Albspirit

Media/News/Publishing

Trishtim i Vuçiç, dhëndrri i Trump tërhiqet nga investimi në Serbi

“Një dëm i madh iu bë Serbisë”, tha presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiç, pas lajmit se kompania e Jared Kushnerit – dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump – po tërhiqej nga projekti i planifikuar për ndërtimin e një kompleksi luksoz në Beograd.

Në vendin ku ndodheshin ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, kompania investuese “Affinity Partners” kishte planifikuar ndërtimin e një kompleksi banimi dhe biznesi nën markën Trump.

Vuçiq tha se, për shkak të asaj që e quajti “gjueti shtrigash” ndaj investitorit dhe projektit, Serbia humbi një investim të vlefshëm prej së paku 750 milionë eurosh.

“E humbëm një mundësi të madhe. Sot flitet keq për Serbinë, sepse disa thonë se ky ishte një projekt i keq. Një projekt më i vogël, ose më i dobët, që u realizua me ngut në Shqipëri, ka marrë shumë vëmendje dhe do të ketë publicitet të shkëlqyer, sepse e gjithë familja Trump do ta lavdërojë”, tha Vuçiç, duke iu referuar planit të Kushnerit për investime në Ishullin e Sazanit në Shqipëri.

Kompania e Kushnerit “Affinity Partners” kishte plane për të ndërtuar kompleksin luksoz në zonën ku gjendet objekti i ish-Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, i shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999.

“Meqë projektet madhore duket të bashkojnë dhe jo të krijojnë ndasi, dhe për shkak të respektit për shtetasit e Serbisë dhe Beogradit, po e tërheqim aplikimin tonë dhe po tërhiqemi këtë herë”, ka thënë një zëdhënës i kompanisë së Kushnerit, sipas Wall Street Journal.

Lajmi vjen në ditën kur Zyra e Prokurorit Publik për Krim të Organizuar ka ngritur aktakuzë kundër ministrit aktual të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, lidhur me veprimet që konsiderohen ilegale në heqjen e statusit të objektit të mbrojtur për ndërtesën e ish-Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit.

Sellakoviq akuzohet për shkelje si abuzim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Zyra e Prokurorit për Krim të Organizuar ka kryer hetime prej majit rreth dyshimeve për falsifikim të dokumenteve në bazë të të cilave Qeveria e Serbisë e ka tërhequr statusin e objektit të mbrojtur për ndërtesën e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Sipas dyshimeve të mëparshme të Zyrës së Prokurorit, Drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Objekteve Kulturore, Goran Vasiq, e ka pranuar se janë falsifikuar dokumente.