“The Washington Post” shpall librin nga Fortesa Latifi: “Një nga më të shumëpriturit e vitit 2026”
Libri “Like, Follow, Subscribe” i gazetares shqiptare me bazë në Los Angeles, që botohet në 7 prill 2026, duhet lexuar nga çdo prind në epokën dixhitale
Gazeta “The Washington Post” e ka përfshirë një libër të ri të gazetares shqiptare Fortesa Latifi në listën e privilegjuar të 19 librave që po vijnë para lexuesit amerikan e që nuk duhen humbur.
Lista e gazetës së famshme kryeqytetase përmban romane, biografi, dhe libra tematikë, si novela nga George Saunders dhe Ann Patchett, një libër kujtimesh nga Liza Minnelli, apo historinë plot intriga mbrapa zgjedhjes nga Rupert Murdoch të trashëgimtarit për perandorinë e tij mediatike.
Fortesa Latifi qendron mes këtyre emrave me meritë të plotë. Libri i saj mbi pasojat e ekspozimit të fëmijëve në rrjetet sociale nga familjet për famë apo fitime financiare ka një rëndësi të madhe dhe do të ndikojë në debatet ligjore, morale, psikologjike, e teknologjike të kohës.
“The Washington Post” fton lexuesit që e kanë nisur Vitin e Ri me premtimin për të lexuar më shumë që të ndalen në këta 19 tituj që pritet të shohin dritën e botimit në gjashtë muajt e parë të 2026-s.
“Like, Follow, Subscribe: Influencer Kids and the Cost of a Childhood Online” nga Fortesa Latifi do të botohet në 7 prill.
“Ka shumë për të diskutuar për efektet e përmbajtjes së rrjeteve sociale te fëmijët e vegjël dhe adoleshentët, mirëpo çfarë ndodh kur vetë fëmijët janë përmbajtja?”, shkruan “The Washington Post”. “Në librin e saj të ri, gazetarja Latifi heton industrinë e fëmijëve influencër. Ajo ka biseduar me prindër që bëjnë para duke zbuluar jetët e fëmijëve të tyre, me njerëz që në fëmini ishin influencër, si dhe me psikologjistë dhe ekspertë të tjerë duke na dhënë këtë portret alarmues”.
Ja si e përshkruan vetë shtëpia botuese librin që po vjen nga Fortesa Latifi:
Libri i Fortesa Latifit është përshkruar si një hetim tronditës brenda industrisë së “fëmijëve influencër” dhe i rreziqeve që vijnë kur bëhesh me famë në internet që në vogëli. “Like, Follow, Subscribe” (“Pëlqeje, ndiqe, abonohu”) është lexim themelor për këdo që kërkon të kuptojë çmimin e famës në rrjetet sociale dhe etikën e përmbajtjes në internet.
Si është të rritesh ditë e natë me një kamerë në fytyrë. Të kesh momentet e tua të fëmijërisë të shitura si material për miliona njerëz në rrjet? Çfarë ndodh kur dikush, që punon në një industri shumë miliardëshe dhe thuajse të parregulluar nga ligji, shet fëmijërinë e vet dhe nuk ka një mburojë sigurie financiare si i rritur? Si ndihesh kur momentet e tua më private: diagnozat mjekësore, menstruacionet e para, ndarjen e parë, llastimet prej fëmije, përdorimin e uturakut, apo heqjen nga gjiri — të transmetuara për një audiencë prej miliona njerëzish? “Like, Follow, Subscribe” hedh dritë mbi botën thellësisht shqetësuese të industrisë së “fëmijëve influencër”.
Gazetarja Fortesa Latifi hulumton jetët e fëmijëve, prindërit e të cilëve shfrytëzojnë aktivitetet e tyre të përditshme për si material për monetizim, duke ekspozuar çështje si shkeljet e privatësisë, abuzimi financiar, dhe mungesa e mbrojtjes për të drejtën e të miturve për të mos punuar. Nëpërmjet intervistave me psikologë, studjues të punësimit dhe madje edhe ish-fëmijë “influencer” dhe “vlogerë familjesh”, ajo zbulon presionet, traumën, dhe pasojat për fëmijët e shtyrë në qendër të vëmendjes.
Ky libër i ardhur në kohën e duhur dhe shumë edukues nuk zbulon vetëm dëmet e kulturës toksike të rrjeteve sociale: ai gjithashtu ofron edhe një plan për një mbrojtje më të mirë ligjore të familjeve influencues, për ruajtjen e sigurisë së fëmijëve, dhe për vënien në pikëpyetje të rolit të audiencave që këto cikle shfrytëzimi të mos përsëriten.
LAVDËRIME DHE VLERËSIME TË KRITIKËS
“Like, Follow, Subscribe” është hetimi më gjithëpërfshirës, empatik dhe i lexueshëm mbi fëmijët influencër që tani mbizotërojnë në kulturën tonë. Në kohën e duhur, shqetësues dhe intrigues — ky është libri që duhet lexuar pavarësisht nëse je prind, postues apo thjesht shikues.
—Scaachi Koul, autore e Sucker Punch
Me rigorozitet dhe empati, Latifi shqyrton mënyrat e shumta se si “influencimi” ka shtrembërruar kuptimin tonë për punën, privatësinë, dhënien e shfaqjes në publik, lejimin, dhe shfrytëzimin. Një rivlerësim urgjent dhe në kohën e duhur i mediave sociale dhe teknologjisë së sotme, “Like, Follow, Subscribe” është një vështrim i fuqishëm dhe plot dhembshuri mbi atë që ndodh kur fëmijëria bëhet virale—dhe çfarë u detyrohemi fëmijëve në një botë të drejtuar nga algoritmet.
—Amanda Montei, autore e “Touched Out”
“Lexim themelor për këdo që lundron në kryqëzimin mes fëmijërisë, prindërimit, teknologjisë dhe fitimit. Latifi nuk dokumenton thjesht një dukuri—ajo sfidon një sistem.”
—Jo Piazza, autore bestseller e “The Sicilian Inheritance dhe We Are Not Like Them”
“Jashtëzakonisht në kohë dhe me rëndësi—një lexim absolutisht i domosdoshëm për këdo që mendon seriozisht për t’u bërë prind në epokën digjitale.”
—EJ Dickson, gazetare kryesore e “The Cut”
“Like, Follow, Subscribe” është një nga librat më të fuqishëm që kam lexuar për ekosistemin e mediave sociale. Përshkrimi ekspert i Latifit i peizazhit të influencërave është njëkohësisht magjepsës, ndriçues, dhe alarmues. Shumë i rekomanduar.”
—Adam Alter, Profesor i Marketingut dhe Psikologjisë, NYU Stern School of Business, dhe autor bestseller i “Irresistible”
RRETH AUTORES
Fortesa Latifi është një gazetare me bazë në Los Anxhelos, Kalifornia. Shkrimet e saj janë botuar në “Rolling Stone”, “The New York Times”, “The Washington Post” dhe “Teen Vogue”, ndër të tjera.
Librin mund ta porosisni paraprakisht këtu: https://www.simonandschuster.com/…/Fortes…/9781668080504
Data e botimit është 7 prill.