Albspirit

Media/News/Publishing

291 vjet nga themelimi i Seminarit Arbëresh të Palermos

Seminari Arbëresh i Palermos, ose Seminari Italo-Shqiptar, u themelua 291 vjet më parë.

Seminari u themelua në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) pranë Palermos në vitin 1734 dhe konsiderohet si qendra e parë albanologjike. Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, kujtoi se themeluesi i Seminarit Arbëresh ishte Gjergj Guxeta, ndërsa drejtuesi i parë i saj, në cilësinë e rektorit ishte arbëreshi Pjetër Andrea, me origjinë nga Himara, që e drejtoi për 10 vjet me radhë.

Seminari ishte një qendër arsimi, edukimi dhe kulture, vatër e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe traditave arbëreshe. Në të u formuan një varg intelektualësh arbëreshë, shkrimtarësh e poetësh të shquar, traditë e cila dëshmoi për vendosmërinë e përhapjes së kulturës së trashëgimisë arbëreshe në shekuj.

Shpesh është quajtur edhe “Seminari grek” për shkak të ritit “grek” (bizantin) i pranuar prej arbëreshëve. Seminari ndodhet në qendrën historike të Palermos, përballë ndërtesës madhështore të postës, midis rrugës me të njëjtin emër (Via Seminario Italo-Albanese) dhe sheshit At Gjergji Guxeta (Piazza Padre Giorgio Guzzetta)./atsh

https://ata.gov.al/2025/12/17/291-vjet-nga-themelimi-i-seminarit-arberesh-te-palermos