Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Një afresk në varrezat e një qyteti provincial

Botimi i një romani apo libri poetik të një miku të afërt, kolegu apo dhe kushdo, është padyshim diçka për tu përshëndetur. Në Panairin e fundit të librit nuk isha në Shqipëri edhe pse do të doja të isha në prezantimin e romanit të ri të Kliton Nesturit “Njeriu që shkruante në varreza”, një libër me një titull intrigues dhe tërheqës që në fillim. Librin ka dy javë që e kam lexuar dhe si ish kineast më kanë mbetur imazhe skenash dhe një atmosferë tepër interesante e një bote të periferisë shqiptare, ku ardhja e një njeriu misterioz që shkon në varrezat e qytezës dhe shkruan, arrin ta trondit mendësinë e njerëzve dhe të sjellë një pështjellim sa koshient aq dhe inkoshient, rrethuar me një vorbull pyetjesh nga më të habitshmet. E pra, ja që duke lexuar faqet e romanit, që mund të ishte një film i ardhshëm surealist, lexuesi fillon ta njohë më mirë këtë qytezë, historinë e saj, personazhet e habitshme që përbëjnë osmozën e tij, një botë paradoksi ku nis të shfaqen histori njerëzore që përbëjnë afreskun e vërtetë të kësaj qyteze periferike, personazhe si Brumbulli i zi, varrmihësi Uran, lypsari dhe çmimet e arkiolëve, Antoni, prifti At Aleksandri që rishkruan pasazhe të Biblës, të cilat reflektojnë mjedisin social të qytezës, Aljona, qytetari “F”, një zyrtar administrate që dyshon në aventurat e gruas së tij, Albioni apo të tjerë që shfaqen nga historitë e varreve si ajo e kasapit të vrarë pas shpine. Imazhet janë kinematografike, siç është dhe Molisa që me këpucët me taka ecën sfiduese përballë kishës dhe ku prifti që dëgjon zhurmën e takave pëshpërit: Ah moj mëkatare!

Gjetja e veçantë i ka dhënë dorë që ta veshë me shumë kolorit këtë botë të largët, të humbur e të trishtë e monotone, larg modernitetit. Në fund, me ikjen e personazhit që shkruante në varreza mendon se romani mbaron, por autori e vazhdon për të thënë fjalën e fundit mbi personazhet e tjerë, çka mund të ishte më sintetike. Sidoqoftë, ajo që mbetet në mendjen e lexuesit është ajo gjetje që të emocionon dhe e bën lexuesin të mendohet për jetën dhe kohën, për kuptimin që në fund të fundit njeriu duhet ti japë jetës së tij. Eshtë pikërisht kjo gjetje që gjeneron personazhe dhe fate njerëzore, një vorbull që na rrëmben edhe ne që lexojmë në qerthullin e vet. Çdo qytet provincial ka jetën e tij. Kudo jetohet, kudo dashurohet dhe në varërinë më të madhe, por rëndsi ka drita që kemi në shpirt. Kudo ka varreza dhe jetë që lindin dhe vdeisn. E në këtë botë efemere shkrimtari me talentin e tij arrin ta kapë një çast të jetës, ta shtjellojë, ta modelojë dhe të rikrijojë atë që ndodh në thellësinë e botës njerëzore, atë që nuk duket dhe që për të cilën kemi nevojë. Duhet të jesh një lloj eksploatori, i ngjashëm me zbuluesin francez të thellësive detare Jacques Cousteau. Ja pse gjithmonë na grish idea për të vëzhguar si Nesturi, aty ku ka një mister, ku bashkëjetojnë dhe ndeshen e mira me të keqen dhe ku drita e mirësisë përparon në çdo ag.