DASH revokoi më shumë se 100 000 viza në vitin 2025
Departamenti amerikan i Shtetit revokoi më shumë se 100 000 viza të huaja në vitin 2025, më shumë se dyfishi i vitit 2024 në vitin e fundit të administratës së presidentit Joe Biden.
Shifra është një rekord i të gjitha kohërave dhe vjen pas urdhrit ekzekutiv të ditës së parë të presidentit Donald Trump mbi verifikimin e të huajve.
Në vitin 2024, DASH revokoi 40 000 viza.
Shumica e revokimeve ishin për udhëtarët e biznesit dhe turistëve që i tejkaluan vizat e tyre.
Por, rreth 8 000 studentë dhe 2 500 punëtorë të specializuar gjithashtu humbën statusin e tyre ligjor.
Një zëdhënës i departamentit tha se shumica e studentëve dhe punëtorëve që humbën vizat e tyre kishin pasur përplasje kriminale me forcat e ligjit.
Midis punonjësve të specializuar, gjysma e revokimeve bazoheshin në arrestime për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 30% për akuza sulmi, rrahjeje ose mbajtjeje në burg, dhe 20% e mbetura u revokuan për vjedhje, abuzim me fëmijë, abuzim dhe shpërndarje të substancave si dhe akuza për mashtrim dhe përvetësim.
Gati 500 studentë humbën vizat për posedim dhe shpërndarje droge dhe qindra punëtorë të huaj humbën vizat sepse besohej se po abuzonin me fëmijë, sipas një zëdhënësi të departamentit.
Në gusht 2025, administrata Trump njoftoi se po shqyrtonte të gjithë 55 milionë të huajt që kanë viza të vlefshme amerikane.
Zëvendëszëdhënësi kryesor i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott, shtoi se administrata do të vazhdojë qëndrimin e saj agresiv të zbatimit përmes “qendrës së saj të re të verifikimit të vazhdueshëm”.
“Administrata Trump do të vazhdojë ta vërë Amerikën në radhë të parë dhe ta mbrojë kombin tonë nga shtetasit e huaj që përbëjnë rrezik për sigurinë publike ose sigurinë kombëtare”, tha ai.
Në nëntor 2025, Fox News Digital raportoi për herë të parë se departamenti do të zbatonte një rregull “barrë publike”, duke u mohuar vizat aplikantëve që konsiderohen të prirur të mbështeten në përfitimet publike.
Kjo përfshinte arsye shëndetësore – duke i vënë njerëzit e moshuar dhe mbipeshë nën një shqyrtim më të madh – kompetencën në anglisht, financat ose nevojat e tjera të mundshme për kujdes afatgjatë./atsh