Harmonia ndërfetare, një trashëgimi që ka mundësuar mbijetesën e identitetit shqiptar ndër shekuj
Ismet Hajrullahu
Historia e shqiptarëve është e mbushur me figura që kanë ditur të shohin përtej kufijve të besimit dhe të vendosin në qendër bashkimin e kombit. Tre prej tyre, si Pjetër Bogdani, Shën Nënë Tereza dhe Hoxhë Kadri Prishtina, janë shembuj që kanë lidhur shqiptarët në kohët më të vështira.
Bogdani, në shekullin XVII, theksonte se gjuha dhe kultura ishin themel i fuqishëm i identitetit kombëtar. Me veprën e tij ‘Çeta e Profetëve’, ai i dha letërsisë shqipe një bazë të fortë dhe kulturës sonë një shtyllë të qëndrueshme. Bogdani ishte një figurë, një prijës që i bashkoi shqiptarët përtej besimeve në një kauzë të përbashkët kundër pushtuesit osman.
Shekuj më vonë, Shën Nënë Tereza e ngriti emrin e shqiptarëve në mbarë botën me humanizmin e saj universal. Ajo nuk pyeti kurrë për fenë apo prejardhjen e atyre që ndihmonte; për të, çdo krijesë ishte e denjë për dashuri dhe respekt.
Në Kalkutë, mes të varfërve dhe të braktisurve, ajo tregoi se besimi i vërtetë është shërbim ndaj tjetrit. Në vitin 1979, bota e nderoi me Çmimin Nobel për Paqe, duke e kthyer në një simbol të dashurisë pa kufij. Nënë Tereza dëshmoi se një shqiptare mund të frymëzojë mbarë botën me vlerat e saj shpirtërore.
Në fund të shekullit XX, Hoxhë Kadri Prishtina tregoi se imamët mund të jenë edhe prijës shoqërorë e kombëtarë.
Ai u bë i njohur për rolin e tij në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe si kryetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.
Në një kohë kur identiteti kombëtar kërcënohej nga pushtuesit, Hoxhë Kadri Prishtina e përdori autoritetin e tij fetar dhe politik për të afruar njerëzit dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre. Figura e tij mbetet e respektuar jo vetëm nga besimtarët myslimanë, por nga të gjithë shqiptarët që e shohin tek ai një model të harmonisë ndërfetare dhe të guximit shoqëror.
Këta tre emra, secili në mënyrën e vet, tregojnë se feja ka qenë forcë bashkimi dhe frymëzim për shqiptarët. Harmonia ndërfetare është trashëgimi e fuqishme e kombit tonë. Kisha dhe xhamia kanë qëndruar pranë njëra-tjetrës, dhe besimtarët kanë ditur ta respektojnë njëri-tjetrin.
Ky model unik i bashkëjetesës është një nga vlerat më të çmuara që na ka mundësuar të mbijetojmë si popull i vogël mes perandorive të mëdha. Sot, kur bota shpesh përballet me konflikte fetare, shqiptarët mund të krenohen se kanë ruajtur një traditë të rrallë të tolerancës dhe bashkëjetesës.
Rinia shqiptare, sot, përballet me sfida të shumta që lidhen me globalizimin, emigracionin dhe ruajtjen e identitetit kulturor.
Shumë të rinj largohen nga vendi në kërkim të mundësive më të mira, duke rrezikuar të humbasin lidhjen me gjuhën dhe traditat. Të tjerë, që jetojnë brenda kufijve, përballen me presionin e modernizimit dhe shpesh e shohin fenë dhe kulturën si diçka të largët. Megjithatë, pikërisht rinia është ajo që mund të mbajë gjallë harmoninë ndërfetare, duke e parë si një pasuri që i jep kuptim identitetit kombëtar. Nëse të rinjtë e sotëm e kuptojnë se bashkimi dhe respekti janë themelet e së ardhmes, atëherë trashëgimia e Bogdanit, Nënës Tereze dhe Hoxhë Kadri Prishtinës do të mbetet e gjallë dhe frymëzuese për brezat që vijnë.
Nisma si Lëvizja për Rikthim tregojnë se shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë rrugë për të forcuar unitetin dhe për të rikthyer vlerat që i kanë mbajtur gjallë ndër shekuj. Ky rikthim është një domosdoshmëri për të ardhmen. Sepse pa rrënjë, pa kujtesë dhe pa respekt për harmoninë ndërfetare, identiteti rrezikon të humbasë.
Prandaj, Pjetër Bogdani, Shën Nënë Tereza dhe Hoxhë Kadri Prishtina mishërojnë shembullin e gjallë se besimi ka qenë ura që ka lidhur shqiptarët, duke e kthyer harmoninë ndërfetare në një vlerë të jashtëzakonshme kombëtare. Trashëgimia e tyre është një thirrje e qartë që të mos harrojmë se bashkimi, respekti dhe dashuria janë themelet mbi të cilat ndërtohet e ardhmja e një kombi.