Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Politizimi i politikës

Idetë politike janë ato që tregojnë në kohë qëllimet e vërteta të atyre që i shpallin ato pa u trembur dhe pa droje. Nëse humbin idetë kanë humbur edhe qëllimet, por nëse fitojnë idetë, atëherë qëllimet e kanë rrugën të hapur për t’u vënë në zbatim.

Por rrugët nuk janë gjithmonë të lira. Kompromisi i bën pis idetë. Por të bëhesh pis, do të thotë se nuk je i gatshëm dhe i denjë për të vënë në jetë politika në të cilat udhëheq nderi, i cili nuk të shpie në batak.

Bataku nuk është vend i preferuar për askënd. Ata të cilët batakun e kthejnë në kult nderi, qëndrojnë jashtë modelit të njeriut që i duhet vendit dhe kombit.

Politizimi i politikës është kategori ku qëndrojnë dhe fshihen pazarçinj, të cilët nuk duan t’ia dinë nëse ka njerëz që flenë barkthatë apo të ngopur. Politizimi i politikës e kthen njeriun në vartës të ideve dhe qëllimeve të mbrapshta. Në zemrën e tyre nuk ka vend për mirënjohje, as për dhembshuri, pasi të quhesh vartës do të thotë të zbatosh çfarë të ofrohet.

Politizimi i politikës është si merimanga që thur pëlhurë për të futur në rrjetën e saj sa më shumë ushqim, i cili i duhet për muaj e vite me rradhë. Sa më shumë ushqim aq më e ngopur politika, sa më shumë vartës aq më shumë siguri për prodhimtari interesash korruptive, të cilat çnderojnë njeriun dhe e mbarsin me vese e trille politikash politizuese.

Varësia në politikë është mjet pa qëllim, është makinë llogaritëse pa numra, është si një karrige pa këmbë, pasi vesi i varësisë nuk llogarit shifrën e drejtë por atë të gabuar, ndaj edhe puna e saj është gjithmonë gjysmake dhe e çalë.

T’i referohesh politikës së mirëfilltë që zbatohet në bazë të ligjit të të drejtave të njeriut, do të thotë, se fjala e ligjit rrjedh e pastër dhe pa gabime. Ndaj njeriut nuk i duhet të udhëhiqet nga shumë politikanë, të cilët kthehen në vartës të vesit të politizimit duke zhvatur të drejtën, duke e përdorur për qëllime korruptive, e duke e veshur me rrecka soje ngjyrash për ta servirur si model zhvillimi epokal.

Njeriut i vlen mendje e shëndoshë për të dalluar çdo individ që nuk e transformon të drejtën në të shtrembër, që nuk flet me kokën pas, që nuk harbohet veseve, që nuk ta fsheh të vërtetën duke të servirur gënjeshtrën. Dhe në fund, që nuk del nga llumi dhe të thotë se është i pastër, por që godet me shpatën e ligjit këdo që tradhton interesat e kombit të tij në mbrojtje të njeriut të lirë!