Irena Dragoti: E NESËRME PA TY
Shoh dimrin thellë zemrash
dhe thinjat sfidojnë bojën e errët
ende pa u tharë!
Afrohem liqenit të shihem,
në akujt…
që dielli ka lodhur.
Të mos çmenden, qajnë!
I përgjoj tek çngjyrosen
mbi fate peshqish që më përqeshin
ujdisur me shpresë!
Në qosh të dritës,
sa guximi për të humbur,
regëtin një e nesërme,
që do të kthehet pa ty!