do të ketë sensin e mendimit, që ata do të duhet të përpiqen për të përmirësuar gjeneratat e ardhshme në një masë ose në një mënyrë tjetër.
Gjatë kohës së mbetur të karrierës së tij, ai mbajti postin e drejtuesit të Kërkimit dhe Profesor i dalluar Kieckhefer në Institutin Salk për Studime Biologjike në La Jolla, Kaliforni . Ai mbeti në këtë post deri në vdekjen e tij.
Crick vdiq nga kanceri i zorrës së trashë më 28 korrik 2004 në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.
Trupi i tij u dogj dhe hiri u shpërnda në Oqeanin Paqësor.
***
Të enjten, më 06.11.2025 James Watson, njëri nga tre fituesit e Çmimit Nobel për zbulimin e strukturës së ADN-së, vdiq në moshën 97-vjeçare, në një qendër kujdesi në East Northport, Long Island, New York, pas një sëmundjeje të shkurtër.
Shënim. *Rosalind Franklin (1920–1958) ishte një kimiste angleze dhe kristalografe me rreze X. Franklin njihet më së miri për punën e saj në imazhet e difraksionit me rreze X të ADN-së gjatë kohës që ishte në King’s College London, e cila çoi në zbulimin e spirales së dyfishtë të ADN-së, për të cilën Francis Crick , James Watson dhe Maurice Wilkins ndanë Çmimin Nobel në Mjekësi në vitin 1962.
Rosalind Franklin, vdiq në vitin 1958 në moshën 37-vjeçare.
Watson sugjeroi që, Franklin do të kishte fituar idealisht një Çmim Nobel në Kimi së bashku me Wilkins, por kjo nuk ishte e mundur sepse, rregulli para vitit 1974, diktonte që, një çmim Nobel nuk mund të jepej pas vdekjes, përveç, nëse nominimi ishte bërë për një kandidat, që ishte gjallë në atë kohë para 1 shkurtit të vitit të dhënies së çmimit.
Fatkeqësisht, Franklin vdiq disa vjet para vitit 1962, kur zbulimi i strukturës së ADN-së u njoh nga komiteti i Nobelit
Crick,Watson, Wilkins, Franklin etj, i lanë njerëzimit pasurinë më të madhe të ekzistencës së Qenies njerëzore dhe Riprodhimin – ADN-së.