Albspirit

Media/News/Publishing

Bilal Xhaferi i përndjekur nga 20 operativë të Sigurimit dhe 54 informatorë!

Arben Iliazi

Profesori im i letërsisë, Bashkim Kuçuku, më dhuroi sot librin “Bilal Xhaferi-realizëm dhe tragjizëm”, një nderim në 90 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të njohur. Në këtë libër ndërtohet portreti i plotë i shkrimtarit, në disa këndvështrime të ndryshme, i saktë historiografisht, i zhveshur nga sajimet hiperbolizuese, dashamirëse e keqdashëse. Përndjekjet, kurthet, përgjimet, qëllimet kundërnjerëzore dhe mllefi i “luftës së klasave”, shpalosin së thelli dramën tragjike, vetiake e familjare, që jetoi e përjetoi për dyzet e pesë vjet, një prej shkrimtarëve të njohur të asaj periudhe. Nga shqyrtimi i Dosjes së tij doli se ishte mbikqyrur dhe përndjekur nga 15-20 punëtorë operativë të Sigurimit, të ndihmuar nga 54 bashkëpunëtorë informatorë, 30 në Shqipëri, 24 në SHBA. Dosja është mjaft e vëllimshme, mbi katërqind faqe fashikulli, me formatin letërdokument trë asaj kohe.

Bilali ishte në gjendje të përballonte ngarkesa të mëdha, tregonte shkrimtari dhe shoku i tij Bedri Myftari. Ai ishte gjithmonë në gjendje të trazuar dhe të shqetësuar. Ishte përherë në gjendje alarmi. Sigurimsat nuk ia dolën asnjëherë ta lëkundnin epërsinë e hekurt të vullnetit të tij. Kishte një vullnet monumental dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të përballuar vuajtjet…Në ‘68-ën, në skicën e dhomës ku qëndronte, planifikoheshin përgjuesit, e për çdo rast aty ishin operativët, shpesh ndër ata që i rrinin pranë, me dhjetëra, si “Petraq Myzeqari”, “Bilbili”, “Dhespoti”, e të tjerë. Derisa Bilalit nuk i mbeti zgjidhje tjetër veçse të arratiset, duke lënë pas një letër”.

Bilali luftoi me kurajo e me tërbim krijues, kundër harbimit të shfrenuar komunist, që nga Gazeta “Dielli”, ku shërbeu si zëvëndëseditor në vitet 1970-1972, e deri te revista “Krahu i Shqiponjës””, botim i Lidhjes Çame në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, që themeloi në Çikago në vitin 1974. Artikujt e tij për çështjen kombëtare, për Kosovën e Çamërinë, dhe për tradhtinë kombëtare të regjimit komunist, të mbushuar me tharm e forcë, shkumëzonin me perla xixëlluese dhe me ritme të fuqishme. Shkrimet e tij kishin një dritë solemniteti, realizmi dhe tejdukshmërie magjike, deri në thellësitë më të mëdha, në mënyrë të pakrahasueshme, me përkushtim e ligjërim të shndritshëm.

Në të përkohshmen “Krahu i Shqiponjës” botoi shumë artikuj publicistikë, botoi fragmente të romanit “Trotuare të kundërta” dhe “Hëna e kantjereve”.Duhet pranuar se përndjekja e tij vazhdoi edhe në SHBA, pasi nuk reshti së akuzuari, me tërë forcën e shpirtit, regjimin komunist, si karikaturë e një sistemi të personifikuar te Njëshi. Në Dosjen e arkivuar më 10.04.1987, me vlerë studimi, (Fashikulli 2/A nr. 98), e cila është deklasifikuar nga AIDSSH më 22.11.2018, thuhet:. “Përndjekja e Bilal Xhaferrit vijoi edhe gjatë qëndrimit të tij në SHBA. Në dosje ka elementë të shumtë që hedhin dritë në dinamikat e jetës së tij, jo vetëm në atdhe, ku u dënua nga sistemi dhe u survejua, po ashtu jashtë tij, ku u ndoq deri kur mbylli sytë në vitin 1986”. Edhe ai e dinte që përndiqej, por u përpoq të ruante mbijetimin e shkrimtarit dhe gazetarit të vërtetë, duke pranuar konsakrimin e vet: një jetë prej martiri dhe asketi.

Grehina shpirtërore e talentit të tij digjej nga zjarri i përqendruar i frymëzimit, derisa ndjeu dhimbjen e fortë të sëmundjes vdekjeprurëse.

Në studimin e tij studiuesi Bashkim Kuçuku merr në analizë edhe tregimet, romanin, poezinë dhe publicistikën e B. Xhaferit, ku shpaloset humanizmi konkret, i mishëruar në karakterin, veprimtarinë dhe bëmat e individëve të njëmendët.

Padyshim Bilal Xhaferi ishte një talent i lindur, një uragan letrar, me frymëzim dhe kthjelltësi të pakrahasueshme i cili, me veprat e tij, kapërceu dhe e sfidoi kohën. Talenti i tij nuk mund të vihet në diskutim ndonjëherë. Edhe pse vepra e tij mbeti e papërfunduar, ngrihet përherë e më mrekullisht drejt një horizonti pa kohë.

Libri i prof. Bashkim Kuçukut promovohet të hënën, 22 dhjetor, ora 17, në Hotel Tirana Internacional, nën kujdesin e Fondacionit Çameria “Hasan Tahsini”.