Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Gudha: Ndodh edhe kështu!…

  1. Në restorant


Morali dhe ligji

Ankogu (mjek pediatër) dhe Beneti (mjek kirurg, zezak) ishin të dy mjekë në spitalin universitar të kryeqytetit. Pas një dite të lodhshme pune lanë takim për të drekuar në restorantin afër spitalit.
Pasi këmbyen përshëndetjet, u ulën, porositën menunë dhe, duke drekuar, i thoshin njëri-tjetrit se, sa të lodhur dukeshin dhe mendonin se, sa vjet jetë do t’u shkurtonte ky orar pune.
Pranë tyre ndodhej një tavolinë e madhe me njerëz të zhurmshëm e gazmorë, që kishin festë familjare.
Në krye të tavolinës ishte një burrë rrumbullak e tullac, që po tregonte anekdota me zë të lartë, duke u vënë në qendër, jo vetëm të tavolinës, por dhe të gjithë restorantit.
Pastaj trashaluqi bëri një propozim befasues:

– Kush vë bast se mund ta shkojë poshtë të tërë roston me një të gëlltitur?

– Nuk ka mundësi, Karlo, – foli një nga të afërmit meshkuj. – As një kalë nuk e ha dot.
Karlo me krenari thotë:

– Vë 100 dollarë bast që, mund ta gëlltis roston e viçit përnjëherësh.
Pati duartrokitje dhe thirrje inkurajuese nga çdo tryezë e restorantit, përveç asaj të mjekëve.
Për një çast turma heshti dhe tensioni u rrit…

Pas pak, burri ndodhej në prag të vdekjes. Gryka e tij qe bllokuar krejt nga rostoja dhe, nuk po mbushej dot me frymë. Sakaq, fytyra po i merrte ngjyrë blu.
Të dy mjekët, Ankogu dhe Beneti (mjeku zezak) reaguan instinktivisht, duke shkuar menjëherë për ndihmë tek burri i asfiksuar.
Beneti i tha Ankogut: – Manovra Hajmlik!
Beneti dhe Ankogu me shpejtësi kryen manovrën Hajmlik për të liruar rrugët e frymëmarrjes, duke përdorur duart dhe krahët për të aplikuar një seri presionesh të shpejta dhe të thella në zonën e barkut të burrit të asfiksuar.
Ankogu filloi të aplikonte teknikën standard për heqjen e një trupi të huaj nga ku pengohet futja e ajrit në mushkëri. Nuk pati sukses, pasi vendkalimi i ajrit (trakea) ishte e bllokuar keq.
Beneti, si kirurg, e dinte lëvizjen e rradhës, duke i thënë Ankogut: Trakeotomi!
Beneti rrëmbeu një thikë bifteku të një tryeze afër, u ul në gjunjë dhe, e nguli majën e thikës në fund të grykës së viktimës. Nga çarja shpërtheu gjaku…
Beneti me shpejtësi rrëmbeu stilolapsin nga xhepi i bluzës së kamarierit, e theu në dy copa, hoqi rezervën e bojës dhe, cilindrin e jashtëm në formë tubi e futi menjëherë te prerja, për ta mbajtur hapur kalimin e ajrit.
Ngjyra e fytyrës së viktimës, po merrte ngjyrë rozë…
Karlo shpëtoi nga vdekja…
Të afërmit e Karlos (të viktimës) të shqetësuar, njoftuan urgjencën mjekësore dhe shpërthyen të tërbuar me thirrje histerike: – Zezaku e vret, i nguli thikën! Ndihmë! Policia!
Papritmas, restoranti, krahas ekipit të urgjencës mjekësore, u mbush me policë.
Ata e fiksuan me një herë “skenën e krimit”: – Një zezak me thikë në dorë dhe me duar të gjakosur, që po qëndronte mbi një të bardhë, të cilit i rridhte gjak nga qafa.
Ekipi mjekësor e mori burrin e asfiksuar dhe u drejtua për në spital, kurse policët u vërsulën egërsisht mbi mjekët, që ishin duke ndihmuar burrin e asfiksuar.
Familjarët qenë ankuar në stacionin e policisë për Ankogun dhe Benetin.
Ngjarja në restorant u trajtua si vepër penale për Benetin (mjeku zezak), që po realizonte trakeotominë ndaj burrit të asfiksuar dhe për Ankogun, që ndihmonte Benetin.
Beneti (mjeku zezak) duhej të paraqitej në prokurori katër herë në muaj, çdo të hënë, kurse Ankogu një herë në muaj, pasi akuza ndaj tij ishte më e lehtë.
Konsultë me avokatin:
Avokati: – A, ua bëre të qartë se ishe mjek?
Beneti: – Bërtita me sa më hanin mushkëritë. Ishte çështje për jetë a vdekje. Nuk kishte kohë t’u tregoja diplomën, veçse, u thashë se, jam mjek dhe zbatova “Betimin e Hipokratit”!
Avokati: – Pacienti e kërkoi apo e refuzoi ndihmën?
Beneti: – …ai njeri qe gati i vdekur. Sikur ne të mos kishim qenë aty, ai do të kish vdekur në vend.
Avokati: – A ndodhej ndokush nga familjarët?
Beneti: – Po, besoj se po. Ku dreqin do të dalësh?
Gjyqi ndaj Benetit dhe Ankogut vazhdoi seancë e pas seance…
Avokati u interesua pranë ekipit mjekësor ku punonte Beneti dhe Ankogu.
Nga ekipi mjekësor i spitalit ai mori dëshminë që, lavdëronin Benetin dhe Ankogun për ndihmën mjekësore shumë të shpejtë dhe të saktë shkencërisht, që i kishin dhënë viktimës në restorant, duke i shpëtuar jetën.
Avokati takoi familjarët e viktimës, të cilët, në dëshminë e tyre, shprehën falenderimet për të dy mjekët, që u kishin shpëtuar jetën kryefamiljarit të tyre.
Avokati i pyeti se, ku mund ta takonte dhe Karlon, “viktimën”. Familjarët i treguan restorantin ku Karlo drekonte zakonisht. Avokati takoi Karlon në restorant, i cili ishte duke drekuar me gotën e verës përpara. Avokati, dhe nga Karlo mori dëshminë, që ai gëzonte shëndet të plotë dhe, që u ishte mirënjohës mjekëve, që i kishin shpëtuar jetën.
Avokati kishte prova të mjaftueshme dhe ishte i ndërgjegjshëm për pafajësinë e mjekëve. Në mbrojtjen e mjekëve ai citonte gjithmonë ligjet dhe “Betimin e Hipokratit” por, gjyqet ndaj mjekëve vazhdonin pa fund.
Në seancën e fundit të gjyqit avokati citoi përgjigjen nga Bibla:

– Ekziston diçka, që quhet “Ligji i Samaritanit të Mirë”. Që nga vitet 1950 shumica e shteteve kanë miratuar një lloj legjislacioni, i cili i lejon mjekët të ndërhyjnë në raste urgjente pa rrezikuar të akuzohen për veprim të ndaluar.


Shënim: Shprehja “samaritan i mirë” e ka origjinën nga një histori, që tha Jezusi për të treguar se, një njeri i mirë i ndihmon të tjerët me dhembshuri, pavarësisht nga kombësia apo prejardhja.
Gjyqi ndaj Benetit dhe Ankogut vazhdoi 4 vjet, seancë pas seance. Më në fund, Beneti dhe Ankogu u shpallën të pafajshëm.
Fatkeqësisht, Benetit iu ndërpre në mes pasioni i tij për kirurgjinë. Tani, ai nuk mund të punonte më si mjek kirurg dhe as si mjek i përgjithshëm.
Beneti kishte tremor në duar, ra në depresion të thellë, u mbyll në shtëpi dhe u shkëput nga jeta profesionale dhe shoqërore…
Përshtatur nga libri “Mjekët”, Erik Segal.

***

2. Ndodh edhe kështu…!


Instiktet njerëzore!


Ngjarje midis dy kolegësh mjekë, shokë të ngushtë për mbi 30 vjet. Të dy ishin mjekë të njohur, me reputacion në ambientet mjekësore dhe në opinionin publik.
Kafen e mëngjesit, gjithmonë e pinin sëbashku në një kafene në anë të një lulishteje të mbushur me trëndafila me ngjyra të shumëllojshëm.
Me shtimin e famës, shtohej egoja, xhelozia dhe zilia përbrenda tyre për njeri-tjetrin.
Ditën e premte të javës të dy mjekët do të konkuronin para Padishahut se, kush do të ishte mjeku personal i Padishahut.
Një ditë më parë të konkurimit, të dy mjekët u takuan si zakonisht për të pirë kafen e mëngjesit tek kafja afër lulishtes me trëndafila. Njeri nga të dy mjekët, mjeku me veshje ngjyrë rozë, kishte përgatitur një helm jeshil, aq të fuqishëm, sa mund të vdiste në vend një elefant dhe, ia hodhi tek kafja mjekut me veshje kaftan ngjyrë blu.
Mjeku me veshje kaftan ngjyrë blu, pasi e kapërdiu helmin, menjëherë pas tij, piu kundërhelmin, një ilaç me ngjyrë blu. Nga buzëqeshja, në fytyrën e mjekut kuptohej se, nuk kishte ndodhur asgjë e keqe.
Mjeku me veshje ngjyrë rozë u çua i pari nga tavolina, duke u justifikuar se kishte një konsultë mjekësore. Ai, “me veshë të ngritur”, nga momenti në moment, priste të dëgjonte lajmin për vdekjen e mjekut me veshje kaftan ngjyrë blu.
Tani ishte radha e mjekut me veshje kaftan ngjyrë blu që, ta shtynte mjekun tjetër drejt duhmave të vdekjes.
Mëngjesin e ditës tjetër mjeku me veshje kaftan ngjyrë blu, u drejtua për tek kafja. Ballë për ballë i doli mjeku me veshje ngjyrë rozë.
Mjeku me veshje kaftan ngjyrë blu, me lëvizje të ngadalta, këputi një trëndafil ngjyrë rozë nga lulishtja dhe, duke e afruar tek buzët, pëshpëriti brenda tij disa vargje, që askush nuk ua mori vesh përmbajtjen.
Më pas, ia zgjati këtë trëndafil për t’i marrë erë mjekut me veshje ngjyrë rozë.
Mjeku me veshje ngjyrë rozë u shqetësua aq shumë nga fuqia e mistershme e vargjeve, që pëshpëriti kolegu i tij, sa që, ra i vdekur në vend nga frika, sapo e afroi te hundët trëndafilin, që përveç aromës nuk kishte asgjë tjetër.
Shënim: Përshtatur nga “Unë jam e kuqja”, Orhan Pamuk, Nobel, 2006.