Hyland: Administrata Trump e rikonfirmoi mbëshetjen për Kosovën. Në mandatin e ri Qeveria Kurti duhet të përqendrohet në ekonomi
Prishtinë, 6 janar 2026 – Christopher Hyland, njohës i mirë i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe doktrinës së administratës së Presidentit Donald Trump, në një intervistë për televizionin “Kanal 10” në Kosovë, ka folur për politikën e jashtme të administratës Trump në planin global.
Hyland tha se Shtetet e Bashkuara, si fuqi globale, angazhohen për ndryshime pozitive në mbarë botën.
“Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara është globale. Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara është e angazhuar plotësisht në atë që po ndodh në Lindjen e Mesme, në atë që po ndodh në Azinë Lindore, në atë që po ndodh në Afrikë. Shtetet e Bashkuaram, si forcë globale, janë të angazhuara për ndryshime pozitive dhe për zhvillim ekonomik dhe kurrë nuk do të tërhiqen nga ky rol”, ka thënë ai.
Duke e vështruar në këtë kontekst, Hyland ka folur edhe për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës. Ai ka thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën ka tashmë një histori, e cila ka nisur me Presidentin Xhorxh H. W. Bush dhe ka vazhduar me Presidentin Bill Clinton dhe Presidentin George W. Bush. Hyland, po ashtu, e ka vlerësuar edhe rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan, duke veçuar ndër të tjerë Xhim Xhemën, Vehbi Bajramin, Haziz Vardanin, Naim Dedushajn e të tjerë.
“Kishim Bushin e Parë që tha ‘Mjaft! Nuk mund të lejojmë që Kosova të trajtohet ashtu siç po trajtohet nga serbët’. Pastaj e kishim Presidentin Klinton, i cili për shkak të njerëzve si unë dhe Xhim Xhema, Vehbi Bajrami, Naim Dedushaj e të tjerë, të gjithë neve që krijuam një atmosferë që i gjithë rrethi i tij ishte në lartësinë e detyrës, i doli në mbështetje Kosovës. Dhe në fund, ishte Bushi i Dytë ai që e njohu pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Hyland ka thënë se Presidenti Trump dhe administrata e tij është shumë mbështetëse për Kosovën. Në këtë kontekst, ai e ka kujtuar angazhimin e Trumpit për nënshkrimin e Marrëveshjes për raportet ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë dhe ka shprehur besimin se Trump, në mandatin e tij të dytë, do ta shtyjë përpara këtë ide, të cilën e ka cilësuar si “vizionare”.
“Unë besoj se kjo është një ide vizionare për t’u realizuar, të thuhet ‘Ja ku jemi tetë vjet më vonë. Le të kthehemi dhe të konktretizojmë vizionin që kishim për linjat hekurudhore, për biznesin, për ekonomikë dhe për tregtinë!”, ka thënë ai.
Christopher Hyland, i cili është mbështetës i madh i Kosovës, ka thënë se administrata Trump do të ketë “marrëdhënie pozitive” me kryeministrin Albin Kurti, pavarësisht mospajtimeve të tij me emisarin special Riçard Grenell.
“Unë besoj se ka shumë indikacione se do të ketë marrëdhënie pozitive dhe se kjo marrëdhënie tashmë është pozitive. Gjatë ditëve të fundit të fushatës së Kryeministrit [Kurti] në thelb administrata [Trump] e rikonfirmoi fuqishëm mbëshetjen e saj për Kosovën. Qartazi, momentumi ishte zgjedhur në mënyrë brilante, absolutisht brilante”, ka thënë ai.
Hyland e ka vlerësuar posaçërisht qëndrimin e Kurtit lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe të Kosovë. Ai ka thënë se Kurti ka dëshmuar vendosmëri për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.
“Komunat me shumicë serbe janë të lira të krijojnë një asociacion. […] Ajo që nuk mund ta bëjnë ata është ta marrin atë territor dhe ta lidhin në çfarëdo mënyre me qeverinë e një vendi tjetër. Dhe Kryeministri Kurti ka të drejtë absolute kur e kundërshton atë”, është shprehur ai.
Hyland ka mohuar se administrata Trump këmbëngul për formimin e Asociacionit.
“Sipas asaj që e kuptoj nga njerëzit në Uashington, përfshirë shumë diplomatë të lartë, gjatë disa muajve të fundit nga ana amerikane nuk ka pasur ndonjë diskutim që tregon një shqetësim të madh për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo nuk është çështje urgjente. Dhe personat që ma kanë thënë këtë janë individë të përfshirë direkt në ato diskutime”, është shprehur ai.
Christopher Hyland e ka përshëndetur fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjketorit dhe ka shprehur bindjen se Kurti do ta formojë shpejt qeverinë e re. Ai ka theksuar se qeveria Kurti në mandatin e ri duhet të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe, posaçërisht në investime të jashtme.
“Mendoj se në mandatin e tij të tretë, ai duhet të përqendrohet tek biznesi. Dua të them të marrim kompani si COD, mendoj se quhet COD, që mund të bëhet shumë shpejt një kompani me vlerë miliard dollarëshe. Kujtoni, kjo ka marrë jetë këtu, në Kosovë. Pra, ajo që duhet të bëjmë për një vend me 1.8 milione banorë është të krijojmë situatë dinamike, të ngjashme me Zvicrën”, ka thënë ai ndër të tjera.
Christopher Hyland ka folur me superlativa edhe për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për nivelin e demokracisë, si edhe për tolerancën dhe emancipimin e shoqërisë në Kosovë.