Albspirit

Media/News/Publishing

Përse gjimnazit të qytetit të Laçit ose stadiumit të futbollit, duhet t’i vihet emri “Ndue Tarazhi” dhe një bust i tij?


Nga DASHNOR KALOÇI

-Në vend të një letre të hapur, drejtuar kryetares së Bashkisë së Laçit, znj. Majlinda Cara –

Edhe pse një qytet i ri i cili e ka zanafillën në fillimin e viteve ’60-të, kur u ndërtuan pallatet dhe banesat e para, Laçi ka historinë e tij dhe atë histori e kanë bërë njerëzit që jetuan, punuan dhe kontribuuan për vite me radhë në atë qytet, i cili që nga viti 1992, njihet si Laçi i Kurbinit. Të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit, ata lënë emrin dhe gjurmët e punës së tyre, aq sa kujtohen për mirë edhe sot, kur kanë kaluar më se tre dekada që ata janë larguar nga ai qytet ku kaluan pjesën më të madhe të jetës. Janë me dhjetëra, nga profesione e fusha të ndryshme të jetës, si ndërtuesë, montatorë, ekonomistë, mjekë, mësues, inxhinierë, artistë, muzikantë, ushtarakë etj., dhe për t’i përmendur të gjithë, nuk mjaftojnë këto pak radhë. Madje nuk mjafton as dhe një libër voluminoz për të nxjerrë në pah punën e tyre dhe kontributin që ata dhanë për atë qytet. Por këtu në këtë shkrim po ndalemi shkurtimisht vetëm tek fusha e sportit, pasi nga ai qytet kanë dalë sportistë dhe trajnerë të njohur, madje kampionë kombëtarë që bënë emër të madh, jo vetëm në aktivitetet kombëtare, por edhe në ato ndërkombëtare.


Shahije Zogu Billa, “Mjeshtre Sporti”, kampione kombëtare në sportin e qitjes

Me origjinë nga fshati Valikardhë i Peshkopisë, Shahije Billa u aktivizua që e vogël me sportin e qitjes dhe prej rezultateve të larta, në vitin 1963 mori pjesë me ekipin kombëtar të Shqipërisë në Lojërat e Ganefos në Indonezi dhe më pas në disa gara të tjera në Republikën Popullore të Kinës. Për dhjetë vite me radhë (1956-1966), Shahija ishte kampione kombëtare në garën me pushkë (1 herë 60), duke lënë pas qitëset me të mira të ekipeve të kryeqytetit. Aty nga mesi i viteve ’60-të, me kontributin e saj personal dhe me punë vullnetare (pa pagesë), ajo ngriti një poligon modern në qytetin e Laçit, (nga më të mirët në shkallë republike dhe në rajon), i cili u inagurua në vitin 1974 dhe aty ajo krijoi ekipet zinxhir të moshave, deri tek ato për të rinj dhe të rritur, për meshkuj dhe për femra. Besnik Mustafa, Kastrot Elezi, Tonin Lajthia, Maqo Gramo, Agron Dashi, Zaho Vlashi, etj., ishin disa nga ekipi i të rriturve me rezultate të larta. Po kështu ekipi i të rejave dhe të rinjve, nën drejtimin e Shaije Billës, me qitësit e qitëset; Halit Cara, Fiqerete Demiri, Ina Dragovoja, Mimoza Lajthia, Zana Gramo, Zana Gjini, Zenel Dema, Lindita Palushi, Mimoza Pepa etj., arritën të grumbullohen edhe në ekipin kombëtar, duke kanë konkurruar edhe në aktivitete ndërkombëtare, si Lindita Palushi (Kodra) dhe Fiqrete Demiri (Cara). Për rezultatet e saj të larta si trajnere, Federata e Qitjes e caktoi Shahijen si trajnere të ekipit kombëtar për vajza për në Kampionatin Europian që u zhvillua në Itali në vitin 1979, ku Elizabeta Karabolli, për herë të parë mori vendin e 3-të nga 28 shtete të Europës. Shahije Billa (“Mjeshtre Sporti”), është ndarë nga jeta në vitin 2021, pasi kishte emigruar jashtë me dy fëmijët e saj, (Mimozën dhe Ardianin), ish- pjesëtarë të ekipit të qitjes “Kastrioti”, ku ajo ishte trajnere.

Lindita Palushi Kodra, qitëse “Mjeshtër i Madh”, kampione e Europës në vitin 2007 në Granda të Spanjës, në garën me pistoletë 30 + 30

Ndër dhjetëra sportistë që stërviti dhe përgatiti Shahije Billa për gati 30 vite me radhë në qytetin e Laçit me ekipin “Kastrioti” (Laçi përfaqësonte rrethin e Krujës), suksesin më të madh e arriti qitësja Lindita Palushi (Kodra), e cila përveçse doli disa herë kampione kombëtare në garën e saj me pistoletë, ishte dhe anëtare e ekipit kombëtar të Shqipërisë në disa aktivitete ndërkombëtare. Rezultatin më të lartë si përfaqësuese e ekipit kombëtar të Shqipërisë, ajo e arriti në kampionatin Evropian të qitjes në Granada (Spanjë) më 11 korrik 2007, ku në qitjen me pistoletë (30 + 30), fitoi titullin e kampiones së Europës, duke arritur 584 pikë, me vetëm 1 pikë më shumë nga sportistja M. Dorjsuren. Për rezultatet e saj të lartë në disa olimpiada botërore, në vitin 2010, Lindita Palushi u nderua nga Presidenti i Republikës, me medaljen e lartë “Mjeshtër i Madh”, medalje e cila iu akordua edhe Diana Matës, Elisabeta Karabollit, Ermira Dingut dhe Emanuela Kolës, ku të pesta konsiderohen si legjendat e sportit shqiptar të qitjes.

Marinda Preka (Milo) atlete, “Mjeshtre Sporti”, kampione kombëtare dhe nënkampione e Ballkanit në vitin 1977

Marinda Preka (Milo), e lindur dhe e rritur në fshatin Fushë-Kuqe të Kurbinit, vazhdoi shkollën e Mesme të Mjeshtërisë Sportive në qytetin e Durrësit, ku u aktivizua në garat e atletikës duke arritur rezultate shumë të larta. Më pas ajo u diplomua në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë, ku u shpall kampione e vendit për gjashtë vite radhazi, nga 1975 deri në 1981, në disiplinat 400, 800, 1500 dhe 3000 metra. Gjatë atyre viteve ajo mori pjesë në disa aktivitete ndërkombëtare si pjesëtare e ekipit kombëtar të Shqipërisë, duke fituar disa medalje, por rezultatin më të lartë e arriti në vitin 1977, duke u shpallur nënkampione e Ballkanit. Edhe pse u largua që në moshën 15 vjeçare nga vendlindja e saj, duke përfaqësuar ekipet e kryeqytetit dhe atë të “Tomorrit” të Beratit ku Marinda krijoi familje dhe jeton ende (bashkëshorti, Kristaq Milo, ish-futbollist) ajo gjithmonë është prezantuar si; “vajza nga Fushë-Kuqja e Laçit” dhe nisur nga ky fakt, bashkia e Kurbinit e ka nderuar me titullin “Qytetare Nderi”, ashti siç e ka nderuar edhe Bashkia e Beratit.

Pjetër Pëllumbi, atlet, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, rekordmen dhe kampion kombëtar në garën e maratonës

Me origjinë nga Malësia e Shkodrës, por i lindur dhe i rritur në fshatin Alk-Gurëz të Kurbinit ku mbaroi dhe shkollën 8-vjeçare, Pjetër Gjergj Pëllumbin, nuk e pranua fare as për konkurrim në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive në Tiranë. Me shumë peripeci, mundi që të regjistrohej në shkollën Teknike (Politeknikumi “7 Nëntori”), ku ra në sy menjëherë për fizikun e tij dhe mësuesit e edukimit fizik Ismet Bellova e Ali Mema, e rekomanduan për tek ekipi i të rinjve “17 Nëntori” i Tiranës, ku nën drejtimin e trajnerëve, Lutfi Ryta, Shaban Lame dhe Hajri Aliaj, Pjetri u stërvit në garat e 1500 m., 3000 m. dhe 10.000, m., gara në të cilat ai do të konkurronte me shumë sukses, madje duke arritur dhe thyer edhe rekordet kombëtare të moshave. Pas mbarimit të asaj shkolle, Pjetri u dërgua në kryente stazhin dy vjeçar në Fushë-Krujë dhe pasi e përfundoi atë, për arsye biografike, nuk iu dha e drejta për të ndjekur Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”. Kështu ai u dërgua të kryente shërbimin ushtarak në repartin e tankeve në qytetin e Laçit, ku nuk qëndroi shumë, sepse, falë edhe rezultateve të larta që ai kishte në garën e Maratonës, pas disa muajsh, e tërhoqi Klubi Sportiv “Partizani”, duke e sistemuar aty ku grumbulloheshin sportistët më cilësorë.

Tek ekipi “Partizani” Pjetri u stërvit nga trajnerët e njohur; Theodhos Duro, Sadik Demiraj, Besim Bekteshi e, sidomos nga mjeshtri kampion dhe ish-konkurrenti i tij në garën e maratonës, legjendari Ndrek Aliaj. Nisur nga kjo, në vitin 1980-të Pjetri arriti kohën 2 orë e 30 minuta e 08 sekonda, rezultat të cilin e përmirësoi një vit më vonë në 1981-in, (me kohën 2 orë e 26 minuta e 19 sekonda), çka do t’i jepte atij titullin e kampionit dhe rekordit kombëtar në garën e Maratonës. Pas këtyre sukseseve, me ndërhyrjen e Klubit Sportiv “Partizani”, Pjetrit iu dha e drejta të vazhdonte studimet e larta në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, duke u diplomuar me rezultate të larta. Te Klubi Sportiv “Partizani”, Pjetri qëndroi për 15 vite me radhë dhe në fillimin e viteve ’90-të, emigroi në Itali, ku për 15 vite të tjera, punoi si pedagog i rehabilitimit fizik në disa klinika të Romës, ku ai punon e jeton ende me familjen e tij.

Ndue Tarazhi, sportist dhe trajner i basketbollit e futbollit të Laçit, për më shumë se 30 vite

Pinjoll i një prej familjeve më emër dhe histori të madhe të rrethit të Mirditës, (prej nga ka trashëguar dhe mbiemrin), Ndue Tarazhi pasi u diplomua në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë në vitin 1966, u emërua në qytetin e Krujës, ku krahas aktivizimit me ekipin e volejbollit si një nga lojtarët kryesorë, së bashku me dy kolegët e tij, Ilia Gaxho dhe Drita Nikshiqi (Saka), ndërtuan këndin e lojërave me dorë, duke ua lënë dhuratë atij qyteti, ku ekipi “Kastrioti” në volejboll konkurroi me sukses për vite me radhë në kategorinë e parë (kategoria superiore sot). Në vitin 1968, Ndue Tarazhi u transferua në qytetin e Laçit, ku krahas punës si mësues i edukimit fizik, jashtë orarit të mësimit, ndërtoi fushat e para të basketbollit dhe ambientet e tjera sportive që deri atëhere nuk ekzistonin fare në atë qytet të ri që sapo kishte filluar të ndërtohej. Që në vitin 1970, ai formoi një ekip basketbolli me nxënës të gjimnazit të Laçit të cilët i stërviste në një kënd lojërash në qendër të qytetit, (“Fusha e zezë të Trekëndëshi”) të cilin e ndërtoi po vetë në mënyrë vullnetare dhe pa asnjë investim nga shteti. Pasi konkurroi në disa kampionate kombëtare për të rinj dhe të rritur ekipi “Kastrioti” (Laçi në atë kohë varej nga Kruja dhe përfaqësonte rrethin), nën drejtimin e trajnerit Ndue Tarazhi, në vitin 1973, doli në kategorinë e parë, në kampionatin kombëtar që u zhvillua në qytetin e Pogradecit. Kjo ishte një ngjarje shumë e madhe dhe një sukses i jashtëzakonshëm për ekipin e Laçit, pasi në ato vite edhe qytete të mëdha, nuk e kishin të zhvilluar sportin e basketbollit, aq sa në të gjithë Veriun, vetëm ekipi “Vllaznia” e Shkodrës konkurronte në kategorinë e parë.

Kështu ekipi “Kastrioti” i Laçit në basketboll për të rinj, ku bënin pjesë Ndue Frroku (Ndoj), Anton Kaçaj, Viktor Kola, Lutfi Ligdisha, Pashk Kola, Tonin Prenga, Shpëtim Gjoni, Lazër Gurra, Idriz Kasa, Bardhyl Fejzo, Ridvan Resuli, Genc Shtylla, Vladimir Sala, Gëzim Kaloçi, Agron Mehmeti, Sandër Krosi, etj., konkurroi me dinjitet në mes ekipeve më të mira të Shqipërisë. Madje duke fituar bindshëm edhe ndaj ekipeve të kryeqytetit, siç ishte “Dinamo”, etj. Suksesin me të rinjtë, Ndue Tarazhi e përsëriti dy vjet më vonë, kur po me atë ekip të rinjsh, në majin e vitit 1976, konkurroi në kampionatin kombëtar të të rriturve, duke mundur në finale në Tiranë (në Pallatin e Sportit “Partizani”) ekipin “Apollonia” të Fierit, i cili kishte vite që konkurronte në kategorinë e parë. Në përbërje të atij ekipi ishin: Ndue Frroku (Ndoj), Ylli Eveli, Anton Kaçaj, Ylli Çuka, Zeka (shkodrani), Gjeto Meta, Todi Koja, Skënder Marku, Viktor Kola, Lutfi Ligdisha, Lazër Gurra, Dhurim Gjoni, Shpëtim Gjoni, etj. Ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm për një qytet të vogël si Laçi (në ato vite me 12 mijë banorë), pasi në atë fushë të zezë me qymyr që trajneri Ndue Tarazhi e mirëmbante vetë (duke e lagur me zorrën e ujit çdo ditë para stërvitjes dhe para ndeshjeve, e duke e vizuar me gëlqere) erdhën ekipet më të mira të Shqipërisë, si: “Partizani”, “17 Nëntori”, “Vllaznia”, “Dinamo”, “Lokomotiva”, “Skënderbeu”, “Flamurtari”, “Labinoti” etj., të drejtuar në trajnerët më në zë të atyre viteve, si; Qemal Shalsi, Bujar Shehu, Astrit Greva, Petrit Osmani, Feti Borova, etj.

Në ato ekipe asokohe aktivizoheshin legjendat e basketbollit shqiptar, si Agim Fagu, Kastritot Mushi, Robert Kushtrim Zaçe, Gazmend Çaçi, Vaso Shaka, Kostandin Shkurti, Piro Koleka, Kujtim Kasmi, Refik Vorfa, Viktor Papavangjeli, Vladimir Agaraj, Ilir Trebicka, etj. Po kështu, disa nga basketbollistët stërvitur e përgatitur nga trajneri Ndue Tarazhi në atë kohë, si Ndue Frroku (Ndoj), Ylli Çuka, Dhurim Gjoni, etj., e vazhduan sportin me ekipet e kryeqytetit, si “Studentit” apo “Dinamos”, madje duke qenë lojtarë bazë të këtyre ekipeve. Duke parë suksesin e arritur me ekipet e basketbollit të qytetit të Laçit, në fundin e viteve ’70-të, titullarët e rrethit të Krujës, i kërkuan Ndue Tarazhit, që të merrte ekipin e futbollit të Laçit (“Industriali”) dhe ta ngrinte atë në kategoritë më të larta. Dhe ashtu ndodhi vërtet. Në vitin 1979, Ndue Tarazhi ia dorëzoi ekipin e basketbollit trajnerit Petrit Bardhi, (krahut të tij të djathtë) dhe krahas rregullimit të fushës së futbollit në periferi të qytetit ku ai punonte vetë çdo ditë, filloi stërvitjen me ekipin. Krahas “Gardës së vjetër”, si Ahmet Shafloqi, Agim Shtylla, Lulëzim Avdyli, Nikoll Noka, Dodë Zima, Edmond Zaimi, Mark Papa, Preng Ndoci, Edmond Lako, etj., ai ripërtëriu ekipin dhe afroi lojtarë të tjerë, si; Sokrat Zhango, Preng Kërçi, Fatos Sanxhaku, Agim Duro, Marash (portieri i dytë nga fshati Adriatik), Sadedin Zavalani, Tefik Tirana, Fatos Kokalari, Robert Prillo, Arben Feshti, Lulzim Huna, Bashkim Curri, Lek Jushi, Kiço Qose, Fran Laska, Edmond Qesja, Sabah Mici, Pal Dajçi, Pëllumb Yzeiri, Arben Karamani, Artan Guni, Agim Curri, Tonin Mirashi, Kujtim Ceka, Agim Ramabana, Paulin Deda, Nikolin Deda, Arqile Zhango, Kujtim Dauti, Shkëlqim Hoxha, Fatos Hoxha, Artan Nani, Astrit Xhelo, Marjan Piroli, Andi Vuthi, Agustin Ujka, Franc Ujka, Paulin Frroku, Artur Ndoci, Adriet Gjergji, Edmond Dosti, Vladimir Gjoni, Altin Çuko, Ilir Keçi, Gjergj Filipi, Ilir Preloshi, Luan Mlika, Eduart Kraja e deri te më të rinjtë, Erjon Kaçi, Miri Nani, Altin Kaçi, Ilir Kaloçi, etj.

Me këtë futbollistë, trajneri Ndue Tarazhi konkurroi denjësisht në kampionatet kombëtare të kategorisë së tretë dhe të dytë, deri në vitin 1990, kur ai u emërua si Shefi Klubit Sportiv të Laçit dhe ekipin ua dorëzoi trajnerëve Luigj Doda, Arben Feshti, Pal Dajçi (ish-ndihmësa të tij) dhe më pas trainerit të mirënjohur nga Tirana, Astrit Maçit, të cilët e nxorën Laçin në kategorinë e parë. Ai ekip futbolli që u stërvit dhe u përgatit për vite me radhë nga trajneri Ndue Tarazhi, pas viteve ’90-të, do të vazhdonte të konkurronte me sukses në kategorinë superiore, tashmë me President të ekipit Ndrec…(nga Puka) Filip Gjoka, Agim Myrto, Ermal Laçi etj., e së fundi Pashk Laska, që e ka dhe aktualisht ekipin, nën drejtimin e të cilit Laçi do të merrte pjesë dhe në kupat e Europës. Po kështu disa nga futbollistët e përgatitur nga Ndue Tarazhi, si Pëllumb Yzeiri, Edmond Dosti, etj., në fillimin e viteve ’90-të, u aktivizuan në kategorinë superiore me ekipin e “Kastriotit” të Krujës, “Bylisit”, “Partizanit”, etj., madje duke u aktivizuar edhe në Kupat e Europës, apo duke u shitur me ekipe të huaja, si Edmond Dosti në Austri, etj.

Ndue Frroku (Ndoj), basketbollist me ekipin e Laçit, “Studentin” dhe “Dinamon”, pikë-shënuesi më i mirë i kampionatit në vitin 1976

Ndue Frroku (Ndoj), me origjinë nga fshatrat e Pukës ku kaloi dhe disa vite të shkollës fillore, në fillimin e viteve ’60-të u vendosën familjarisht në qytetin e Laçit, ku ai filloi të joshej nga sporti i basketbollit, duke parë specialistët kinezë që luanin në kohën e lirë në një fushë të në qendër të qytetit të Laçit, (para Trekëndëshit), e ndërtuar enkas për ta që nga viti 1966. Pikërisht që në atë kohë Nduja filloi të luante basketboll dhe dy tre vjet më vonë, ai u pikas nga trajneri Ndue Tarazhi, i cili e aktivizoi në përbërje të ekipit të rinjve dhe atij të rriturve, në kampionatet e kategorisë së dytë që zhvilloheshin me sistem grumbullimi. Ndue Frroku ishte lojtari kryesor dhe pikë-shënuesi më i mirë në finalet e kategorisë së dytë të zhvilluara në qytetin e Pogradecit në majin e vitit 1973, ku ekipi i drejtuar nga trajneri Ndue Tarazhi, fitoi të gjitha ndeshjet dhe doli në kategorinë e parë, (superiorja sot).
Po kështu, Ndue Frroku ishte lojtari bazë dhe pikë-shënuesi më i mirë e ekipit “Kastrioti” i Laçit në finale ndaj “Apollonisë” së Fierit në finalen e zhvilluar në Pallatin e Sportit “Partizani” më 16 maj 1976, ku Laçi fitoi dhe doli në kategorinë e parë (superiorja sot). Po kështu në kampionatin kombëtar të të rriturve 1976-1977, edhe pse në moshën 21 vjeçare, Ndue Frroku (Ndoj) ishte një nga lojtarët më të mirë dhe gjithashtu edhe një nga pikë-shënuesit më të mirë të vendit, duke lënë prapa sportistë të njohur, të konsideruar si legjendat e basketbollit shqiptar, si; Vaso Shaka, Viktor Papavangjeli, Agim Fagu, Kushtrim Zaçe, Robert Kuqo, Gazmend Çaçi, Ilir Trebicka, Vladimir Agaraj, Refik Vorfa, Hidajet Kotrri etj. Lidhur me këtë, në librin “Me basketbollin ndër vite – (Libri i dytë) – Historia e basketbollit shqiptar të meshkujve”, të autorëve Xhorxhi Vasili, Prof. asoc. Dr. Gavrosh Kavaja e Dr. Spiro Kavarati, ndërmjet të tjerash në fq. 193, thuhet: “Në ndeshjen ‘Dinamo’ – Kastrioti’ që përfundoi me rezultatin 92-81, skuadra krutane la përshtypje të mira, sidomos Ndue Frroku, që shënoi plot 42 pikë”. Ndërsa në fq. 206, thuhet: “Disa shifra nga kampionati. Shënuesit më të mirë pas dy fazave, janë: Ndue Frroku (‘Kastrioti’) 424 pikë, Viktor Papavangjeli (‘Flamurtari’) 418, Ilir Trebicka (‘Dinamo’), 417 pikë”.
Ndue Frroku (Ndoj), në ato vite ishte një nga basketbollistët me preçizionin më të lartë (kryesisht gjuajtjet me tabelë) dhe gjithashtu më të fortë fizikisht që kishte Shqipëria, të cilin nuk mund ta markonin dot as dhe lojtarët më të mirë të ekipeve të kryeqytetit. Nisur nga kjo, në një ndeshje të zhvilluar për Kupën e Republikës në Pallatin e Sportit të Durrësit në vitin 1978, Ndue Frroku arriti që të shënonte plot 66 pikë, kundër ekipit “17 nëntori”, rekord që ende nuk është thyer edhe pas 47 vitesh. Ndue Frroku u aktivizua me ekipin “Kastrioti” të Laçit deri në vitin 1978, pasi filloi studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, duke u aktivizuar me “Studentin” dhe më pas për afro 13 vite me “Dinamon”, duke qenë një nga lojtarët e pesëshes bazë të atij ekipi, madje duke u grumbulluar edhe me ekipin kombëtar. Në fillimin e viteve ’90-të, Ndue Frroku emigroi familjarisht në SHBA-ës ku jeton ende, por pa e harruar kurrë qytetin e Laçit, ku ai vjen çdo vit, për t’u takuar me shokë e tij dhe Ndue Tarazhin e Petrit Bardhin, dy trajnerët legjendarë, që nuk e kanë braktisur atë qytet.


Pjetër Xhuxha, trajneri i basketbollit të ekipit të femrave të Laçit


Pjetër Xhuxha me origjinë nga qyteti i Shkodrës, pasi u diplomua në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë, në fundin e viteve ’60-të, u emërua mësues i edukimit fizik në qytetin e Laçit, ku punoi me përkushtim të madh për gati tre dekada me radhë, duke qenë krahu i djathtë i Ndue Tarazhit, në të gjitha aktivitet sportive me ekipet që drejtuan. Krahas mësimdhënies në gjimnazin e qytetit, Pjetër Xhuxha ishte dhe trajner i ekipit të basketbollit të femrave “Kastrioti” të qytetit të Laçit (të reja dhe të rritura, me ndihmës trainer Paqsor Fejzo), duke përfaqësuar rrethin e Krujës. Në ekipin që formoi, stërviti dhe konkurroi për disa vite në kampionatet kombëtare që në fillimin e viteve ’70-të e më pas, bënin pjesë; Liljana Lika, Ludmilla Muça, Veronika Buxhaku, Frida Zavalani, Zana Mara (Fejzo), Natasha Nako, Rajmonda Tiko (Ligdisha), Marjana Sulejmani, Marie Mata, Vitore Çuti, Neta Bardhi, Dave David Noka, Natale David Ndoka, Bardha Qehaja (Gjaci) Luljeta Çuka, Moza Çuka, Eva Rrjolli, Xhuljeta Cakani, etj. Po kështu për disa vite, Pjetër Xhuxha drejtoi edhe ekipin e basketbollit të rinjve të Laçit, madje duke dalë kampion kombëtar i kategorisë së dytë në vitin 1977, ku në finale mundi ekipin e “Labinotit” të Elbasanit në ndeshjen që u zhvillua në Durrës. Krahas ekipeve të basketbollit për meshkuj dhe femra (në vitet ’80-të, ekipin e femrave e mori trajner Pjetër Zima), për vite me radhë Pjetër Xhuxha ishte organizatori dhe drejtuesi kryesor i kampionateve zonale të basketbollit dhe futbollit të klasës punëtore, ku konkurronin ndërmarrjet nacionale që kishte Laçi në atë kohë. Ato aktivitete sportive, jo vetëm se ngjallin një interes të jashtëzakonshëm, por ishin dhe një mundësi argëtimi edhe për tifozerinë e zjarrtë të atij qyteti me në krye Hidrin e Milotit, Tahir Gashin e Shullazit, Pashk Sulën, Pashk Çokun, Pashk Mërqinën, Pashk Kalthin, Azem Çokun, Lulash Gjinin, Smajl Hoxhën, Cimin e Xhiut, Dull Bodllin, Gjinin e vogël, Bashkim Kumen, Vladimir Mërkurin, Pjetër “Trimin” e Tonin Prelën (“Probon”) e Laçit, Lekën e Gjormit, Lek Prelën e Mamurrasit, etj., që i ndiqnin ndeshjet ndërmjet ndërmarrjeve, ashtu si ndiqnin dhe ekipin e Laçit, brenda dhe jashtë rrethit. Pas viteve ’90-të, Pjetër Xhuxha u largua familjarisht për në qytetin e Shkodrës ku jeton ende, por edhe sot vazhdon të kujtohet me shumë respekt, jo vetëm nga nxënësit dhe ish-sportistët që ai stërviti, por edhe nga banorët e vjetër të qytetit të Laçit.


Petrit Bardhi, basketbollist dhe trajner i ekipit “Kastrioti” të Laçit për 15 vite

Petrit Bardhi, me origjinë nga rrethi i Peshkopisë, (familja e tij ishte nga të para që erdhën në qytetin e Laçit në fillimin e viteve ’60-të), së bashku me shokun e tij, Manol Feshtin, ishin të parët që filluan të luajnë basketboll në atë qytet, që në mesin e viteve ’60-të, kur kishte vetëm një fushë me tabela dhe kosha basketbolli (te Reparti Ushtarak 6136), ku luanin oficerët e atij reparti dhe specialistët kinezë që punonin në Uzinën e Superfosfatit. Në këtë kohë (1966-‘67) u krijua dhe ekipi i parë i basketbollit të qytetit të Laçit, në përbërje të së cilit ishin kryesisht disa inxhinierë si; Spiro Kashara, Sabri Çoba, Triumf Çuçi, Pandeli Topalli, Hilmi Drishti, Rrok Nikolla etj., me trajner Esat Pazarin nga Tirana (kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Laç), të cilët konkurruan në dy kampionate kombëtare të kategorisë së dytë që zhvilloheshin me grumbullim. Petrit Bardhi ishte gjithmonë pranë atij ekipi dhe një nga lojtarët bazë të ekipit të rinjve dhe të rriturve që formoi Ndue Tarazhi që në vitin 1968-’69, ku bënin pjesë dhe Ali Çela, Hilmi Drishti, Alqi Lango, Agim Shtylla, Gjin Zajzi, Vasil Duro, Gëzim Zhapokika, Gjergj Klimi etj. Pasi u diplomua në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë në vitin 1978, Petrit Bardhi u emërua mësues i edukimit fizik në qytetin e Laçit, ku mori ekipin e basketbollit “Kastrioti” për të rritur, (zëvendësoi Ndue Tarazhin, i cili në atë vit mori ekipin e futbollit “Industriali”), të cilin e drejtoi për gati 15 vite me radhë, duke konkurruar edhe në kampionatet kombëtare të kategorisë së parë (kategoria superiore sot), apo kupat e republikës, me ekipet më të mira të vendit, si “Partizani”, “Vllaznia”, “17 nëntori”, “Dinamo”, etj. (Nga viti 1978, ndeshjet luheshin në stadiumin e ri të hapur të basketbollit, të ndërtuar nga Ndue Tarazhi me kontributin e tij personal dhe ndihmat që i jepnin drejtuesit e ndërmarrjeve, pa asnjë investim nga shteti).

Nga viti 1979, e deri në fillimin e viteve ’90-të, në ekipin e stërvitur dhe drejtuar prej trajnerit Petrit Bardhi, krahas “Gardës së vjetër”, si Anton Kaçaj, Viktor Kola, Agron Mehmeti, Shpëtim Gjoni, Lazër Gurra, Dhurim Gjoni, Artur Nuredini, Gjeto Meta, etj., që ishin pjesë e ekipit të Ndue Tarazhit, erdhën edhe lojtarë të tjerë, si; Albert Karanxha, Themistokli Tite, Vladimir Konomi, Lec Kaçaj, Pëllumb Vukaj, Ilir Vlashi, Aleks Shkëmbi, Dashnor Kaloçi, Lek Ndoci, Agim Gruda, Sokol Sadiku, Agim Qehaja (kampion kombëtar edhe në sportin e mundjes), Altin Galanxhi, Dhimitraq Vangjeli, Altin Mero, etj., të cilët u aktivizuan me sukses deri në vitin 1991. Edhe pas “shkrirjes” së këtij ekipi në fillimin e viteve ’90-të, si rezultat i “hemorragjisë” prej emigracionit masiv që pësoi vendi në atë kohë, Petrit Bardhi vazhdoi përsëri punën si trajner, me po atë përkushtim, me ekipin e të rinjve dhe të moshave, si në basketboll ashtu dhe në futboll, deri nga viti 2018, që doli në pension.

Bashkia e Laçit, duhet t’i nderojë dhe vlerësoi ish-sportistët kampionë që nderuan atë qytet dhe Shqipërinë

Është në nderin e Bashkisë së Laçit të Kurbinit me në krye znj. Majlinda Cara, e cila krahas punëve shumë të mira që ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve që drejton atë bashki, (si p.sh., rikonstruksioni i pallateve të vjetra, etj.), duhet të kujtojë dhe vlerësojë edhe ish-sportistët dhe trajnerët më të shquar të atij qyteti, si: Shahije Billa, Ndue Tarazhi, Pjetër Xhuxha e Petrit Bardhi etj., të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm, jo vetëm që arritën të nxjerrin ekipet që drejtuan në kategoritë superiore, por ata përgatitën edhe dhe sportistë që arritën majat e sportit kombëtar. Madje duke u shpallur edhe kampionë absolut të Shqipërisë, si Pjetër Pëllumbi dhe Marinda Preka (nënkampione Ballkani) në atletikë, Linda Palushi (Kodra), në qitje, Ndue Frroku e Ylli Çuka në basketboll, etj. Jo vetëm kaq, por ata trajner i dhanë jetë e gjallëri një qyteti të tërë për afro tre dekada me radhë, duke bërë që laçianët të jetonin me sportin dhe të ishin mbështetja kryesore e ekipeve të tyre. Më e pakta që mund të bëja Bashkia e Laçit, janë titujt “Qytetar Nderi” dhe “Mirënjohja e Qytetit”. Apo t’i nderojë ata duke pagëzuar disa shkolla me emrat e tyre. Si p.sh. shkollës së mesme të qytetit të Laçit, mund t’i vihet emri “Ndue Tarazhi”, pasi ai aty shërbeu me një përkushtim të rrallë për gati gjysëm shekulli. (Pse jo dhe një bust i tij). Apo stadiumit të Laçit mund t’i vihet fare mirë emri “Ndue Tarazhi”, pasi atë stadium ai e ndërtoi vetë me kontributin e tij personal që në fundin e viteve ’80-të, kur u emërua trajner i ekipit “Industriali”, duke pasur ndihmën e mbështetjen e drejtuesëve të ndërmarrjeve të qytetit apo drejtorët e shkollës së mesme të Laçit, si; Zef Ndoci, Sofokli Rrapi, Shefqet Lika apo kryetarit të Komitetit të Fiskulturës e Sporteve të rrethit të Krujës, Genc Misha. (Sa për statistikë, Ndue Tarazhi ka shërbyer si trajner për afro 60 vite, një rekord unik jo vetëm në Shqipëri, por edhe me gjerë. Dhe për të gjithë atë kontribut që ai ka dhënë, titulli “Hero i Punës Socialiste” që jepej para viteve ’90-të, do ishte shumë pak për të!).
Po kështu shkollave 8-vjeçare të fshatit Gurëz dhe Fushë-Kuqe ku mësuan Pjetër Pëllumbi dhe Marinda Preka, mund t’i vihen emrat e tyre. Shembuj të tillë ka shumë në Shqipëri, ku disa shkolla janë pagëzuar me emra të atyre që kanë punuar e shërbyer aty, që në gjallje të tyre. Si p.sh. shkolla e mesme e fshatit Kastriot në Peshkopi me emrin “Bajram Hyseni” (ushtarak dhe gazetar), shkolla 9-vjeçare në Suk-2 të Roskovecit, me emrin “Ajet Toska” (atlet, kampion kombëtar në hedhjen e çekiçit), shkolla e mesme e qytetit të Patosit me emrin “Zhani Ciko” (muzikolog) etj.. Po kështu, Bashkia e Kurbinit duhet të marri nismën dhe në bashkëpunim me federatat përkatëse në Tiranë, të dërgojë propozimet në Kryeministri dhe Presidencë, për vlerësimin e dekorimin me titujt “Mjeshtër i Madh i Punës”, apo me medalje të tjera, sportistët kampionë; Marinda Preka, Pjetër Pëllumbi, Ndue Frroku, Ylli Çuka dhe Linda Palushi Kodra, si dhe trajnerët e shquar të Laçit; Shahije Billa, (pas vdekjes) Ndue Tarazhi, Pjetër Xhuxha dhe Petrit Bardhi. Ata e meritojnë plotësisht këtë nderim që mund t’u bëhet, (madje duhet të ishte bërë kohë më parë), se duke vlerësuar dhe nderuar ata sportistë e trajnerë, nderohet vetë qyteti i Laçit. Asnjëherë nuk është vonë dhe për këtë ka një sentence ku thuhet: “Nëse nuk kujtojmë të kaluarën, e ardhmja do harrojë të tashmen”.