Albspirit

Media/News/Publishing

MOTIVIMET PËR POEZINË SI BURMË A RRIP TRANZICIONI, TË MARRA BORXH NGA E KALUARA, JANË ATO QË E KTHEJNË VETË JURINË NË KALLP


Nga Natasha Lako

Mendoj se po flas me më të interesuarit për alarmin lidhur me sistemin e “tokëzimit” sa më të sigurt për të mbrojtur autorët dhe artin poetik. Për të tjerat, të gjithëve do t’u vijë radha për të marrë titullin, po të vazhdojnë të jenë të “disponueshëm”. Motivimet për poezinë si burmë a rrip tranzicioni, të marra borxh nga e kaluara, janë ato që e kthejnë vetë jurinë në kallp.


I vë shumë rëndësi faktit se, pa shprehjen e miratimit të vetë laureatit potencial, pranon apo nuk pranon këtë detyrë, gjithçka përbën një 0 të madhe. Duke menduar se në fund viti atmosfera kërkon gaz dhe hare, iu shmanga postimit lidhur me jetë, qëndrim, alienimi të vetë krijuesit shqiptar, për të paraqitur si shqetësim jo emërtimin e sivjetëm, por pozicionin ku vendosen të nominuarit, të gjithë poetë të nderuar, fare pa u pyetur përpara titullit, si përpara pëlhurës së kuqe në garën e demave, ose konkurrimit në sistemet e eliminatoreve të Big Brother (me miratimin e tyre, sigurisht), apo më e mira, të skuadrave të futbollit.
Kjo tregon se administrata a priori mendon se ka në dorë fatin ose vullnetin e vetë krijuesve, që dashur pa dashur vihen si në ringun e boksit, pa e ditur as vetë. Duhet të marrësh vesh vetëm nga pëshpëritmat ose ata që qëndrojnë shumë pranë Qendrës së Librit, dhe të tjerët s’e dinë cilët janë. Pozicion shumë ofendues ku vendosen bashkërisht emra të nderuar. Edhe të tjerë më kanë thënë se nuk janë pyetur.
Personalisht, me mua nuk është bërë asnjë komunikim, as qysh as si, madje si me ultimatum, pa më shpjeguar pse më është kërkuar urgjent të përmbush një aplikacion të nevojshëm, pas të cilit mora vesh kalimthi se isha në një farë finaleje, që e nënkuptova vetëm kur më thanë: “mbushe sa më shpejt, se të tjerët e kanë dërguar”.
Kjo ndodh vetëm në “Procesin” e Kafkës dhe tregon sa e respekton palo administrata krijuesin e përdorur si vegël, sidomos kur në rastin tim unë nuk jam e interesuar të ndjek postimet, me të cilat lahen duart si të Pilatit, me të njëjtat stile të tenderave që po “shpëtojnë” shoqërinë shqiptare.
Mendoj se po flas me më të interesuarit për alarmin lidhur me sistemin e “tokëzimit” sa më të sigurt për të mbrojtur autorët dhe artin poetik. Për të tjerat, të gjithëve do t’u vijë radha për të marrë titullin, po të vazhdojnë të jenë të “disponueshëm”. Motivimet për poezinë si burmë a rrip tranzicioni, të marra borxh nga e kaluara, janë ato që e kthejnë vetë jurinë në kallp. Në këtë mënyrë jemi edhe më fat që arrijmë të lexojmë vetë sistemin që është krijuar edhe për botën letrare.
FALEMINDERIT që bëtë të qartë më të rëndësishmen: nuk ka garë dhe askush nuk hyn në valle pa i respektuar në radhë të parë vullnetin e tij.