Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Xh. Duka: Guri dhe arra tek qytetari

Gёnjeshtra pa “kёmbё”

Kur vjen puna tek dokrrat e politikanёve tanё pёr demokraci e shtet ligjor, gёnjeshtra as kёmbё nuk ka! U ka dalё boja, janё stёrprovuar e prapё “topi bam e Muҫua tutje” se siҫ e katandisi gjёndjen epoka BeRama, ajo ёshtё ku e ku edhe me monarkinё e socializmin se atёhere, pavarёsisht kufizimeve, mbante era shtet e kishte ca rregull e qetёsi.

Gjёrat janё bёrё ҫorap sepse politika u kuturis e futi duart tek vota e prona qё janё pikёnisje nё demokraci e sa kohё ato nёpёrkёmben, nuk ka gjasa pёr normalitet demokratik. Pa u futur ato nё hulli, vetёm vёrdallosemi e pёshtjellohemi nё rrethin vicioz tё dёshpёrimit e fatalitetit, humbasim kohё tё vyer e jetё brezash me “e lagu s’e lagu”, lexim “falli” pёr personazhe, katapultime tё “rinjsh”, rrokada e telenovela politike, iluzione se “vit i ri, kismet i ri” e mbase atje “lart” vёnё dorёn nё zёmёr e qeverisin apo bёjnё opozitё si duhet etj anomali tashmё normalitet!

Por, shpresa nuk zbehet por ndizet, veҫanёrisht kur gjёrat shkojnё keq, duke ngjizur mё pas edhe besimin sa kohё bashkё me problemin qartёsohet edhe zgjidhja qё shpesh janё e njёjta gjё. Prona e vota janё “motori” e jo “problemi” nё demokraci sikurse i ka katandisur politika sot. Sesa “shkaku” i tranzicionit, ato janё dalja prej tij, sesa “prita” ndaj demokracisё e shtetit ligjor ato janё “truproja” e tij etj, ndaj dhe ajo politikё e parti qё premton reforma e drejtёsi pёr to, ka shansin tё hyjё dhe tё bёjё histori. Bulevardi nuk ka pse tё jetё qorrsokak.  

“Ora” e mbetur e pronёs

Duke nёpёrkёmbur pronёn historike, politika krijoi preҫedentin e pasigurisё juridike e padrejtёsisё “ligjore” nё vёnd, mjerisht i “noterizuar” ky edhe nga gjykatat e toleruar nga Perёndimi qё aq i bёn sa kohё politika lepe-peqe mbetet “kone” e tij. 

Dokrrat pёr respekt e trajtim dinjitoz tё pronarёve qё po ikin me peng nga jeta, shifrat e “bujshme” nё total pёr kompensime qё katandisen “kokoshi njё thelё” pёr pronar etj, kanё zhbёrё besimin si tё pronarёve ashtu edhe shumicёs nё vёnd sepse saga e pronarit historik ёshtё “kronikё e paralajmёruar” pёr kёdo me njё tapi nё xhep sot. Askush, edhe fatlumёt nga 7501, nuk ndjehen tё sigurtё pas preҫedentit “ligji jam unё” e “kush t’a jep, t’a merr”!

Respektimi i pronёs ёshtё shtjellim ekonomik, juridik, demokratik, social e deri patriotik se ndёrsa nё jug pronat historike iu kaluan tё ardhurve dhe tej kufirit pronat ҫame i mori e i mohon greku, tek ne pronёn historike t’a mohon e tjetёrson i “yti”! 

Respekti ndaj pronёs historike do tё krijonte njё preҫedent pёr fatin e pronёs pa dallim dhe do tё mirёpritej e mbёshtetej me votё nga qytetari sepse sigurinё e duan tё gjithё. Njё shans historik ky pёr politikёn ndryshe qё pёr tё futur pronёn nё hulli duhet tё ketё si pikёnisje mes tё tjerave:

a. Rikthimin fizik me prioritet tё pronёs kur ajo ёshtё e lirё, e lёnё pas dore, e dorёzuar vullnetarisht nga pёrfituesit e 7501 (kundrejt njё kompensimi prej shtetit), shkёmbimin me pronё publike tё barazvlefshme gjetiu etj. 

b. Kompensimin financiar me vlerё tregu, nё pamundёsi rikthimi apo si zgjedhje ndaj rikthimit fizik (pagesё e plotё apo kёste qё indeksohen me inflacionin) prej buxhetit sepse taksapaguesi ka pёrgjegjёsi pёr votёn tre dekada me rradhё. 

c. Kontribut nё kompensim edhe nga fatlumёt e 7501 pёr zёnien e tokёs sё tjetrit nё mёnyrё qё tapia e tyre tё mos pёsojё njё ditё fatin e tapisё sё pronarit historik. Kjo edhe pёrmes kredive bankare pa interes apo interes tё ulёt mbёshtetur nga buxheti pёr pronarёt e “rinj” nё mёnyrё qё pronari historik, apo pasardhёsit e tyre, tё kompensohen sa mё parё.  

d. Rishikimi i abuzimit “ligjor”, gjyqёsor e shtetёror, me dosjet e pronave dhe rikthimi apo kompensimi nё lekё bazuar edhe tek detyrimet financiare qё duhet tё kenё ata qё shpёrdoruan pushtetin e ishin protagonistё nё abuzim.   

e. Njohja e shlyerja e dёmshpёrblimit pёr tre dekada privim e mohim i mundёsisё pёr tё investuar e zhvilluar pronёn e tё parёve – pagesё e plotё, kёste tё indeksuara apo pёrjashtimi i pronarёve historikё nga taksat e tatimet pёr aq kohё sa shlyhet ky detyrim. Shteti “smart” qё i numёron detyrimet deri tek qindarka qytetarit, e ka mundёsinё tё llogarisё edhe milionat qё i detyrohet atij.

Rrёmuja e pronёs me pёshtjellimin, ndasitё e tensionet nё shoqёri u krijua qёllimisht nga politika e votuar gjatё nё tranzicion. Zgjidhja mbetet politike dhe ajo parti qё del me njё platformё qё respekton realisht pronёn, ajo ka shans tё bjerё nё sy. 

Deputet i ҫdokujt dhe i askujt!

Nё Perёndim ka njё mori sistemesh zgjedhore qё ndonse e lexojnё ndryshe, e respektojnё votёn njёlloj duke ofruar kandidatё me integritet. Problemi me 2008, sesa sistemi e arnimet e tij, ёshtё abuzimi me tё si nevojё pёr tё garantuar mbijetesёn e autokracisё politike me kulisa pas. Me apo pa lista, tё gjitha janё sisteme demokratike sa kohё politika pёrzgjedh pёrfaqёsues dinjitozё pёr nё Shtёpinё e Qytetarit por, sa kohё politika jonё ёshtё ajo qё ёshtё, vetё sistemi shndёrrohet nё problem. 

Politika e papёrgjegjshme e refreni bozё i tё “zgjedhurit” nga sovrani e bёjnё sot tё domosdoshёm reformimin e sistemit zgjedhor me mazhoritarin si tё vetmin qё u mat “kokёn me pe”. Kur flasim pёr normalitet demokratik nё Perёndim, MB e SHBA qё hanё bukё veҫ, bazohen nё sistemin mazhoritar. Nё Parlamentin Britanik nuk i drejtohen njёri-tjetrit si deputet i asaj apo kёsaj partie por si deputeti i zonёs zgjedhore gjeografike ku ёshtё votёbesuar drejtёpёrsёdrejtё e kjo ndodh edhe nё Kongresin Amerikan ku flitet pёr deputetё tё Teksasit, Kalifornisё, Nju Jorkut etj. Ndёrkohё tek ne, njihen e citohen vetёm si deputetё partie, tё ҫdokujt dhe tё askujt njёkohёsisht!  

Njё ligj mazhoritar nxit pёrgjegjshmёri nё Kuvёnd dhe rikthen dinjitetin e votёs, votuesit e deputetit atje. Votuesi nuk ёshtё mё anonim por “bosi” i vёrtetё dhe deputeti bёn “karrierё” vetёm kur del faqebardhё para tij e jo kryetarit qё e fut nё listё e kjo bёn vaki edhe nё SHBA me Trampin e plotfuqishёm atje! 

Me sistemin e sotёm nё Shtёpinё Qytetare nuk ka zёdhёnёs populli por partie, nuk ka tё zgjedhur por tё emёruar nё rrjesht qё i bёjnё temena kujtdo pёrveҫse qytetarit hallexhi. Ata qё pretendojnё se Kuvёndi nuk ёshtё “noter” i SPAK e kanё degraduar atё “noter” tё qeverisё me votime e ligje qё kanё krijuar njё “labirint” legjislativ klientelist ku qytetari hyn e nuk del dot e ku vetёm “elita” ia del.   

Kuvёndi ka nevojё pёr deputetё, me apo pa parti, qё t’u drejtohen si tё kёsaj apo asaj qёndre banimi, deputetё qё mёndjen e kanё tek zona e jo “telat” e kryetarit, qё “kontaktet” nё telefon tё mbushen me numra qytetarёsh e jo kulisa klientele etj e kёtё e mundёson sistemi mazhoritar. 

Njё mazhoritar me dy raunde e plotёsim proporcional kombёtar si dikur, ёshtё e “mira e dy botёve” sepse garanton besnikёri ndaj votuesit, mundёson kohezion e bashkёpunim politik e social dhe ushqen gjithnjё ambicjen e tё pavarurve e risisё nё politikё. 

Me hak partitё e reja nё politikё po i mёshojnё tё drejtёs sё referendumit e lehtёsimit tё proҫedurave pёr tё por mё sё pari ai duhet tё jetё pёr sistemin zgjedhor me atё mazhoritar si flamur beteje pёr opozitёn e re. Proporcionali kombёtar, qoftё edhe me lista tё hapura, nuk ёshtё zgjidhje sepse sёrisht deputeti mbetet i ҫdokujt dhe i askujt njёkohёsisht. 

Politika ёshtё nё konflikt interesi me ligjin zgjedhor ndaj dhe “topi” i duhet lёnё qytetarit nё referendum. Deri tani BeRama e ka “kopsitur” sistemin tё atillё qё i garanton prani nё Kuvёnd ndaj edhe partitё e reja duhet tё dёshmojnё se janё vёrtet tё tilla duke refuzuar tё “vjetrёn” edhe tek sistemi zgjedhor. Ndryshe, i bie qё i ndruhen po njёlloj si BeRama votёs sё drejtёpёrdrejtё e janё nё politikё pёr privilegje sikurse ndodhi edhe me Avokatin e Popullit dje. 

Pёrtej dallimeve ideologjike, flamuri i betejёs politike i partive e politikёs sё re duhet tё jetё ligji zgjedhor mazhoritar, vulosja me referendum i tij dhe kompensimi dinjitoz i pronarit historik, sfidё epike kjo kur mendon se statukuoja nuk lёshon pe kollaj. Sesa betejё pёr tё majtё e tё djathtё, ajo ёshtё betejё pёr rregulla nё demokraci e kjo duhet t’a bёjё bashkё opozitёn e re. 

Prona e vota nuk duhet tё jenё “mjegulla” e politikёs abuzive tё tranzicionit por “guri e arra” nё duart e qytetarit e duke premtuar drejtёsi pёr pronёn e liri pёr qytetarin pёr tё vendosur vetё tё ardhmen e tij, partitё e reja do tё bien nё sy. Kur respektojnё qytetarin, fitojnё edhe respektin e besimin e tij.