Albspirit

Media/News/Publishing

CIA MANDRO, GRUA E HEKURT ANTIFASHISTE DHE LUFTËTARE E MENÇUR E ZHVILLIMIT

(Në përkujtim të luftës, jetës dhe veprës të antifashistes Cia Mandro (12.9.1923 – 25.4.2020) si dhe vëllait të saj Dhimitër Mandro (1921-1985), pjesëtarë të armatës së madhe të luftëtarëve të formacioneve partizane, që shkruan epope lavdie gjatë LANÇ-it. Cia Mandro kontribuese e shquar në formacionet partizane antifashiste vlonjate, pjesë e Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, më tej në sektorët e tregëtisë, Ministrisë së Tregëtisë, Drejtorisë Qendrore të shpërndarjes së artikujve ushqimorë, në sektorët financiarë, në Ministrinë e Drejtësisë, gjyqtare në qytetet Fier dhe Tiranë, një kontribut sinjifikativ për përparimin e Shqipërisë. Në respekt dhe përkujtim të të gjithë vajzave dhe grave shqiptare që gjatë luftës antifashiste dhe pas saj u bënë faktor kontribues të rëndësishëm në historinë kombëtare të shqiptarëve).

 Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Vlora e flamurit me shkëlqimin vezullues të vajzave partizane

Nëse kërkojmë në kujtesën historike të mbi tetë dekadave më parë e deri më sot për vajzat e gratë vlonjate është një emër i shquar Cia Mandro që edhe pse ishte e thjeshtë, nuk e donte bujën, nuk i pëlqente mburrjet e vlerësimet, ishte ajo që në fakt kishte përmbushur denjësisht detyrën ndaj Atdheut në kohët më të rrezikuara të pushtimit nazifashist. Emri i saj ndrin në emrat e luftëtarëve që shkruan epope lirie e çlirimi në librat e Luftës së madhe antifashiste Nacionalçlirmitare dhe që i shërbyen denjësisht Shqipërisë. Është fakt se vajzat dhe gratë shqiptare gjatë luftës antifashiste u bënë faktor në historinë kombëtare të shqiptarëve. Gratë shqiptare përgjatë shekujve të mbijetesës nga pushtuesit kanë luftuar krah për krah vëllezërve, luftëtarëve të lirisë dhe kanë qenë burim frymëzimi për trimëri nëpër breza. Në djepet vlonjate, të Labërisë dhe mbarë Shqipërisë janë përkundur trimëresha, heroina, janë përkundur ëndërrat e lirisë së truallit arbëror. Gratë shqiptare që shkruan lavdi me gjakun e tyre janë të shumta në të gjitha betejat, por veçanërisht përgjatë LANÇ-it në rreshtat partizane u rreshtuan qindra gra e vajza në formacionet luftarake, pa llogaritur qindra mijëra të tjera që mbështetën luftën në të gjitha frontet luftarake. Heroizmi i gjashtëmijë grave dhe vajzave shqiptare u shkrua denjësisht me shkronja të arta në panteonin e kombit për heroizmin, guximin e trimërinë, për mençurimë dhe përgjakjen me nazifashizmin. Në front në përballje me ushtrinë naziste, u plagos dy herë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare edhe Cia Mandro. Ajo ishte një ndër gjashtëmijë vajza e gra shqiptare, që luftuan direkt në vijën e zjarrit, në ballë të sulmit, krah shokëve të tyre partizanë. Disa prej vajzave e grave morën plagë dhe derdhën gjakun e tyre të bindura se e bënin për çlirimin e atdheut nga robëria nazifashiste. Disa prej tyre që i “kurseu” plumbi i armikut, lufta i rriti si luftëtare trime dhe si komanduese të formacioneve partizane. Qëndresa e tyre çuditi edhe vet hitlerianët, kur iu desh të përballej me qëndrimin e tyre edhe përpara litarit apo skuadrave të pushkatimit. Qëndrimet e Bule Naipit, Persefoni Kokëdhimës, Fato Berberit përpara litarit i dhanë vlera e shkëlqim heroizmit të vajzave dhe grave shqiptare në atë luftë. Lufta çlirimtare pati shumë gjak të derdhur, shumë dëshmore dhe 13 heroina të popullit si Mine Peza, Margarita Tutulani, Inajete Duma, Qeriba Derri, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Nimete Progonati, Penelopi Piro, Zonja Çurre, Fato Berberi, Hibe Palikuqi, Liri Gero dhe Ylbere Bilibashi që janë sot në panteonin e heroizmit shqiptar, në kurorën e lavdisë të asaj lufte vitale partizane. Vajza vlonjate Cia Mandro doli partizane bashkë me të vëllain Dhimitrin e vendosur dhe krenare për ndërmarrjen më të vështirë të jetës, mori dy plagë lufte por që u mundësua që të shpëtonte nga vdekja, edhe me mbështetjen e Shtabit Aleat të Mesdheut në Itali. Ajo ishte e bindur në idealet për çlirim edhe kur kishte humbur shumë gjak u transportua përtej Adriatikut në Bari, përmes një shtegu të vështrirë dhe jashtëzakonisht kompleks, në kushtet kur bregdeti dhe portet ishin të zaptuara nga pushtuesit gjermanë. Transportimi është bërë nga shpella e famshme e Karaburunit, që ishte në zotërim të forcave aleate si një pikë strategjike e linjës së komunikimit me Shtabin Aleat të Mesdheut, ku në fakt janë mjakuar dhjetra partizanë të plagosur rëndë dhe që kanë shpëtuar nga kthetrat e plagëve të rënda të luftës.

Të lindur në Vlorën e flamurit, të pavarësisë, të vatrës atdhetare të shqiptarizmës

Vlora e flamurit, e shpalljes së Pavarësisë, e simbolikës së qëndresës dhe mbijetesës ndaj pushtimeve ishte në ballë edhe në luftën e madhe antifashiste. Bijtë e bijat e saj shkruan epope mençurie dhe trimërie përballë fashizmit italian që më 1920-tën e kishin hedhur një herë në det baballarët dhe gjyshërit e tyre. Kështu u krijuan në Vlorë bazat e sigurta antifashiste sikurse janë të dokumentuara, që shkojnë në më shumë se 350 shtëpi baza lufte, nga të cilat po përmendim disa prej tyre Familja Bule Imami, Fadil Dauti, Xhavit  e Qemal Mehmeti, Janaq dhe Aspasi Mandro, Shaqo e Toli Arapi, Mitat e Lef Sallata, Shefqet Veshi, Shefqet Cenko, Ervehe Gorishti, Hyrie Drenova nëna e tre vajzave partizane të Ylvies, Hanës dhe Fraies, Stoli e Sali Bahaj, Teme Alushi, Bexhet Zyberi, Petrit Bisha, Ruhije Zahaj, Ymer Picari, Shefqet Resuli, Hajëro Çakërri, Emine Çela, Faik Imeraj, Namik Xhafa, Osmën Xhemali, Sezai Agalliu, Rexhep e Nuri Arapi nga ku kanë dalë nëntë partizanë, Hamza Xhuka nga Peja, që i dha luftës 4 partizanë e partizane, Dushan Aliko, Riza Taushani, Xhevit e Qemal Malaj Zyra Radhima, Hasan Doçi, Dalip Sako dhe shumë të tjera. Gjeneral Rrahman Parllaku në librin “Mirënjohje familjeve vlonjate, që më mbajtën si birin e tyre”, Tiranë, 2007, faqe 158-159 shkruan: “..nga kujtimet me familjen e Jani dhe Aspasi Mandros. Xha Jani, bashkë me një ortak merrej me tregëti. Familja e tij bënte një jetë qytetare të rregullt, edukonte e shkollonte tre djem dhe një vajzë, Kristaqin, Dhimitrin, Pandin dhe Cien. Nënë Aspasia kur ishte martuar me Xha Janin, më të voglin e fëmijëve kishin Pandin pasi sipas radhës në oxhakun “Mandro” kishin kindiur Kristaqi më 1918, Dhimitri më 1921, Anastasia (Cia) më 1923 dhe Pandi më 1926. Kjo familje jetonte në harmoni të plotë. Nënë Aspasia të katër fëmijët i kishte në luftë, por kujdes të veçantë tregonte për vajzën Cien. Familja e xha Janit ishte streha e përhershme e njësiteve guerrile”. Bazat e LANÇ-it janë plotësisht të dokumentuara tek Muzeu historik i luftës në Vlorë. Shtëpia e Janaq Mandros ishte me dy kate, ndërsa kati i dytë shërbente si bazë ku përgatiteshin komunikatat dhe thirrjet për luftë kundër fashizmit, ishte bazë e sigurtë e njësiteve guerrile, ndërkohë që shumë shtëpi fqinje të lagjes”. Në fillim të vitit 1942 u  krijuan dy njësite guerrile që ishin skelet i ushtrisë së ardhëshme të çetave partizane. I pari me Arif Haskon, “Patrioti” dhe pjestar Et’hem Gjinushi “Goliku”, Vehbi Hoxha, Koço Kllapi, Shyqyri Alimerko, Teli Ndini, Rrahman Parllaku, Dhimitër Mandro; ndërsa i dyti, i rinisë me përgjegjës Hito Çako, Babaçe Faiku, Ismet Çakërri, Fadil Dauti, Hidai Bejo, Kristaq Çali, Shaqo Arapi, Hajredin  Bylyshi, Mumin Selami, Barjam Tushi, Hiqmet Buzi. Organizimi i parë i demostratës së bukës ishte më 9.3.1942, që udhëhiqej nga Komiteti Qarkor i Vlorës dhe Hysni Kapo. Si në gjithë luftrat për liri edhe gjatë LANÇ-it Vlora, bijtë dhe bijat e saj i dhanë ipulse të fuqishme lirie si një ndër trevat më të përgjakshme të vendit ku në tërësi Zona e Parë Operative me aktivitet në mbi 6000 km² ka dëshmorët më të shumtë të rënë në luftë për çlirim, prandaj dëshmorët dhe gjithë antifashistët që rrokën armët gjatë LANÇ-it meritojnë nderimin e mirënjohje mbarëkombëtare.

Cia Mandro me armë në dorë për lirinë e Atdheut

Cia Mandro ishte fëmija e tretë e familjes dhe ishte lindur më 12 të Vjeshtës së Parë (shtator) të vitit 1923 në qytetin e Vlorës në lagjen e vjetër dhe të njohur “Muradije” (sot lagjia “Hajro Çakërri”). Edhe pse emri i saj ishte “Anastasia” që do të thotë “ringjallje”, por që babai ja vendosi për ringjallje të shqiptarizmës, pasi ajo erdhi në jetë në kohë të vështrirë dhe 7 prilli i 1939-tës e gjeti në moshën 16 vjeçare. Ajo nuk pranonte përkëdhelitë prindërore përpara robërimit fashist. Kështu që nuk kishte më fëmijëri për të dhe për dy vëllezërit më të mëdhenj dhe një vëlla më të vogël. Oxhaku “Mandro” ku erdhi në jetë Cia ishte një vatër e ngrohtë atdhetarie e patriotizmi, me prindër që gëzonin respekt në mbarë qytetarinë vlonjate, me trashëgimi të spikatur për atdhedashuri dhe përkushtim në breza, bashkë me familjet e tjera me rrënjë vlonjate.

Fëmijëria shkoi në shkollën qytatase ku ishte e etur për dritë diturie dhe shquhej për rrezultare shumë të larta dhe kjo u vërtetua që edhe shkollimi i saj ishte tepër cilësor por pas lufte dhe sidomos pas shërimit të dy plagëve të marra në luftën antifashiste partizane. Shkollimi i saj u ndërpre për shkak të luftës dhe shkolla e luftës për Cian ishte më shumë se një universitet. Cia Mandro kishte marrë pjesë bashkë me vëllezërit në njësitet guerrile të qytetit të Vlorës. Aktiviteti i tyre kulmoi me pjesëmarrjen masive për demonstratën e bukës më 9 mars 1942. Cia ishte pjesëmarrëse bashkë me vëllezërit e saj në përleshjen me milicët fashistë më 7.8.1942 te sheshi Flamurit, ku vritet antari i njësiteve guerile Teli Ndini duke shpërndarë trakte; por dhe hedhja në erë e depove në Radhimë me dinamit më 9.8.1942 nga Shyqyri Alimerko, duke e ndezur me fitil e eshkë ishte fryt i punës aktive të njësiteve guerrile, ku bënte pjesë edhe Cia Mandro familjarisht. Në kohën kur lufta çlirimtare kishte marrë hov të madh dhe pushtuesi kishte hëngër grushte të fuqishëm nga formacionet e porsakrijuara partizane edhe në qytet për motër e vëlla për Cian dhe Dhimitrin ishte “mbushur kupa” dhe nuk mund të qëndronin më në ilegalitet. Rruga e lavdishme partizane ishte plotësisht e hapur për ta. Ndër misionet vendimtare në qytetin e Vlorës ishte rrëmbimi i shtypshkronjës dhe dërgimi i saj në një zonë të sigurtë, një veprim plotësisht i organizuar dhe koordinuar ku morën pjesë vëlla e motër Dhimitër e Cia Mandro. Rrëmbimi dhe largimi i saj drejt Ujit të Ftohtë, Jonufrës, Radhimës dhe Tragjasit është i njohur dhe për këtë veprim energjik në mbështetje të luftës çlirimtare e kanë përshkruar mjaft libra e gazeta, që flasin për formacionet partizane të Vlorës që shkruan me gjak triumfin ndaj fashizmit nga Tërbaçi në Sanxhak, një rrugëtim luftarak prej tremijë kilometrash. Nga të dhënat e studiuesave të luftës çlirimtare, ish-ushtarakë e historianë të Vlorës gjejmë fakte interesante se, “në një pronë të Manush Myftiut në fshatin Çeprat ishte trasferuar një pjesë e teknikës tipografike dhe funksiononte për LANÇ-in. Nga familja e Manush Myftiut si një nga aktivistët kryesor të luftës që në fillesat e saj, kanë marrë pjesë pesë luftëtarë, Manushi, Lejla, Behixhe, Sulo dhe Mahmuti. Edhe në “Vrenes” ka qenë një bazë e rëndësishme e teknikës te shtëpia e Llaqi Papës. Kontributi i intelektualëve të profesioneve të ndryshëm të punësuar në administratë ka qenë i shquar sikurse ishte Halit Dobi, drejtor i postëtelegrafës Vlorë, që e kishte kthyer shtëpinë në bazë lufte dhe në institucionin ku punonte, në postë  kishte punësuar disa luftëtar guerilas si: Hydai Bejo, Thanas Gaba, Arif Hasko, Reiz Malile, Amali Pjerro etj. Por në rreshtat partizane Cia Mandro gjeti mjaft shoqe të idealit, antifashiste të vendosura sikurse ishte Zonja Çurre dhe shoqe të tjera të saj si: Hanko Muço, Afërdita Thanasi, Inajete Ramadani etj. Në një prej luftimeve të Brigadës trimëresha dhe vajza guximtare e Vlorës mori dy plagë të rënda por me barrel u transportua në Bregdet dhe prej andej me anijety e aleatëve drejt Barit, ku ishte instaluar Shtabi Aleat i Mesdheut që mbështeste luftën tonë. Doktorët e shpëtuan nga kthetrat e vdekjes Cia Mandron, për të jetuar gjatë dhe për të shërtbyer denjësisht shtetit të ri shqiptar të pas luftës. Atje në Bari mësoi edhe për vrasjen e shoqes së saj të ngushtë Zonjës, bijës së Arif dhe Salihe Çurre. Më 22 korrik 1944, kur Brigada e saj zhvillonte luftime të ashpra dhe batalioni i katërt luftonte në Qafë Shkallë të Klosit në këto luftime ra Zonja Çurre, një trimëreshë e rrallë, një shoqe dhe mikeshë e betejave të panumërta partizane. Përt luftimet e përgjakshme të Qafë Shkallë të Klosit, ku ra heroikisht Zonja Çurre, lajmi mbriti edhe në Bari të Italisë dhe për Cian ishte një moment shumë i prekshëm dhe i dhimbshëm, që po i shkëputej një copëz e shpirtit, por e ngushëllonin ditët e lirisë që po afronin për Atdheun.

Gazeta “Buçitja” (1944) e Brigadës V Sulmuese

Kur përmendim emrin e Cia dhe Dhimitër Mandro si emra mjaft të njohur në Vlorë, menjëherë na vjen ndërmendje teknika e shtypit, shtypshkronja dhe shtypshkrimet, propaganda aq e nevojshme gjatë luftës, brigada heroinë, Br V Sulmuese dhe gazeta e saj “Buçitja”. Ata ishin në radhët e para të luftës në rreshtat partizane, në Vlorën heroike dhe në brigadën heroike “Hero i Popullit”. Kudo ku kriste gryka e dyfekut gjendeshin edhe Cia me të vëllanë, Dhimitrin. Vëllai i saj ishte njëherazi edhe shok e bashkëluftëtar i një llogoreje me heroin e shquar të luftës Ali Demi (Ali Demi djali nga Filat i Çamërisë që ra hero në Kaninë më 20.12.1943 gjatë një rrethimi nga forca të shumta naziste. Në këtë përleshje u vra dhe partizani Pano Dhimëgjoka dhe plagoset Dhimitër Mandro pranë qafës së Dheut të Bardhë në Kaninë). Ishte koha kur kudo buçiste krisma e fitoreve partizane. Cia me shoqet e saj luftonin krah vëllezërve të një ideali. I kishte thirrur zëri i Atdheut. Krahas luftimeve në fletoren e luftës ose gazetën e luftës artikujt e Cia Mandros dhe stafit të “Buçitja” (organ luftarak i BrVS ishin zjarr dhe barot. Nuk është e rastit që një ndër filozofët e fillimshekullit të shkuar shkruante: “më mirë një gazetë e zjarrtë propogande që jua kalon njëmijë bajonetave në frontin e luftës”. Dhe e tillë ishte vërtetë, pasi flistë për fitoret e njëpasnjëshme kundërt fashizmit, për mbi 6000 luftëtare partizane, për ortekun e mbi 70 mijë partizanëve shqiptarë, për bijtë e bijat që binin nga rreshtat partizane në betejat për liri, për heroinat Zonja Çurre(që ishte edhe shoqe e Cia Mandros), Margarita Tutulani, Shejnaze Juka, Qeriba Derri, Liri Gero, Inajete Dumi, Ylbere Bilibashi etj. Gazeta të tjera që dolën në këtë periudhë lufte ishin edhe “Përpara në sulm” (1944-1945) organ politik ushtarak i BrIS; gazeta “Buçitja” (1944) e BrVS; gazeta “Ylli çlirimtar” (qershor 1944-1945) i DivIS; gazeta “Pishtari” (1944), Organ i BrVIIIS; gazeta “Zëri i luftëtarit” (1944) i BrIVS, gazeta “Horizonti në ndriçim” (1944) i BrXII S; gazeta “Përpara” (1944) i DivVS; “Zëri i të riut” (1944-1945) i BrXIIS; “Iriqi” (1944), Organ satirik, ushtarak i BrVIS; “Thumbi” (1944), Organ satirik ushtarak i BrVIIIS etj. Ishte koha kur kishte një bum botimesh në rreshtat e brigadave e divizioneve partizane, por nuk ngeleshin prapa edhe pushtuesit me publikime, por edhe Aleatët anglo-amerikanë. (Gazeta “Mundimi”, ishte propogandistike dhe informative dhe drejtohej nga major Barbrok dhe që vijoi deri në vjeshtë të 1944-s me 38 numra gazete). Botoheshin dhe gazeta poetike të kohës dhe viti 1944, mbahet si viti më i pasur në botimin e gazetave dhe revistave ushtarake, në historikun e të gjithë shtypit shqiptar të krahasuar me shumë dekada, që ishte edhe viti më i vrullshëm për shqiptarët përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Përvoja e botimeve direkt në vijën e luftës ishte sipas modelit të ushtrive të mëdha ndërluftuese që përveç armëve dhe përleshjeve të gjakosura për jetë a vdekje luftohej me të gjithë format, dhe me publikime direkt në vijën e zjarrit, me parrulla paniku për kundërshtarin, me pllakada, karikatura, këngë dhe mënyra të tjera.

Gazetat flisnin  e shkruanin edhe për italianët që erdhën si pushtues dhe u shndruan në partizanë, përreth 1500 vetë, patën publikime të tyre dhe sidomos dokumente që i përkasin Komandës dhe SHP të UNÇSH, si dhe të divizionit “Antonio Gramshi”. Ndërkohë që buçiste në popull triumfi i formacioneve partizane nuk ndalej edhe gazeta “Buçitja” ku kishte kontribut të shquar padyshim edhe Cia Mandro. Në këtë gazetë pasqyrohej rruga luftarake e Brigadës së Pestë Sulmuese si shembull lufte dhe rezistence për gjithë formacionet e tjera partizane, flitej për rrugën luftarake prej 3700 km pa njohur dështime, por vetëm fitore, flitej e shkruhej për luftën si intemacionalistë ku çliruan Kosoven dhe një pjesë të Bosnjës (ish-Jugosllavi), për frymëzimin dhe shpresën që ngjallnin kudo ku kalonin, për të rënët në fushën e betejës për të mos vdekur kurrë, për 357 dëshmorë, për dëshmorin e parë që ishte edhe komandanti i parë i Brigadës, Heroi i Popullit Abas Shehu, për trembëdhjetë heronj të Popullit të kësaj brigade, Zonja Çurre, Abaz Shehu, Zaho Koka, Laze Nuro, Llambro Andoni, Nimete Progonati, Dervish Hekali, Kastriot Muço, Hysen Çino, gazeta fliste edhe për të plagosurit në luftë dhe një ndër të plagosurit rëndë ishte edhe vetë Cia Mandro. Atë e shpëtuan nga kthetrat e vdekjes vetëm përkujdesja dhe përkushtimi partizan që e dërguan me urgjencë në Itali, në Bari (Bari është kryeqyteti i Provincës së Barit dhe rajonit të Pulias, në Itali. Ai është qendra e dytë më e rëndësishme ekonomike në Italinë e Jugut pas Napolit). Në Bari funksiononte Shtabi Aleat i Mesdheut, ku mjekët bënë të pamundurën dhe e kthyen në jetë këtë vajzë trimëreshë vlonjate që në deje i vlonte gjaku i lirisë së Atdheut.

Partizane – ky emër i ndritur për vajzat shqiptare

Rubrikat për ngjarje, data, njerëz në përditshmërinë e shtypit shqiptar edhe në këto tre dekada e gjysëm demokraci kanë qenë të shumta. Përt figurën e luftëtares antifashiste Cia Mandro kanë folur bashkëkohësit, veçanërisht nëpër faqet e gazetetave të përditshme shqiptare sikurse është edhe gazeta “Intervista”: “Në kujtim të Cia Mandros”. Po e sjellim sipas origjinalit një shkrim të vlonjatit të mençur Anesti Çaushit publikuar në gazetën “Intervista” më 6.12.2014 (nr.1083): “Në një shtëpi dy katëshe te familja e Jani Mandros në lagjen “Muradije”, sot Hajro Cakerri te Sheshi i Flamurit pranë Xhamisë së Kuqe, lindi veterania e luftës Nacionalçlirimtare Aspasi Mandro apo siç e njeh gjithë Vlora, Cia Mandro. Në moshë shumë të re i vdes e ëma nga një sëmundje e rëndë dhe lë dy fëmijë, Aspasinë (Cia) dhe Dhimitër Mandron. Cien dhe vëllanë e saj, lëvizja antifashiste i gjeti në moshë të re, por ata bëhen pjesë e lëvizjes. Gjatë lëvizjes antifashiste, vëlla e motër janë aktivistë dhe inkuadrohen në Brigadën e Pestë Sulmuese. Gjatë luftës, cilësohen për guxim dhe trimëri. Mbas mbarimit të luftës, Cia punon në Komitetin Qendror antifashist në Tiranë. Më vonë mbaron Fakultetin e Drejtësisë dhe punon në shumë qytete. Cia stabilizohet në qytetin e Vlorës, ku punon në kolektivin e avokatëve dhe më vonë, si krye sekretare në Gjykatën e Vlorës ku mbyll dhe karrierën e saj. Cia respektohet nga të gjithë, dallohet për korrektësi dhe saktësi si në punë dhe ishte e dashur dhe e respektuar. Nga martesa e saj, ajo lindi një djalë, Ilir Mandron, i cili vazhdoi studimet e larta dhe sot mban titullin profesor në fushën e ekspertizmit të kriminalistikës. Për nder të së ëmës, ai i ka vënë emrin vajzës së tij Cia. Nga një goditje në zemër ndërroi jetë në Tiranë në shtëpinë e të birit. Familja humbi njeriun më të dashur, të afërmit dhe shoqëria humbën njeriun më të dashur dhe të respektuar. Cia, megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë, kujtohet nga familja, nga të afërmit dhe shoqëria, me respekt dhe dashuri sepse e meriton atë”. (Shënojmë këtu se, Anesti Çaushi ka qenë inxhinier nafte dhe ishte djali i tezes së Cia Mandros si dhe vëllai i gruas së Naum Priftit). Kujtimet nga LANÇ-i i gjen në gjithë Vlorën dhe fshatrat e saj. Është sikurse thuhet “pëllëmbë e histori”. Populli bëri që të funksiononte edhe shtypshkronja partizane, pasi Cia Mandro dhe vëllai i saj Dhimitri pasi veprimtaria e tyre u diktua nga fashistët në qytet, më 25 shkurt 1943, një ditë shumë e ftohtë, bashkë me shtypshkronjën shkuan në drejtim të Radhimës në Tragjas dhe prej andej shkuan në Tërbaç, nga rruga e vetme që ishte Qafa e Shëngjergjit, duke kaluar më parë Tragjasin dhe Dukatin. Ata e njihnin m irë faqen e malit te shpella e Rugjinës në Radhimë. Nëpër faqet arkivore gjejmë: “… nga Radhima, rreth orës 4.00-4.30 pasdreke, u nisën 12 mushkat e ngarkuara të mbuluara me ndonjë mushama apo rrobë të leshtë, me grupe dy nga dy dhe tre nga tre. Në fillim nisa Hasan Muharremin me një djalë trupmadh të Shirokës, gati 20 minuta për të vrojtuar rrugën se mos kishte ndonjë pritë apo gjë të dyshimtë dhe në fund qëndrova vetë me djalin e mulla Mustafait dhe Qerim Berdon. Të gjithë ishin porositur që për dyshimin më të vogël të mos ndesheshin, por të anashkalonin dhe të na jepnin sinjal nëpërmjet shenjave që do të vendosnin në rrugë (togje gurësh në mes të rrugës ose ndalesa e plotë derisa të vinte grupi tjetër). Në fakt rruga ishte fare e hapur, pa provokime dhe prita që po na qetësonte pa ulur vëmendjen. Ashtu i menduar mu kujtua se në mëngjes, në hyrje të shpellës, kur erdhën partizanë e partizane si dhe 10-12 gra e vajza nga Radhima me 4 mushka transportuan faqes së malit nga Kanina materiale të rënda të shtyrpshkronjës partizane. Rruga malore që shkon drejt Tragjasit e Dukatit deri në qafë, nga larg duket e bukur dhe lehtësisht e kalueshme, por në fakt është shumë e vështirë, me gërxhe të mprehta dhe të ngushta, me zig-zake të shumta dhe të gërryera që formojnë shtigje ku vetëm mushkat mund të kalojnë. Në këto monopate mund të lëvizin vetëm ata që e njohin vendin..”. Në vartësi të situatës shtypshkronjën e lëvizën në pyllin e Dushkut dhe në Kuç, por sërish e kthyen në Tërbaç. Vehbi Hoxha më sqaroi në Vlorë se vendi më i sigurt mbetej Tërbaçi te shtëpia e Nuredin Selmanit. Ajo ishte bazë e LANÇ në Hokoles, një vend strategjik, pyll i rrethuar nga dy lumenj që bashkoheshin te shtëpia, e cila ishte ndërtuar në rrëzë të dy maleve (Qores dhe Boçkës) ku ka vende sekrete dhe mundësi zhvendosjeje në rast rreziku, aty ku ndodhet dhe shpella e Bilbilejve. Miratimin përfundimtar e dha Hysni Kapo që ishte shumë i kënaqur nga puna për sistemimin e shtypshkronjës. Komiteti Qarkor caktoi përgjegjës administrator Thanas Nanon dhe ekipin me shokët Mihal Shkurti, Muharrem Kasapi Stathi, Nazir Asllani, Sazan Halim Xhelo, Anastasia (Cia) Mandro, Jeta…dhe të tjerë. Të gjithë të mrekullueshëm dhe të aftë që mbulonin sektorin e radios, lajmeve, propagandën, dokumentacionin dhe arkivin e Partisë. Shkruheshin lajme të brendshme, të jashtme, bëhej rubrika për situatën luftarake dhe sistemohej formati, rregulloheshin sipas grupeve ku do të shkonte gazeta dhe deri në mes të natës përfundonte gjithçka. Nazif Asllani (në sekret të plotë) ngarkonte që në mëngjes mushkën grivër laramane dhe ndante gazetën te korrierët, të cilët e shpërndanin në Zonën e I-rë Operative Vlorë-Gjirokastër…Lajme nga fronti rus i Ushtrisë së Kuqe të Stalinit që përparonte dhe çlironte popujt europianë. Me çlirimin e Shqipërisë në 29 Nëntor 1944, shtypshkronja u transferua në Vlorë, kurse në Hokoles të Tërbaçit dhe sot gjenden shkronja plumbi që konsumoheshin nga përdorimi, pjesë të rëndësishme e shtypshkronjës veterane të Labërisë.

Cia Mandrto – Luftëtare, antifashiste dhe intelektual i spikatur

Cia Mandro i kishte rrënjët në lagjen e njohur të Muradijes që është një prej lagjeve historike, lagje që njihej si “rruga e kafeneve”, më 1912 si “rruga e lirisë”, ku kaloi Isa Boletini me 400 trima të Kosovës dhe sot quhet “Justin Godard”, për nder të këtij politikani francez mik të shqiptarëve, që mbrojti çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris. Cia Mandro kishte parë me sytë e saj vajza e gra, bij e bija të Labërisë që kishin derdhur gjakun në moshën me të bukur të jetës, me ëndërrën e lirise ne sy dhe ajo ishte një ndër to por që plumbat vetëm sa e plagosën për ta parë më tej diellin e lirisë dhe për të treguar pas çlirimit trimëritë e vajzave që u shpallën heroina. Bashkëkohësit që e kanë njohur flasin për një vajzë dhe më tej për një grua zonjë, që mbarte urtësinë e trevës popullore vlonjate, përfaqësuese e denjë e intelektualizmit vlonjat, e përkushtuar në çdo detyrë, ose sikurse i thonë në Labëri punëmbaruar, grua plot vlera dhe vitytete të trashëguara të familjes. Cian nuk e frikësuan plumbat dhe predhat e artilerisë armike që mendja e saj ishte tek liria edhe kur e transportuan në Bari të Italisë për shërim. Edhe pse është shkruar e përshkuar pak për familjen e saj gjatë luftës dëshmitë për shtëpinë e saj si bazë lufte dhe për pjesëmarrje të të gjithë fëmijëve të Janaq Mandros në luftën partizane janë dëshmi autentike që nuk mund t’i fshijë asnjëherë koha, historia, kujtimet e një lufte të madhe vitale e mbuluar me lavdi. Nëse mbulohet drita e diellit aq mund të ndalohet dhe kujtimi i trimave e trimëreshave, të atyre që shkruan me gjakun e tyre lirinë për Shqipërinë. Lidhja me lëvizjen partizane. Pas kthimit nga Italia, në Shqipërinë e çliruar si vepër e bijëve dhe bijave të popullit, kërkohej kontributi në shumë fusha, atje ku kishte nevojë Atdheu, aktiviteti shtetëror e shoqëror, por edhe mbrojtja e argumentuar e luftës.

Vlerësime dhe nderime për pjesëmarrje me armë në dorë në luftën antifashiste

Vlerësimi i pjesëmarrësve në luftën çlirimtare është bërë vetëm për merita, të shquara, që ka qenë një përgjegjësi e madhe shtetërore, por dhe vlerësim e respekt i shoqërisë për meritat e individëve aktivë që zhvilluan luftën për liri. Në fondet arkivore të memories së shqiptarëve ka me dhjetra, qindar e mijëra dokumente që vërtetojnë luftën e madhe dhe kontributin e shquar në çlirimin e atdheut. Motër e vëlla nuk ishin të apasionuar ose sikurse thotë një maksimë e popullit “të djegur për dekorata”. Fakt është se në Shqipëri në vitet 1945-tetor 1946 janë akorduar 6000 medalje të Kujtimit, deri në shkurt 1949 rreth 30.000 medalje të Çlirimit, deri në shkurt të 1953 ishin akorduar rreth 20.000 Medalje të Trimërisë. Akordimi i dy medaljeve të Kujtimit dhe të Çlirimit vijoi përreth 30 vite (1944-1974), ndërkohë që pjesëmarrës në LANÇ ishin rreth 70.000 luftëtarë, nga të cilët rreth 30.000 luftëtarë deri në korrik 1943. Përllogaritet se janë akorduar rreth 100.000 medalje të Kujtimit dhe të Çlirimit, vetëm “Medalje Pune” janë akorduar rreth 100.000 copë. Dokumentet vërtetuese janë të shumta. Le të sjellim në fokus disa nga vlerësimet për gruan që nuk u përkul as përpara plumbave të armikut luftëtaren e rreshtave partizane Anastasi (Cia) Janaq Mandro. Kështu në vijueshmërinë e dekorimeve e vlerësimeve po sjellim sipas kronologjisë dhe dekorimet e Anastasia (Cia) Mandros, që flasin më shumë se fjalët:

(1). Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i është akorduar “Certifikatë” me nr rregjistrimi nr.1858 datë 26.II.1945 për Cia Mandro me “Medaljen e Kujtimit” me këtë motivacion: “Qysh para 10 korrikut 1943 që shënon formimin e Shtabit të Përgjithshëm t’Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, ka marrë pjesë pa ndërprerje deri në fund, me armë ose me aktivitet politik t’organizuar në luftën kundra okupatorit dhe tradhtarëve për çlirimin e Atdheut dhe të Popullit Shqiptar”; certifikata është firmosur nga sekretari Sami Baholli dhe kryetari Dr. Omer Nishani.

(2). Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i RPSH është akorduar “Certifikatë” me nr. 8698 datë 1.11.1951 për Cia Janaq Mandro me “Medaljen e Kujtimit” me këtë motivacion: “Qysh para 10 korrikut 1943 që shënon formimin e Shtabit të Përgjithshëm t’Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, ka marrë pjesë pa ndërprerje deri në fund, me armë ose me aktivitet politik t’organizuar në luftën kundra okupatorit dhe tradhtarëve për çlirimin e Atdheut dhe të Popullit Shqiptar”; certifikata është firmosur nga sekretari Sami Baholli dhe kryetari Dr. Omer Nishani.

(3). Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH i është akorduar “Certifikatë” nr.8698 datë 1.11.1951, për Cia Jani Mandro me “Medaljen e Trimërisë” me këtë motivacion: “Luftëtar trim, ka qenë shembull qëndrese dhe vetmohimi në luftë kundra okupatorit dhe tradhtarëve për çlirimin e Atdheut dhe të popullit Shqiptar”; certifikata është firmosur nga sekretari Sami Baholli dhe kryetari Dr. Omer Nishani.

(4). Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH i është akorduar “Certifikatë” nr.31554 datë 1 Nëntor 1951 për Cia Janaq Mandro me “Medaljen e Çlirimit” me këtë motivacion: “Ka marrë pjesë në rreshtat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare dhe me armë në dorë ka luftuar kundra okupatorit dhe tradhtarëve deri në çlirimin e plotë të Atdheut dhe të Popullit Shqiptar”; certifikata është firmosur nga sekretari Sami Baholli dhe kryetari Dr. Omer Nishani.

(5). Nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH i është akorduar “Certifikatë” nr.19453 datë 23.7.1953 për Cia Jani Mandro me “Medaljen e Trimërisë” me këtë motivacion: “Luftëtar trim, ka qenë shembull qëndrese dhe vetmohimi në luftë kundra okupatorit dhe tradhtarëve për çlirimin e Atdheut dhe të popullit Shqiptar”; certifikata mban dhe është firmosur nga sekretari Sami Baholli dhe kryetari Dr. Omer Nishani. (vërtetuar nga zyra noteriale  Vlorë më 24.7.1995).

(6). Më datën 4.1.1950, deklaratë e lëshuar nga ish-personalitet e drejtues i shquar i luftës për qarkun e Vlorës Hysni Kapo, i cili ka lëshuar një deklaratë në të cilën shkruhet: “Unë i nënshkruari Gjeneral Major Hysni Kapo shoqen Cia Mandro e njoh qysh në fillim të LNÇL. Shoqja Cia ka qenë partizane në Lëvizjen NÇL, qysh nga vjeti 1942 dhe në qershor të vitit 1943 ka marrë pjesë në rreshtat partizane deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë pa u shkëput. I lëshohet kjo deklaratë për tërheqjen e dekoratave që i përkasin (medaljen e Kujtimit dhe të Çlirimit), Deklaruesi Gjeneral Major Hysni Kapo.

(7). Dokumenti “Çertifikatë” me nr rregjistimi 84/55 e datës 2 Shtator 1947, i Ministrisë së Tregëtisë, Drejtoria Qendrore e shpërndarjes së artikujve ushqimorë, që vërteton se shoqja Cia Mandro është nëpunëse e personelit pranë kësaj drejtorie”. Shkresa është e firmosur nga Drejtori Qendror Shukuri Bullica.

(8). Fletë lavdërimi e datës 6.XII.1947, nga Ministria e Tregëtisë e lëshuar nga Ministri i Tregëtisë Gogo Nushi, për Cia Mandro me këtë motivacion: “Për meritë pune, për zell, aktivitet dhe rendiment, ju lëshohet kjo çertifikatë. Mobilizimi dhe vullneti juaj për punë, le të jetë i vazhdueshëm, për kryerjen e detyrave dhe planin e shtetit, për sigurimin e një jete më të mirë për popullin tonë.”

 (9). Dokumenti me nr. rregjistrimi 408/13 e datës 2.1.1948 “Mbi emërimin në detyrë” të Cia Mandro. Dokumenti është i Drejtorit Qendror Shukuri Bullica në Ministrinë e Tregëtisë, Drejtoria Qendrore e shpërndarjes së artikujve ushqimorë që shkruan se, “Cia Mandro është emëruar në kuadrin e kësaj Drejtorie Sekretare e II-të në gradën VII-të me rrogë bazë 2430, pranë zyrës së Administratës. Presim zell dhe aktivitet në detyrën e ngarkuar”.

(10).Vërtetim i Komitetit të Partisë të rrethit Shkodër, në të cilin shkruhet: “Vërtetohet se shoqja Cia Mandro ka punuar pranë këtij Komiteti si financiere që nga data 15 Nëntor 1948 deri më datën 30 prill 1950, dokument i cili është lëshuar për vjetërsi pune”, firmosur në Shkodër më 28.3.1962 nga Sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit Shkodër Gac Mazi.

(11). Dëftesë e vitit shkollor 1951-1952, e lëshuar më datën 4 nëntor 1952 për Cia Mandro e bija e Janit e lindur më 1.IX.1923 në Vlorë, që vërteton kryerjen e kursit juridik 9 mujor në Tiranë dhe mbasi i’u shtrua provimeve në 14 lëndë rrezulton përfundimin shkëlqyeshëm me të gjitha notat 5 (pesa, që ka qenë vlerësimi shkëlqyeshëm), por edhe me sjellje shëmbullore. Dokumenti është lëshuar nga përgjegjësi i kursit Dhimo Dhima dhe firmosur nga Ministri i Drejtësisë Bilbil Klosi. Lëndët kanë qenë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Ruse, Histori, Marksizëm-Leninizëm, E drejta shtetërore, Teori e shtetit dhe e së drejtës, Organizimi gjyqësor, E drejta penale, E drejta Civile, E drejta familjare, E drejtë e Punës, Procedurë Penale, Procedurë Civile, Kontabilitet).

(12). Dokument i Ministrisë së Drejtësisë, Degës së Kuadrit me nr rregjistrimi 844 datë 13.10.1952, që i drejtohet shoqes Cia Mandro si dhe për njoftim gjykatës Popullore të rrethit Tiranë në të cilën shkruhet se: “Deri në zgjedhjen tuaj si gjyqtare, viheni në dispozicion të Gjykatës Popullore të rrethit Tiranë me rrogë bazë 5000 lekë. Marrëdhëniet financiare fillojmë më 16.11.1952”. Shkresa është e firmosur nga Ministri i Drejtësisë Bilbil Klosi.

(13). Dokument vërtetues i Ministrisë së Drejtësisë me nr. 935 datë 9.XII.1953, që shkruhet se Cia Mandro në bazë të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH nr. 29 datë 3.12.1953 është caktuar përkohësisht deri në zgjedhje si gjyqtare në Gjykatën Popullore të rrethit të Fierit, ku zv/ministri Riza Taushani urdhron: “bëni dorëzimet dhe paraqituni menjëherë në detyrë”.

 (14).Dokument i Ministrisë së Tregëtisë, Degës së Kuadrit; që vërteton se i është drejtuar zyrës së pashaportëzimit Drejtoria e Punëve të Mbrendshme në Tiranë, ku dokumentohet se, “Me vendimin nr 147 të Komitetit Qendror të PPSH (Drejtoria Administrative), shoqja Cia Mandro është emërtuar Shefe e Kabinetit të Ministrit në këtë dikaster në rang kryetare dege”. Dokumenti është lëshuar nga zv/Ministri i I-rë Gogo Kozma.

(15).Vërtetim i USHT, Fakulteti i Shkencave Politiko-Juridike i datës 27.8.1969, ku “Vërtetohet se Cia Mandro, ka kryer kursin dy vjeçar të ditës të këtij fakulteti”, dokument që është lëshuar për efekt dokumenti shkollor nga kryesakretari Eqerem Sakiqi, dhe ku është vërtetuar njësia me origjinalin nga Kryetari i Gjykatës Sabri Rrapaj.

(16).Vërtetim i marrë nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politiko-Juridike i datës 27.08.1969, ku “Vërtetohet se Cia Mandro, ka kryer kursin dy vjeçar të ditës të këtij fakulteti”, dokument që është lëshuar për efekt dokumenti shkollor nga kryesakretari Eqerem Sakiqi (dok original).

 (17).Vërtetim i Degës Ushtarake të rrethit të Vlorës i datës 12.9.1975 në të cilën shkruhet: “Vërtetojmë se Cia Jani Mandro e datëlindjes 1923 ka marrë pjesë në Ushtrinë NÇL nga data 5.6.1943 deri më datën 29 Nëntor 1944 dhe nga data 29 Nëntor 1944 deri më datën 9 Maj 1945 ka qenë në Ushtrinë Popullore. Dokumenti është nënshkruar nga Shefi i Degës Ushtarake të rrethit të Vlorës Jano Andoni”.

Burimet e Studimit: Të dhëna arkivore si dhe nga zyrat e Org së Dëshmorëve dhe të Veteranëve në Vlorë dhe në Tiranë; të dhëna nga Periodiku i gazetave në Bibliotekën Kombëtare, gazeta “Korieri”,“Telegraf”, “Ndryshe”, “National”, “Kushtrim Brezash”, Revista “Pavdekësia”, gazeta “Labëria”, gazeta “Zëri i Vlorës”, gazeta “Fushëbardha”, një shkrim i veçantë Anesti Çaushi kushtuar Cia Mandro; Materiale nga seria “Yje të Pashuar” të shkrimtarit Resul Bedo, nga shkrimtari Qamil Buxheli, Andrea Varfi, “Dita” të Hiqmet Zane (Mbi të vërtetën e vrasjes së Ali Demit “Hero i Popullit”, në 28.9.2020), të dhëna nga libri Brigad e 5 Sulmuese, Tiranë, 1989, hartuar nga një grup ish-luftëtarësh të BRVS; të dhëna historike nga Departamenti i historisë në Akademinë e Forcave të Armatosura; Kujtime nga LANÇ-it, “Populli na ndihmoi për funksionimin e shtypshkronjës partizane” të shkruar nga veterani i LANÇ Qazim Skëndo Nanaj; Zaho Golemi, Vështrim mbi organizimin dhe ndihmesën e formacioneve me ushtarakë të huaj në radhët e Ushtrisë NÇ Shqiptare (UNÇSH)” dhe  “Aleatët anglo-amerikanë në vëndin tonë gjatë periudhës së Luftës, 1943-1946”; Dhimitër Mandro, Aspekte të krizës së sotme valutore në …”, Red. Lulzim Hana; redaktoi: Harilla Papajorgji, Elmaz Bimi, Tiranë, 1979; Bexhet Rrapaj: Shkëndijat e para të LANÇ, lufta ilegale dhe guerilase, sipas gazetës Telegraf, datë 1 Nëntor  2023; Filip Rrumbullaku, Dekorimet nga Princ Vidi deri më sot, Tiranë: SHB “Onufri”, faqe 283;  Hiqmet Zane, gazeta “Dita” më datë 28.9.2020; të dhëna nga “Misioni ushtarak shqiptar, pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Aleate të Mesdheut në Bari”, që veproi nga korriku 1944 (fillimisht 4 shqiptarë) deri më qershor 1946 (misioni kishte 33 vetë në fazën përmbyllese) dhe nga drejtuesit shqiptarë kanë qenë fillimisht Bedri Spahiu dhe më vonë Kadri Hoxha; Anesti Çaushit, gazetën “Intervista” në kujtim të Cia Mandros, më 6.12.2014 (nr.1083), “Historiku i grave dhe vajzave të Vlorës gjatë LANÇ-it”, (hartuar nën drejtimin e ish-komisarit të BrVS Hysni Kapo, vitit 1969 në kuadrin e evidentimit dhe krijimit të historikëve të formacioneve të mëdha të LANÇ-it.

–&–