Albspirit

Media/News/Publishing

Lufta, paqja dhe paslufta, apo vazhdimi i luftës me mjete të tjera?!


Nga Agron Shabani – politolog dhe publicist

Siç dihet, e ashtuquajtura levizja (rezistenca) paqësore apo pacifiste e Dr. Rugovës dhe bashkëmendimtarëve të tij, lindi në muzgun – buzëmbrëmjen – e parë të dislokacionit dhe dekompozicionit të përgjithshëm dhe përfundimtar të ish-Jugosllavisë.
Mbase, në prag të luftërave të mevonshme çlirimtare dhe heroike në Kroaci, Slloveni dhe Bosne-Herzegovinë, kur ish-Jugosllavia, gjegjësisht Serbia e Madhe e mbretërve, krajlave apo perandorëve të ndryshëm serbë, rusë, turq dhe të tjerë, njëherë e përgjithmonë do jepte shpirt në gërmadhat e luftërave dhe betejave heroike dhe titanike të kroatëve dhe të të tjerëve, të cilët ishin të vendosur dhe përbetuar për t‘u çliruar dhe mëvetësuar njëherë e përgjithmonë nga zgjedha, apo nga i ashtuquajturi ˮkompozicioni i përbashkët jugosllav” që po pilotohej dhe komandohej nga Serbia dhe regjimi i saj ushtarako-policorë në Beograd.
Ndonëse Dr. Ibrahim Rugova – dorën në zemër – ishte edhe intelektual edhe humanist i kalibrit botëror, i cili me theks të posaçëm mbante respekt, qëndrim dhe përkushtim vëllazëror ose ilirian ndaj vëllezërve dhe motrave tona shqiptare të fesë katolike në veçanti. Si dhe ndaj botës perendimore në përgjithësi, gjë që e bëri Dr. Rugovën një figurë ose personalitet të adhuruar dhe emblematik gjithandej botës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.
Dr. Rugova i shmangej luftës, sepse siç duket, e njihte, zbatonte dhe respektonte sintagmën ose idiomën e njohur sipas të se cilës: Politika dhe diplomacia e urtë, e mençur dhe vizionare, janë një luftë tjetër pa gjakderdhje dhe viktima masive, ndërsa lufta është politikë me gjakderdhje, viktima dhe sakrifica të panumërta dhe tepër masive.
Ndonëse politika dhe politikëbërja e shqiptarëve të Kosovës, i kishin parasysh dhe në konsideratë të plotë edhe idetë dhe toritë politike të Karl Ferdinantit, teoritë morfologjike dhe biogjenetike të Leonardo da Viçit, Nikolla Kopernikut, Çarls Darvinit, Isak Njutonit, Spenserit, Haldunit, Fitch-es, Hobsit, Rosenbergut etj. Teoritë natyrale të Aristotelit, Platonit etj… ku shteti është i ngjajshëm apo analog me trupin – organizmin e njeriut – në kuptimin e asaj se; çdo gjymtyrë dhe organ e kanë detyrën, rolin dhe ndikimin e tyre në kuadër të organizmit të përbashkët shtetërororë dhe nacional.
Por, gjithashtu Dr. Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij, i njihnin dhe respektonin me përkushtim dhe devocion maksimal edhe idetë dhe teoritë e forcës apo fuqisë së njohur njerëzore, materiale, ushtarake, politike, fizike dhe organike të Kosovës dhe shqiptarëve – të ngritura dhe projektuara sipas koncepteve dhe përcaktimeve të njohura shkencore dhe metodologjike të Oppenheimerit, Grumplowitzschit (Grumploviçit) dhe të tjerëve, së bashku me teoritë e traktateve apo marrëveshjeve sociale të Zhan Zhak Rusoit, Xhon Lokut (John Locke), Thomas Hobsit dhe kështu me radhë. Nuk kishte vend as kohë për kalkulime dhe oscilime të ndryshme praktike dhe teorike.
Regjimi kriminel dhe gjakatar i Millosheviçit, me kalimin e kohës, imponoi dhe diktoi në Kosovë ˮlogjikën daltonike“: O vdekje kolektive të shqiptarëve të Kosovës, o dorëzim dhe kapitullim i tyre total dhe absolut – para Serbisë kriminale, gjakatare, imperialiste dhe kolonialiste, ose liri të shqiptarëve nga zgjedha dhe tirania e egër nën serbët!
Populli ynë shqiptar, në Kosovë, sikur ishte bërë rresht për t‘i zbritur dhe tejkaluar edhe rrathët e fundit të ferrit të Dantës dhe asaj apokalipse të madhe të atij fundshekulli të përgjakshëm. Duke i shikuar shqiptarët e Kosovës në natën e gjatë serbe që nuk sosej, vazhdimisht sikur të bëhej se po e shihje dhe takoje dikund Maria Magdalenën e famshme para varrit – altarit – të bekuar të Jezu Krishtit.
E ashtuquajtura federata e cunguar Serbi-Mal i Zi, i kishin humbur luftërat e tyre imperiale dhe kolonialiste në Kroaci dhe Slloveni, e deri dikund edhe në Bosne-Hercegivinë.
Në radhë ishin Kosova dhe shqiptarët…!
Kishte edhe zëra të ndryshëm, të cilët atëbotë sugjeronin apo rekomandonin me fjalë dhe retorika të nxehta, revolucionare dhe patetike nga largësitë (distancat) e ndryshme: ˮLargojeni politikën dhe diplomacinë e Rugovës nga lufta dhe skena e përgjithshme e Kosovës, nëse doni që çështja e luftës, konflikti apo problemi i njohur shqiptaro-serb, të zgjidhen dhe përfundojnë brenda pak kohësh“!
Nuk doli ashtu. Serbët me çdo çmim dhe me çdo kusht kërkonin luftë me Kosovën dhe shqiptarët, sepse në radhë të parë ishin në luftë me vetvetën dhe me njëri-tjetrin.
Dhe meqë, sipas asaj se, kur burrave të shtetit iu përfundojnë fjalët, atëherë djemt dhe burrat me të mirë të kombit dhe atdheut, i rrokin dhe ngjeshin armët e lirisë: Siç ndodh zakonisht në situata apo dilema të ndryshme: Të jesh apo të mos jesh. Shqiptarët e Kosovës dhe gjithandej, nxorën nga gjiri dhe thesari i tyre i paçmuar pjesën më vitale të kombit dhe atdheut: Djemtë dhe vashat më të mira të Kosovës dhe shqiptarisht, të tubuar dhe bërë bashkë si “Një” nën Emblemën e lavdishme të UÇK-së, respektivisht nën qiellin e flamurit të lavdishëm të Kastriotit dhe luftës së njohur për liri (çlirim), për shtet dhe për pavarësi të Kosovës.
Kështu që edhe rënia heroike në fushën e nderit, apo në frontin e lavdishëm të luftës për liri dhe pavarësi të plotë shtetërore dhe nacionale: Atëbotë ishin ngjeshur, brumosur dhe bërë bashkë në shpirtin, zemrat dhe idealet e larta çlirimtare dhe patriotike të luftëtarëve, trimat e UÇK-së, të cilët vdekjen apo rënien në fushën e nderit, e konsideronin fat dhe privilegj të madh. Ishte ajo stina më e bukur dhe më krenare e shqiptarëve të Kosovës e më gjerë – që nga stina apo epoka e lavdishme e kryetrimit dhe kryeheroit tonë legjendar, Gjergj Kastriotit. Mbase stina e lulëkuqeve më të bukura të kombit dhe atdheut tonë, të cilat nuk vyshkën dhe s‘veniten kurrë në shpirtin dhe kujtesën e përgjithshme historike dhe patriotike të çdo shqiptari.
Shqiptarët luftën e kanë art, ndërsa lirinë e kanë në gene, në gjak, në limfë, në palcë, në zemër dhe në shpirt.
UÇK-ja dhe Dr. Rugova nga toka, bashkë me forcat ajrore të NATO-s nga qielli, atëbotë, njëherë e përgjithëmonë, ua zunë pritat muzgujve dhe hijeve trishtuese të lugetërve të mesjetës në Kosovë dhe gjetkë. Edhe Ciceroni, Seneka dhe Taciti, nuk do shihnin asgjë të gabuar në ato hije të thella kolosale dhe kalorsiake, në krahërorët vigan dhe titanik, si dhe në mërrolat në ballë të luftëtarëve trima të UÇK-së.
Aristoteli thotë se në luftë nuk vritën vetëm jeta dhe robëria, por edhe frika dhe tradhëtia. Ndonëse, e vërteta ështe viktima e parë e pasluftës.
Kështu që ka zëra në Serbi (edhe në Kosovë), të cilat po kërkojnë sërish luftë në Kosovë. Serbët e dinë fort mirë se njëherë e përgjithmonë e kanë humbur luftën në Kosovë së bashku me luftërat e tjera imperiale, koloniale dhe apokaliptike në Kroaci dhe gjetkë. Ndërsa shqiptarëve nuk iu duhen dhe nuk iu nevojiten më luftëra kundër Serbisë apo dikujt tjetër. Absolutisht dhe definitivisht jo.
Njerëzit atje patjetër se duhet t‘iu japin fund retorikave të ndryshme konfliktuoze ose luftarake, para se luftërat dhe konfliktet e ndryshme t‘i vrasin dhe fundosin vetë ata. Një paqe dhe marrëveshje e sinqertë dhe përfundimtare me Serbinë, të duket shumë më e drejtë dhe më progresive, se sa luftërat e vazhdueshme të fjalëve koti, ose fjalëve boshe. Nuk duhet harruar dhe mohuar faktin, se luftërat nuk bëjnë vetëm burra, apo trima të vërtetë dhe heronj të saj, por edhe viktima – popullatë civile – të rënë në fushëbetejë.
Ndaj, mu për këtë, luftërat nuk duhet parë dhe kuptuar ndryshe, përveçse si mjete dhe instrumente jete në liri, drejtësi, barazi, harmoni dhe lumturi të gjithëmbarshme objektive dhe subjektive. Politologu dhe pedagogu i shquar amerikan, N. Chomsky, në një rast thotë: ˮNëse nuk dijmë t‘i mbyllim apo përfundojmë me kohë ciklet dhe kapitujt e luftërave të ndryshme shkatërrimtare dhe apokaliptike, atëherë ato do t‘na vrasin dhe varrosin të gjithë neve“.
Të mendojmë dhe reflektojmë vetëm pak në luftën e Ukrainës, ku pas një lufte të gjatë, të mundimshme dhe të pashpresë, liderët dhe komandantët e ndryshëm ushtarakë dhe politikë, me në fund do të binden dhe pajtohen me çfarëdo çmimi dhe epilogu për paqen. E sidomos atëherë kur shohin dhe kuptojnë se të gjitha luftërat apo konfliktet e ndryshme të armatosura, në radhë të parë, e pasqyrojnë dhe e prezantojnë abisin, fiaskon dhe dështimin total të politikës dhe diplomacisë së kualifikuar, profesionale dhe elokuente.
Ndonëse, të gjitha afatet për armëpushimet në luftë, janë të rrezikshme, misterioze dhe enigmatike.
Në këtë prizëm, sipas studimeve dhe analizave të analistëve dhe ekspertëve të specializuar dhe kompetent, parandalimi i luftërave, apo konflikteve të ndryshme, është shumë më i volitshëm dhe më efektivë, se sa protestat dhe rezistencat kundër tyre.
Në këtë kontekst të suspektshëm dhe difuz, ne vazhdimisht sikur dijmë dhe flasim shumë më tepër mbi luftën, se sa mbi paqen dhe pasluftën. Në istancë të fundit, armatat (ushtritë) asnjëherë nuk kanë fituar luftëra apo konflikte të ndryshme, por janë politika e lartë dhe diplomacia, të cilat i mbyllin dhe i fitojnë ato. Në të kundërten, sipas Nikolla Makiavelit, nuk ka ikje dhe shpëtim nga lufta, por vetëm shtyerje të afateve në dobitë e palës së tretë, apo të atyre, të cilët kanë pozicione më të volitshme në vijat apo frontet e luftës.
Ndonëse, sipas një mendimtari të njohur botëror, luftërat në radhë të parë janë tregti mbretërish, perandorësh, tiranësh të ndryshëm dhe diktatorësh në kuptimin e asaj se ato iu lënë atyre pas vetës një armatë apo ushtri të madhe horrash, maskarenjsh, dezertorësh, hajdutësh, matrapazësh dhe profiterësh të luftës dhe pasluftës: Një ushtri të madhe të gjymtuarish, sakatosurish ose invalidësh të luftës. Një armatë të madhe jetimësh apo bonjakësh të luftës. Një ushtri të madhe kopilësh apo bastardësh të luftës dhe një armatë të madhe njerëzish të pa bukë dhe të pastrehë – e kështu me radhë…
Në këtë vorbull, luftërat janë shpesh si bixhozi dhe prostitucioni; në kuptimin e asaj, se ato gjithëmonë gjejnë kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për t‘u shfaqur, zhvilluar dhe manifestuar. U mor vesh se luftërat janë shpallosje dhe deshifrim i taktikave, strategjive dhe llogaritjeve të gabuara politike dhe diplomatike, në atë menyrë që -, si të thuash – asnjëherë nuk merren vendime të specializuara, kualifikuara, kompetente dhe relevante se kush kishte të drejtë në luftë, por vetëm shtrohen pyetjet e pashmangshme se kush shpëtoi apo mbeti i gjallë nga lufta.
Me fjalë tjera, Kosovës dhe shqiptarëve, nuk iu duhet lufta. Nuk është Kosova si Sahara Perëndimore në Afrikën e Veriut, ku frontet e ndryshme – ˮpolisario“, gjegjësisht ˮfrente popular de liberacion de Saguia“, apo ˮSaguia el Emre and Rio Ora“ etj. – ndodhen të ndara dhe pjesëtuara në ministritë e Marokos, Algjerisë, Spanjës dhe Mauritanisë e tjerave…
Kosova zyrtarisht (de jure) është shtet i pavarur, sovran, integral dhe demokratik, ndërkaq -, de facto – në konsolidim e sipër dhe tranzicion.
Në mbyllje: Ligjet, vlerat, parimet, idealet dhe trofetë e luftërave çlirimtare dhe patriotike, gjithmonë sikur janë shkelur, korruptuar, trafikuar (kontrbanduar) dhe keqpërdorur nga matrapazët dhe profiterët e pasluftës, si dhe nga interesat, ambiciet, instinktet dhe pasionet e sëmuara pushtetmbajtëse, politike, karrieriste, profituese etj.
Apo, sa me shumë rregulla, ligje dhe kontrolle të ndryshme, aq me tepër shkelës, abuzues, minues dhe sabotues të tyre. Kështu që edhe enët e zbrazëta dhe mendjet boshe, gjithmonë ushtojnë dhe bëjnë zë me shumë.
Unë jam fort i bindur në besimin dhe konstatimin e patundur, që pohon Freidrich Nietzsche se “forca, apo fuqia e gjithmbarshme e trupit dhe shpirtit të njeriut, rritet dhe shtohet në përpjesëtim me nënshtrimin e tyre ndaj trurit apo intelektit njerëzor”.