Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: In memoriam, Ded Gjo’ Luli!

DED  GJO’  LULI  (1840 – 1915)

PO EMNI I YT ASHT I PERJETSHEM!

Një emen që tue mos pasë pranë asnjë epitet nënkupton në Tè: Shqipninë, Flamurin, Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, Nderën, Vetflijimin për Atdhe dhe, së fundit “shpifjet dhe harresën”…

Kur mësuem këtë emen na dukej se bahej fjalë për një person që e kishim ndigjue dikund… ndoshta, ndër përralla, mbasi nuk kishim ide se një Malësor nga Hoti, mund të detyronte një sulltan Stambolli me i kërkue “marrveshje”… e ndoshta, edhe me e peshue me monedha ari. Asnjëherë nuk shihej as Flamuri i Tij, edhe pse Foto Kel Marubi e kishte fiksue në xhamat e vjetër të studios së tij.

FLAMURI 1911.

Dikund ndër skuta të shtëpisë e kishim edhe një fotografi “të mbetun”, ma shumë se të ruejtun, mbasi kontrollet e vazhdueshme të sigurimit komunist kishin marrë me vete çdo foto që kishte një njeri me armë ose të veshun ushtarak. Për fat Deda ishte i veshun me çakçir…nuk ua pat tërheqë synin e tyne “vigjilent”!

Herën e parë këtë Emen e pata ndigjue nga një grue e veshun me rroba të zeza, që pat ardhë për vizitë në shtëpinë tonë, Ajo ishte jo aq plakë sa e bante shamija e zezë mbi kokën e Saj dhe Fëtyra e lodhun nga qendresa për mos me kja për vrasjet e djelmëve të saj, nga stuhija e ardhjes së komunistave me ernat rrënuese të Serbisë, që Ajo i njihte me kohë, kur ishte kenë vajzë e re. Ishte Katrinë Tomja… edhe sot kujtoj ata dy sy Shqiponje, apo të ndonjë sfinksi, nuk mund ta përcaktoj… por, pa i shtue asgja nga fantazia ime fëminore, ata ishin sa një filxhan kafje dhe të zez si futa, që i mbështillte Fëtyrën e skalitun si dikund ndër ato vepra arti që shfletojshe ndër libra, por gati… pa kuptue asgja…

Ajo i foli Nanës seme për qëndresen e Saj… se, “grueja apo vajza malësore e ka për turp me u pa një pikë loti tue i ra nëpër faqet e saj, kjoftë edhe për djalin e vetëm…”. Kjo bisedë që po bante Ajo, më tërhoq vëmendjen, mbasi nuk ishte larg nga koha e vdekjes së Babës dhe unë po mendojshe se cilit fis i përket Nana eme, që porsa zente me gojë emnin e Babës, i shkonin lotët rrëkajë…Kur iku, e pyeta Nanën pse nuk i shkonin lotët Asaj kur bisedonte për djelmët e vet të vramë nga partizanët dhe Nana, më tha shkurt: “Ajo asht një nga Burrneshat që ka luftue vetë me armë në dorë… ndër male kundër serbëve”!

Ma vonë jam kujtue përse ndër male nuk kjajnë femnat tona, se Atyne u asht pjekë syni nga duhma e barotit në beteja të rrebta përkrah Trimave të vet Malësorë!

Ishte viti 1961 kur pata fatin me kalue ndër duert e mija një nga gazetat ma të njoftuna shqiptare, “Ora e Maleve”… aso kohe rrebtësisht e ndalueme me u lexue. Po për me dashtë me ditë kush asht kenë Ai Burrë me emnin Dedë Gjo’ Luli, aty mundesh me gjetë pikërisht ate që quhet esenca e veprës së tij e shprehun në pak rreshta, por e saktë, ashtu si të gjithë dokumentat që përfshihen ndër ato faqe. Sigurisht, tue lexue aty gjenë edhe fakte që janë ende të panjoftuna, ose të lanuna më njëanë me qellimin e keq, që ma vonë…me u arkivue në “harresë”. Deri këtu do t’ ishte dishka edhe e pranueshme me rrugën e vështirë që vazhdon me ecë Historia e vertetë e popullit Shqiptar, ende e pashkrueme, po ajo ma e keqja asht shtrembnimi i fakteve historike, gja që më ka shtye me u ulë me shkrue këta pak rreshta për Mikun e shtrenjtë të të Parëve të mijë, që në ato ditë të Shenjta të Marsit 1911 ishin përkrah Dedë Gjo’ Lulit.

Dedë Gjo’ Luli asht le aty rreth vitëve 1840. Kur mungon data e saktë në artikujt e klerikëve, ajo datë asht e pamujtun me u gjetë! Edhe ata e tregojnë jetën e Tij nga goja e njerëzve të afërt të Dedës, në gazetën “Ora e Maleve”, dokument të cilit i jam referue pa frikë. Vendi ku çeli Shqipja Këte vigan asht Mali i Traboinit. Ishte djalë i vetëm. Gjithmonë Shqipnia ka pasë fatin e Saj me u mburrë me “rrelike” të vetme… Koha e Miletit asht ajo që zen fillë emni i Tij, kur me Preng Bibdoden, Çun Mulen e Hotit, Hodo Begun, të famshmin Marash Ucin e sa perla tjera të “Lahutës së Malësisë”, me të cilat At Gjergj Fishta pat vue në gjoksin e Nanës së vet Shqipni gjerdanin e artë të lavdishëm dhe të përjetshëm të Tyne, në betejat e përgjakshme kundër turkut…

Atëherë kur Hafiz Pasha i Turqisë së plotfuqishme u pat kërkue armët Malsorëve, bash ata “dreq” armësh me të cilat u ka dalë punë të gjithëve, derisa mbërritën me shpikë e me punue në shekuj për me u vue edhe emnin “kusarë gjaksorë”, Deda mori malet bashkë me disa Burra që “historia”e sotme e së shkretës Shqipni nuk i njeh, si Sokol Bacin, Smajl Martinin, Dedë Preçin, Keqa Prelen, Dulo Staken, që për dy vjet patën shkue ndër bjeshkë të Krasniqes, në shtëpinë e një tjetër emnit të “harruem”, Qazim Binakut. Po ku do të kujtoheshin këta emna, në cilin prej kapitujve të ngjarjeve të ndalueme kishin me u njohë nga Rinia Shqiptare, që edhe “këta” emna kishte mangut “me dijtë”… se pak ishin emnat e serbëve e të rusve, apo kinezëve ndër faqet e historisë sonë!

Mbas formimit të Lidhjes së Prizrenit, qetësia e Perandorisë së Osmanllijve kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Malësorët nuk i mbante ma as frika, as huni, as “premtimi”, prandej edhe lufta e tyne për Liri ishte ndezë në të katër anët. Flaka kishte përfshi Hotin, Grudën dhe Kastratin.

Të gjithë kishin rrokë armët. Beteja ma e rrebta asht ajo që u ba në Traboin, në Qafën e Kishës dhe në Spi, ku Dedë Gjo’ Luli u pat tregue anmiqve të Shqipnisë se kush asht Shqiptari i “ringjallun”.

Asht pragu i një Ringjalljes së Madhe, ku Malësori kishte marrë në çdo pikë gjaku nektarin e Atdhetarizmit dhe të Fesë së dhunueme ndër sa shekuj, nga “bletët puntore” me zhgunin e Shën Françeskut t’ Asizit, që nuk iu tutën as marrjes zvarrë mbas kuajve të pashallarëve, as hunjve të vumë ndër “shenjat e Kryqave”, ku nguleshin si kafshët për me mohue Fenë e Krishtit.

Po rilindte një Popull i nëpërmkambun për mos me u shtrue dhe shue kurrma e, Ky ishte Populli Shqiptar, që trandi Ballkanin. Ishte viti 1910 kur Trimi i Traboinit me vullnetin e Tij prej çeliku ndodhet mes kryengritësve të Malësisë së Madhe, ose si asht njohë ndër dokumenta, të Malësisë së Mbishkodrës, dhe len trollin e vet për mos me u kthye kurrma, me 29 Korrik.

 Melbourne,  14 Janar 2026.