Atentati që mbylli një epokë dhune: Si u ekzekutua Arkani në Beograd?

Sot mbushen 26 vjet nga vrasja e paramilitarit famëkeq serb, Zeljko Raznatoviç, i njohur si Arkani. Ngjarja ndodhi të shtunën, më 15 janar 2000, rreth mesditës, në hollin e hotelit Intercontinental në Beograd.
Sipas hetimeve, ai u qëllua sapo doli nga ashensori, kur autorët hapën zjarr duke lënë të vdekur Arkanin dhe dy truprojat e tij; vdekja u konfirmua në vend pas plagëve të rënda në kokë.
Arkan ishte një nga figurat më të frikshme të luftërave jugosllave të viteve ’90, komandant i njësisë paramilitare “Tigrat e Arkanit”, e akuzuar për krime të rënda lufte në Kroaci dhe Bosnjë. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar e konsideronte kriminel lufte, në Serbi një pjesë e shoqërisë e trajtonte si hero, pavarësisht akuzave të shumta që ai i mohonte.
Frika që emri i tij ngjallte ishte e njohur edhe në politikën e lartë: ish-diplomati amerikan Richard Holbrooke ka rrëfyer se gjatë Dejtonit, presidenti serb Slobodan Millosheviç kishte thënë për Arkanin: “Kam frikë prej tij”. Pas luftës, Raznatoviç u rikthye në biznes dhe sport, duke blerë klubin e futbollit Obiliç dhe duke u përfshirë në polemika të reja.
Vrasja e Arkanit shënoi fundin e një figure që për shumëkënd ishte simbol i dhunës dhe krimeve të Ballkanit të viteve ’90, duke lënë pas një trashëgimi të errët të lidhur me varre masive dhe frikë kolektive.