Albspirit

Media/News/Publishing

Balil Gjini: Kujunxhi floriri, apo kallajxhi bakri?!…

-Dy fjalë për librin e Ben Blushit “Jam mysliman”-

Thënia e Rajmond Quenneau se “Për letërsinë e keqe nuk flitet, ajo i lihet harresës për ta kalbur”, me sa duket është vjetëruar. Sepse letërsia e keqe, në kohën e sotme, flet vetë. Dhe çfarë të foluri se: gjithë të bërtitura, sokëllima, vërvitje popla fjalësh, etj. Sigurisht vazhdon të dëgjohet më shumë zhurma që bën lisi i kalbur kur bie, sesa manushja alpine që po çan kërcën e dëborës në pranverë. S’dua ta quaj librin e Blushit “Jam mysliman” letërsi të keqe, ama as letërsi të mirë s’e quaj dot. Kurrësesi.

Blushi ka zgjedhur një temë, mishi i të cilës mund të hidhet në kazanët e mëdhenj të supës kolektive, dhe të bëhet supë e mirë për të gjithë zboristët ditorë të letërsisë. I gjithë libri është mbrojtur me një protagonizëm agresiv, çka i jep gjithë tonin, madje krijon edhe atmosferën e tij. Ndërkohë risitë letrare zhvillohen në brendësi të letërsisë, aty ku zien llava, dhe jo në sipërfaqe, ku lodron shkuma qesharake e përzier me papastërti. Libri s’ka befasi, dukuri estetike që mund të krijojnë habi dhe të papritura. Me përjashtim të ndonjë ideje, – xixëllonja që digjet në vetvete, por s’ndiçon dot përreth. Skematizmi letrar është fare i dukshëm: një imam, një shkrimtar, gruaja e këtij që e tradhëton, Meka, hakmarrja e islamikëve. Me një fjalë bërlloqe idesh të mbetura nga Ruzhdie, apo Houellebecq.

Libri përshkohet nga militantizmi letrar. Neutraliteti i shkrimtarit është hedhur në erë. Ashtu si edhe në librat e tjerë Blushi ngatërron dyer. Në vend të futet në dyert e letërsisë, futet tek ato të publicistikës, historisë, etj. Sepse në dyert e letërsisë, aty ku në brendësi shkrihet floriri, hyhet pa folur dhe me kokën ulur. Vetëm tek kallajxhitë, aty ku shkrihet kallaji, hyhet me kokën lart dhe duke sokëllitur. Blushi i ngatërron kujunxhinjtë me kallajxhinjtë. Veç kësaj divorci i letërsisë nga historizmit dhe publicistikës ka gati një shekull që është bërë.

Mundet të na thonë se librat e Blushit shiten, se lexuesi i do. Sigurisht mund të jetë edhe kështu kur ke në dispozicion media, televizione, anëtarë partie. Por kjo nuk shpjegon asgjë. Sepse librat që shiten, siç thotë Bolano (dhe merreni me mend ai ka parasysh, Coehlon dhe Alenden), bëjnë para, me të cilat, pastaj, mund të blesh vaska banje dhe uturakë floriri. Kaq. Jo më shumë. Me një fjalë gjëra ku ndihesh më rehat kur dhjet.

Tej librit të tij, Blushi e rrethon veten me një dramatizën krejt qesharak: shikon flakë dhe gjak, aty ku ka veç një të të kuqe neutrale trëndafilash, i duket shpërthimi i fishekzjarrëve si shpërthimi i një bombe atomike. Kërkon të ndjellë mbi vete vetëtimat e mallkimeve të islamikëve, por qielli është krejt i kthjellët dhe ato që atij i duken rrufe qiellore janë thjesht shirita e gajtanë karnavali. Sepse lexuesi e di: përpara ka një veç një akrobat, me të cilin mund të zbavitesh.

Libri është i mbushur me letrarizime naive, herë gjithë brambullitje, dhe herë gjithë megalomani. Kam zgjedhur veç disa, por, besomëni, janë të shumta

Po bisedonim pa folur … faqe 45

-Pashë gruan time që po ecte në trotuarin përballë… në hundën tone erdhi parfumi aq i njohur i gjinjve të saj të vegjël që lëshonin një avull të freskët . Dukej se sa kishte dalë nga një dush i nxehtë që i pikonte akoma në sqetulla … faqe45

Mu buçitën sytë…. f 57

Për t’u ledhatuar paturpësisht në lagështinë e sqetullave të xhamive të errëta … f 54

-Këta marifetxhinj të duruar zbulojnë në trupin e gruas butonin special, kopsën e duhur, që, nëse hapet, zhvesh gjithë trupin e gruas nga rroba e martesës… (f 51)

Dhoma u mbush me erën e mishrave të pjekur, yndyra e dhjamosur e të cilëve m’i kishte ngrirë flokët si xhel…. f 58

Duhej të kisha durim derisa ajo të ma tregonte vetë pse ishte futur në xhami duke shkelur në majë të gishtave mbi sandalet e lehta të një nimfe të lagur në bregun e padurimit të panjohur

Pas gatimeve të hatashme që na mbushnin gojën me epsh… 66

Afër kadaifëve me flokë të gjatë

f. 67

Shkretëtira i ka pajisur me dhunti të shumta dhe djersa prej akrepi u ka shuar etjen … 124

Kanë një theks të karamelizuar arab 125

Brendësia e saj m’i zhyti gishtat në një djersitje të ngrohtë…146

Emocionet i shkëlqenin në faqe…f.156

Vizita në Arabi po i përmbushte me tejkalim tri kriteret tona … 156

Si një islamik pikant … 170

një islamik i pështirë i kishte zhytur buzët e veta prej silikoni në gipset e lëngshme të gruas sime… 194

Mushkëritë e mia që ishin divorcuar prej vitesh nga duhani….205

Zemra trokiti në derën e shpirtit për një konsultë të shpejtë. 205