Ismet Hajrullahu: Meshari i Gjon Buzukut dhe aktualiteti
Meshari i Gjon Buzukut është dëshmia e parë e shkrimit shqip, themeli i kulturës sonë të shkruar, që i dha gjuhës shqipe vendin e saj të merituar.
Më 5 janar 1555, prifti katolik shqiptar Gjon Buzuku përfundoi Mesharin, të cilin e kishte nisur te shkruante gati nje vit me pare.
Në parathënien e tij, ai shpjegon se e shkroi për t’u dhënë besimtarëve mundësinë të dëgjonin fjalën e Zotit në gjuhën amtare. Ky ishte një akt i jashtëzakonshëm, në një kohë kur përdorimi i gjuhëve vendase në liturgji ishte i kufizuar dhe pikwrisht Buzuku vendosi ta ngrejë shqipen në piedestal!
Meshari është dëshmi e përpjekjes për të ruajtur gjuhën dhe identitetin në një periudhë të rrezikut dhe asimilimit.
Historianët e lidhin këtë nismë me politikën e Vatikanit për gjuhët vendase, sidomos në Ballkan, ku kisha përballej me sfidat e reformës protestante dhe zgjerimit të islamit.
Origjinali i Mesharit ruhet sot në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Zbulimi i tij ka një histori të gjatë dhe daton më 1740 kur ipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi e gjeti në Romë, më 1909 arbëreshi Pal Skiroi e rizbuloi, e ndërsa më 1929 At Justin Rrota solli tre kopje fotografike.
Kopja e vetme e njohur është e cunguar, me rreth 220 faqe, e shkruar në shqipen e kohës me alfabet latin gjysmë‑gotik.
Në vitin 2014, Papa Françesku solli një kopje të Mesharit në Tiranë, duke e vendosur sërish në qendër të kujtesës kombëtare.
Meshari është pasqyrë e gjuhës së shekullit XVI, ku shihet qartazi struktura gramatikore, fjalori dhe fuqia shprehëse e shqipes.
Për gjuhëtarët dhe studiuesit e shumte është burim i paçmuar, për ne shqiptarët është provë se gjuha jonë ka qenë gjithmonë e aftë të mbajë mbi supe peshën e kulturës së shkruar.
Meshari na mëson se gjuha është themeli i dijes, identiteti ynw qw e kemi ruajtur me fanatizem ndwr shekuj.
Amaneti i Buzukut na thërret të ruajmë dhe forcojme identitetin tonw në kushtet e emigrimit dhe globalizimit.
Në rafshin kulturor, Meshari i Buzukut na vendos në hartën e qytetërimit europian.
Në kohën tonë, kur teknologjia po ndryshon mënyrën e komunikimit dhe globalizimi dhe po e vë në provë gjuhën shqipe, Meshari është thirrje për vigjilencë.
Shumë gjuhë të vogla në botë po zhduken e ne shqiptarët kemi një pasuri të madhe, gjuhën shqipe, qe duhet ta ruajnë me kujdes. Meshari na kujton se kjo gjuhë ka rrënjë të forta dhe mund të mbijetojë çdo sfidë, nëse ne e mbrojmë.
Meshari është amaneti që na kujton se kush jemi dhe nga vijmë!