Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: E “humbur” në masakrën e Vranishtit ‘43
Plakat e Bocajve lanë një amanet…
Rasti e solli që në bisedë e sipër me Zijet Bocaj, të tregonte një histori për hallën e tij. Ajo tha ai – nuk gëzoi në jetë, por u masakrua nga nazistët gjermanë në dhjetorin e vitit 1943 në rrugët e Vranishtit. Kishte vetëm disa muaj që ishte e martuar në familjen Shyti.
Që nga ajo kohë Rubia u harrua dhe nuk u kujtua më. Për herë të parë ka shkruar për Rubien dr. Mikado Shakohoxha në librin “Masakra e Vranishtit”. Familja Bocaj nga Ramica kishte humbur çdo kontakt me familjen Shyti. Plakat e Bocajve vazhdimisht kanë qenë të interesuar për bijën e tyre, por ajo ngeli e vetmuar dhe në varr, e lidhjet midis dy familjeve u ndërprenë për vite të tërë…
Dr. Mikado Shakohoxha kur mësoi për Rubie Shyti se është nga Ramica, u gëzua shumë. Kjo ishte e vetmja grua e masakruar që nuk kishim asnjë të dhënë dhe nuk dinim nga ishte… shumë shpejt ishte harruar. Por koha vonon, njerëzit kërkojnë dhe gjejnë…
Unë u interesova për jetën e saj në familjen Bocaj në Ramicë dhe familjen ku Rubia kishte shkuar nuse. Pasi kontaktova me pjesëtarët e saj në Ramicë, i pyeta se kujt i ngjante më shumë Rubia. Plakat e Bocajve që kishin ikur nga jeta me daramet, e që bija e tyre u fik shpejt, thoshin se ngjante shumë me hallën e saj, Miroshen. Kështu që nga fotografia e Miroshes, i njohuri dhe i paharruari Kosta Raka i bëri një skicë për të pasur në imazh dhe figurën e Rubies.
Rubie Spaho Bocaj (Shyti)
Rubie Spaho Bocaj ka lindur në vitin 1923 në fshatin Ramicë të Vlorës. Familja e saj merrej me punët bujqësore dhe blegtoriale. Kjo familje ishte patriote dhe luftëtare. Gjyshërit dhe babai i saj, Spaho kanë marrë pjesë në luftime për liri dhe pavarësi, si në Kryengritjen kundër Tanzimatit 1847, në Mal të Zi 1852, në shpalljen e pavarësisë më 1912 dhe në Luftën e Vlorës të vitit 1920.
Në këtë mjedis familjar patriotik u rrit dhe u edukua Rubie Bocaj, e cila si të gjithë vajzat e tjera në fshat, nuk ndoqi shkollë, por u muarr me punët bujqësore dhe ato të shtëpisë. Rubia siç tregonin plakat e mëhallës ishte një vajzë e bukur, e shkathët dhe punëtore, kudo shkonte me dëshirë dhe gjithmonë do të dallohej.
Familja e saj u lidh ngushtë më Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Vëllai i saj Muho Spaho Bocaj, anëtarë i batalionit territorial të Shullërit, u kap dhe u internua nga nazistët gjermanë në Operacionin e Dimrit 1943-1944 në kampin e Përqëndrimit në Beograd të Jugosllavisë. Në shtëpinë e Bocajve, kunata Didare Matush Bocaj ka mbajtur dhe mjekuar një partizan të plagosur për tre muaj, derisa u shërua. Ai quhej Llazar Mitro nga Fieri dhe mbas çlirimit të dy familjet kanë mbajtur marrëdhënie shumë të mira për disa vite…
Rubia, si gjthë familja Bocaj dhe fshati Ramicë, kontribuoi në Lëvizjen duke u aktivizuar me Organizatën e Gruas Antifashiste dhe të Rinisë Antifashiste të fshatit, si në transportimi e materialeve të ndryshme në ndihmë të prapavijës partizane.
Në vitin 1942 Rubia u martua me Alem Shyti në fshatin Vranisht të Vlorës. Edhe në këtë familje ajo u aktivizua me organizatën e gruas. Familja e burrit ishte e përfshirë e gjitha në Lëvizjen Antifashsite Nacionalçlirimtare.
Më 18 dhjetor 1943, duka kaluar në rrugën e fshatit për punë, ajo u masakrua nga patrulla naziste gjermane që kishin nisur një operacion spastrimi në luginën e Lumit të Vlorës, për të ndaluar dhe azgjësuar lëvizjen partizane që kishte marrë hov dhe me krijimin e Brigadës V Sulmuese.
Për vite e vite me radhë Rubia ishte trajtuar si viktimë e luftës. Për rënien e saj është shkruar në historikun e fshatit Vranisht. Në Brataj është ngritur një memorial, për të masakruarit e fshatit Vranisht, ku është shkruar dhe emri i Rubie Shytaj.
Historia ku u masakrua Rubia në Vranisht nga nazistët gjermanë
Nga fillimi i muajit dhjetor 1943 në Vranisht hynë trupat e Wehrmachtit gjerman ku kryen një masakër masive kundër popullsisë civile. Të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët që u gjetën në fshat u vranë. Në këtë masakër u vranë rreth 50 veta nga mosha 4 vjeç deri në 70 vjeç.
Forcat naziste gjermane arritën deri në afërsi të Vranishtit dhe ndaluan, pasi ishte organizuar një pritë nga forcat territoriale të fshatit. Nga prita u dëmtuan 2-3 makina, të cilat bllokuan kalimin e automjeteve të tjera të autokolonës gjermane. Pararoja, reparti ndëshkues gjerman dogji dhe masakroi të gjithë fshatin. Nazistët ishin të përgatitur për veprime terroriste të kësaj natyre dhe kështu kishte vepruar edhe në vende të tjera, ku ata kishin kaluar.
Në muajin dhjetor 1943 dhe gjatë muajve janar-shkurt 1944 nazistët ndërmorën disa operacione ndëshkues në krahinën e Mesaplikut. Të parin e koduan “Bergkessel” (Kazani Malor), për të asgjësuar forcat partizane që ishin dislokuar në këtë luginë. Në Vranisht, më 18 dhjetor, ata ndeshën në një rezistencë, si rezultat i së cilës pësuan humbje në kufirin me fshatin Tërbaç dhe në Shesh të Mesit, aty ku rruga kalon për në Kallarati. Të informuar për këto humbje, shkuan forca përforcuese naziste që gjendeshin në Tërbaç dhe sapo hynë në territorin e Vranishtit masakrojnë 12 civilë që u përballën me ta rrugëve të fshatit, midis tyre 6 gra. Situata e tensionuar nuk ju dha kohë nazistëve për të thelluar ndëshkimin.
Në masakrën e 18 dhjetor 1943 u vranë Asqerie Hasanaliaj (dëshmore), Bejushe Bitri, Hamide Bitri, Iljaz Tahiri (dëshmorë), Sabedi Gjikondi (dëshmorë), Shefit Bitri, Trendafile Hasanaliaj (dëshmore), Yzeir Bajrami (dëshmorë), Rubie Shyti, Mato Limaj (dëshmorë), Demo Limaj dhe Velide Limaj.
Ndërsa në fazën e dytë të operacionit të koduar “Harridoh” (Thirrja për ta çuar gjahun në shteg), u zhvillua në datat 9-10 shkurt 1944. Nazistët më datën 9 shkurt, bëjnë rrethimin e Vranishtit, hyjnë shtëpi më shtëpi me ura zjarri në dorë. Kush tentoi të largohej, u ekzekutua në vend, kurse dy pleq u hodhën të gjallë në zjarr. 18 vranishjotë u masakruan në këtë datë, kurse 30 të tjerë, u pushkatuan në Brataj.
Më 10 shkurt 1944 pas një seleksionimi, kur kolona naziste gjermane e ngarkuar me municion prej 41 veta, kishte filluar lëvizjen, fshati po kthehej në gërmadhë. Në ikje e sipër, forcat armike filluan djegjen e shtëpive të mbetura, dogjën bagëti dhe shpendë. Fshati nuk kish njohur një situatë të tillë lufte, ku heroizmi nuk ishte një akt individual, por një dukuri kolektive. Virtyti, trimëria, jeta e vdekja ishin kthyer në një forcë të madhe hakmarrëse.
U masakruan Dervish Alikua në duart e nënës, dy vëllezërit Jonuz dhe Ahmet Basho, Daut Sinaj, Çelo Brahimi, Muço Bajrami e Nazo Adem Osmëni. Të njëjtin fat pësuan dhe dy partizanë të sëmurë, që u gjendën ballë për ballë me gjermanët në shtëpinë e Bejo Zenelit. Kurse Rexhep Çinon e Dalan Kaçin, dy ish-luftëtarë të Luftës së Vlorës 1920, pasi i vranë në avllitë e tyre, i hodhën në zjarret përvëluese të shtëpive përkatëse. Këtë fat pësuan gjithë shtëpitë e boshatisura nga kontrolli agresiv. Marshimi i dhjetra banorëve të fshatit nga Vranisht–Tërbaç–Brataj, zbathur e të pangrënë, ngarkuar në shpinë me material luftarak e të plagosurit gjermane, u krye në kushte të rënda psikologjike, atmosferike dhe fizike.
Në Brataj oficerët gjermanë i shpërndanë në disa vende si shkolla e vjetër, shkolla e re dhe në qendër të fshatit dhe bënë masakër. Ndërsa një grup tjetër që mbërriti natën i masakruan në dalje të fshatit. Kështu u masakruan: Azbi Ramadani, Sali Xhama, Zeqir e Shaban Llanaj, Hamit Lamaj, Hajro Çino, Razi Shyti, Sinan Xhama, Dervish Caraj, Arap Janushi, Faik Janushi, Demir e Mersin Zoto, Arshi Xhebraj, Dino Bajrami, Rakip Duka, Ahmet Demo, Ymer Basho, Faik Shakaj, Merçan Shakaj, Ahmet Xhebraj, Yzeir Kongjoni, Nazer Premtaj, Halim Karroqaj, Sulejman Limaj, Osman Tartari, Avdi Ismaili, Mingo Bajrami dhe Ariz Varfi.
I shpëtuan masakrës, por të gjymtuar, të sakatuar e të tjetërsuar ngelën: Abaz Limaj, Arshi Limaj, Ahmet Llanaj, Azbi Aliu, Arshi Ymeri, Haxhi Jakupi, Xhemil Demo, Sadedin Duka,Ymer Xhaferri, Xhebro Aliu, Mersin Limaj dhe Mingo Lloj. Gjetja e tyre nëpër gurët dhe përrallet e Bratit, mbartja për në Vranisht në krahë dhe në vig, u përsërit si në legjendat antike, në kolona të shkëputura, me më shumë të vdekur se sa të gjallë, dhe varrimi pa asnjë rit, ishte një tjetër dënim dhe kujtim i hidhur nga Lufta e Dytë Botërore në Vranisht të Vlorës.
Populli i Vranishtit, megjithëse u dëmtua rëndë nga operacioni nazist gjerman dhe bashkëpunëtorët e tyre, e mbështeti edhe me fuqimisht rezistencën antifashiste deri në çlirimin e vendit nga pushtuesit duke i qëndruar deri në fund të luftës besnik idealit te lirisë.
Kënga që u ngrit për masakrën
Që nga Bregu i Gjoke në rrugët e Reçe,
nga Buza e Hundës; shtëpitë e Gjoleke,
gjithçka përfshirë tmerr e llahtari,
e shkretoi vendin ky armik i zi.
U vunë në shënjestër gratë e Hasanalije
një nga trimëreshat, vashëza Rukie.
Në Ndarëza: Bejushia, Hamidea e Shefiti,
E shtrenjta Sabedi dhe Rubie Shyti…