Albspirit

Media/News/Publishing

Ksenofon Dilo: Para 94 vjetësh linda në Zagorinë e Gjirokastrës

Si sot, para 94 vjetësh, linda në Zagorinë e Gjirokastrës — një copëz guri, drite dhe kujtese që do të bëhej përgjithmonë zemra e pikturës sime. Që nga ai çast i parë, duket sikur fati më vuri në dorë penelin dhe më tha: “Ruaje këtë vend në telajon dhe ngjyrat e tua”.

Gjirokastra nuk ka qenë thjesht qyteti im piktoresk. Ajo ka qenë frymëmarrja ime. Kalldrëmet e saj më mësuan ritmin, shtëpitë e gurta më mësuan qëndrueshmërinë, dritaret më mësuan shpresën. Çdo hije mbi mure, çdo dritë e mëngjesit mbi çatitë e pjerrëta, është shndërruar në telajo, në përpjekjen time për ta ndalur kohën.

Kam pikturuar Gjirokastrën dhe dizenjuar skenat e Festivaleve Kombëtare Folklorike në vite, jo siç ishte dhe është, por siç ka jetuar brenda meje. Në çdo tablo qyteti apo skenografi festivali kam lënë mallin, mirënjohjen, dhe frikën se mos një ditë ajo do të ndryshojë dhe nuk do ta njoh më. Prandaj e kam kthyer në ngjyrë dhe formë, që të mbetet e përjetshme.

Sot, pas 94 vjetësh, e ndiej se çdo vepër e imja, është një letër dashurie për vendlindjen. Edhe kur dora lodhet, kujtimi nuk lodhet kurrë. Zagoria dhe Gjirokastra vazhdojnë të më flasin dhe unë sa të kem frymë, do t’u përgjigjem me bojë dhe dritë.