Dr. Jorgji Kote: Kompromis historik për fatet e Europës dhe Ukrainës!
Në orët e para të datës 19 Dhjetor, liderët e BE-së të mbledhur në një samit vendimtar në Bruksel arritën një kompromis historik, miratimin e një huaje pa interes në shumën prej 90 miliard Euro për Ukrainën për dy dy vitet e ardhshme. Kësisoj, mori fund odiseja e 4 muajve të fundit mes debatesh, demarshesh, diskutimesh dhe kundërshtimesh të shumta ndërmjet vendeve anëtare të BE-së për këtë çështje jetike për fatet e Ukrainës dhe të vetë Europës. Kjo mbasi për shkak dhe të reduktimit në minimum të ndihmave financiare amerikane, duke iu referuar “Economist“ Ukraina rrezikohej të falimentonte deri në muajin Prill të vitit të ardhshëm; në ato kushte do të dështonte edhe makineria e saj e mbrojtjes, duke i lënë shesh të lirë veprimi Rusisë në përparimin e saj në fushëbetejë. Ndaj Presidenti Zelenski i kishte pralajmëruar liderët europianë shprehimisht që “nëse nuk do të paguajnë euro sot për Ukrainën, do të paguajnë me gjak nesër edhe për vetë Europën“.
Më konkretisht, gjatë dy viteve të ardhshme Ukrainës i nevojiten minimumi 134 Miliard Euro. FMN-ja ka rënë dakord t’i japë një pjesë, por me kusht që Kievi të ketë sponsorë të tjerë të mëdhenj për pjesën e mbetur, të llogaritur në 90 Miliard Euro. Dhe sponsori madhor i vetëm, kur SHBA-të ditët e fundit kanë akorduar vetëm 800 Milionë Dollarë ndihma për Kievin mbetej BE-ja.
Lidhur me këtë ndihmë mbijetese për Ukrainën, gjatë 5 – 6 muajve të fundit është folur dhe diskutuar shumë lidhur me konfiskimin dhe përdorimin e aseteve ruse të depozituara në institucionin financiar “Euroclear“ në Bruksel; aty ndodhen 185 miliard Euro nga 210 miliard që janë gjithsejt asetet ruse të depozituara në Europë. Këto asete janë ngrirë nga BE-a qysh me fillimin e agresionit rus ndaj Ukrainës .
Për këtë qëllim, Komisioni Europian kishte propozuar projektin e tij me emrin e koduar “hua reparacioni“. Sipas këtij projekti, shuma e aseteve ruse që do të konfiskohej për llogari të Ukrainës do të kthehej nga kjo e fundit pas përfundimit të luftës, me kusht që Rusia të bënte dëmshpërblimet në të njëjtën shumë. Një rebus ky shumë i ngatërruar dhe me komplikacine, por si e vetmja mundësi në kushtet e ëvshtirësive financiare të vendeve anëtare të BE-së.
Në mungesë të saj, mbetej alternativa e marrjes së huave të përbashkëta nga BE-ja në tregjet financiare; mirëpo edhe ajo kishte hasur në kundërshtimin e vendosur nga Gjermania dhe Franca, të cilat e kishin pranuar përjashtimisht këtë praktikë në rastin e miratimit të fondit gjigand prej 750 Miliard Euro për të luftuar Pandeminë COVID – 19.
Në këto kushte dhe rrethana shkuan në Bruksel pasditen e datës 18 Dhjetor liderët e BE-së në “samitin e tyre të jetës“ siç konsiderohej. Ndaj, Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa kishte deklaruar përpara fillimit të samitit, se liderët europianë nuk do larghoheshin pa arritur kompromisin e duhur; sepse në kandar nuk ishin vetëm fatet e Ukrainës, por edhe të mbarë Europës.
Mirëpo, konfiskimi dhe përdorimi i aseteve ruse, siç thuhet në të tilla raste, “ ishte më i lehtë në të thënë se në të bënë”. Kjo, veç reagimit ultranegativ rus, edhe për shkak të kundërshtimeve të shumta që filluan dhe që mbetën deri në fund qysh nga Belgjika, vendi ku janë depozituar shumica dërmuese e aseteve ruse. Kryeministri belg Bart de Wever e kundërshtonte me vendosmëri një projekt të tillë për shkak të shumë pasojave të rënda ligjore, ekonomike, financiare dhe të sigurisë me Rusinë. Kundërshtime kishin edhe Hungaria, Slovakia, Çekia dhe deri në momentet e fundit Italia, të cilat mbështetën Belgjikën.
Pas shumë orësh debatesh dhe diskutimesh, BE-ja hoqi dorë nga përdorimi i aseteve ruse dhe në vend të tij u zgjodh marrja e huave të përbashkëta në emër të BE-së në shumën prej 90 Miliard Euro. Kjo shumë, e cila do të mbulohet nga 24 vendet anëtare të BEsë dhe Komisioni Europian do t‘i livrohet Kievit në dy vitet e ardhshme pa asnjë interes, i cili do të përballohet nga Komisioni Europian.
Kjo zgjidhje u përshëndet nga të gjithë, edhe nga Gjermania dhe Franca, me përjashtim të Hungarise, Slovakisë dhe Çekosllovakisë të cilat janë kundër.
Ky vendim është jetik, i domosdoshëm dhe historik, mbasi veç sa sipër, ai shmangu edhe skenarin më të keq të mundshëm, atë të përdorimit të aseteve ruse, që në fakt ishte dhe mbetet “thikë me dy presa”.
Kjo për shkak të disa pluseve dhe minuseve, të mira dhe të këqia nga përdorimi i aseteve ruse kundrejt huamarrjes së huave të përbashkëta të BE-së, siç edhe u vendos më 19 Dhjetor në Bruksel.
Sa i takon anëve pozitive, përdorimi i aseteve ruse do të siguronte financimin e menjëhershëm të Ukrainës për dy vitet e ardhëshme. Kjo do të bëhej pa prekur buxhetet e shteteve anëtare të BE-së që edhe kështu janë tejet të ngarkuara dhe deficitare. Kështu, Franca ka borxhin publik record prej 125 për qind të GDP-së. Së dyti, do të jepej mesazhi i mirëpritur nga opinioni i gjerë publik se Rusia duhet të paguajë për agresionin e saj. Së treti, do të shmangeshin kundërshtimet e Francës dhe Gjermanisë, të cilat kanë qenë kategorikisht kundër huave të përbashkëta dhe në favor të konfiskimit të aseteve ruse, si mjet trysnie ndaj Moskës.
Dhe së fundi por tejet e rëndësishme, duke përdorur këto asete, ato u hiqeshin nga dora SHBA-ve dhe Rusisë, sepse sipas planit të tyre të Paqes me 28 pika, asetet ruse do të ndaheshin midis SHBA-ve dhe Rusisë.
Lidhur me minuset dhe shqetësimet serioze të konfiskimit dhe përdorimit të aseteve ruse, problemet më të mëdha do t’i kishte Belgjika, si vendi depozitues. Përdorimi i tyre do të krijonte një precedent të keq dhe shqetësime të mëdha ligjore dhe të sigurisë për Belgjikën por edhe për gjithë BE-në. Dhe në fakt, Banka Qëndrore e Moskës e hodhi menjëherë në gjyq në Moskë “Euroclear”, duke kërkuar kthimin e 195 Miliard Euro. Edhe pse vendimi i gjykatës së Moskës nuk ka fuqi ligjore mbi BE-në, gjithsesi problemi krijohet. Ca më keq akoma, Rusia do të rrezikonte në të njëjtën masë me konfiskimin e depozitave dhe të investitorëve belgë dhe europianë në Moskë.
Mbi të gjitha, në fushën e sigurisë, konfiskimi i aseteve ruse nga BE-ja do t’i jepte shkas Moskës të akuzonte më tej Europën e cila, sipas Putinit është hipokrite, mbasi këtej kërkon paqe, andej provokon me luftë. Ajo kishte deklaruar qartë dhe prerë se konfiskimi i aseteve të saj do të ishte provokim dhe shkas për hakmarrje nga ana e Rusisë.
Tejet e rëndësishme këtu, për të mos thënë më e rëndësishmja ishte e ardhmja e bisedimeve dhe demarsheve Amerikane/Europiane për paqe me Rusinë. Me konfiskimin e aseteve ruse nga Europa, ishte pothuajse e sigurt se Rusia do vinte si kusht thelbësor për një marrëveshje armëpushimi ose paqeje kthimin e atyre aseteve nga Belgjika dhe Europa, duke e kompromentuar seriozisht të gjithë procesin e paqes dhe duke e vendosur BE-në në kushte tejet të vështira.
Veç sa sipër, konfiskimi i aseteve ruse kishte hasur në kundërshtimin e hapur të disa vendeve të tjera, ndaj dhe nuk mund të kalohej me një vendim me shumicë të cilësuar, se kjo do të dëmtonte frymën e BE-së. Ca më tepër, duke patur parasysh edhe kundërshtimin deri vonë të Italisë, mund të krijohej një pakicë bllokuese brenda BE-së, duke e hedhur në erë gjithë këtë proces dhe duke e shtuar kaosin në Bruksel.
Gjithsesi, problemi dhe pengesa më e madhe për konfiskimin e aseteve ruse sidomos për qeverinë belge dhe ‘Euroclear’ ishte se asaj nuk i jepeshin me përgjegjësi dhe me shkrim garancitë e nevojshme fianciare dhe të sigurisë në rastin e masave ndëshkuese nga ana e Rusisë ndaj Belgjikës. Këto garanci nuk i jepte as Gjermania dhe as Franca, për shkak se kjo e fundit nuk ka shumicën absolute në Parlament. Edhe Italia ishte e lëkundur, madje më shumë në favor të Belgjikës deri në momentet e fundit, duke e vështirësuar së tepërmi problemin. Mirëpo dështimi në këtë aspekt do të tregonte publikisht dobësinë e BE-së dhe do të shtonte kaosin në Bruksel, duk cënuar rëndë imazhin e BE-së, sidomos në këto momente vendimtare për fatet e Ukrainës.
Ja pse kompromisi i arritur është historik, sepse shmangu skenarin më të keq, atë të konfiskimit të aseteve ruse me shumë pasoja të paparashikueshme. Ndërkohë, ai tregoi edhe njëherë frymën dhe kohezionin e BE-së, aftësitë e saj për lëshime, tërheqje, tolerancë dhe kompromise, nga e cila kanë shumë për të mësuar vendet kandidate, sidomos politika në vendin tonë.
Megjithatë, mundësia e konfiskimit dhe përdorimit të aseteve ruse mbetet e hapur, në varësi të kushteve, rrethanave dhe dinamikave të reja në të ardhmen.
Kësisoj, BE-ja i bëri një mbyllje premtuese dhe pozitive të gjitha demarsheve dhe proceseve vendimarrese të këtij viti sfidues. Ajo tregoi mbështetjen e fuqishme ekonomike dhe ushtarake ndaj Ukrainës, jo vetëm me deklarime, me 20 paketa sanksionesh, por edhe me shumë reforma dhe kthesa epokale lidhur me fuqizimin dhe modernizmin e aftësive të saj mbrojtëse që brenda pak viteve ajo të kthehet edhe në një Bashkim të Madh Mbrojtës.
Rikujtojmë me këtë rast vendimin e saj historik të 18 Marsit për krijimin e findit gjigand prej 650 miliard Euro për shpenzime ushtarake, për krijimin e Murit gjigand anti-dron, etj. Në Samitin në Hagë më 24/25 Qershor, BE- vendosi “europianizimin e NATO-s“ duke rritur shpenzimet për NATON nga 2 në 5 për qind të GDP-së. Ndërkohë, ajo iu përgjigj “flakë për flakë“ SHBA-ve dhe Rusisë në frontin diplomatik, duke pothuajse çbërë Samitin e Alaskës më 15 Gusht me atë të Uashingtonit më 18 Gusht si dhe Planin prej 28 pika të Paqes të SHBA-ve/Rusisë me Planin e tyre me 20 pika dhe së fundi me Samitin historik në Berlin më 15 Dhjetor. Në këtë Samit, 11 liderët kryesorë të BE-së treguan qartë se për herë të parë në 80 vitet e fundit, Europa po merr përgjegjësinë e vet historike për paqe, begati dhe demokraci.
Efektet e këtyre masave/reformave dhe e Marrëveshjes së 19 Dhjetorit do të ndihen konkretisht në terrenin praktik vitin e ardhshëm dhe në vazhdim, duke dëshmuar aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të BE-së dhe NATO-s, për të mbrojtur çdo centimetër katror të territorit të vet nga çdo sulm, ngado që t’i vijë.
Një mesazh i shumëpritur ky nga të gjithë në prag të festave të fund vitit./gazeta dita