Si përfundim kush fluturon më shumë, Rama apo Fevziu?
Nga Migena Aleksi
Pati një përplasje këtë të premte mes kryeministrit dhe një gazetari të njohur. Në këtë formë që u zhvillua kjo përplasje, më shumë foli për gjendjen e transparencës publike sesa për udhëtimet e kujtdo.
Njëri pretendon se ka “fakte”, por nuk i nxjerr. Tjetri i mohon kategorikisht, pa ofruar asgjë më shumë se fjalën e tij.
Publiku mbeti mes dy narrativave, pa përgjigje. As dokumente, as sqarime zyrtare. Në këtë pikë, ky publik, me të drejtë mban distancë nga të dy.
Gazetaria, sidomos në nivele kaq të nalta, nuk mund të mbështetet te insinuata. Por as pushteti, te mohimi absolut apo te sulmet personale.
Ndaj debati rrëshqiti shpejt në retorikë.
Ironia është se, ndërsa flitet për udhëtime, të dy protagonistët njihen pikërisht për jetën e tyre mes avionëve, hoteleve dhe studiove televizive. Njëri si kryeministër global, tjetri si gazetar ndërkombëtar.
Në çdo rast, në mungesë të fakteve zyrtare, mbetet shqetësimi publik nëse ajo që u përfol për ministrat është e vërtetë apo jo. Përgjigjja nuk mund të jetë as thashethemi mediatik, as batutat me kripë të pushtetit.
Sipas të tjerëve, dmth ne ‘ziliqarëve’, kush udhëton le të udhëtojë, por llogaridhënia duhet të zbresë në tokë. Edhe publiku kërkon transparencë, jo replika nga gate-t e tranzitit.
Ndryshe këto përplasje egosh janë thjesht zhurmë në ajër.
POSTIMI I RAMËS:
Blendi Fevziu i paskej rënë fort fare mbrëmë këmbanës së alarmit, duke deklaruar live në sallonin e tij se ka me fakte që “të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër tv sikur janë në punë”…
“Këtë jua garantoj”, ka thënë Fevziu, duke shtuar se “kjo është praktikë e paprecedentë, jashtë çdo standardi demokratik dhe nuk përdoret në asnjë vend tjetër të botës”.
Jo vetëm garancia e dhënë nga Fevziu nuk gjen mbështetje në asnjë fakt të regjistrit të udhëtimeve të ministrave (të cilët edhe kur dalin për arsye personale jashtë vendit e bëjnë me një kërkesë për leje dhe vetëm me miratim) po është kaq larg realitetit, sa edhe vetë fakti që prej vitesh s’ka më kaseta në nahijen tonë:-)
E vetmja arsye që unë i gjej kësaj bubullime janë 7 udhëtimet e fundit të Fevziut në Amerikën Latine, ku Fevziu bashkë me Baton Haxhiun, andej hante mëngjes me llapingachos në Ekuador ose rrufiste kafen e famshme Caranavi 8500 këmbë mbi nivelin e detit në Bolivi dhe këtej grindej live në Opinion deri në mesnatë po me Batonin – natyrisht bashkë me korin e llazoreve të sallonit të tij – sa për kronikën e zezë të javës e sa për përgjimet e zbardhura të ditës…
E që të jem korrekt me faktet, udhëtimet mbetën 6 sepse teksa kaseta e TV Klanit, transmetonte Fevziun që i kërkonte llogari live natën në ekran policisë shqiptare për gjendjen e rendit publik, Fevziu i vërtetë i jepte llogari live paradite policisë venezuelane pse dreqin donte të hynte në atë vend. Dhe ndërkohë që live këtej në Opinion, Fevziu me kostum e kravatë nxiste deri vonë sherrin e panelit me policinë, live andej në kufirin e Venezuelës policia e kthente mbrapsht Fevziun me këmishë me lule e kapele kashte, duke e konsideruar një demokrat shumë fanatik për të vizituar atë narkodiktaturë shumë krenare.
Kjo shaka e mbështetur në fakte reale, ishte goxha më shumë se gjysma e të vërtetës dhe nuk kishte absolutisht qëllim të nxirrte ndonjë inat të paprecedent jashtë çdo standarti demokratik Blendi Fevziun, sepse është liria e tij të shkojë ku të dojë dhe e drejta e TV Klanit që ta transmetojë Opinionin live në mungesë të Fevziut.
Por nëse Fevziu e do fare seriozisht këtë temën idiotike të kasetave, e po të dojë edhe të udhëtimeve jashtë shtetit të ministrave natyrisht, atëherë dihet botërisht, unë jam gjithnjë i tiji, gati për t’u përballur me opozitën e vetme që ka mbetur pa dalë krejt mendsh e boje në këtë vend – pavarësisht lajthitjeve të teketukshme live si kjo e 7 ministrave, të cilat kanë edhe anën e tyre humoristike
REPLIKA E FEVZIUT:
Kryeministri i Shqipërisë ishte shqetësuar nga një fragment i emisionit të djeshëm në Opinion, ku ministrat dhe drejtorët e tij sfilonin mes sipërfaqeve të përmbytura, duke bërë muhabet me vete. Po, po, me vete, duke u parë në sy, të ndjekur nga një kameraman i ministrisë që ecte mbrapsht.
Këto pamje, të transmetuara live thuajse kudo, ishin për mua jo vetëm një shëmtim moral, por edhe një lloj papërgjegjshmërie, që ministrave të sotëm u vjen nga impotenca e ideve, mungesa e karizmës dhe personaliteti i gjymtuar. Por s’do të zgjatem në këtë pikë, sepse meriton një shkrim më vete. Dhe javët e fundit kanë plot histori që mund të tregohen për këtë gjë…
U çudita që, me 1/3 e Shqipërisë nën ujë; me një zjarr që shkrumboi miliona dollarë të tregtarëve të vegjël të Tiranës; me krizën parlamentare të shkaktuar nga kërkesa e SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj një anëtareje të Kabinetit dhe nga akuzat për problemet në AKSH, problemi i vetëm që meritonte polemikë ishin daljet në TV të ministrave.
Po, daljet në çdo ekran të ministrave që bëjnë muhabet me vete, ose që diskutimet e zyrës i bartin në ndonjë cep të Shqipërisë duke shpenzuar kohën që duhet t’ua kushtojnë qytetarëve, është vërtet një shëmtim. Shumica nuk i pranojnë gazetarët, i montojnë lajmet me ekipet e tyre dhe ne i përcjellim pa asnjë mundësi verifikimi. Ndaj dje, vura bashkë me imazhin e tyre atë të Presidentit të SHBA-së ose të Prokurores së Përgjithshme, ku tregohej se kudo, shtetarët japin llogari përpara shtypit, jo kameramanit të ministrisë.
Akoma më i shëmtuar është fakti që këto kronika transmetohen edhe disa ditë më pas, kur protagonistët e tyre janë në impenjime të tjera ose nuk janë fare në Shqipëri. Nëse doni një shembull, mjafton të kujtoni se si Veliaj ishte në një event të Bashkisë “live”, kur BKH e mori nga zyra e tij. Shikuesit nuk kuptonin më lajmet që u vinin me njoftim për arrestimin, ndërkohë që ai vijonte të fliste në ekran. E njëjta gjë ka ndodhur edhe kur ministra të tjerë kanë qenë në Vjenë apo Emirate dhe ndërkohë shfaqeshin në ekran.
Por po të jap të drejtë: kjo s’ka ndonjë rëndësi. Rëndësi kanë dy “fake”:
E para, që llogaridhënia e ministrave përpara shtypit është zero, po zero.
E dyta, që shtypi është më përgjegjës se ministrat që ua transmeton kronikat e tyre. Po, përgjegjësia është e JONA!
Ndërkohë, postimi i Ramës dhe mesazhet që mora më bënë të kuptoj më mirë pse shoqëria shqiptare ka një ngërç që shumë shoqëri të tjera e kanë kapërcyer. Për fat të keq, Rama ishte pre e mendësisë së qeverisë së tij. Duke rrëmuar në profilin tim në Instagram, kishte parë postimet e mia të ditëve të fundit gjatë një turi në Amerikën e Jugut. Turi është bërë në gusht, kur ishim me pushime, ndërsa postimet e videove shtesë i publikova këto ditë.
Pra, ishin si videot e ministrave të tij, por me një ndryshim thelbësor: unë nuk kam pasur kurrë, në 33 vitet e fundit, punonjës publik; nuk jam paguar nga taksat e qytetarëve dhe as e kam detyrim t’u përgjigjem atyre. Dhe mund të postoj kur të dua, sepse nuk gënjej askënd. Aq më shumë që pjesa më e madhe e tyre mban shënimin “Gusht 2025”.
Unë jam një qytetar i lirë, që e ndërtoj jetën si dua. Dhëntë Zoti ta kem ndërtuar mirë. Kur Rama të jetë edhe ai i lirë, do ta kuptojë që kjo jetë e imja është më interesante sesa ajo që ka zgjedhur ai, dhe të cilën – ai e di shumë mirë – unë e kam refuzuar më shumë se një herë. Kam bërë gabim apo jo, pak rëndësi ka. Dhe vijoj ta refuzoj.
Së fundi, më lanë pa mend komentet dhe kurioziteti i njerëzve se përse më kishin kthyer mbrapsht nga Venezuela. Të dashur ndjekës, nuk e di pse Rama zgjodhi Venezuelën – çështje nënvetëdijeje – por po tallej. Dhe e thoshte vetë që po tallej. Mos i merrni talljet dhe shakatë për të vërteta, sepse pastaj problemi nuk është ai që bën shaka, por ai që i beson dhe i kthen në temë bisede.
Kategoria e fundit e këtij postimi janë “konspiracionistët”. Ata që thoshin “mos iu përgjigj se i heq vëmendjen”, ose që thoshin se është strategji për të devijuar vëmendjen.
Zonja dhe zotërinj, nëse një diskutim se si duhet të dalin ministrat në TV tërheq më shumë vëmendje sesa hallet dhe problemet tuaja, atëherë problemi nuk është Rama, por jeni JU!
E fundit: Rama e di shumë mirë se si ka qenë përballja e shtypit me politikën. Dhe mbase ende është i vetmi që vijon të ketë kurajë të përballet në emisione me gazetarë ose intervista. Ndaj unë e pres në studio me katër nga panelistët e djeshëm, për të folur për gjithçka që e shqetëson. Të paktën deri më sot, Rama nuk e ka pasur vesin e vartësve të tij, që kërkojnë të caktojnë edhe gazetarët me të cilët do të dalin në TV. Nëse vjen, mirë se të vijë…
https://gazetadita.al/si-perfundim-kush-fitoi-rama-apo-fevziu-po-publiku