Albspirit

Media/News/Publishing

Morali i një gruaje nuk është dhe nuk mund të jetë një çertifikatë trupore

Eva Vatoci

Morali i një gruaje nuk është dhe nuk mund të jetë një çertifikatë trupore. Karta e virgjërisë nuk është vlerë morale, por një koncept i instrumentalizuar historikisht për të kontrolluar trupin dhe lirinë e femrës. Morali nuk banon në trup; ai banon në ndërgjegje, në ndershmëri, në përgjegjësi dhe në respektin për tjetrin.

Në këtë prizëm, rasti i trajtuar në Big Brother VIP Albania nuk është thjesht një episod televiziv, por një pasqyrë e një mentaliteti ende aktiv. Brikena deklaroi në hyrje se nuk kishte pasur kurrë një lidhje, deklaratë që u lexua publikisht si virgjëri dhe u ngrit padrejtësisht në piedestal moral. Më pas, hyrja e Mateos, i prezantuar si ish-partner, e rrëzoi këtë narrativë dhe e shndërroi trupin dhe intimitetin e një vajze në temë gjyqi publik.

Le të jemi të qartë: gënjeshtra është çështje morali, sepse cenon sinqeritetin. Por kjo nuk ka asnjë lidhje me jetën intime. Një grua nuk bëhet më pak e moralshme sepse ka pasur përvoja, as më e denjë sepse nuk i ka pasur. Të lidhësh moralin me virgjërinë do të thotë të mos kuptosh as moralin, as gruan.

Ajo që ishte realisht e ulët moralisht ishte përpjekja për ta shfrytëzuar këtë situatë për vëmendje dhe famë. Mateo u përpoq të ndërtonte prezencë publike duke cenuar imazhin e një gruaje, duke ekspozuar “intimitetin” e saj dhe duke ushqyer një narrativë që gjithmonë dëmton femrën dhe rrallëherë burrin. Kjo nuk është guxim, por oportunizëm; nuk është e vërtetë, por spektakël.

Ky rast nuk flet për moralin e një vajze, por për dështimin shoqëror për ta ndarë moralin nga kontrolli trupor. Një shoqëri që ende kërkon “kartë virgjërie” për të vlerësuar një grua, nuk po mbron moralin, po justifikon padrejtësinë.