Zana Tako: JASHTË POLITIKËS
Politika e ka dhënë provimin e saj përpara gjthkujt, përpara popujve dhe kombeve. Nota e saj është notë që tregon, se politika ka mbetur në klasë dhe nuk mund të rifutet përsëri në provim, pasi rifutja e saj është ideologji e gabuar, e ky gabim rëndon mbi jetesën e gjithkujt, të çdo individi, ndikon negativisht në frymëmarrjen e çdo krijese, ndikon negativisht në qarkullimin e lirë të ideve dhe mendimeve të njeriut të lirë dhe të ndershëm.
Politika është sëmundja më e rëndë prej së cilës popujt duhet të shërohen dhe të vetadministrohen mbi parime bazë të jetës së shëndetshme ku prodhohet bollëk dhe mirëqenie.
Nuk është e vështirë të qeverisësh një popull pa bërë politikë. Qeverisja dhe politika janë dy terma krejtësisht të ndryshëm nga njeri-tjetri. Qeverisje do të thotë: të administrosh probleme jetike dhe funksionale, ndërsa politikë do të thotë: manipulim idesh dhe keq qeverisje nën thundrën e politikës.
Vetë shkatërrimi i jetës njerëzore ka treguar manipulimin e dhunshëm që ka funksionuar me vite e shekuj me rradhë mbi popuj dhe kombe. Ky shkatërrim nuk ka qytetëruar por ka robëruar, nuk ka kultivuar por ka varfëruar, e nëse gënjehemi me pak shembuj, do të thotë se shuma e pabarazisë e mund logjikën që kundërshton parimin bazë të mbijetesës së atyre që kanë ndjerë shtypje dhe poshtërim nga politika shtypëse dhe mizore.
Qeverisja është mjeti i duhur që i duhet sot mbarë njerëzimit, është bashkëpunimi nëpërmjet bashkimit të ideve të begata, të cilat reformojnë jetën në çdo qelizë, luftojnë korrupsionin që lind si kërpudhë e helmatisur, bashkëndan mirëqenien në formë të barabartë, dhe vepron në mënyrë të përbashkët pa e kundërshtuar ligjin me të cilin flet dhe vepron drejtësia.
E kundërta ndodh në të bërit politikë, e cila fsheh qëllimin duke propaganduar mirëqenie dhe barazi. Në politikë fjala barazi fshihet pa u shkruar. Në politikë fjala barazi fsheh korrupsionin, i cili shpërblen politikanin por jo fshatarin apo punëtorin i cili nuk vjel atë që prodhon, pasi prodhimin e tij e rrëmben politika, e cila e shpërndan atë sipas tagjisë që ka caktuar për të ngopur drejtues manipulatorë partish që vegjetojnë mbi fletë ligjesh.
Kur bota të kuptojë se politika është vjedhësi i jetës së saj, atëherë e gjithë fuqia e saj do të drejtohet mbi atë pakicë që sot duket se drejton duke rrëmbyer pa mëshirë gjithçka që prodhohet për të mbijetuar.
Kafsha ndryshon nga njeriu, ashtu si njeriu ndryshon nga kafsha. Kafsha nuk merret me politikë, por politika merret edhe me kafshët. Politika bën që kafsha t’i bindet njeriut, por njeriu nuk është kafshë që t’i bindet politikës kur politika e trajton njeriun si qenie-kafshë! Kjo lloj mendësie sundon sot mendjen e politikanit, i cili nuk merret me problematikat e popujve dhe të kombeve, por merret me të majmurit e fitimeve marramendëse që shpien në pasurim dhe delir të mendjeve shterpë.
E keqja nuk vjen nga dashuria por vjen nga tradhtia. Politika është tradhtare e jetës njerëzore, ndaj edhe fati i saj është përjashtimi dhe ndëshkimi nga vetë njeriu i lirë, që dëshiron të jetojë në paqe dhe në dashuri vëllazërore!
Janar 2026.