Arben Iliazi: Takim me poetin Nazim Hikmet
Me poetin e shquar turk Nazim Hikmet, i cili u lind më 15 janar 1902, jam njohur së pari nëpërmjet “Antologjisë së Poezisë Turke të shekullit XX”, botuar para dyzetë e ca vitesh nga SHB Naim Frashëri. Kënaqësia ishte e patreguar. Për shumë vite poezia e tij më shërbeu si shëmbëlltyrë dhe si udhërrëfyese në krijimtari dhe në zhvillimin artistik. Që në leximin e parë të të poezive të tij u befasova dhe kuptova se Nazim Hikmet ishte poeti i ndjeshmërisë, i lirizmit të hollë, i intimitetit dhe i dashurisë. Nazim Hikmet ishte shkrimtar, poet e dramaturg. Ai njihet si themeluesi i lirikës moderne turke dhe një ndër përfaqësuesit dhe themeluesit e poezisë së re turke, së bashku me poetët e tjerë të talentuar Orhan Veli, Oktaj Rifat dhe Melih Xhevdet Andaj, etj.
Pa poezinë e tij mendoj se bota letrare turke dhe ajo botërore do të ishte më e cunguar dhe më e varfër. Në krijimtarinë e N. Hikmet u shfaq krijimi eksperimental i shprehjes, gjuha ekspresive mes vargjeve refleksive, figurative, në botën e tij të veçantë poetike, ku sfidonte me energji të pa thyeshme sfondin e shëmtuar të fatit të errët.
Në lirikën e tij moderne, të gërshetuar bukur me traditën, dominon koncepti i kompozimit të ndryshimeve, kthimeve, kërcimeve. Avangardja e tij lirike nuk pasqyron kohë të fiksuar, por ajo është në lëvizje, shkon më tej, ecën si e guximshme, përherë me shprehje e gjurmë nëpër kohë.
Si mjeshtër i madh i lirikës dhe fjalës së zgjedhur, që përdori gjuhën si fushë për veprim, Nazim Hikmet shkoi me guxim dhe rebelim estetik në eksperimentimin e tij, deri në rrëpirën më të lartë e të vetmuar të artit.
Po kush është Nazim Hikmet?
Nazim Hikmet u lind në vitin 1902 në Selanik si bir i një zyrtari të Ministrisë së Jashtme. Datëlindjen e tij e gjejmë edhe më 20 nëntor të vitit 1901. Ai u rrit kryesisht tek gjyshi i tij, që ishte gouvernator i sulltanit në Aleppo dhe më vonë Diyarbakir. 1921-24 studion në Moskë, ku bie nën ndikimin e Majakovskit dhe komunizmit. 1925-26 jeton në Stamboll ku publikon në disa revista të kohës.
Konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë turke dhe vepra e tij është përkthyer në më shumë se 50 gjuhë. Bindjet politike të Hikmetit çuan në arrestimin dhe burgosjen e tij në disa raste, duke përfshirë qëndrimin në një burg në ishullin Imrali, ku ai shkroi disa nga veprat e tij më të famshme. Gjithashtu, ai u internua nga Turqia për shumë vite dhe jetoi në Bashkimin Sovjetik, ku vazhdoi të shkruante dhe të botonte. Në vitin 1926 dënohet me 15 vjet punë të detyruar e ekzil për shkak të një poeme e arratiset në Moskë. Më 1928 ai kthehet në Turqi e dënohet me 7 muaj burg. Në vitin 1934-35 arrestohet sërisht e në vitin 1938 dënohet me 15 vjet burg.
Veprat e tij janë të ndaluara në Turqi deri në vitin 1965. Ato botohen vetëm jashtë vendit e shpërndahen nën dorë. Ai lirohet nga burgu në vitin 1950 mbas disa protestave ndërkombëtare. Menjëherë mbas lirimit nga burgu emërohet në ushtri dhe kërcënohet me vrasje.
Nazim Hikmeti arratiset përsëri me një varkë përmes Detit të Zi. 1950-63 jeton kryesisht në Moskë. Mbas kritikës së hapur drejtuar Stalinit në Kongresin e shkrimtarëve sovjetike syrvejohet nga KGB-ja. Nâzým Hikmeti vdiq në Moskë. Në vitin 1951 merr çmimin ndërkombëtar të paqes (International Peace Prize) nga World Peace Council. Përveç poezisë së tij, Hikmeti ishte, gjithashtu, një dramaturg dhe romancier i njohur. Dramat e tij, si “Epika e Sheik Bedrettin” dhe “Radio-Opera” u shfaqën gjerësisht në Turqi dhe jashtë saj, ndërsa romanet e tij, duke përfshirë “Peizazhe njerëzore nga vendi im” dhe “Gjyqi i njëzet e një në Moskë” trajtojnë temat e shtypjes politike dhe gjendjen njerëzore.
Vepra e tij vazhdon të lexohet dhe studiohet në Turqi dhe në mbarë botën, dhe ai konsiderohet simbol i lirisë dhe rezistencës në kulturën turke. Hikmet vdiq në Moskë më 3 qershor 1963, por trashëgimia e tij vazhdon, poezitë dhe dramat e tij janë ende të interpretuara dhe librat e tij ende lexohen gjerësisht.
***
Për kënaqësinë tuaj po sjellim poezinë “Deti më i bukur”, përkthyer me mjeshtëri nga miku im Iliaz Bobaj si dhe një poezi tjetër përkthyer nga Edon Qesari
Nazim Hikmet: Deti më i bukur
Të qeshësh nga thellësitë
e së artës së syve të tu
jemi brenda botës sonë.
Deti më i bukur
është ai që nuk e kemi
udhëtuar akoma.
Fëmijët më të bukur,
ende nuk janë rritur.
Ditët tona më të bukura
nuk i kemi jetuar.
Dhe atë që desha të të them,
më të bukurën nga të gjitha,
nuk ta kam thënë ende.
——————
Nazım Hikmet: Përmallim
U bënë njëqind vjet
pa ta parë fytyrën
pa çuar krahun tim
përreth belit tënd
pa vështruar fytyrën time në sytë e tu
u bënë njëqind vjet që s’i bëj më pyetje
dritës së shpirtit tënd
pa e prekur ngrohtësinë e barkut tënd.
U bënë njëqind vjet
që kur një grua më pret
në një qytet.
Bashkë vareshim mbi të njëjtën degë,
mbi të njëjtën degë
ramë, ne u ndamë,
mes nesh plot një qindvjeçar
në kohë dhe në hapësirë.
U bënë njëqind vjet që në gjysmëhije
rend mbas teje.
Je dehja ime
Nga ty s’u esëllova dot
S’mund të esëllohem
S’dua fare të esëllohem
Koka që më rëndon
Gjunjt’ e gërvishtur
Rrobat e ndotura
Shkoj drejt dritës që ndriçon dhe shuhet
tek lëkundem, bie, sërish në këmbë ngrihem.
Përktheu nga frëngjishtja: Edon Qesari