Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Kur xhelozia vret vetveten

Xhelozia profesionale është një histori e vjetër, pothuajse e pranishme që nga antikiteti…

Që nga kohët e lashta, në oborret mbretërore, akademi, art e politikë, xhelozia është shfaqur si një hije e pranishme, që të ndjek nga mbrapa.

Kur njerëzit e ndiejnë se statusi i tyre është i brishtë dhe çdo arritje e tjetrit për ta shihet si një kërcënim, frika nga humbja e pozitës është një nga shtysat më të forta.

Ekipet e ndryshme, të ngarkuar nga xhelozia, humbasin harmoninë, përfundojnë në grindje të pafundme, pastaj në armiqësi, dhe natyrshëm shkatërrohet ajo që nuk do të duhej të shkatërrohej, si besimi, bashkëpunimi dhe vetë fryma e punës së përbashkët. Organizatat që lejojnë xhelozinë të mbizotërojë krijojnë kulturë toksike, humbasin njerëzit më të aftë dhe dëmtojnë reputacionin e tyre. Eksperienca na bën të kuptojmë se rivaliteti është shkatërrues dhe i pariparueshëm.

Po ashtu, eksperiencat e shumta tregojnë se xhelozia nuk sjell përmirësim, por vetëm shkatërrim. Pra, ajo nuk ka prodhuar kurrë zhvillim, nuk ka ngritur kurrë vlera, përkundrazi ka rrënuar besimin dhe ka ndalur hapin e madh për ecjen përpara.

Çdo rast ku xhelozia, smira ka dominuar, ka lënë pas vetes humbje të pariparueshme, miqësi të prishura, ekipe të shkatërruara dhe mundësi të humbura. Kjo është arsyeja pse ajo shihet si një plagë sociale, e cila nuk mund të justifikohet me asnjë arsye.

Në përgjithësi, xhelozia profesionale nuk vret rivalin, por vret vetveten , sepse shkatërron qetësinë, besimin dhe mundësinë për të ecur përpara…!

Njeriu i ndershëm përballon dhe sfidon gjithkënd që është në kundërshtim me realitetin, sepse ndershmëria është forca që e mposht djallin dhe e mbron të vërtetën!