Albspirit

Media/News/Publishing

Foto & video/Maduro shfaqet me pranga në duar dhe uron i qeshur agjentët e DEA-s

Pamje të reja janë publikuar teksa Maduro mbërrinë në Nju Jork, pasi u kap nga forcat amerikane gjatë një operacioni të zhvilluar në bazën e tij ushtarake në Karakas. Siç shihet edhe në pamje, Maduro u shoqërua me pranga në duar drejt selisë së Agjencisë Amerikane kundër Drogës (DEA) në Manhattan, ku u dorëzua zyrtarisht autoriteteve federale.

Disa pamje të publikuara në rrjetet sociale e tregojnë liderin venezuelian teksa futet në ambientet e DEA-s i shoqëruar nga dy agjentë. Në video, Maduro shihet i qetë dhe duke buzëqeshur, ndërsa u drejtohet agjentëve që e shoqëronin me përshëndetjen: “Mirëmbrëma, Gëzuar Vitin e Ri”.

Maduro akuzohet për një sërë akuzash: Komplot për narkoterrorizëm, komplot për importimin e kokainës në SHBA, prodhim, shpërndarje dhe posedim i kokainës me qëllim importimi, përdorim dhe posedim armësh të rënda gjatë krimeve të drogës, komplot për përdorimin e armëve të rënda dhe Konfiskim pasurie (forfeiture).

Siç shihet edhe në pamje ai është i rrethuar nga agjentë të Administratës Amerikane kundër Drogës (DEA) dhe Hetimeve të Sigurisë Kombëtare. Maduro shihet me pranga në duar i veshur me një bluzë sportive ngjyrë blu të çelët, ndërsa shoqërohet nga zyrtarë amerikanë.

Në foto ai shihet me pranga në duar, të vendosura përpara, ndërsa në një prej imazheve pozon duke bërë shenjën e “gishtit lart”.

Në një tjetër pamje, ai duket duke qëndruar jashtë avionit, pak pas uljes në Nju Jork. Në të dyja fotografitë, Maduro shihet i veshur me të njëjtën bluzë sportive blu të çelët, pantallona sportive blu të errëta, çorape të bardha dhe sandale sportive. Teksa Maduro ndodhet në paraburgim, Gjykata e Lartë e Venezuelës urdhëroi zëvendëspresidenten Delcy Rodríguez të marrë përsipër detyrat dhe kompetencat e presidentit, pas arrestimit të Maduro-s.

Rodríguez do të marrë dhe ushtrojë, si presidente në detyrë, të gjitha pushtetet, detyrat dhe kompetencat që rrjedhin nga posti i presidentit të Republikës Bolivariane të Venezuelës, me qëllim garantimin e vazhdimësisë administrative dhe mbrojtjes së plotë të vendit.

Kushtetuta e Venezuelës përcakton se, në rast të mungesës së përkohshme ose përfundimtare të presidentit, zëvendëspresidenti duhet ta zëvendësojë atë.

https://gazetadita.al/video-maduro-shfaqet-ne-zyrat-e-dea-s-m-pranga-ne-duar-pershendet-agjentet-amerikane-iu-uron-vitin-e-ri