Albspirit

Media/News/Publishing

Ervina Toptani: Viti i ri si gjykim, nga Tolstoi te Shqipëria

Lev Tolstoi nuk e priste Vitin e Ri me entuziazëm por me një ngarkesë emocionale morale. Çdo prag viti të ri ai kthehej pas duke lexuar ditarin e tij, kthehej tek gabimet e kryera, tek mungesat e vetëdisiplinës. Për Tolstoin, kujtesa nuk ishte strehë por provë. Ai besonte se njeriu nuk ka të drejtë të nisë një vit të ri pa e kuptuar pse i vjetri dështoi.

Ai besonte se njeriu duhet të ndalet e të mos pyesë veten “çfarë dua të ndodhë?”, por “çfarë kuptova nga ajo që ndodhi”?

Pikërisht këtu qëndron mungesa e madhe e shoqërive të lodhura, aftësia për të reflektuar pa u justifikuar.

Shoqëria shqiptare hyn shpesh në vitin e ri me një barrë të heshtur, me një zhgënjim të pashprehur, me lodhje morale, me ndjenjën se “asgjë nuk ndryshon”. Por ndonjëherë ajo që mungon se ne nuk ndalemi për të kuptuar. 365 ditë kalojnë, ngjarjet përsëriten, gabimet rikthehen, por rrallëherë ndalemi të pyesim veten: ku kemi qenë të padrejtë? Ku kemi heshtur kur duhej të flisnim? Ku kemi zgjedhur lehtësinë në vend të së vërtetës të vështirë?

Tolstoi do të thoshte se dështimi është moral vetëm kur nuk e pranon. Një shoqëri lodhet kur nuk mëson nga gabimet e veta. Në këtë kuptim, lodhja shqiptare nuk është thjesht ekonomike apo politike, është lodhje prej përsëritjes së përvojave pa i shndërruar në dije.

Kalimi i kohës duhet t’i mësojë njeriut diçka thelbësore: se përgjegjësia nuk është gjithmonë diku tjetër, se realiteti kolektiv është pasqyrë e zgjedhjeve të vogla individuale. Se çdo kompromis i vogël me të vërtetën ndërton një normalitet të gabuar. Pa këtë vetëdije, asnjë vit i ri nuk sjell risi, sjell vetëm vazhdim.

Në shoqëritë e lodhura, reflektimi është akt rezistence.Të ndalesh dhe të pranosh se diçka nuk shkoi mirë nuk është dobësi, është fillimi i shërimit. Kujtesa, në këtë rast shndërrohet në mjetin më të mirë njohës e kuptues duke na treguar jo vetëm çfarë kemi humbur, por pse vazhdojmë ta humbim.

Nëse do ta merrnim seriozisht mësimin e Tolstoit, viti i ri në Shqipëri nuk do të fillonte me premtime të mëdha, por me pyetje të ndershme si për shembull: “çfarë do të bëjmë ndryshe këtë vit, çfarë kuptuam nga viti që iku”? Pa këtë pyetje, koha kalon, por njeriu mbetet në vend.

Vitet nuk na bëjnë më të mençur automatikisht, na bën më të mençur vetëm ajo që guxojmë të kuptojmë prej tyre.