Ahmet Xhavit Delvina: VLERËSIM PËR JETËN QË BËMË

Fragment nga libri “Enigma e një epoke” të Ahmet Xhavit Delvinës
Krijimi i perandorisë së djallit apo i së keqes në Bashkimin Sovjetik në 1917 ishte një fatkeqësi e madhe botërore e shek. XX. Metastazat e këtij kanceri të kuq nëpërmjet Internacionales Komuniste (KOMINTERNIT) prekën edhe vendin tonë fatkeq. Pas një seleksionimi të stilit bolshevik disavjeçar të shoqërisë shqiptare, në 8 Nëntor 1941 nën drejtimin e disa agjentëve të shërbimeve të fshehta Serbo-Ruse, u formua “Partia Komuniste Shqiptaro – Serbe” e cila do të “kurorëzonte” pas Luftës II Botërore Shqipërinë si Republikë të 7-të Jugosllave. Rrjedha e jetës nuk e arriti synimin serbo-madh të autorizuar dhe të planifikuar nga Partia-mëmë Bolshevike, por na hodhi sa andej-këtej. Pas prishjes së mardhënieve të arta me Jugosllavinë, të cilat karakterizoheshin nga një vasalitet i turpshëm deri në kufijtë e kolonializimit, shkuam me Bashkimin Sovjetik e më pas me Kinën, derisa në fund mbetëm vetëm me forcat tona ose siç thoshte Duçja në pozitat e një anarkie të plotë. Kjo rrugë tërësisht e gabuar dhe kriminale për vet popullin shqiptar, çoi Shqipërinë në pozitat e vendit më të varfër të Europës. Arkitekti dhe mësuesi i parë i kësaj merimange bolshevike që mbështolli për vdekje shtete të tëra, ishte krimineli sadist “Lenini i madh”. Kur e pyetën Lenin dy gazetarë anglezë se cilat ishin normat e tij rreth moralit dhe etikës, ai iu përgjigj duke buzëqeshur: kush ju ka treguar të tilla pallavra? Unë nuk njoh as moral e as etikë. Morali dhe etika ime është Revolucioni dhe për të unë përdor çdo mjet.
Merita e ekzistencës së shëndetshme të sistemit komunist dhe zhvillimi progresiv me hapa viganë i ideologjisë komuniste, e kanë burimin tek vepra monumentale e Partisë që është: “Formimi i njeriut të ri”. Po kush qe në fakt ky “njeriu i ri”? Po ju a spjegoj: Duke u mbyllur dhe izoluar si shtet shqiptar në mënyrë krejt hermetike nga bota për mbi 50 vjet rradhazi, vendi kishte marrë pamjen e një kampi përqëndrimi me popullin e vet të burgosur. Populli shqiptar i ishte nënshtruar një terrori të egër shtetëror që her – her merrte trajtën e një genocidi kombëtar. Ky realitet, në fakt monstruoz, në gjuhën komuniste të atëhershme zyrtarisht dhe në mënyrë institucionale quhej Diktaturë e Proletariatit. Rezultate të këtij genocidi të vërtetë gjatë 50 viteve, që në atë kohë konsideroheshin arritje drejtë rrugës për në komunizëm, ishin si më poshtë:
– u ekzekutuan 5037 burra dhe 450 gra;
– u dënuan politikisht 26 768 burra dhe 7 367 gra;
– vdiqën nëpër burgje 988 burra dhe 7 gra;
– humbën aftësinë mendore 308 persona;
– u internuan 48 217 burra dhe 10 792 gra;
– vdiqën në internim 7 022 persona.
Rrjedhimisht kjo gjendje apo ky realitet, popullin jo vetëm që e çoroditi por edhe e varfëroi në mënyrë të tejskajshme ose siç thuhej atëherë “e proletarizoi” deri në atë shkallë, sa të mos ekzistonte më prona, as materiale e as shpirtërore, gjë që e detyroi shpesh të shkelte mbi dinjitetin e tij pa e ditur dhe pa e kuptuar që ishte kthyer në një skllav të asaj kohe komuniste. Më e çuditshmja për atë kohë ishte se sa më i varfër dhe sa me më pak dinjitet të ishe, aq më i garantuar ndjeheshe! Ky qe një nga shkaqet që bëri shumë njerëz që për hiç gjë të shiteshin dhe fatkeqësisht të ktheheshin në njerëz me vlera nën minimalen njerëzore.
Shtresa e popullsisë u nda në dy pjesë: në kategorinë e parë hynte grupimi më masiv popullor që përbënte edhe pjesën më të madhe, dmth njerëzit e thjeshtë të punës apo “fakir fukarenjtë”, siç thuhej – ndërkohë në kategorinë e dytë bënin pjesë njerëz të cilët emërtoheshin si “kuadrot”. Këta kishin detyrë të zbatonin ligjet e “Diktaturës së Proletariatit” direkt në popullin e thjeshtë. Ata ishin të vendosur nëpër “detyra delikate” të kanalizuar sipas rangjeve nëpër sektorë të ndryshëm të jetës, si në parti, në pushtet etj. Për t’u bërë “kuadër” i Partisë aso kohe, duhej që të përmbushje disa kërkesa, si të thuash “speciale” për këto “specie” që punonin me “devocion” për atdheun. Ja disa nga këto kërkesa të veçanta:
Kuadri duhej të kishte mungesë njerëzillëku nga natyra. Ai duhej të ishte pa parime në jetë, të ishte pa bindje të qëndrueshme morale, pa dinjitet, të mos kishte qartësi politike dhe si rrjedhim edhe pa ndjenjë kombëtare. Siç e thamë më sipër grupi i parë, “popullori”, që ishte dhe më masivi dmth nënkuptoheshin “skllevërit e kohës së re”, nuk arriti kurrë të njohë vetveten gjatë diktaturës, po ashtu edhe grupi i dytë, “kuadrot”, që i shërbyen qorrazi komunizmit, edhe këta dalngadalë u shndërruan në një skarcitet njerëzor, që edhe sot me qëndrimet e tyre konseguente, po çudisin Europën dhe mbarë botën.
Për të spjeguar më qartë se kush ishin kuadrot realisht, po e përshkruaj si më poshtë. Fillimisht ata nuk i kuptonin efektet e veprimeve të tyre, por me kalimin e kohës bënë ndonjë kurs apo shkollë partie dhe mendohej se kjo pak shkollë, që po e quajmë të tillë, mund t’ju mundësonte të mendonin diçka për punën e tyre që kryenin, pasi ajo shpesh ishte kriminale, megjithatë ata nuk reaguan kurrë, por përkundrazi ishin entuziast për atë llojë pune. Atyre iu ishte deformuar struktura e moralit dhe si rrjedhim iu ishte përçudnuar edhe karakteri dhe as që mund të mendonin se ndonjëherë me ndryshimin dhe kalimin e kohrave, mund të përballeshin me veten apo edhe me atë pak ndërgjegje, dhe kjo në rast se iu kishte mbetur nga jeta e tyre kriminale që kishin bërë dhe vazhdonin të bënin. Por më e çuditshmja është se ata mbetën gjithnjë krenar për rrugën kriminale që ndoqën dhe mbetën mbrojtës konseguent të asaj rruge dhe atyre pasojave që u mbollën shqiptarëve. Ata edhe sot për çudi justifikohen me gjak të ftohtë dhe indiferentizëm maksimal duke thënë: “se ajo kohë ishte dhe ato ligje ishin dhe ne nuk mund të dilnim kundër tyre, nuk ishim ligjvënësa por punonim me ndërgjegje dhe bindje duke zbatuar urdhërat e eprorëve”. Ndërsa më të “mënçurit” e këtyre “kuadrove”, dalin edhe me teorinë e tyre duke thënë se: “njeriu me mënd” është gjithmonë i adoptueshëm dhe i ndërron parimet e çdo gjë tjetër sipas rrethanave të kohës. Tërësisht krijesa komuniste me konseguenca të habitshme, të cilat e vërtetojnë më së miri që janë “Vepra monumentale të Partisë”. Këto fakte reale ende nuk njihen edhe sot plotësisht nga populli i thjeshtë, sepse historia është falsifikuar tërësisht. Besoj se në të ardhmen gjithçka do të shkruhet ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë, sepse ekzistojnë dokumente originale të dorës së parë nëpër arkiva ballkanike, europiane dhe botërore, që të imponojnë të shkruash dhe të tregosh të vërtetën historike, prandaj duhet të presim që të vijë ajo ditë.
Më poshtë dua të tregoj se si u përgatitën njerëzit që do të drejtonin këtë vend fatkeq në mënyrë revolucionare dhe “shkencore” pas fitores së “Revolucionit Popullor”, me objektiva të atilla suksesesh që nuk kishin të krahasuar. Për ta spjeguar më qartë këtë metodikë tragji – komike që u përdor, po përcjellë disa kujtime që mi kanë treguar mua personalisht me gojën e tyre disa kuadro – oficerë partizanë të asaj kohe, që më pas arritën objektivat e Partisë dhe u bënë drejtues të rëndësishëm të pushtetit komunist. Por duhet theksuar se këta pushtetarë komunist të asaj kohe, pas çlirimit të vëndit e kishin të qartë se e gjithë inteligjenca e atëhershme e përgatitur në Perëndim para vitit 1944, gëzonte personalitet, kishte një nivel kulturor e profesional shumë të lartë, gjithashtu njihej për ndjenjat e saj antikomuniste, por këto fakte dhe cilësi të tyre të cilat përbënin një rrezik potencial për sistemin e ri dhe “psenë” ata e dinin. Ky mendim për ta ishte një mentalitet i tyre që i shoqëroi gjithmonë. Komunistët e merrnin me mend se këta intelektualë me edukatë, prirje dhe iniciativa perëndimore “fatkeqësisht” ishin brumosur dhe formuar si nacionalistë të mirfilltë dhe ishin të bindur plotësisht, se ata në çdo rast nevoje kombëtare, ishin të gatshëm që për idealet e tyre të sakrifikonin edhe jetën për interesat e atdheut. Kjo ishte bindja komuniste e tyre absolute e cila në shumicën e rasteve, “fatkeqsisht” u ishte kultivuar që në fëmijëri nga familjet e tyre, sigurisht të pashkolluara e cila sillte natyrshëm një urrejtje klasore të pa argumentuar. Pra këto mentalitete të vjetra të këtyre kuadrove të hershme, binin në kundërshtim me ideologjinë e re komuniste, e cila kërkonte një lloj tjetër “patriotizmi”, dënonte “nacionalizmin primitiv” të tyre, dhe e zëvendësonte atë me Internacionalizmin proletar, që donte të thoshte se bota ishte i vetmi atdhe i të gjithë njerzimit. Prandaj nën një “kujdes të veçantë” prej komunistësh, kuadrot e vjetra u asgjesuan sistematikisht deri në shfarosjen e tyre të plotë për një kohë rekord, me mënyrat nga më monstruozet, dhe fatkeqsisht si burrat ashtu edhe gratë. Kjo fushatë krimesh të pashembullta ndaj tyre, ra në sy të popullit dhe krijoi keqardhje, por me kërbaçin e diktaturës u imponua heshtje. Asgjësimi i tyre u justifikua se ata ishin armiq aktivë, sabotatorë e kriminelë të vërtetë, kështu që iku dhe u shua ajka apo kollona vertebrale e Shqipërisë, e cila donte vite apo deri edhe shekuj për tu përgatitur.
Partia Komuniste duke patur parasysh situatën, që në vitet e para të çlirimit të vëndit 1945-1946, përpiloi menjëherë metodikën për krijimin e kuadrit të ri me “inteligjencën proletare” në krye. Sigurisht vendi i përgatitjes së tyre fillimisht do të ishte Jugosllavia, atdheu i ri i rekomanduar nga Bashkimi Sovjetik, e kështu menjëher u nisën në Serbi kontigjentet e para për “intelektual” me përbërje proletare.
Por për fat të keq, pa u mbushur 2 a 3 vjet dhe me “atdheun e ri” Jugosllavinë, u prishëm, sepse mardhëniet ndërmjet kësaj të fundit dhe Bashkimit Sovjetik ranë në nivelin e prishjes. Rrjedhimisht në mënyrë të rrufeshme u tërhoqën për të mos u infektuar studentët revolucionarë të cilët u dërguan ekspres në Bashkimin Sovjetik dhe në Demokracitë Popullore Lindore, ku sundonte komunizmi dhe njëkohësisht ishin edhe satelit besnik të Bashkimit Sovjetik. Kjo “hata” që ndodhi brënda kampit komunist në fakt i shkoi për shtat Enver Hoxhës dhe ishte shansi më i madh për të, sepse i erdhi pikërisht në kohën e duhur. Vetëm kjo prishje Jugosllavi – Bashkimi Sovjetik e bëri atë që të rrojë e të ruaj karrierën e tij edhe për disa dekada të tjera.
E. Hoxha e kishte dalluar me kohë që Marshalli Tito i pati dalë nga “qejfi” dhe priste ta zëvendësonte, ndërsa Tito tek udhëheqësi ynë “i madh”, kishte dalluar që herët mediokritet, mungesë të theksuar karakteri, etje të shfrenuar për karrierë etj, për këtë arsye kishte menduar ta zëvendësonte me një njeri më të përshtatshëm, dhe ky ishte teneqexhiu shumë injorant Koçi Xoxe.
Ndërrimi i padronit dhe i shtetit nga marrëveshja, që dihej Jugosllavia, kaluam direkt me Bashkimin Sovjetik. Ky veprim kaq i papritur u justifikua lehtë dhe nuk habiti njeri si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, pasi dihej botërisht se ishte sygjerimi i imponuar për ne nga Bashkimi Sovjetik, me arsyetimin se Jugosllavia tradhëtoi marksizëm – leninizmin, gjithashtu dihej botërisht pozita komanduese e Bashkimit Sovjetik, i cili në atë kohë ishte në krye të kampit socialist botëror. Sygjerimi Rus u zbatua rreptësisht me të gjitha rregullat që rridhnin nga ky ndryshim. Ndryshimi u duk edhe me revizionimin e kritereve të përzgjedhjes së elementit që duhej të vazhdonte studimet e larta për tu bërë kuadër drejtues me perspektivë. Këto sygjerime sidomos për kuadrin e ri u rekomanduan direkt nga Sovjetikët dhe kështu u veprua.
Po përshkruaj se çfarë më tregonte Bukurosh Peza, ish N/toger, partizan dhe më vonë pas studimeve, kryeinxhinier i Drejtorisë së Përgjithshme të Centraleve Elektrike dhe njëkohësisht Drejtor i Hidrocentralit “Karl – Marks”, i cili në atë kohë ishte burimi më i madh hidroenergjitik i vendit.
Ai ishte diplomuar në Leningrad si inxhinier elektrik, ndërsa unë isha shoferi i tij personal me autoveturë deri në Gusht 1959. Bukuroshi mburrej në atë kohë për sukseset e arritura nga Partia në çdo fushë të jetës, sidomos në atë ekonomike dhe më thoshte shpesh me shakanë (dialektin e tij) : “Nigjo or derr” – Lenini i modh ka thon: “Pushtet popullor Sovjetik + Elektrifikim = Komunizëm”… e… e… a e shef se ç’bojm ne komunisët? – pusho e mos bzoj mo..” (fliste me dialekt elbasani sepse ishte me origjinë nga Peqini). Burimi i gjith këtyre arritjeve jemi no komunistët ene nigjo muhabetin si u pregatitëm: Nji dit prej ditësh na thirrën në Komitetin e Partis shumë komandant të atëhershëm të luftës dhe na komunikuan se do të bënim një kurs dy mujor parapregatitor dhe pas këtij kursi do të shkonim për studime të nolta në Bashkimin e Madh Sovjetik. No ishim nji grup oficerësh të Ushtrisë Nacional – Çlirimtare me nivele të ndryshme arsimore, unë p.sh personalisht e lash shkollën normale të Elbasanit në semestrin e I.rë të vitit të II.të, sepse dolla partizan dhe me çlirimin e vendit u gradova Nëntoger. Shokët e mi të kursit ishin, dikush me nji klas të mesme, edhe atë në shumicën e rasteve të pambaruar ose me semi – matur, siç i thoshin atëher 7 vjeçares, biles kishte edhe me fillore. Mësimin e fillum me Profesor Babamustën dhe sa hyni ai në klas na përshëndeti dhe hoqi kapelen si oturak, që ju borgjezët i thoni kapele republike ose “borsalino”, ndërkoh më thotë shoku im i bankës Aspirant Sabri Bebeti: ky me kët kapele si tenxhere pa vegjë, po më duket tamom borgjez. Kushedi i thash, un nuk e njoh fare.
Ndërkoh, Profesori filloi ligjëratën duke na thën se më kanë folur shumë për ju, punonjës të ndryshëm që kanë lidhje me arsimin dhe administratën e seksionit të arsimit edhe të shkollës, biles për nivelin tuaj arsimor nga ku mësova se ka prej jush që para luftës kanë qenë në vitin e fundit para maturës, gjithashtu me vite të mbaruara por pa dhënë provimet e maturës, ose një vit para përfundimit të shkollës së mesme etj. Sidoqoftë, për të gjitha rastet që unë përmenda besoj që edhe ju jeni të mendimit dhe e pranoni se keni nevojë për rifreskim të dijeve apo edhe për ndonjë plotësim të ri se helbete. Për këto probleme mos u bëni fare merak sepse në objektivat që i kemi vënë vetes, së bashku do ti arrijmë me sukses dhe pas dy muajve do të jeni të gatshëm të shkoni për studime të larta universitare në vende të huaja. Nga ju kërkoj vetëm të na nderoni atje ku do të shkoni dhe jam i sigurt gjithashtu, se do ti arrini nivelet e duhura sepse më kanë bindur se ju jeni njerëz të sakrificave të mëdha. Ju thashë pak më parë që me mua do të bëni matematikën, por mbas bisedave dhe bindjeve të mia, duke u bazuar dhe në nivelin tuaj të rekomanduar, besoj se është mirë të fillojmë me një pasazh të shpejt që nga relacionet bazë të trigonometrisë, pastaj të bëjmë pak steriometri për t’u hedhur në kapitullin e fundit e përfundimtar tek integralet e derivatet. Atëherë pa humbur kohë fillojmë dhe shkruajti në dërrasë të zezë: “sin²alfa. cos²alfa = 1, ndërkoh aty për aty “hudhet” Sabriu dhe më thot: o Bukurosh, po ky “preng – gjyzel” na tha se do të bojm aritmetik, e ç’osht kjo që po shkrun, gjuh? – jo mor jo, i thash un mo i mençmi, më duket se osht aritmetik e nolt, që shof se sipër kosit ka ene nji 2 – të vogël, ene masnaita në fund ka nji barazim me 1, çudi e madhe osht. Lene, thot Sabriu, mos ia fut ene ti si…! Zoti se merr vesh kët punë! Nuk duroi më dhe u çu në komb dhe në formë deklamative tha: “or profesor, ti na the se do të na bojshe aritmetik, ç’osht kjo që po shkrun në tabel, gjuh? apo çere osht? Profesori iu përgjigj: jo more zoti oficer, kjo është pikërisht matematika që ju duhet. – Or profesor, i thotë përsëri Sabriu: “A do të na mësosh aritmetik apo jo”? – Ai i shkreti iu përgjigj: Po, unë për këtë kam ardhur, t’ju rifreskoj dijet dhe jam plotësisht në dispozicionin tuaj. – Atëhernaj nigjo, i thot Sabriu: Po je për no, fillo menjëher si revolucionar te thysat. Atëherë i shkreti Babamusta shtangu në vend, por u duk se menjëher e mblodhi veten dhe iu përgjigj aty për aty: Si urdhëron zoti oficer! Atëherë Sabriu flak për flak dhe me nervozitet iu drejtua rishtazi: unë nuk jam “zoti oficer” por jam “shoku oficer” dhe mos më ofendo ma me më thon “zotni”, sepse no luftum me i çfaros zotnilerët e për t’u bo t’gjith njisoj, shok të gjith, a e mure vesht? Çudi e modhe me këta. Atëher ai mbeti për një fare kohe totalisht i deziluzionuar dhe gjithë pikëllim pa i dhënë asnjë përgjigje, u kthye nga dërrasa e zezë dhe filloi: “ma i vogli shumfish i përbashkët” dhe kështu vazhdoi më tej. Mbaruan dy muajt e kursit dhe çëfështi priher në Bashkimin e Madh Sovjetik. Po zgjerohem pak te figura e Bukuroshit. Në fund të vitit 1959 – 1960 Bukurosh Peza bëri vetëvrasje duke u vetëmbytur në digën e Hidrocentralit në Ulëz, për të vetmen arsye se nuk iu bind urdhërit të Partisë që të bënte sakrificën sublime për hir të nevojave jetike të Partis – Shtet që ju paraqitën në ato momente kritike atdheut! Partia “mëma e tij” i kërkoi Bukuroshit që të pranonte se ishte anëtar i një grupi inegzistent dhe imagjinar me kryetar Kundër – admiralin Çam Teme Sejkon në shërbim spiunazhi për llogari të Bashkimit Sovjetik dhe imperializmit amerikan nëpërmjet Greqisë dhe satelitëve të tyre në dëm të Shqipërisë. Për ç’ka iu kërkua, ai nuk duhet ta diskutonte në asnjë mënyrë sepse ishte betuar kur kishte hyrë në Parti që për nevoja supreme të saj, ai duhet të jepte edhe jetën. Pasi Partia të kryente nevojat e domosdoshme, ai do të “rehabilitohej” me leverdi për të. Por “fatkeqsisht” ai e shkeli betimin sepse imagjinoi fundin e këtij akti, duke patur parasysh paraardhësit e tjerë komunist si e kishin pësuar ata vet, familjet e tyre dhe deri tek farefisi. Ai e mendoi të vriste veten për të shpëtuar të tjerët. Ai duke e nuhatur lojën e rrezikshme, e nisi gruan sovjetike bashkë me vajzën në Bashkimin Sovjetik dhe pastaj u vetvra. Pas kësaj vetvrasje motivi u kamuflua ashtu si e deshi Partia, por në fakt mbeti i errët derisa u harrua. Këto që sipërshkrova i tregova për tu njohur realisht dhe pa asnjë zbukurim me situatën reale të atëhershme dhe me lojrat që bënte ajo Parti pa asnjë lloj mëshire edhe me bijtë e saj kur ia donte interesi.
Ja se ç’thoshte Bukurosh Peza për periudhën e studimeve universitare: Aty na gjeti belaja për të mësuar gjuhën e vështirë Ruse, ene mas dy vjetësh erdhëm në nivel njohje “zapa-capa”. Kjo ishte gjenja jonë realisht e megjithatë “inteligjenca jonë” boni atë që mbas kësaj periudhe dy vjeçare, të ishim diçka në gjenje të nigjonim leksionet universitare siç thoshte me tallje Sabriu. Por nigjo or Xhavit e maje vath në vesh: s’ka objektiv që nuk arrijm ne komunistët, për këtë duhet të bindesh ti ene kush na nënvleftëson. Megjithse vështirësit ishin të shumta, u qetsum kur morëm haberin në organizatën e Partisë se Qeveria Sovjetike ja u kishte mbledh e bo “8 me 2” profesorëve burokrat e skolastik, siç i thojshin personelit mësimor të universitetit, se ne mrena 4 viteve, maksimumi 4 vjet e nji 3-mujor, duhej të diplomoheshim 100% simbas degëve që vazhdonim, sepse atdheu ynë në radh të parë dhe kampi socialist kishin nevoj imediate për “kaptinat tona”, ne ishim kuadrot e para të revolucionit dhe po ne, do të drejtonim shtetin e ri socialist drejt komunizmit, e “luj po deshe”! E kujt ja mate të bote ndryshe? Ene atje nji far soj si këtu ke ne ishte, ma keq biles në ca aspekte. Nuk mund ta mohojm se të vret zoti ndihmën e madhe që na dhanë asistentet femra të profesorëve pleq rus. Ato ishin vajza të reja e të bukura, por fatkeq-mirsisht për ne qëlloi që në atë kohë kishte defiçit meshkujsh, sepse ata të shkretët ishin vrarë për ideale të larta në luftën “patriotike” (kështu i thoshin Luftës së Dytë Botërore), rrjedhimisht no u detyruam t’i zëvendësonim ata të shkretët. Sipas atyne femrave, neve ishim brum simpatik, të nxeht e të lezeçëm, apo nuk ishim ene ezmer-gjyzel. Vallahi them, kështu ene ato na ndihmun deri në përkrahjen e dukshme që patëm nga profesorët direkt, për shkak të tyre. Natyrisht puna jonë në radh të parë, masnaj përpjekjet e të gjith personelit mësimor të universitetit për të na mësuar, pa nënvleftësuar rekomandimet dhe ndihmën e Partisë Bolshevike të Leninit shum të madh, u bom të aft që të ecim të pavarur në rrugën drejt shkencës së madhe socialiste. Si përfundim mas 4-vjetësh rrumullak u diplomum nëpër degët përkatëse. – E mrena këtyne 4 – vjetve përfshiheshin edhe 2 – vjetët që mësuat gjuhën? – Si e arritët këtë sukses? – e pyes unë. Ai tha se “inteligjenca” jonë na boni që të mos ndjejmë asnjë penges për të rrezikuar zgjatjen e afatit kohor, sepse plus inteligjencës punum edhe me hov të madh revolucionar të papam ndonjëherë. Kështu që murëm diplomat që ç’ke me të, ose siç i thoni ju borgjezët, na lauruan, isoj osht. Në përfundim të studimeve Rektorati na këshilloi ndërmjet të tjerave, se edhe pas diplomimit duhej që në mënyrë personale të vazhdonim të studionim sepse helbete mund të na kishte shpëtuar “ndonjë gjë e vogël” pa e kapur, dhe se edhe shkenca gjithashtu ishte në zhvillim të vazhdushëm, kështu që asnjëherë nuk duhej të ndërprisnim studimin pasi shkolla e vërtetë ishte vetë jeta nën drejtimin e Partisë. Sot p.sh un dhe shokët e mi, po e marrim vesh se sa boshllëqe mbartëm nga shkolla ruse, por na ndihmoi fati që hapëm Institutet e para këtu në Shqipëri, si biçim universiteti, edhe ne natyrisht u bom pedagogët apo profesorët e parë, kështu që krahas mësimdhënies, na u ngarkua edhe detyra të bojshim edhe tekstet mësimore sepse ato nuk ekzistonin për rangun universitar, natyrisht për eksperiencën tonë të dobët ishte e natyrshme që ne do të përkthenim edhe do të përshtateshim me “veprat” tona shkencore nga gjuha ruse, por von e kena kuptu se bërja e teksteve na dha mundësin që të mësojshim ne të parët “pedagogët partizan”, masanejta studentët tanë rrypa. Vallahi me thon të drejtën ene shteti jon nuk mbeti mbrapa, mendoi të na inkurajoj dhe të na japi personalitet shkencor me stimuj të shkëlqyer, na u akorduan grada të larta shkencore, si Aspirant, Docent, Doktor Profesor, Profesor, Bashkëpuntor shkencor etj. Në këtë vlersim influenconte në radhë të parë kontributi që dhamë në luftë dhe më kryesorja besnikëria ndaj Partisë. Ho pra o “këlysh beu” a e shef se sa të zot jemi mor? – dhe a e menon ti i mençmi dynjas se mund të vij një ditë që studentët tanë që s’jan veçse gamor, të bohen në të ardhmen ma të zot se no dhe të na nëpërkëmbin personalitetin tonë ashtu si bomë ne me “tët’at”?. Kurrën e kurrës nuk bo vaki kjo gjo se Partia jon s’ thon kot “osht shkëmb graniti” dhe nuk kan çfar ti bojn gërvishtjet e erës, se vallahi me ndodh e kundërta, ja hekim vetes me “gisht të komës”. Nji kshu e pru jeta o bir beu, ti të bohesh shofer i imi dhe un drejtori jot, ene me grad shkencore biles. Veç nji gjo du t’them, që ne vërtet u bom profesora universiteti, por ama asistentet tona i administrojmë vet, jo si në Rusi. Ene ktu nji kshu fillum prodhimin e inteligjencës popullore, prodhim veni me prejardhje koperativiste apo proletare që shum shpejt keni për t’ja pa hajrin, si ne sot ene kalamajt tan në të ardhmen, ata nuk jan veç se …!
Ky ishte i përmbledhur tregimi i paharruar dhe largpamës i mikut dhe shokut tim Bukurosh Peza i cili hiku si cjapi te kasapi nga Partia që e lindi, e rriti, e edukoi me mësimet e saj dhe e hëngri në fund sipas zakonit komunist.
Në këtë mënyrë lindën kualitetet, vërshyen inxhinierët, farmacistët, dentistët, agronomët, fizikantët, gjuhëtarët e deri tek disa specialitete specifike “pak” të rëndësishme për vendin tonë si psh drejtësia apo ekonomia. Të bazuar në këtë llogjik marksiste – leniniste kohëzgjatja në këto dy fakultete ishte më e reduktuar se në degët e tjera, fillimisht u bë tre vjet në perspektivë për tu reduktuar në dy vjet e jo si fakultetet e tjera nga 4 – 5 vjet. Ky konkluzion për këto dy fakultete ishte llogjikë e pastër komuniste, kjo ndodhte për arsye se specifika e vendit tonë ndryshonte nga bota kryekëput, populli shqiptar nën ndikimin dhe edukimin atëror të Partisë, tashmë ishte kthyer në një popull tërësisht militant. Këto veti të “shkëlqyera” i përmendëm edhe më lart, ai tashmë ishte kthyer dhe kishte marrë formën e veçantë si “njeri i Partisë ” me një horizont të paimagjinueshëm për t’u krahasuar me popujt e tjerë të botës. Ky formim i veçantë garantonte matematikisht një imunitet absolut nga gabimet njerzore. Pikërisht për këtë supremaci mbar popullore, merita i takonte Partisë për kujdesin e vazhdueshëm e atëror që ushtronte mbi këtë popull, jo vetëm në rrjedhën e viteve në vazhdim, por edhe në çdo çast të jetës së përditshme. Ky ishte mendimi i çdo komunisti shqiptar. Meritë tjetër e padiskutueshme për këto rezultate shumë të larta i takonte edhe Sigurimit të Shtetit i cili e ndiqte individin dhe familjen në çdo çast e kudo. Po kaq i rëndësishëm për këtë popull të “lumtur” ose më mirë fatkeq, ishte dhe “puna shkencore” që bëhej për përgatitjen fizike mbarëpopullore. Shqiptari duhej të ishte më i forti fizikisht nga të gjithë popujt e botës, sepse vetëm në saj të kësaj force mund të realizoheshin edhe objektivat për mbrojtjen e Atdheut. Ky objektiv fizik u arrit se u mor për bazë eksperienca kineze dhe koreano – veriore. Në bazë të studimeve “partiake – shkencore – mjeksore” të mirfillta, Partia vendosi që populli të mos përdorte mishin, yndyrnat, bulmetin, ëmbëlsirat, kafen, etj, për të evituar sëmundjet e natyrës kapitaliste si: sklerozën, yndyrnat në gjak, mbipesha, etj. Rruga e shpëtimit u gjet për mrekulli, parimi komunist që predikon “barazim ndërmjet njerzve”, ishte ilaçi më i mirë për shëndetin. Filloi përdorimi i tollonave, triskave e shumë gjëra të tjera të kësaj natyre. Sistemi i triskave psh për anën e ushqimit përcaktonte egzakt sasinë që duhej konsumuar por edhe cilësinë, p.sh kafeja e Brazilit u zëvendësua me kafe Elbi, gjalpi me margarin, qumështi i lopës me qumshtin pluhur, etj. Kryeministri, shoku Mehmet Shehu “me shumë të drejtë” tha që duke patur parasysh edhe situatën ndërkombëtare që vinte era luftë, duhej të reduktonim shpenzimet e panevojshme që të forconim buxhetin e shtetit, dhe ne si popull mund të hanim edhe bar, sepse bari përveç zhdërvjelltësisë trupore, të rrit edhe cilësitë mendore, dhe nuk do të kemi më bullafiqër por konstrukt atletik të ngjashëm me “fizikun kinez”!
Kjo llojë jetese shumë e kontrolluar nga Partia dhe levat e saj, me këto masa të detyruara si përgjimet, spiunimet e shumë detyrime të tjera të kësaj natyre të cilat ishin perfeksionuar dhe ngritur në nivele të paimagjinueshme, me të vërtetë e transformoi njeriun shqiptar shumë keq. Atij i kishte humbur çdo gjë njerzore, i mbyllur në vetvete, pa asnjë reagim, i dëshpëruar në kulm simos më keq, asnjë nuk ishte i sigurt për të nesërmen. Po tregoj pa asnjë shtesë se si ishte organizuar “kujdesi dhe karantina” nëpër lagje, mëhalla apo edhe në ambjentet më të vogla kolektive të banimit. Ju brezat e ardhshëm nëse doni të talleni me ne, në doni t’ju vij keq për ne, por ja kështu u imponuam me forcë, me terror e me urrejtje dhe në rast se nuk vepronim dhe jetonim siç ishin rregullat e tmerrshme e të vendosura nga komunistët, e biles më e keqja ishte se po ne duhej të paraqiteshim të “lumtur e të gëzuar”, ndryshe të priste burgu e internimi familjar.
Për t’ju njohur më qartë po përshkruaj merimangën e Sigurimit të Shtetit që vepronte që në hallkën e parë të jetës, që në familje. Në çdo pallat kishte nga një rezident sigurimi “vullnetar” i cili kishte për detyrë të raportonte me përpikmëri dhe me përgjegjësi për jetën që bënte çdo banor apo familje e shkallëve që ai kishte në patronazh. Kërkesat apo detyrat që ky duhet të formulonte për t’i raportuar ishin komplekse, ndër to psh kërkohej: kush hynte e dilte te këta banorë, kush nuk shkonte në punë dhe pse, kush ishte niveli ekonomik i çdo familjeje dhe a përputhej ai nivel me të ardhurat familjare që merrte ajo familje në rrugë shtetërore, a mos bënte ndonjë pjestar i familjes përpjekje dhe tentativë për të sajuar pajisje të tipit “antenë” për të parë apo dëgjuar stacione të parekomanduara nga Partia në radio apo television, a i frekuentonte në rregull mbledhjet e ndryshme politike që organizoheshin nga Fronti Demokratik apo si motrat e tij në lagjen ku jetonte, si manifestohej në shoqëri gjëndja shpirtërore e secilit? etj. Këto të dhëna ky i raportonte më lart, konkretisht tek operativi i caktuar i zonës që mbulonte edhe atë pallat. Kjo metodologji komuniste që përfshihej në kuadrin e “kujdesit atëror” të Partisë, bëri siç e thamë më lart që gabimet njerzore të zakonshme që ndodhin në të gjithë popujt e botës, të reduktoheshin në maksimum dhe biles në tendencë që të shkonin drejt zeros.
Ky realitet i ri dhe unikal në botë, e bëri të panevojshëm egzistencën e të gjitha strukturave klasike të nivelit të lartë, si psh në Drejtësi u pa e nevojshme dhe u suprimua Ministria e Drejtësisë, u hoqën avokatët dhe u morën masa të tjera të kësaj natyre. Të gjitha miniproblemet që lindnin, zgjidheshin fare lehtë nëpër kolektivat e lagjeve, brigadat kooperativiste apo qendrat e punës dhe të prodhimit. Po kështu edhe drejtimi i ekonomisë kombëtare mori një masivizim gjithëpopullor. Planet e zhvillimit perspektiv të vendit i bënin vet masat e gjëra të popullit në bazë, dmth nëpër kolektivat e punës apo nëpër brigadat bujqësore – kooperativiste, repartet ushtarake etj. Objektivat e Partisë veç mirqënies së popullit shqiptar, shikonin edhe më larg, ato konsistonin edhe në një plan tjetër, ndoshta edhe më të rëndësishëm dhe me vlera të larta ndërkombëtare. Partia po përgatiste popullin tonë për të qënë në pararojë të udhëheqjes që do të drejtonte Revolucionin Proletar Botëror. Prandaj në funksion të këtij qëllimi të madh, Partia filloi të adoptoj edhe këtu në Shqipëri eksperiencat më të mira të kampit të mbetur socialist. Mirëpo e keqja ishte se në anën tonë ose të vetmit në botë që po ndërtonim komunizmin e vërtet, dmth ashtu si na shkonte dhe na pëlqente ne, ishte vetëm Kina e Mao-Ce Dunit, po për fat të keq edhe ajo ishte në amulli të plotë për vete, “komunizmi apo shkenca e fukarallëkut” i prodhonte vetë këto halle dhe ata nuk kishin nga t’ia mbanin tjetër, prandaj ata u lidhën me ne dhe ne me ata dhe si rrjedhim edhe ne jetuam si ata! Kjo lidhje e re bëri që komunizmi në Shqipëri të mos ngordhte që në vitin 1960 së paku vit që “tradhëtoi” Bashkimi Sovjetik, por të mbijetonte më gjatë. Fatkeqësia më e madhe për ne ishte, kur Kina mori përsipër të përballonte të gjitha kompesimet monetare që rridhnin nga defiçiti në buxhetin e shtetit, meqënëse ekonomia jonë kombëtare dihej që ishte në pozita të vazhdueshme defiçitare, sepse punohej totalisht me humbje e jo me rentabilitet.
Një faktor tjetër që i rëndonte shpenzimet pa asnjë kriter të drejtë të cilat kalonin edhe kufijt e mbishpenzimeve, ishin fondet absurde që harxhoeshin nëpër botë, gjoja për të përhapur marksizëm-leninizmin, pa llogaritur pastaj shpenzimet marramendëse që bëheshin për ndërtimin e mijra bunkerëve prej beton-arme për tu mbrojtur nga “sulmet” e armiqve që nuk i identifikuam kurrë. Kjo e mallkuar “ndihmë kineze” motivohej nga kinezët si ndihmë vëllazërore dhe internacionaliste për arritjen e Revolucionit Botëror. Çdo gjë apo “marri” kineze u bë e detyruar për të gjithë popullin për ta zbatuar këtu. Ky ishte urdhër i prerë Partie për tu zbatuar me besnikërinë më të madhe. Kinezët kultivuan në Shqipëri shumë zakone të tyre sidomos atë “yryshin kafshëror e djallëzor aziatik”, gjë që i interesonte Partisë sonë. Revolucioni i “madh” kulturor kinez i dha edhe këtu efektet e veta “pozitive”, psh ristrukturimi i sistemit drejtues shtetëror sipas stilit të tyre kinez, bëri që edhe në vendin tonë të ndodhnin gjëra të paimagjinueshme deri atëher, psh analfabetët apo gjysëmanalfabetët punëtorë të inkluduar nëpër grupe të quajtura “kontrolli punëtor”, shkonin nëpër universitete të ndryshme të vendit dhe kontrollonin përmbajtjen e teksteve mësimore dhe programet e zhvillimit të mësimeve, metodikat e mësimdhënies etj. Pasi u bënin vërejtje “shkenctarët” mësimdhënies mbanin shënime për të realizuar në të ardhmen vërejtjet e “arta” të inspektorëve proletarë. U shpall dhe u realizua lëvizja për shkatërrimin e “burokracisë” për të gjitha instancat administrative shtetërore që nga baza e deri në majën e piramidës, u ngritën në përgjegjësi të larta kategoria më injorante e shoqërisë shqiptare dhe zunë vende që nga Byroja Politike, Kryeministria e kudo tjetër deri në bazë poshtë. Jeta e çdo njeriu mbeti në dorën e brigadierit apo shefit të kuadrit i cili kishte kryer në të shumtën e rasteve vetëm 8 vjeçaren natën ose shumë – shumë shkollën e Partisë e cila ekuivalentohej me universitetet shqiptare.
Psikologjia e nënshtrimit ishte tipari kryesor i moralit komunist. Dallohej në popull një urtësi e shtirur pa asnjë lloj kurajoje civile, në këtë urtësi apo fshehtësi të shtirur gjithpopullore, me siguri kishte influencuar edhe ushqimi i pamjaftueshëm dhe jo cilësor që përdorej sepse ai ishte pa vitamina e kalori dhe i përsëritur gjithnjë në llojin e tij, si psh oriz, presh, spinaq, lakra, rrepa, panxhar etj dhe sinqerisht kishim filluar dhe të zverdheshim si kinez të vërtet. Ishte më se e vërtetë që populli kishte filluar të ndjente një rënie të forcave fizike, por për çudi qeveritarët e asaj kohe jo vetëm që nuk e pranonin një gjë të tillë, por e quanin propagandë armiqësore sepse për ata ishte e kundërta, shëndeti popullor ishte në rritje të vazhdueshme, prandaj rekomandonin që të gjithë punonjësit e çdo kategorie, përpara se të fillonin punën, në formë demonstrative “alla kinezçe” të bënin ushtrime fiskulture të organizuara në grupe përpara vëndeve të punës. Kjo ishte e detyruar që nga punonjësit e Kryeministrisë, Komitetit Qëndror e deri tek metalurgu, kovaçi, fonditori që punonin të sforcuar e me krahë gjatë gjithë ditës, me hallet që kishin nëpër familje dhe me atë ushqim të dobët që thamë. Pra marrëzia popullore me gjithë derivatet e saj si psh mungesa e dinjitetit, servilizmi, dallkaukllëku kishin arritur kulmet. Ja pra ka një infinit gjërash të tilla dhe prandaj mund të themi pa ndrojtje se, Komunizmi për një periudhë 40 – 50 vjeçare shkatërroi dhe budallepsi një popull apo komb të tërë.
Mungesa e lirisë, demokracisë, ndrydhja e vazhdueshme, ankthi i përhershëm, varfëria e tejskajshme e kishin bërë të vetën në depersonalizimin e një populli të tërë, aq sa kishte filluar një rënie graduale e nivelit psikologjik popullor. Arti i të menduarit ndryshe dhe i të shprehurit në të kundërt të mendimit për një kohë kaq të gjatë, ishte perfeksionuar ose shkrirë tek njeriu shqiptar në nivel të atillë që e kishte mundur përfundimisht karakterin e gjithkujt, kështu që ai llojë njeriu pësoi një transformim të tillë që mendonte dhe besonte, madje dhe e çmonte të kundërtën e interesave të tij. Kjo është kaq e vërtetë, sa në atë kohë kishte shumë njerëz që prisnin fitoren e komunizmit që të hanin me lugë floriri dhe të shpenzonin për të jetuar aq sa donin apo kishin nevojë. Të vinte shumë çudi kur përdorej dhe besohej nga shqiptarët se vendi ynë Shqipëria ishte feneri ndriçues i Europës, kur dihet që efekti ndriçues i një feneri është vetëm disa metra. Pra mund të themi me keqardhje sot se të gjithëve na u imponua dhe fitoi mbi ne ai sistem apo ai kancer i kuq. Çudia ishte dhe për vet komunistët në atë sistem të mallkuar. Rreth viteve 1951 – 1952 filluan të vijnë të parat kuadro me përbërje safi komuniste nga lindja po komuniste për të filluar punë në atdheun e tyre, pak më vonë filluan të dalin edhe ato të vendit nga Institutet tona të larta që më vonë u emetuan Universitete shqiptare dhe dihej që këto kuadro u përkisnin shtresave të “pastra” e të reja. Ata ishin bij punëtorësh dhe fshatarësh kooperativistë apo dhe bij luftëtarësh të Ushtrisë Nacional – Çlirimtare, dmth njerëz të ditës ose të së ardhmes.
Megjithë prejardhjen që garantonte për besnikëri, edhe këtyre nuk ju besua shumë për arsyen e vetme sepse mendohej se rritja e nivelit kulturor, të ulte “kualitetin revolucionar”, pra ishin në përpjestim të zhdrejtë. Prandaj me bazë këtë bindje, Partia e tyre mori masa të menjëhershme. Kur këta fillonin punë, viheshin menjëherë në vartësi të drejtuesve po komunist, por analfabet apo gjysëm analfabet, sepse mendohej që këta ishin komunistët më fanatikë dhe të arsimuarit duke qënë nën vartësi të tyre, ishin nën një kontroll të vazhdueshëm, kjo praktikë i “kaliste” ata më mirë edhe për të ardhmen. Kjo metodologji u përgjithësua, p.sh militanti komunist injorant u bë “Drejtor”, ndërsa kuadri i lartë i ri po komunist u vu pranë tij por me një detyrë të një grade më të ulët, si psh, shef plani, shef llogarie, kryeinxhinier, por kurrë “Drejtor”. Vënia në jetë e kësaj metode u trumbetua si shumë e suksesshme psh për ndërtimin e Hidrocentralit në Ulëz, që ishte edhe kantieri më i madh dhe më i rëndësishëm i asaj kohe, u mor një grup i madh minatorësh komunist totalisht fare pa nivel, të pashkolluar, por me “lavdi në punë dhe në luftë”, duke i bërë Drejtorët më të rëndësishëm të asaj ndërmarrje ndërtimi, si psh. Drejtor i madh u bë tekniku Rrahman Hanku, pastaj të famshmit minatorë “luani i tuneleve” Sali Vata, Kadri Metallari, Sabri Shimi, Musa Dani etj. por ju lutem të më besoni totalisht se e kam jetuar vet pranë tyre këtë histori që po tregoj, pa kurrfar zbukurimi dhe që të bënë të vësh duart në kokë, të qash apo të qeshësh, këtë gjykojeni vet.
Nga ky mikro tregim mund të kuptoni dhe të nxirrni konkluzionet e nevojshme se kush drejtonte konkretisht kantierin më të madh e të rëndësishëm në Ulëz, i cili më vonë për munges të dukshme dhe të qëndrueshme në kulturë, në profesion apo në dije ekonomike, u bë Drejtor karriere për shumë vite. Shoku Enver Hoxha niset për në Moskë me një delegacion të madh Partie për të festuar ditët përkujtimore të “Tetorit të Madh”. Në këtë delegacion bënte pjesë edhe shoku K. Metallari, Drejtor i fabrikës së I-rë të betonit në Ulëz dhe në Shqipëri, me kapacitet të paparë ndonjëherë në vendin tonë. Shoku Kadri i cili është dhe objektivi kryesor i këtij minitregimi, pas vizitës historike kthehet në Ulëz, por tani ai shihej me një kuriozitet të madh nga të gjithë punonjësit e Hidrocentralit, dikush i buzëqeshte duke u përulur, dikush e përshëndeste me një admirim të neveritshëm e gjithë servilizëm, dikush kërkonte ndonjë kontakt të mundshëm personal apo kolektiv, për të dëgjuar direkt për “mrekullit” që kishte parë dhe kishte jetuar gjatë atyre ditëve të paharruara me komandantin “Enver Hoxha” direkt. Kadriut po i luante mendja dhe shprehej gjithkund nëpër ambjentet e tij shoqërore shumë i prekur (me dialektin e tij të rëndë nga krahinat e Kukësit), që po e përshkruaj: “Or ti, un dhet dit nejta me komandantin dhe të xhith po më shofin e po mrekullohen me mue dhe biles po më urojn xhith ditën e natën, nixho s’po e marri vesht, veç ka met me më bo të shejt. Po, po, lum ato çi punojn prej vitesh me to, si lu menia e kres atyne aqe, pu, pu…”. Në rrethe të ngushta apo mbledhje të organizuara për këtë qëllim, Kadriu fliste për përshtypjet e vizitës së lumtur, si edhe për mrekullitë e Bashkimit Sovjetik. Ai vazhdonte : “Lum e lum no, nimi herit çi shoku Enver na lidhi me to, me e dit se çfar osht Bashkimi i madh Sovjetik, ty e mue e të xhithve ktu, na lu menia e kres. Po po për ideal t’Partis se t’rrej, tamam tamam nishtu osht si po themi une.” Po kështu më ka mbetur në mëndje dhe një tregim i tij që po e përshkruaj egzakt: “kur na çun me hongër buk për drek, në ni kapanon çi nuk ta kapte sini fundin, në “Kriemlin” i thojshin çati venit, e u ulëm në ni tavolin tri her ma t’gjat se Drejtoria e jon ku punon shoku Rr. Hanku, e shtrume me lloj.lloj gjellnash e pije, or ti, të lunte menia kres kur shifje në mes të tavolinës, hip në ni govat xhami të bardh me lloj.lloj bojnash e vizatime lulesh, (duket ishte ndonjë pjatanc e madhe), ni derr a derrkuc, se mura vesht, në kam i pjekur ishte, e me di si që i ndrisnin flak pa ju djeg fare, veç me fol i kishte met çati derrkuci t’pjek. Pa le, pa le, po të shifje borën, akllin e tufanin nga penxherja të hynte hataja, po a di?… pash aty në tavolin të bukës, na kishin vu ene domate t’freskta flak të kuqe me i hongër no, si domatet tona që bohen n’korrik. Për ideal t’Partis se ju rrej, e çfar t’ju tregoj tjetër. Pra e di un, që ju do thoni që për kto mrekulli që paske pa, e çi ta kan shtru deng, e paske hongër boll e qeke knaq. Po ju them se për ideal t’Partis kurr nisen nuk e kam vu n’goj, – po pse? – e pyetën shokët që po e dëgjonin të habitur. Si more pse? – po a të shkon menia me hongër buk kur nalt në tavan të kapanonit, të rri si virane ni drit e madhe (abazhur) sa ni skod me rimorkjo me nja nimij llampa t.nezme flak, e lidhme me litar var mi kry, çi po të kputej, përshesh na bojke t’xhithve, dekun na lente, e të rrnoft e hangmja, po si. Aaa-aa – tani e murëm vesht se koke prish (shqetsuar), paske pas hak – i thanë shokët që po e dëgjonin. Jo, jo nuk të hapet goja tamam, – ho pra, thot – Kadriu duke qeshur!
Zakonisht kështu mbylleshin tregimet e shokut K. Metallari. Hajde pra gjyko efektivitetin e tyre në punë. Ata ishin injorantë të plotë, imagjino pastaj që ky kualitet njerëzish komunistë, të të kenë edhe jetën në dorë e të varesh për çdo gjë prej tyre. Prandaj komunizmi dikur do të dështonte me këta drejtues apo kuadro që ishin vënë në krye të punës dhe jetës shqiptare. E thamë edhe më lart se qëllimi Rusisë Sovjetike ishte që brenda një brezi apo maksimumi dy breza, ajo ta shtrinte pushtetin sovjetik në të gjithë botën së bashku me sundimin e tiranin e saj. E cilësuam qartë edhe më lart që praktika që përdorte pseudo Perandoria Ruse për të sunduar si brenda saj dhe në shtetet që kishte shtrirë influencën e vet, bazohej tek shpirti i egër aziatik edhe tek yryshi kafshëror i stepës Ruse kryesisht.
Të gjithë kategorit e njerzve deri te kuadrot e të gjitha niveleve shtetërore dhe partiake që punonin për të mbajtur këtë sistem komunisto – bolshevik, iu nënshtruan me dashje apo pa dashje, praktikave dhe rregullave që praktikisht ishin nga më barbarët të cilat mbërrinin deri në zhdukjen e tyre fizike. Një nga këto veçori “speciale” të këtij sistemi auto – vrasës, ishte eliminimi periodik i njëri-tjetrit po nga rradhët e veta dhe kjo ndodhte sepse ekzistonte një ligj i pashkruar që në kohën e revolucionit proletar Rus, që ata që shërbenin në krye të këtyre punëve e deri në bazë duhet gjithnjë të ishin kontigjente të freskëta njerzish. Ky rregull ishte për arsye sepse gjatë punës “fisnike” që ata kryenin, fatkeqësisht ishin bërë “arkiv” dijesh që kalonte kufirin e garancisë së besimit, prandaj ishin detyruar të vdisnin të vrarë nga shokët e tyre të zanatit të drejtuar nga Partia e tyre “mëmë” dhe me etiketa dhe motivacione nga më absurde, si spiun, agjent, poliagjent, etj. Kjo metodologji shumë efektive gjithmonë u etiketua si, “Masa për forcimin e Partisë”!