Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Patriotët

Ata flasin me zë të lartë.
Shfaqen nëpër sheshe si tagrambledhës.

Një shkop e mbajnë me vete
dhe qortojnë secilin që u duket se u zë udhën.

Ata vishen me tesha të zgjedhura
dhe s’u pëlqen të rrinë në kënde të qytetit,
por të lazdruar
kërkojnë vendet e para në sheshe të mëdha.

Nganjëherë deklamojnë vargje
për lavdinë që u mungon.

Ata kanë dëshirë të mbajnë flamuj në dorë
dhe kur ndërrojnë sistemet, i ndërrojnë teshat
si pemët kompozicionin e tyre në stinë të ndryshme.

Në vendin tim ky zanat është ushtruar gjatë,
ndaj kudo ka kolibe të hipokrizisë
veshur me parulla.

Jashtë,
njerëzit e presin Mesinë,
të shfaqet mes tyre me kamxhik,
që t’i pastrojë tempujt e mbushur me hipokritë.