Sejmen Gjokoli: Roland Çene, lamtumirë!
-Në vend të homazhit-
Për të fundit herë u takuam afro tri vite të shkuara, më saktë në mbrëmjen e 17 Marsit 2023, në Teatrim e Operës dhe Baletit, në kryeqytet.
Ishte mbrëmja koncertore e AKKVP kushtuar etnomuzikologut dhe njerit prej kontribuesve të mëdhenj të kulturës kombëtare, Haxhi Dalipi, “Mjeshtër i Madh”.
Nuk mund të mungonte maestro i Gjirokastrës, një prej muzikologëve më të shquar jo vetëm të Gjirokastrës, qytetit të tij të lindjes, por edhe vendit, Roland Çene, “Mjeshtër i Madh”, njëkohësisht edhe vetë një kontribues i madh në fushën e trashëgimisë shpirtërore dhe veçanërisht artit të dirixhimit.
Kishim kohë pa u takuar kur mu çfaq po me atë ekspresivitet, po me atë karakteristikë të portretit të tij prej intelektuali të lindur po edhe babaxhani e njeriu të thjeshtë në mënyrën e komunikimit e veçanërisht të interesimit për të njohur e miq të përbashkët.
Kishte një lidhje tejet shpirtërore me vendlindjen time Zhulatin dhe sa herë që do më takonte do pyeste si për një vend që kishte jetuar apo kishte ndarë copa jete me të.
Në fakt me Zhulatin e lidhte vallja e famshme e burrave të këtij fshati të cilën për të parën herë në Kalanë e këngës, në festivalin kombëtar, e ngjiti fjala dhe ekspertiza e tij profesionale në krye të komisionit përzgjedhës të kohës.
Dhe sa herë do më pyeste për Myrte e Majko Pulën, dy korifejtë e valles së rëndë, por edhe për të tjerë burra të fshatit.
Siç do të më pyeste për tim vëlla Pëllumbin me të cilin deri sa iku në Tiranë, ndanin gjitoninë aty ku banonin në lagjen “Puntore” , përfund qytetit të gurtë.
Roland Çene rrezatonte një portret të spikatur të një prej intelektualëve më të vlertë të qytetit por edhe një muzikolog, dirigjent e drejtues në art e kulturë që vuri gurë trashëgimie në tërësinë e kulturës gjirokastrite.
Me një bagazh të jashtëzakonshëm në fushën e dirixhimit e krijimit po dhe me një autoritet të një profesionisti të vërtetë ai u bë pikë referemi për lëvizjen kulturore e artistike të qytetit të gurtë por edhe profesor e mësimdhënës për breza të tërë vajzash e djem të këtij qyteti.
Më pas, me transperimin në të vetmen shkollë të lartë të vendit në kryeqytet, në Akademinë e Arteve, do hidhte firmën e tij në sa e sa breza studentësh në të katër anët e vendit por edhe nga të gjitha trojet shqiptare.
Me ikjen e tij Gjirokastra do të duket edhe më e mpakur, edhe më e varfër në emrat që frymojnë por edhe më e pasur në emrat që i shkuan.
Siç do mbeten të ndritur në memorjen e në historinë e saj.
Lamtumirë, Roland Çene, profesori e njeriu plot intelekt, profesionalizëm e mirësi!