Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Jorgji Kote: Homazh dokumentar për ambasadorin e ndjerë, Shaban Murati

Ndryshe nga zakoni në të tilla raste, Fondacioni Çamëria “Hoxha Tahsin” dhe presidenti i tij, zoti Alket Velia, kishin menduar që me rastin e 80-vjetorit të lindjes së mikut dhe bashkëpunëtorit të tyre ta nderonin ambasadorin Shaban Murati për së gjalli edhe me një dokumentar televiziv. Për këtë qëllim zgjodhën një kastë elitare me emra të mirënjohur prej dekadash dhe iu vunë pa vonesë punës. Për fat të keq, për punë muajsh, i ndjeri nuk e arriti dot jubileun e shënuar të lindjes. Ndaj ceremonia prekëse e promovimit të dokumentarit “Shaban Murati, diplomati antitabu”, më 11 dhjetor 2025 në hotel “Tirana International” ishte një homazh dhe çmallje, sado e vogël e familjarëve, kolegëve dhe miqve të shumtë me të ndjerin.

Dokumentari zë fill në Durrës, në shtëpinë ku ai lindi, u rrit dhe mori edukatën e parë, i ushqyer me dashurinë për letërsinë dhe poezinë. Për ta vijuar pasionin e tij në Tiranë, në Fakultetin e Gjuhë–Letërsisë në Tiranë bashkë me personalitete të shquara të poezisë sonë, si Xhevahir Spahiu me shokë. Edhe pse për shkak të kufizimeve të njohura të kohës, ai nuk e vazhdoi dot ëndrrën e tij letrare dhe poetike, pasionin për të e mbajti përherë ndezur dhe nuk mungonte ta shprehte sa qe gjallë. Vetë Shabani tregon natyrshëm me mall dhe nostalgji për babain, i cili i kishte ngjallur dëshirën dhe kureshtjen për politikën e jashtme, kur të dy dëgjonin të rejat nga bota në katin e dytë të shtëpisë. Dhe fati e desh që ai t’i përkushtohej me mish dhe me shpirt për mbi 5 dekada gazetarisë së jashtme dhe diplomacisë.
I gjithë dokumentari është një tablo e gjallë plot ngjyra e karrierës së gjatë dhe të spikatur të Shaban Muratit; e filloi si gazetar i thjeshtë te Sektori i Jashtëm i Radio Tirana dhe më vonë si shef i Redaksisë së Jashtme te gazeta “Zëri i Popullit”.
Me këtë bagazh dhe avantazh të pasur si gazetar i marrëdhënieve ndërkombëtare, në vitin 1991 filloi karrierën diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Për të shkëlqyer pas vitit 1992 si ambasadori i parë i vendit tonë në Shkup.
Pas kthimit nga Maqedonia e Veriut, vijoi me përkushtim në MPJ, si drejtor i Drejtorisë së sapoçelur të Prognozës dhe Analizës Diplomatike.
Në vitin 2000 filloi punën si ambasador rezident në Suedi dhe jorezident në Norvegji, Finlandë dhe në Islandë. Pas kthimit nga Stokholmi, drejtoi për disa vite Akademinë Diplomatike në Ministrinë e Jashtme. E mbylli karrierën diplomatike pasi shërbeu si këshilltar special i ministrit tonë të Jashtëm në vitet 2014-2016.
Dokumentari ia ka dalë mbanë të dëshmojë se përvoja e tij e larmishme, kultura dhe etika e lartë diplomatike që përfitoi dhe që sipas kolegëve të huaj i përdorte me finesë dhe me mjeshtëri në komunikimin diplomatik ia shtuan mundësitë për të pasuruar edhe publicistikën e tij me shkrime dhe botime prestigjioze. Me një megakatalog të tematikave më të nxehta kombëtare, Euro-Atlantike dhe sidomos ato ballkanike, të cilat ishin edhe në krye të axhendës nordike. Ca më tepër se në Stokholm, ishte Kryeministri dhe kryediplomati Car Bildt, i njohur ndërkombëtarisht si një ndër ballkanistët më të shquar, ministrja e Jashtme e ndjerë Ana Lindt dhe personalitete të tjera me të cilët ai mbante kontakte pune.
Meritë tjetër e dokumentarit është se për këtë periudhë plot sfida dhe arritje flasin shumë bashkëkohës, gazetarë, diplomatë dhe politologë vendës, por edhe të huaj.
Dhe jo në përgjithësi, por duke u ndaluar secili në aspekte të veçanta, konkrete dhe të spikatura të Shabanit. Kështu, bashkëpunëtorja e tij e kahershme, gazetarja e njohur Diana Toska e BÇ-së në Shkup, tregon për rolin e madh të ambasadorit në forcimin e kohezionit politik dhe social të shqiptarëve, dëgjimin më të mirë të zërit të tyre etj.. Mirëpo, falë rëndësisë së çështjes shqiptare në Maqedoni në atë periudhë historike, siç e pohon edhe vetë Shabani në dokumentar, ambasadori i Shqipërisë ishte më i rëndësishmi pas atij amerikan. Nga ana e tij, diplomati dhe poeti Ilirian Zhupa, bashkëpunëtor i Shabanit në Akademinë Diplomatike, tregon për kapacitetet politike, thellësinë e kuptimit dhe interpretimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe stilin e drejtimit të ambasadorit Murati.
Ndërsa në Stokholm, ish-drejtori i Protokollit në MPJ-në suedeze dhe i Ngarkuari me Punë i Suedisë në Tiranë në vitet 2005– 2007 përshkruajnë me fakte domethënëse mbresa të pashlyeshme për ndihmesën e spikatur të ambasadorit të ndjerë. Me këtë pozitivitet flet edhe ambasadori ynë në Bratislavë, Arten Hanku.
Në vijim, dokumentari tregon më shumë dëshmi dhe pamje konsensusin e gjerë se Shaban Murati ka shkëlqyer sidomos në analizat e gjithanshme për marrëdhëniet ndërkombëtare; jo vetëm për prodhimtarinë, me qindra shkrime dhe mbi 20 libra cilësorë, por mbi të gjitha, për aktualitetin përvëlues dhe cilësinë e analizave, kurajën dhe kulturën e të shkruarit: vlerë e shtuar janë edhe rekomandimet e tij për procesin vendimmarrës shtetëror, qeveritar dhe diplomatik.
Ndonëse analiza është “shtrati”, “pararoja”, “konsulente dhe oponente” e çdo veprimi diplomatik, jo çdo diplomat mund të jetë analist i mirë. Përvoja ndërkombëtare tregon se kjo kërkon interes dhe kureshtje intelektuale për të ndjekur e skeduar sistematikisht ngjarjet e ndryshme për të reflektuar, për t’i ballafaquar e për të nxjerrë konkluzione prej tyre, në veçanti për vendin tënd etj.. Këto cilësi i kishte unikalisht “Fenomeni Shaban Murati”, ashtu siç e quaj kolegun dhe mikun e rrallë në kreun e posaçëm të librit “ Diplomacia për të gjithë” (2014).
Ashtu siç shprehet gjatë pohimeve të saj mbresëlënëse në dokumentar botuesja e njohur e veprave të tij, poetja laureate, Rita Petro, ajo çka dallon shkrimet dhe botimet e Shaban Muratit janë vijimësia, përgjegjësia e lartë me vlera institucionale, shtjellimi i problemeve në tërësinë e tyre, referimi në të kaluarën, ballafaqimi me të sotmen dhe mbi këtë bazë parashikimi i saktë i së ardhmes; moderacioni (maturia) dhe shqetësimi qytetar, por kur e kërkon puna edhe “jo”-ja e hapur dhe apeli për të riparuar apo ndryshuar taktikat dhe strategjitë përkatëse në politikat e jashtme; së fundi, gjuha e thjeshtë, por e pasur dhe stili plot larmi që i bën tërheqëse sidomos për publikun e gjerë. Por, mbi të gjitha pa asnjë paragjykim dhe tabu, madje, “antitabuve” ai i kushtoi tru libra vitet fundit. Ndaj dhe titulli i dokumentarit tingëllon i vërtetë dhe i natyrshëm për Shaban Muratin.
Gjithashtu, ashtu siç e përmenda në prononcimin e shkurtër në këtë dokumentar, Shaban Murati nuk bënte diplomaci për konvejencë dhe për konvergjence, ca më pak “për t’u bërë fresk” të tjerëve, qofshin edhe qeveritarë të lartë; përkundrazi, ai ishte diplomat i koherencës dhe konseguencës, me “vija të kuqe”, jashtë të cilave nuk bënte kompromis, madje ishte i pamëshirshëm me “artilerinë e tij të rëndë”, siç ishin prononcimet dhe analizat e tij. Këto të fundit shkaktonin panik dhe tronditnin edhe kancelari në ndonjë vend fqinj, sepse i “shkelnin në kallo”. Pavarësisht çmimit që iu desh të paguante për këto qëndrime parimore dhe patriotike “diplomati antitabu” nuk pranoi asnjëherë të bëhej puthador me askënd.
Vlerat dhe cilësitë e Shabanit si diplomat/ambasador dhe që bën diferencën me të tjerët shfaqen qartë në këto intervista, si dhe në faktet dhe shënimet e shumta të mbajtura me dorë, të cilat i tregon me mall dhe nostalgji i biri, gazetari ynë i mirënjohur Erl Murati. Aty spikatin patriotizmi, pasioni dhe vendosmëria për të mbrojtur me çdo kusht çështjen tonë kombëtare, sidomos atë të Kosovës, denoncimin e tezave për ndryshimin e kufijve, nismën “Ballkan i Hapur” që siç shprehej ai, “ka lindur e vdekur”, Çështjen e Detit qysh në vitin 2009 kur ishte në radhët e para të frontit të bashkuar kundër Marrëveshjes që më vonë u shfuqizua.
Po ashtu, Shaban Murati është shquar për qëndrimet e forta, të drejta dhe parimore ndaj çështjes çame, rëndësinë e saj kombëtare, që siç e theksonte, do mbajtur në agjendën tonë diplomatike, pavarësisht koniunkturave gjeopolitike.
Nuk besoj se ka autor dhe analist tjetër diplomat që të ketë trajtuar në karrierën diplomatike dhe në botimet e tij prestigjioze pa përjashtim të gjitha tematikat e nxehta të Ballkanit Perëndimor dhe për secilin vend të rajonit si Shaban Murati. Ai u rikthehej edhe në botimet e tij temave të ndërlidhura me aspektet kryesore të integrimit Euro-Atlantik nën këndvështrimin Realpolitik dhe jo si “dëshirë e mirë”!
Ja pse me të drejtë, në korrik 2012 Presidenti Bamir Topi, i cili prononcohet me vlerësime të larta edhe në dokumentar e shpalli Shabanin “Mjeshtër i Madh”, ndërsa Shoqata e Gazetarëve i dha çmimin “Gazetari analist më i mirë i vitit”.
Nisur nga sa sipër, jepet qartë mesazhi se diplomatë dhe ambasadorë të formatit Shaban Murati, të cilët bota i mban “në pëllëmbë të dorës” meritojnë të paktën një homazh të tillë si dokumentari në fjalë. Jo si “qokë”, as thjesht për mall dhe nostalgji, por si një dedikim i ndjerë, edukativ, plot informacion të vlefshëm, që përjetëson këtë figurë të shquar të diplomacisë të 40 viteve të fundit, pikë reference për politologët, diplomatët dhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Gjithashtu, ky dokumentar vërtet cilësor është një kujtesë dhe apel për një kujdes dhe vëmendje më të madhe nga Ministria jonë e Jashtme në këtë drejtim. Ka ardhur koha që ajo të vlerësojë më shumë faktin tashmë ne kemi një shkollë, përvojë dhe trupë të kualifikuar diplomatike dhe të formatit ndërkombëtar; me diplomatë dhe ambasadorë me disa mandate dhe shumëpalëshe jashtë vendit, me poste të larta drejtuese në ministri, këshilltarë presidencialë dhe në organizatat ndërkombëtare, ku ne bëjmë pjesë dhe të cilat i kemi drejtuar me kompetencë.
Ndaj, mbledhja, vlerësimi, përhapja dhe shfrytëzimi i kësaj përvoje, ku ambasadori Shaban Murati zë një vend të veçantë duhet të jetë pjesë përbërëse e punës së diplomacisë sonë. Duke filluar nga prania, përgjithësisht e munguar, e drejtuesve të MEPJ-së në promovimet e botimeve dinjitoze të ish-ambasadorëve dhe diplomatëve tanë të njohur; madje, fillimisht këto promovime duhet të fillojnë pikërisht në selinë e MEPJ-së. Këtu, pa shkuar larg, ajo mund të mësojë nga homologët e saj në Prishtinë, në Shkup, në Podgoricë, në Zagreb dhe gjetkë ku botimet e tij u promovuan në praninë e tij edhe muajt e fundit, pak përpara se të ikte nga kjo botë me ceremoni të posaçme publike, akademike dhe mediatike.
Mungesën e dhimbshme të kujtesës dhe respektit institucional Shabani e ka treguar me një ndodhi në Gran Canaria, ku ai festonte 65-vjetorin e lindjes; si dhuratë nga e bija e tij, Arba, zonjë e nderuar, eksperte e proceseve demokratike dhe zgjedhore në Bruksel e gjetkë. Ai u habit kur të nesërmen i sollën në dhomë një shampanjë dhe tortë me kartolinën e urimit; befasim i bukur kur i thanë se dhuratat ishin nga drejtorja e hotelit, e cila kishte parë ditëlindjen e tij në pasaportë. Me keqardhje të madhe ai shprehet se këtë ndjenjë vlerësimi si klient nuk e kishte pasur në Tiranë, edhe pse kishte qenë goxha drejtor dhe ambasador!
Në përfundim, meritojnë përgëzimet dhe vlerësimet më të larta Fondacioni prestigjioz Çamëria “Hoxha Tahsin” dhe veçanërisht presidenti i tij, Alket Veliu, për këtë nismë bujare dhe mbështetjen praktike për realizimin e dokumentarit me parametra tejet cilësorë; por edhe në përgjithësi për kujdesin e veçantë që ky fondacion tregon për botimet elitare dhe të ambasadorit të ndjerë Shaban Murati.
Fjalët dhe falënderimet më të mira meriton i gjithë ekipi i dokumentarit, duke filluar nga drejtorja e filmit Lorina Pepo deri te montazhieri Gjergji Pano.
Skenari që iu besua gazetarit dhe analistit brilant të medias sonë të shkruar dhe televizive, Ben Andoni, është hartuar me mjeshtëri dhe ndjeshmëri, duke shfrytëzuar me shumë merak deri në detaje informacionin e bollshëm dhe të larmishëm. Ben Andoni ka qëmtuar me shumë durim, kujdes dhe vëmendje pjesët më domethënëse të jetës së protagonistit tonë në të gjitha kohët dhe dimensionet; i ka prezantuar ato me shumë ndjenjë, etikë dhe vërtetësi, në një kombinim brilant të aspekteve më jetësore. Atë e ka ndihmuar si një vlerë e madhe e shtuar redaktorja Valentina Hysi, gazetare me përvojë, autore librash, e shquar edhe në përgatitjen e disa dokumentarëve prestigjiozë, përfshirë edhe skenarë të ngjashëm.
Veterani i RTSH-së, Xhemal Reçi, me kamerën e tij perfekte dhe me pasionin që e ka karakterizuar gjatë karrierës së tij të gjatë në RTSH ka dhuruar pamje të kapura pastër, nga perspektiva tërheqëse, të cilat të mbërthejnë me ndjenja dhe emocione të veçanta. Në fakt, Xhemal Reçi nuk na shoqëron thjesht dhe vetëm me kamera, por edhe me dijet, botën e tij dhe emocione të mëdha kudo, nga shtëpia e Shabanit në Durrës, pastaj në Tiranë, në udhëtimet dhe shërbimet e punës deri në shuarjen e tij, më 14 shkurt 2025 dhe përcjelljen për në banesën e fundit, ku u bashkua me Dashurinë, shoqen dhe dashurinë e tij të jetës. Të gjitha këto me rrëfimin profesionist të Genc Ymerajt, veteran i zërit dhe leximit të pastër tingëllues.
Padyshim që në drejtimin dhe harmonizimin e elementëve të lartpërmendur ka pasur ndikim përcaktues regjizura e filmit, e thurur me mjeshtëri të rrallë nga Ylli Pepo, “Artist i Merituar”, ikonë e vërtetë e Radio Televizionit dhe filmit dokumentar ndër dekada. Në mbi 5 dekadat e fundit, Ylli Pepo shquhet për begatinë e dokumentarëve televizivë tejet edukativë, siç i thonë fjalës “njëri më i mirë se tjetri”. Ai i ndjek dhe pasqyron të gjitha dinamikat, jetën, pasionin dhe profesionin e tij me frymëzim të pashtershëm dhe me po ato energji pozitive të dikurshme; vetëm se tani me më shumë pjekuri, qetësi, modesti dhe përvojë të admirueshme. Ajo që të bën përshtypje nga sa vërejta në Tiranë në takimin me ta është se realizuesit e këtij dokumentari përbëjnë një ekip funksional, ku veç përgjegjësisë dhe rolit të secilit në fushën e vet, të gjithë e njihnin edhe nga afër, e nderonin dhe respektonin Shabanin si familjar, si mik, diplomat, koleg dhe njeri fisnik.
Ja pse po e mbyll shkrimin me fjalinë vërtet lapidar të emblematikut Ylli Pepo gjatë promovimit të dokumentarit: “Shaban Murati ka thënë gjithçka për popullin dhe vendin, duke skalitur testamentin e tij të përjetshëm të kombit”.

https://www.panorama.com.al/homazh-dokumentar-per-ambasadorin-e-ndjere-shaban-murati