Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Gudha: Njeriu dhe Muzika

Muzika, bashkëudhëtare e njeriut!

Homazh dhe mirënjohje për mësuesit e mi: Roland Çene (dirigjent) dhe Polo Xhori (violinist), të cilët më mësuan dhe më dhuruan pasurinë më të madhe të jetës-Muzikën!

Në foto: Roland Çene, dirigjent. Ansambli “Çerçiz Topulli” – Gjirokastër, 1968.

“Muzika është një dhuratë hyjnore si, për të pasurit edhe për të varfërit”, Papa Leone XIV, në koncertin e Krishtlindjeve, Vatikan, 2025.

Muzika ka lindur së bashku me njeriun dhe e shoqëron njeriun gjatë gjithë periudhave të jetës

Fëmija, kur lind qan (testi Apgar në maternitet)… Shenja e parë jetësore për fëmijën e porsalindur është të qarët (tingujt muzikorë). Të qarët është fillimi i simfonisë së jetës të njeriut.

Fëmija rritet me dashurinë dhe me ninullat e nënës. Edhe qumështi i gjirit të nënës shtohet dhe, është më cilësor, nëse nëna i jep gji fëmijës duke kënduar, por dhe bebi qetësohet!

Belbëzimet dhe të qeshurat fëmija i shpreh nëpërmjet tingujve. Njeriu e jeton jetën me gëzime dhe me hidhërime të shoqëruar gjithmonë me melodi dhe me këngë…

Në jetën e njeriut, muzika nuk ka qenë thjesht argëtuese, por ka shërbyer edhe si “ushqim dhe ilaç” për trupin e shpirtin  e njeriut.

Dashuria shprehet dhe “godet” më mirë me këngë, ashtu, si me serenatat korçare…

“Aleksis Zorba, i ulur në një nga tavernat me buzuk në anë të detit në Kretë, përballë kishte një vajzë të bukur Irena Papas. E shikonin njeri-tjetrin e Zorba matesh që t’i shprehte asaj dashurinë. Zorba, megjithëse ishte trim në beteja, nuk guxonte:

– Nuk arrij dot të ta them me fjalë – i tha ai, – por, më lër më mirë të kërcej nën melodinë e muzikës.

Në çast u ngrit nga tavolina dhe vetëm me lëvizjet e gjestet e duarve, të  trupit, e me lojën çmendurake të këmbëve, nën melodinë e famshme të kompozitorit Teodoraqis, ai arriti t’i shpreh asaj mallëngjyeshëm mesazhin magjik të dashurisë”. (Filmi “Zorba” sipas romanit të njohur të Nikos Kazantzakis dhe me muzikën e Michael (Mikis) Theodorakis, ku, rolin e personazhit kryesor e luante aktori hollyvudian Antony Quin.)

Njeriu martohet me këngë dhe muzikë. Këshilli i Europës i merr vendimet e rendësishme nën tingujt e Simfonisë së 9-të të Bethovenit.

Stendali, gjatë udhëtimeve të tij në Evropë, qetësinë shqiprtërore e gjente në koncertet me pjesë nga Mozart, Bethoven etj. Shpesh shkonte në Scala në Milano për të dëgjuar muzikë. Përse”? -Muzika ngjall dashurinë!-

Shkencëtarët e mëdhenj qetësoheshin në mbrëmje duke luajtur muzikë si Albert Ajshtajn në violinë, por, dhe presidentet e SHBA gjejnë relaksim shpirtëror me muzikë si Bill Clinton me Sax, apo çifti Obama në vallëzim tango latine.

Papa Ratzinger, kur u largua nga drejtimi i kishës katolike (Vatikan), shprehet: Falënderoj Zotin, që më ka vënë pranë muzikën (pianon), gati si një shoqe udhëtimi, që më ka ofruar ngushëllim dhe gëzim-.

Kur njeriu vdes, përsëri shoqërohet për në banesën e fundit me melodinë e të qarave me vaje apo, me muzikë.

Në minutat e fundit, gjatë mbytjes së vaporit Titanik, orkestrantët luanin melodi në instrumentat e tyre muzikore, duke shkuar drejt fundit të detit. (Filmi “Titanic” në vitin 1997, me 11 çmime “Oscar”me regji të James Cameron, me aktorët Leonardo DiCaprio dhe Kate Winslet si dashnorë të fshehtë në linjën e mallkuar të udhëtimit me anije nën tingujt e kolonës zanore të kënduar nga Celine Dion).

***

Diskutim: Muzika dhe Shpirti

Në historinë njerëzore ka ekzistuar dhe ende ekziston një raport misterioz, që lidh Muzikën, Shpirtin dhe Trupin e njeriut me harmoninë dhe me ritmin e jetës, që nga konceptimi i bebit, lindja e deri në vdekje.

 Ky mister është i lidhur në veçanti me pa aftësinë ende shkencore të mjekësisë në njohjen tërësore të organizmit të Njeriut si individ, por dhe në marrëdhëniet e Njeriut me Mjedisin rrethues.

Gjurmë në Lashtësi

Njeriu, qysh në Lashtësi, nëpërmjet Muzikës, ka imituar tingujt e Natyrës si: zhurmat e ardhur nga qielli, zhurmat e shiut, të erës, të gjetheve të pemës, të dallgëve të detit, hingëllimat e kafshëve etj. Në Lashtësi këngët shoqëroheshin me muzikë dhe me vallëzime të shoqëruar me “instrumenta muzikorë” që shkaktonin ekstazë, hipnozë kolektive dhe një “dehje” nga kënaqësia.

Në Indi 2000 vjet p.e.s. Shamans shëronin me muzikë shpirtërat e lënduar nga fuqi të mbinatyrshme.

Në Kinën e lashtë, Muzika krijonte lidhjen e Harmonisë së Njeriut në mes të Qiellit dhe Tokës (Jung-Jang). Jung është toka (femërore, e butë, perceptuese, e errët, e zbrazët). Jangu është qielli (mashkullore, e ndiçuar, e fortë, krijuese, ndërtuese). Jini është e ftohta, errësira, sëmundja dhe vdekja. Nëse këto forca janë në harmoni brenda trupit tonë, atëhere mbizotëron SHËNDETI. Çekuilibri sjell ankth, sëmundje dhe vdekje.

Kinezët përdornin 100 lloje të Muzikoterapisë. Sipas tyre, një tingull muzikor ndikon në një organ të caktuar në trupin e Njeriut. P.sh. Nota “Do” ndikon tek Zemra, Nota “Re” tek Mëlçia, Nota “Mi” tek Shpretka, Nota “La” tek Veshka, Nota “Sol” tek Mushkëria.

Në Persi, Muzika shërbente për qetësinë psiqike dhe shpirtërore të njeriut.

Në Egjiptin e lashtë të kënduarit ishte ilaçi më i mirë për pagjumësinë dhe për dhimbjet.

Greqia në Antikitet shek. VII-V p.e.s.

Në Antikitetin grek shek.VII-V p.e.s. koncepti filozofik i paraprinë Mjekësisë. Gjithëçka, bazohet tek Harmonia dhe Ritmi: Njeriu: Trupi, Mendja dhe Shpirti. Përkrahësit e kësaj doktrine në Athinë quheshin “Filozofë”si: Pitagora, Platoni, Aristoteli, etj.

Homeri (shek.IX p.e.s) tek “Iliada” dhe “Odiseja” ka përshkruar raste ushtarësh të plagosur me gjakderdhje dhe që u është ndaluar hemoragjia në saje të muzikës dhe të këngës.

Pitagora (mësues i Platonit) në shkollën Kroton (520 p.e.s) përdorte tingujt e muzikës si fuqi harmonizimi. Pitagora e aplikoi muzikën për qëllime mjekësore. Pitagora ishte i pari që filloi të bëjë librin e recetave të bazuar tek muzika: “Çdo sëmundje ka melodinë e saj”.

Pindari tregon se Asklepiosit kujdesoheshin për të sëmurët “me këngë shumë të ëmbla”.

Platoni dhe Aristoteli zhvilluan gjerësisht teorinë e ndikimit të muzikës mbi shpirtin, pasionet, karakterin dhe moralin tek njeriu. Ata edukimin e fëmijëve dhe të rinjve me muzikë e bënë një detyrë të shtetit: “Shteti ka për detyrë të sigurojë ruajtjen e moralit dhe për këtë, duhet të rregullojë përdorimin e muzikës”.

Platoni tregonte: “Muzika e pasuron shpirtin, i jep lezet dhe shkëlqim. Muzika është më e fuqishme se çdo gjë tjetër, sepse harmonia dhe ritmi tek njeriu i kanë qendrat e tyre në nyjen e shpirtin të tij”. Platoni i këshillon mamitë, që të zbusin dhimbjet e lindjes te gratë që do të lindin me këngët e tyre. Ai thotë se “recetat mjekësore janë të pa efektshme, pa kënduar”.

Në Romë, për kurim, aplikoheshin 2 terapi:

1. Fizike e lidhur me Natyrën dhe Shpirtërore.

2. Ritualet e Kishës dhe Muzikoterapia.

Evropa në Mesjetë. Muzika & Feja. Jeta shpirtërore e Njeriut!

Kënga Aleluja, Ave Maria etj. Muzika filloi të shkruhej me nota…

Periudha e Humanizmit. Figura njerëzore dhe anatomia e njeriut (pamja fizike) ishin në qendër të artistëve të kohës si Leonardo Da Vinçi, Mikelanxhelo etj.

Parisi në shek.XIX. Qendra Botërore e hulumtimeve mjekësore.

Mjekësia u shndërrua në Shkencë! Trupi (organizmi) i njeriut u njoh nga brenda se, si është i ndërtuar nga: qeliza, inde, organe…

Si funksionon? U njohën proceset fispatologjike, kimike, fizike, biologjike.

Mendja e Njeriut

Në periudhën e Iluminizmit në qendër të diskutimit filozofik e mjekësor ishte: Mendja e njeriut dhe Trupi.

Lametri shkroi librin “Njeriu makinë”, i cili bazohet tek filozofia moderne (Metafizika).

Ndër filozofët si: Descartes, Spinoza, Kanti, etj. funksionimi dhe raporti i Mendjes së njeriut me trupin ishin tepër të diskutueshme për zgjidhje.

Ndaj, u desh që filozofia moderne të ndahej dhe u krijua Psikologjia si shkencë më vete.

Zigmund Frojd përshkroi Psikoanalizën dhe shpjegoi se, simptomat psikologjike vijnë si pasojë e shtypjes së mendimeve dhe dëshirave seksuale nga ana e individit.

 Le të qëndrojmë pak tek raportet e Frojdit “Babai i psikoanalizës” me muzikën.

Frojdi vlerësonte pikturën, arkitekturën, skulpturën, letërsinë, poezinë, por kishte “frikë” nga muzika.

Përse kjo melofobi?

Dr. Stephen A. Diamond (klinicist dhe psikolog amerikan) në shkrimin Zigmund Frojd, psikoanaliza dhe muzika, thekson: “Qëndrimi i Frojdit ndaj muzikës ishte ambivalent (bashkë ekzistenca në të njëjtën kohë të dy fenomeneve të kundërta, me njëra-tjetrën, të cilat shpesh konsiderohen si fenomene verbuese p.sh dashuria dhe urrejtja).

Ai e përshkroi veten si “krejtësisht jo muzikor”. Me gjithë atë, ai mund të shijonte opera të caktuara si “Don Giovanni” dhe “Martesa e Figaros”.

Në konceptin e tij psikoanalitik, fuqinë terapeutike të muzikës e shikonte si një rival të mundshëm ndaj psikoanalizës të tij. Kjo melofobi, shpjegohet ndoshta se, Frojdi ka vuajtur nga simptoma të ndryshme neurotike, përfshirë obsesionin, kompulsivitetin, ankthin e vdekjes, migrenën dhe magji të zbehta psikogjene”.

Kurse, filozofi Niçe thoshte: “Para se të kishte filozofë, e veçanta i përket muzikës e ritmit, që kanë aftësinë për të shkarkuar pasionet, pastrojë shpirtin, zbusë acarimin e tensionin shpirtëror”.

 “Homo homini lupus”, “Njeriu është ujku për njeriun”. Proverb latin. Pesimizmi i Schopenhauer për shoqërinë njerëzore nisur nga Instinktet intime të Njeriut: Egoizmi, zilia, ligësia, dinakëria, grabitqar, mizor…

Muzika ka fuqinë, jo vetëm për të qetësuar shpirtin, por dhe, për të thirrur demonët tanë, sidomos emocione, kujtime dhe asociacione të shtypura gjatë.

Dramaturgu William Congreve citon: “Muzika ka hijeshi për të zbutur “gjirin e egër”, kurse, William Shekspir citon: “Muzika zbut edhe bishën e egër”.

***

Përvojë jetësore

“Kur vizitoj foshnjën në klinikë dhe kur jam në auditor me studentët, përjetoj po ato emocione dhe marr po atë kënaqësi, sikur luaj në violinë”.

Unë, me violinën jam njohur në moshën 10 vjeçare në pallatin e pionierit – Gjirokastër. Mësimet e para i mora me violinistin Polo Xhori, i porsa ardhur nga Amerika (violinist në orkestrën simfonike të 101 harqeve në Filadelfia).

Teorinë muzikore dhe kompozimin i mësova me dirigjentin virtuez Roland Çene. U jam shumë mirënjohës!

Më 1 dhjetor 2014 m’u desh të rikthehesha në profesionin tim si mjek pediatër në Konsultorin e fëmijëve në Qendrën Shëndetësore Nr.5 Tiranë dhe si lektor i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë.

Gjatë vizitës mjekësore me fëmijët e porsalindur e të moshës deri 3 vjeç vëzhgoja marrëdhëniet (afeksionin) nënë – fëmijë dhe mënyrat se si vetë nënat i qetësonin të qarat e fëmijëve gjatë vizitës mjekësore apo kur fëmijët aplikonin vaksinat.

Një nga metodat, që nënat vetpërdornin për të qetësuar apo pushuar të qarat e fëmijës, ishte kënga ose muzika në celular (iPhone) e tyre. Në konsultor, shpesh infermierja i qetësonte fëmijët pas bërjes së vaksinës, me tringëllimën e një zileje të vogël… Nuk e kuptoja këtë veprim, se fëmija qetësohej nga frika e tingullit të ziles, apo i jepte kënaqësi…

Për të kuptuar më mirë se sa informacion kishin nënat dhe personeli mjekësor për efektin e muzikoterapisë në mire rritjen e fëmijëve, në konsultore hartova një pyetësor. Pyetësori iu shpërnda 20 nënave të reja. Nënat ishin kryesisht me arsim të lartë. Nga kontigjenti i nënave të anketuara, 5 nëna kishin realizuar lindjen jashtë shtetit si në SHBA, Itali, Greqi, Gjermani, Kinë. Kurse, testimin mbi informacionin që kishte personeli mjekësor për Muzikoterapinë, e merrja me gojë, gjatë bashkëbisedimit me to.

Konkluzionet e pyetësorit nuk ishin shumë entuziaste lidhur me informacionin që nënat kishin në nivel individual për muzikoterapinë, apo mbi impresionet e tyre që kishin nga institucionet shëndetësore, në ambientin e sallës së lindjes në sallën e të porsalindurve në maternitet, apo në konsultorin e nënës dhe fëmijës.

Gjatë bashkëbisedimit me personelin mjekësor konstatoja se e pëlqente muzikën, por, nuk kishin informacion për efektin pozitiv të muzikës në mirëshëndetin e njeriut.

Raste në praktikën mjekësore

Fëmija Luka N. i datëlindjes 3. 12. 2013, lindje normale, me peshë lindjeje 3510 gr, fëmija i parë, u paraqit për vizitë mjekësore në konsultor më datën 29. 12. 2014.

Fëmija gjatë vizitës qante, i lëvizshëm… Jonela, nëna e fëmijës, për ta qetësuar filloi të komunikonte me fëmijën, i këndonte dhe nga çanta nxjerr celularin iPhone dhe i vendosi muzikë. Fëmija Luka në çast pushoi së qari, u qetësua dhe vizita mjekësore u zhvillua në kushte normale me fëmijën. E pyes Jonelën, nënën e fëmijës për të mësuar diçka më tepër lidhur me marrëdhëniet e fëmijës Luka me muzikën.

Jonela më përgjigjet:

– Kur kam qenë shtatzanë me Lukën, kam pasur shqetësime, si ankth, stres, por e qetësoja veten duke dalë shëtitje nga liqeni dhe duke dëgjuar muzikë me kufjet në vesh. Në muajin e shtatë të shtatzanisë, kur dëgjoja muzikë, i ndieja lëvizjet e Lukës më të forta në barkun tim.

 M’u kujtua “Efekti Mozart” dhe i them Jonelës:

– Luka është si Mozarti i vogël.

Tetor 2015. Luka është në moshën 22 muajsh. Kisha muaj pa e parë Lukën, pasi ai për një periudhë kohe ishte së bashku me prindërit në Brazil.

E pyes Jonelën, se si po shkon Luka me zhvillimin psikomotorr: me reagimet ndaj ambientit të jashtëm, me të folurit dhe me muzikën. Jonela më thotë:

– Kemi marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin, komunikojmë mirë. Luka flet fjalë dhe fjali si dhe ka mësuar këngën “Lodra e maçokut” të cilën e këndon me qejf.

Koiçidencë

I them Jonelës: – Këngën “Lodra e maçokut” e kam kompozuar unë në vitin 1975 (40 vite më parë), kur unë isha mjek pediatër, por njëkohësisht luaja në violinë dhe kompozoja këngë… Jonela e qeshur më dëgjonte me habi… dhe më thotë: – Dhe në Brazil, kur e çoja Lukën për vizitë mjekësore te mjeku Marcello, mjeku ma këshillonte muzikën, por dhe në klinikën e tij në sfond dëgjohej muzikë…

Një rast te një fëmijë autik

Një nënë së bashku me fëmijën e saj 6-vjeçar autik paraqitet në konsultor për të marrë një dokument. Fëmija ishte me të gjitha shenjat brenda spektrit autik, por dhe nëna tepër e shqetësuar për komunikimin me fëmijën e saj. E pyes nënën:

– Fëmija gjatë ditës si mund të qetësohet?

Nëna më përgjigjet:

– Qetësohet vetëm kur dëgjon këngë në festa familjare, veçanërisht kur dëgjon këngën “Qengji i vogël”. Dhe nëna, për ta bërë këtë gjë sa më të besueshme për ne, na tregon në aparatin celular iPhone filmimin-video, që i kish bërë fëmijës duke kënduar këngën “Qengji i vogël”. Në video fëmija dukej i qetë, i ulur para ekranit të TV dhe i dëgjohej zëri i tij i plotë. Fëmija e këndonte këngën me shqiptim të saktë të fjalëve, por dhe me intonacion të vijës melodike.

Ishte një çudi e pabesueshme për personelin mjekësor që ishte prezent para këtij fakti! Fëmija në jetën e përditshme nuk shqipton asnjë fjalë, por vetëm grindet, i papërqendruar në një vend dhe me lëvizje të çrregullta…

Si shpjegohet që këngën “Qengji i vogël” fëmija autik e këndon me fjalë të plota?!…

Në auditor me studentët

Në Fakultetin e Infermierisë, në kurrikulat mësimore vendosa 12 orë leksion/seminar për muzikoterapinë. Lënda e muzikoterapisë ngjalli interes tek studentet, por, dhe tek ekspertë të OBSH për infermierinë…

Gjatë mësimdhënies si pedagog, në Fakultetin e Mjekësisë U.T, në degën Shëndet Publik, në vitin akademik 2015-2016, në mirëkuptim me studentët, 2-3 minuta para fillimit të leksionit, dëgjonim muzikë. Mësimi fillonte në orën 8. 30 dhe kishin sëbashku 3 orë mësim. Studentja Dorela në Iphone e saj përzgjidhte një këngë, që e pëlqenin të gjithë. Studentët dëgjonin 2-3 minuta këngën e Leonard Cohen, apo këngëtaren e re Indila. Relaksoheshin…

Pastaj filloja leksionin. Mësimi ndiqej më me vëmendje nga studentët, por dhe rezultatet në provimin përfundimtar ishin tepër pozitive për të gjithë… Studentët, krahas mësimit, me muzikën u çliruan në botën e tyre shpirtërore rinore. Studentja Rikela më dhuroi një libër të botuar me poezitë e saj, kurse studendja Erlini, që kishte pasjon pikturën, më dhuroi një nga pikturat e saj.

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës(2018…), sipas temave të leksioneve, e filloja mësimin në fillim me një mikroleksion në videoprojektor me insertet audiovizive (6’), që i kisha përgatitur si: ADN e historisë së mjekësisë, Mjekësia dhe mjeshtëria e Artit, apo Muzikoterapia. Insertet janë të shoqëruar me muzikën Bolero të M. Raveli, Monti Chardash dhe Serenada e Shubert. Në auditor ndjehesh qetësi, vëmëndje dhe në fund duartrokitje… Leksioni me studentët vazhdonte me efikasitet… Efekti i Muzikës…!

“Ustallarët” e zemrës dhe profesorët e kardiologjisë shqiptare për muzikën.

Gjatë përgatitjes së shkrimit për muzikoterapinë, Prof. Anesti Kondili dhe Prof. Spiro Qirko, më dërgojnë mesazhet e mëposhtëme:

Prof. Anesti Kondili: – Eh, Muzika. Më erdhën në kujtesë dy momente nga jeta ime profesionale. Duke qenë në Vienë dhe më pas në Zyrih, kam asistuar në dy ndërhyrje të vështira në zemër. Më ka mbetur në kujtesë fakti që të dy ekipet mjekësore realizonin punën e vështirë, në sfondin e muzikës klasike dhe të lehtë vieneze. Kuptohet që ky sfond ndikonte pozitivisht në çtensionimin e tyre dhe në rendimentin e punës së tyre delikate. Është i njohur fakti që muzika ndikon tek njeriu qysh kur është në barkun e nënës e deri në pleqëri. Ajo qetëson shpirtin, shton kurajon për të përballuar vështirësitë e sigurisht shton gëzimin kur ai është i pranishëm.

Prof. Spiro Qirko:Muzika është mjekimi më efikas dhe më aristokrat që regjeneron shpirtin dhe nëpërmjet tij mposht të gjitha sëmundjet dhe vuajtjet njerëzore.

Në mbarë botën, data 21 Qershor është caktuar Dita e Muzikës me moton “për një jetë më të shëndetshme”!

Këshillë

Për kulturë e përgjithshme. Institucionet arsimore shtetërore apo private do të kenë shumë vlera kulturore, shëndetësore, psiko-sociale e humane për brezat e ardhshëm me programimin e edukimit muzikor në arsimin shkollor, me aktivizimin e fëmijëve në aktivitetet artistike korale apo në komplekse vokale dhe, deri në mësimin e një instrumenti muzikor. (Formim klasik arsimor).

Pritshmëria. Fëmijëve u shton inteligjencën, ndjeshmërinë njerëzore dhe parimin e solidaritetit!Rezultatet e muzikës do t’i ndiejë fëmija kur të jetë i rritu por, dhe prindërit dhe shoqëria, do të kontribuojnë në formimin e një shoqërie të kultivuar e të shëndetshme në një botë globale të trysnuar dhe që, përballet nga momenti në moment me faktorë të shumtë psikologjikë stresantë.